Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një këngë për Musinenë, ose një lapidar vlerash nga artistë mirditas.

Me zërin e Kol Zefit, Margarita Nikollit dhe Fabiola Menës, rijetëzohet martirja Kokalari..

Nga Pirusti News
20 287 Shikime
SHPERNDAJE

-3 maj 1983, ose 3 muaj e gjysëm para se të ndahej nga jeta-

Për herë të parë pashë paradën e 1 Majit në televizorin e Muzos. “Kushëriri im i madh” si gjithmonë i qetë, por me shokë të rinj në krahë, vështronte. I prunë një kasketë që mos t’i digjte kokën dielli. (Pjesëz nga ditari i Musine Kokalarit)

-Nga Aleksandër NDOJA-

Në Mirditë, kanë kaluar me qindra e ndoshta me mijëra udhëtarë ndër shekuj, të cilët drejtpërsëdrejti nuk kanë qenë mirditas. Një ndër ta ishte edhe Edith Durham, ndoshta edhe mbretëresha Teutë që ka lënë një kala këtu, apo edhe e mëvona e këtij kalibri, Marianne Graf, për të cilin ka info pafund….

Por pikërisht këtu jetoi, punoi dhe mbylli jetën e saj një gjirokastrite, kumti i së cilës endet edhe sot e kësaj dite e ndoshta në vijimsi, përderisa “bisha komuniste” me gjithëatë çfar bëri, nuk mundi ti shuante përjetësinë. Edhe pse e izoluar dhe në pamundësi, përsëri atë e ndiqnin afro 20 spiunë…uroj që ndonjë prej atyre që është gjallë, edhe pse mund të jetë “kastruar” nga solucioni i tipit katovician, të mos i qaset “dhembshurisht” këtij promocioni, sido i punuar dhembshurisht e që në të vërtetë mbetet vetëm një pikë uji në oqeanin e vlerave që përcillte Musineja, Musine Kokalari, gjirokastritja e vlerave të pamata.

Një emër rruge në Rrëshen, ja e vërteta…

Ka qënë diku janar 2017 kur në Rrëshen vjen një ekip televiziv nga Gjirokastra. Ishte si gjithnjë super e interesuara për gjithçka rreth Musinesë, Bibika Kokalari më e afërta ndër vite e saj, ajo së cilës vetë Musineja i kishte besuar arkivën me shënime e kujtime. Ishin dhe disa të tjerë, ndër ta edhe gazetari dhe operatori Ilir Lluri i cili falë njohjeve mediatike më kërkoi ta takoja aty ku po qëndronin, në mes të sheshit “Abat Doçi”. Ato do realizonin një dokumentar kushtuar kësaj martireje, e natyrshëm epiqendra ishte Rrësheni, ku Musine Kokalarin e sollën dhunshëm në internim, pas 16 viteve burg, por që edhe pas internimit kërkoi të qëndronte këtu, për të mbyllur jetën e saj në moshën 66 vjeçare, në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë.

Gjatë kafes së mikpritjes, Iliri por edhe Bibika më pyetën nëse mund të proçedohet për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Musinenë e cila pak ditë më vonë, pra me 10 shkurt 2017, legjenda e mirënjohur anti-komuniste, kishte 100 vjetorin e saj të lindjes…

Unë natyrisht e mirëprita idenë, por me takt u thashë se këta “qytetarët e nderit” kanë qënë aq shumë në modë, sa një emër i tillë, pra Musineja “nuk e meritonte”.

E duke vijuar, unë sygjerova që Musine Kokalari të përjetësohet me një emër ku orë e çast do jetë në sy e kujtesë të qytetarëve, ndërsa ish-kinemaja aq shumë e frekuentuar prej Saj, në atë kohë mezi qëndronte në këmbë, por dhe prej vitesh e kishte humbur funksionin për të cilin Musineja e frekuentonte çdo pasdite.

Aëherë në përputhje me vullnetin e komisionit përkatës dhe faktorëve të tjerë vendim marrës, u ra dakord që emri i Saj të përjetësohej në një rrugë, në një rrugë që e përshkonte çdo ditë, teksa dilte nga biblioteka  për tu paraqitur para oficerit të rojës së Degës së Punëve të Brendshme, për tu treguar atyre se nuk ishte arratisur…..

Pikërisht më 8 shkurt 2017, vetëm dy ditë para se Musine Kokalari “të shënonte” 100 vjetorin e lindjes së saj, ajo rrugë mori emrin “Musine Kokalari” emër që e mban, e do ta mbajë gjithmonë.

Një këngë për Musinenë, një lapidar vlerash nga Mirdita.

Rreth një vit më parë, kantautori, këngëtar i mirënjohur i Ansamblit “Mirdita” (Mjeshtër i Madh) Kol Zefi më thotë se sapo kishte përfunduar një këngë për Musinenë, këngë të cilën ma kaloi ta dëgjoja në audio, pasi kërkohej të realizohej video-clipi. Kaq ishte mundësia e tij, ndërsa për ta kthyer në video-clip ka procedura tjera. Disa përpjekje brenda e jashte vendit për mbështetje finaciare nuk u vlerësuan sa duhet, duke u lënë në harresë, ndërsa ishte Gjok Filopati, mjek dentar dhe bisnesmen i suksesshëm, cili sapo mëson se kjo këngë kishte mbetur “pending”, mbulon financimin e domosdoshëm.

Me 26 tetor udhëtojmë drejt Gjirokastrës, për të xhiruar puntat e para të vide-klipit.

Më herët, ndoshta dy javë më parë kisha biseduar në telefon me Arjeta Kokalarin e cila me shumë mund e përkushtim ka ndërtuar një muze kujtese për Musinenë. Ka një mbështetje perfekte nga bashkëshorti i saj Yzeir Ceka me të cilin jam njohur në ceremoninë e dhënies së emrit “Musine Kokalari” në Rrëshen, 7 vite më parë. Arjeta më konfirmoi mbështetjen e tyre të fortë për realizimin e këtij video-clipi për të cilin kishte një interesim të fortë vetë kantautori Kol Zefi. Madje Artjeta ndërhyri të na mundësojë një kostum gjirokastrit që mbante veshur Musine Kokalari në raste festash e ceremonish, e që ruhet nga stilistja e mirënjohur në Gjirokastër Elida Zhulati, për të cilën stafi i realizimit të kësaj kënge ka falenderimet më të mëdha për rekuzitën që na ofroi.

Me të mbërritur në Gjirokastër, në orët e para të ditës marrim pjesë fillimisht në një ceremoni promovim librash, ku i përfshirë ndër të tjerë ishte dhe poeti Nuri Kokalari, babai i Arjetës. Më pas gjithëçka vihet në dispozicion të grupit tonë.

Fillimisht “pushojmë” në një lokal ku përballë kemi lagjen Palorto që mbulon faqen e një kodrine. Aty, Yzeiri më tregon disa detaje që pak kush i din. Në krye të lagjes shquajmë “kullën” legjendare të kokalarëve, ku pikërisht aty ka jetuar Musineja. Ndërtesa e gurtë trekatëshe e ndërtuar ndoshta një shekull më parë është djegur aksidentalisht dhjetë vite parë, më 21 nëntor 2014. Yzeiri tregon se Muzeu “Kokalari” është vendosur pak më poshtë, në një ndërtesë tjetër pronë e kokalarëve. Por ajo që përbën çudi është se ndoshta 200 metra apo pak më shumë, ndodhet banesa ku ka lindur persekutori më i egër i saj, “kushëriri im i madh” siç e përshkruan ajo, jo pa qësendi në kujtime e saj…..

Në vijim, ndoshta 500 metra pak më poshtë, në vijë po të drejtë me dy banesat që përshkruam, ndodhet shtëpia ku ka lindur Ismail Kadare. Pra dy ikona të letrave shqipe Kokalari – Kadare dhe në mes…..

Sidoqoftë ne vijojmë me videoclipin….në xhirime të shumta nga dora mjeshtërore e “record_house” Klodi dhe Marin Lleshi, e përgjatë sokakeve gjirokastrite, ndiqemi me kureshtje nga kalimtarë të shumtë, shumë prej tyre turistë të huaj që nuk rrinë në heshtje, por duartrokasin interpretimin e këngëtarit Kol Zefi dhe dy shoqërueseve Margarit Bardhi Nikolli dhe Fabiola Mena.
Kënga tashmë është në vlerësim të dëgjuesve…

Një poezi nga poeti i shquar Gjok Beci, për Musinenë që dikur të dy sëbashku punonin në llaçin e ndërmarrjes së ndërtimit.

Fqinja e ndaluar

(Musine Kokalarit, qe nje dite më tha: “E sheh këtë cudi: Sot vlen me shumë një kg llac, sesa një kg tru…”)

Përroi i dhunës rrjedh kobshëm
Tash mijëra vjet
Dhe një kokë e prerë gruaje nuk ka liri,
Një dorë e prerë poeti nuk ka liri,
Dy miq që s’i besojnë sho-shoqit nuk kanë liri
Një pellush i zi me të cilin plakesh e vdes
Nuk ka liri

Kur mbetesh libër i palexuar nuk ke flori
Ulërij në kupë të qiellit
Dhe vetveten dëgjoj si ankohet
Se përroi i dhunës përmbyt me ledh
Barrakat e të internuarve pa mëkat
E me trungjet që shpërndan e mbledh
Burgjet e zemrave njerëzore i përgjak
Kulla ime ka qenë jeta ime e dhnuar
Kulla ime e ka pas vazhdimisht zgjuar ujkun e vet
Ai e ka lëpirë e kafshuar, e ka lëpirë e kafshuar
Pa mundur kurrsesi ta cmendë krejt.

Dhe vazhdoj të besoj se liria i ka sytë prej poeti
Aty marrin cak ëndërrat që arratisen e bëhen qiell,
Në një barrakë të mbytur në ujërat e qytetit
Pak kush e dinte se rronte një diell
Një diell i fshehur që gatuante llac e poezi
Që shfaqej në rrugë e duhej të mbyllnim sytë përballë,
Që donte libra e po t’i jepnim na padisnin
E llaçbërës përfundonim për një fjalë
Fqinja ime e dikurshme Musine Kokalari
Dielli i ditës së vet, Hëna e natës
Më pat thënë se sytë e liridashëve pikojnë flakë
Si pisha të ndezura mbi gjirin e Rozafës

Gjokë Beci (Mjeshtër i Madh)

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest