-Histori e jetuar…Nga Estela Ruka, Nyack SHBA-
Pasi kaluan lumin Fan në këmbë, natyrisht të përveshur deri lart pasi uji ishte i thellë, ndërsa ishte fund dimri morën rrugën këmbësore që të çonte në drejtim të fshatit Velë. Rruga për të shkuar në Velë ishte e gjatë, e lodhshme me malore të theksuara, e ngushtë si shteg bagëtish. Të mbërrije në Velë duhej të përshkoje më parë fshatrat Munaz e Rreja e Zezë, dhe këtë rrugë duhet ta bënin me patjetër edhe atë ditë agronomi i kooperativës së Munazit, Ademi, dhe sekretari i partisë, Prenga.
Ishtë urdhër që atë ditë këta duhet të çonin për çdo familje nga një numër të caktuar fidanësh për ti mbjellur në prag pranverën që po afronte. Pas më shumë se dy orësh, ashtu të lodhur, agronomi dhe sekretari mbërritën në Velë aty ku shfaqej kulla e parë, ajo që të gjithë i thoshnin kulla e Lal Dedës.
Ishte një kullë hijerëndë, me një oborr të madh dhe në skaj të të saj cikrronte një burim uji, që fshatarët e asaj zone e quanin burimi te llajka (derë e gardhit prej hunjsh druri). Sapo shquan këtë ambient, agronomi i drejtohet bashkëudhëtarit që të ndalojmë sëpari te kjo kullë, për të lënë fidanët që i përkisnin.
– Jooo, i thotë sekretari partisë, këtu smund të ndalojmë, pasi ata janë kulakë.
– Po kush jeton në atë kullë dhe përse është cilësuar kulake kjo familje, pyeti i habitur agronomi.
– Aty jeton një plak që quhet Dedë Shyti dhe gruaja e tij Mara, fëmijë nuk kanë sepse djalin e vetem 18 vjeçar ja kanë vrarë, për hasmëri. I quajtën kulakë sepse Lal Deda nuk i dorëzoi të gjitha dhentë në koperativë, ju përgjigj sekretari.
Agronomi uli kokën dhe i thotë Prengës (sekretarit të partisë) unë kam urdhër te shpërndaj fidana dhe pleh kimik në çdo familje. Kështu që do e marr unë përsipër te shkoj tek lalë Deda. Agronom do na marrësh me qafë, i thotë sekretari. Hajde or Prengë se e mbaj unë këtë përgjegjesi, i thotë agronomi, hajde te pijmë ujë tek llajka dhe i bëjme za të zotit të shtëpise, dhe kështu u vendos.
-
O lalë Deda, thërret agronomi, si në zakon,
-
Hajde bujrum, i përgjigjet një zë brenda kullës.
Futen në kullë dhe ajo çfar i bën përshtypje agronomit, ishte pastërtia dhe bukuria që ishte brenda kullës. Lal Deda i pershëndet të dy dhe vazhdon, mirëse ju ka pru zoti, e ju lumshin këmbët. Aty vjen dhe nënë Mara, me një shami të zeze në kokë e tesha mirditore, të bardha. Gruaja ime, prezanton Lal Deda, po uluni të shplodheni, ndërkohë rrobat e mysafirëve ishin të lagura, hajdeni ju thotë nënë Mara të ndërroheni, dhe ju nxjerr rroba nga sënduku. Lal Deda ndez zjarin dhe porosit nanë Marën t’ju nxjerrë të hanë mysafirve. Mishi i thatë i derrit, rakia dhe turshitë, si dhe buka e ngrotë nuk munguan në atë tryezë mikpritese.
Nga te kemi o agronom, i drejtohet Lal Deda, Nga gjithë Shqiperia jam, ja ktheu agronomi si me shaka, pasi kam leviz shumë nëpër ekonomi të ndryshme. Quhem Adem Ruka dhe origjinën e kam nga Vlora, i pergjigjet ai Lal Dedes. Lal Deda pasi u mendua pak i kthehet agronomit.
– Ore djalë, po unë me këtë mbiemër kam njohur nje njeri të madh, burrë zamani ishte, emri i tij quhej Idriz Ruka. Punoja dikur gardian burgu, n, burgun e Burrelit dhe aty në nje nga qelitë ishte ky person që me ka bërë përshtypje te madhe, përfundoi fjalinë lal Deda..
– Bash baba im është, ju përgjigj agronomi. Lal Deda ngrihet në këmbë i habitur dhe i thotë, po mirëse na erdhe o djali i mikut tim, më nderon me ardhjen tënde. Këto biseda u shkëmbyen dhe darka kaloi me shumë mirësi e muhabet të gjatë, e shtresat e mbulesat vinin erë trëndelinë, pasi dhe nanë Mara ishte një grua e fortë dhe pastërtore.
Të nesërmen në mëngjes teksa po dilnin nga kulla e Lalë Dedës, sekretari i thote agronomit, si do bëjmë po ta marrin vesh këtë që erdhëm ketu…, Kemi ardhë me pi ujë tek llajka o Prengë, i thotë agronomi dhe buzeqesh.
Pasi dalin nga kulla që nga mëngjesi e për gjatë gjithë ditës, agronomi me sekretarin shpërndajne fidanat, në të gjitha fshatin.
Teksa do linin fshatin Velë, agronomi ka një porosi për nënë Marën…duke e porositur që për çdo problem në spital apo punë të tjera në Rrëshen si ako dhe lalë Deda, dera e tij ishte e hapur, si tek djali vet.
Jo më larg se të nesërmen, kishte shkuar fjala në komitet të partisë se agronomi dhe sekretari i parisë kishin bërë “konak” një natë në kullën e kulakut të Velës, Dedë Shyti. Më herët kishin thirrur sekretarin dhe e kishin marrë në pyetje e natyrshëm, ky kishte treguar versionin e paravendosur, teksa po dilnin nga kulla. Për të verefikuar thëniet e sekretarit më vonë thirrën agronomin, e në sy të sekretarit e pyesin dhe këtë…
Po, konfirmon pa hezituar agronomi, jemi ndaluar dhe kemi pirë ujë të llajka, ndërsa fidanat i çova unë te kulla, sepse kisha porosi të shpërndaja të gjithe fashatarve. Duke vijuar më tej, agronomi me zemër e thotë se kulakët janë fshatarë që nuk duhet ti kthejmë kundër, ndaj mendova se ju takonte.
Për fat kjo çështje u mbyll këtu, ndaj nuk pati ndonjë masë shyqyr zotit tek asnjëri, ndonëse në atë kohë kjo lloj fryme kundër kulakëve ishte e tepruar, dhe kjo nofka “kulak” ishte tepër e rëndë për njerëzit që e vuanin këtë.
Nënë Mara i blen televizorin agronomit.
Që prej asaj dite nanë Mara, e Lal Deda tashmë kishin një derë të hapur si miq, a si pjesëtarë familje tek agronomi, ndaj dhe vazhduan ta vizitonin në ditë të mira dhe të keqija njëri-tjetrin. Për spitale dhe vizita mjekësore për të cilat sidomos nënë Mara kishte nevojë, dera e agronomit gjithnjë ishte derë e hapur.
Në një nga rastet e vizitave të shtëpia e agronomit, nënë Mara kishte parë se kishte shumë fëmijë, por akoma nuk kishte televizor në banesë për ta. Ndaj pa hezituar e kishte pyetur agronomin, ore Adem pse nuk ju ke blerë një televizor kalamajve, apo nuk të kanë dhënë autorizim për ta blerë?
-Jo… i përgjigjet agronomi, nuk e kam kërkuar autorizimin, se nuk i kam mbledhur të gjitha paret akoma…Po me të pytë kot, sa pare ke deri tani, vijon nanë Mara… po ja i tha agronomi, më duhet të pres sa të kursejmë edhe 12 mijë lekë, dhe më pas do ta kërkoj autorizimin.
Nuk vonoi më shumë se një jave dhe nënë Mara shfaqet përsëri të dera e agronomit, dhe pasi rehatohet në divan i thotë:
Kam ardhë me të prue 12 mijë lekë dhe shko e bleja kalamajve televizorin. Agronomi habitet dhe i pergjigjet se nuk i pëlqente borxhi. Jo, i thotë nanë Mara nuk jane borxh. Ne nuk kemi fëmijë, e këto janë dhuratë për fëmijet e tu.
Agronomi u përlot dhe e përqafoi fort nanë Marën. Miqësi të tilla janë të rralla, por kanë egzistuar dhe janë akoma në memorjen time.
Nyack, (New York) SHBA, 18.10.2024

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

