Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Livia (Roman – I) i Mark Pashkut apo trinia identitare Familje– Komb apo Vetëdija Nacionale dhe liria e munguar e individit shkak pasojë e indoktrinimit dhe karrierizmit të verbuar

Nga Pirusti News
689 Shikime
SHPERNDAJE

Shkruan : Vilson Culaj
Sapo mbarova së lexuari romanin e Mark Pashkut “LIVIA” befas më erdhi në kujtesë një refleksion i imi i vitit 2020 për letërsinë ku qeshë shprehur:
Letërsia është dhunti, intuitë, paralindje, e prekje hyjnore, jo si shkenca, që 2 + 2 bëjnë 4. aty është e derdhur e tërë dija e paraardhësve tanë, jo si studimi që 565mund të fitohet në cektësinë e një brezi. letërsia nuk është pasion por një mision i lartësive për zemrat e njerëzve që në vete ushqejnë frymën humane. teologët dhe filozofët mbesin të akullt para saj, nëse shpirti që shkruan brenda vetës mbart fijet e frymës hyjnore…” 2020
Kur fillon së lexuari romanin me titull kaq mbresëlënës “LIVIA” të autorit Mark Pashku – Lucë Gjonaj të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një kronikan apo Egzeget i cili që moti ka hequr dorë nga “Qyteti i Tij” por botën e kujtesën e mban me vete ku nga kodrina e frymëzimeve personale, subkoshiencës kolektive e nacionale reflekton për fenomene qiellore e tokësore me fokus identitetin nacional, kulturor e familjar, zhytur në kurthet e postmodernes, hedonizmit, e konsumizmit, lavdive të rreme, karrierizmit e keqkuptimit e deri në kufinjtë e absurdit e gnostikës mistike.
Romani në fjalë është një zbërthim eskatologjik lidhur me shpirtin e lirinë njerëzore, por edhe diskurs i thellë filozofiko-letrar për dualizmin, kurthet e jetës në bashkëshortësi, karakteret njerëzore, orientimin seksual, indiferentizmin, karrierizmin, harresën kolektive dhe pasojat që sjell bota postmoderne. Pikërisht në këtë fokus letrar zë fill edhe trajtesa letraro psikologjike e autorit Pashku, i cili si njohës i mirë i traditës dhe postmodernes vihet në veprim që me mjete shprehëse letrare të reflektoj për bërthamën apo qelizën e jetës shoqërore, pra familjes.
Vendosja e Lekë Bardhit në fokus të rrëfimit modern dhe Aleks Jungut si fije e zgjatur e historisë së perbashkët klasike Evropiano – Arbërore janë dy dimensione të arrira dhe mjeshtëri letrare për ta përplotësuar më tej rrëfimin romanor me elemente të tjera etnopsikologjike dhe të dilemave jetësore në familje.
Arteria letrare zë fill me qytetin mesjetar të Shasit duke reflektuar për humbjet e mëdha Arbërore në kohë e hapësirë për t’a ri-dimensionuar e orientuar më pas rrëfimin te familja gjegjësisht dy kryepersonazhet bazë të këtij romani mbresëlënës Lekë Bardhi dhe Livia të cilët bartin në vete barrën, bekimet e mallkimet e shekujve mbi vete pikërisht nga liria e veprimit, pasionet, iluzionet dhe ëndrrat vegimtare.
Autori përmes personazhes hera herës mistik, hera herës si orakuj konkret që në fillim jep shenjën e ngre zërin se, Perandoria e vdekjes po lëshon rrënjë në mes jush – nesh dhe se frika e pushteteve po tjetërson njeriun e sotshëm që me shekuj i rezistoi dhunës e ideologjive të ndryshme. Është karakteristikë e semiotikë e mendjeve të ndritura që të kapërthejnë e ndërthurin këso lloj situatash e kronikash sepse në palcën e rrëfimit duhet të ekzistoj një dije, subjekt konkret letrar, njohje e përjetim sublim, përndryshe të përjetuarit e të shkruarit letrar shndërrohet në një kronikë të thjeshtë, të zbrazët, inerte e pa mesazh dritëlargët . Autori Pashku i ka krijuar vetes profilin e një romancieri të përndritur e intuitiv, i cili nuhat edhe arritjen e ,, anijeve me vela të zeza ‘’ në ambientin shqiptar.
Subjektet letrare janë të vendosur në ambientin e shqiptarëve të Malit të Zi, gjegjësisht në Malësi për ta zgjeruar më pas gamën e rrëfimit në dimensione tjera ekzistenciale, tradicionale, moderne, e të sfidës deri në kufinjtë e tjetërsimit e rrënimit të familjes. Është përplasja e unit të njeriut tradicional në luftë me modelin e të jetuarit lindor e perëndimor, hipokrizisë njerëzore, karrierizmit e patriotizmit të shpifur , kundërshtisë e robërisë ideologjike, përballë receptimit të modernes, ç’thurjes e ëndërrimit iluzionist për t’i ngritur vetes lavdinë e kultin pagan.
Ky roman sfidon miopinë kulturore e kombëtare ku politikat e rrymat e reja instalojnë modele lajthitëse që rrënojnë individin, familjen dhe orientimin apo vazhdimësinë e traditës familjare dhe asaj që i thonë ekzistencë e dinjitetshme. Këto lëvizje e instalime retrogardë ngre zërin autori Pashku janë shkak e pasojë e një zh’bërje të heshtur të elementit kombëtar e tradicional, ku në fokus është rrezikimi i familjes, unit njerëzor, harmonisë familjare, sensit të dashurisë, dhe unifikimit e mbijetesës nacionale. Të arratisur nga liria dhe vetja e tyre i pandeh mesazhi romanor i autorit Pashku i cili si një detektues i shenjave të kohërave e vlerave sublime nuhat shembjen dhe zhvezhjen nga e kaluara dhe tradita që i mbizotëroj e mbijetoj shekujt.
Mu në pirgun e kësaj gjendjeje të krizës shpirtërore, lirisë e orientimit nacional zë fill edhe shtjellimi i këtij romani i cili ka në fokus jetën bashkëshortore të dy të rinjëve që u rritën në kurthet e kësaj ideologjie ku si një zjarr ferri diti t’ua rrëmbej lumturinë e krijuar ndër duar e në mënyrë tinëzare. Livia e romanit të Pashkut është kutia e Pantores në këtë rrëfim e trajtesë letrare. Ajo katapulton situata familjare sa groteske po aq tragjike në familje, ku si pasojë e një funksioni shtetëror, indoktrinimit të saj, dhe pasioneve të saja iluzioniste investon verbërisht në disharmoninë e familjes edhe pse në parim një grua psikologe me profesionin, e integruar dhe pasionante ndaj pikturës e artit. Ky cen jetësor kishte krijuar pasoja edhe per Luanin, birin e saj dhe të Lekë Bardhit, i cili vrragën psikologjike e kishte bartur me vete. Punë e re, pasion i ri , e ëndërr e re e kishte pushtuar gruan e re prej se fuqia e pushtetit e parasë kishte filluar t’ia robëronte lirinë dhe përkushtimin familjar.
Një dashuri ideale po kërcënohej nga pasioni, kokëfortësia, ftohtësia shpirtërore e emocionale, vëndimi e ëndrra e arratisjes nga liria pa fre e cila një familje e kishte ndarë në dysh. Këtu zë fill edhe drama mes Lekës e Livias por më tepër në mes të fëmijëve ku Arlina vendosi të jetonte me babain e saj, kurse Hera dhe Luani me nënën e cila me kurorën e etjes për lavdi ishte arratisur nga harmonia e misioni i saj i shenjtë i një nëne malësore.
Ajo ushqehej me iluzionin e pasionin e saj ,, unë dua të jem e lirë ‘’ dhe ,, jam rritur në karrierë ‘’ emri im po vlerësohet në shtet madje edhe më lartë, andaj më nevojitet heqja e ,, prangave ‘’. Këtu zë fill edhe drama shpirtërore e një burri fisnik, por pasionat i Lekë Bardhit i cili ngre dilemën ,, të rrosh apo të mos rrosh brenda lirisë tënde ‘’ si një lloj ngushëllimi e emigracioni shpirtëror që nuk e pranon kurrë disfatën në jetë. Ai personifikohet si një burrë i përgjegjshëm e i ndërgjegjshem për familjen, pasionant ndaj traditës, historisë, e arkeologjisë, sakrifikues e me rrënjë tradicionale, besnik e stoik në dashuri, tolerant e shpresë – ngurtësuar, por edhe i lirë e kurreshtar për jetën dhe botën. Në kurthin e këtij vakumi ekzistencial, dilemash e melankolish, do të zhvillohen edhe shumë ngjarje përbrenda personazheve familjare të këtij romani ku prapa perdes së iluzionit, famës, pasioneve e rrëshqitjeve në jetë krijohet harta e dhimbjeve, pritjes, e mallkimeve të heshtura. Dikush kishte harruar misionin e saj, reflekton autori i këtij romani, dikush shpresonte , kurse dikush tjetër priste me mall bashkimin familjar. Ikjet janë të pabesa kurse kthimi i lumtur në të gjithë këta kapituj të rrëfimit. Një grua ëndërrimtare krijon karrierë pas ikjes së saj duke pikturuar në ateletë e botës kurse një burrë mundohet të mbijetoj emocionalisht lidhur për rrënjët e traditës. Fëmijët kanë emër prindërish por rriten pa prindër dhe të ç’thurur e të vënë aksidentalisht në duart e huaja.
Përdorimi i figuracionit meta – mesazhor si satira e dyzuar orveliane ironia, paradoksi, komikja, dhe e deformuara vetvetiu shpërfaqin unin dhe universin origjinal letrar dhe të njohjes së autorit. Pashku, i cili si një detektues e kronikan kohërash krijon letërsi moderne.
Jeta e Lekë Bardhit e zhvilluar përbrenda arealit kulturor të vendlindjes e tradites është e përmbushur por edhe e stërmbushur me personazhe lokale si edhe ato të sferës së botës së jashtme ku nderthuret kultura autoktone, regjimi ideologjik, elementi i jashtëm qofshin ata italian apo austriak, komunist, mitologjia, arkeologjia e kaluara dhe e tanishmja hidhet e në pritje.
Personazhet si drejtori i shkollës, Frani, Aliu, dranja, personeli i spitalit, Ahmedi, Lembi, Selimi, Ishaku, lokacioni i Holtës, ahu i vjetër, varrezat, kompanitë e huaja, Rasim Bitidosi, Orinela, Lenati, profesor Luigji, janë përmbushje e pasurim, intecës letrare e autorit Pashku i cili si një mjeshtër i mirë i rrëfimit e përthellimit psikologjik di të reflektoj edhe për pjesët më intime të evoluimit kulturor, personal e etnik si dhe të individit e shoqërisë në krizë.
Pritja është shumë e mërzitshme por frutat i ka të ëmbla do thoshte prap Shekspiri. Lekë Bardhi na del si një personazh stoik, këmbëngulës, i ndjeshëm, familjar i mirë, dashnor i kulluar por edhe një shpirt që di të fal e përbetohet se kurrë nuk di të heqi dorë nga gruaja dhe fëmijët e tij. Ai është shndërruar në person në kërkim e pritje duke luftuar me unin e lirinë e tij të cunguar e tragjike.
Arti letrar i Mark Pashkut sjell mendime të stërholluara e përpunuara ku reflektohet për ndriçimin e ndjenjave por në disa raste fshihen ose i nënshtrohen një rrëfimi sqarues. Tematika e këtij romani ka poetikë të ndërtuar përmes sekuencave letrare provokuese, ka shtresime të nduarndyrshme estetike e artistike, me shqiptim modern.
Në kthesën e madhe të jetës, Lekë Bardhi përmes një telefonate me Livian, kupton se ajo jetonte në Bukuresht dhe se po pikturonte me intezitet të shtuar. Aty kishte nënkuptuar edhe orientimin e saj seksual, iluzionet dhe shkaqet e asaj ndarjeje. Takimi në qytetin e Dubrovnikut me rastin e hapjes se një ekspozite të saj personale hap pirgun e një drame familjare, hap edhe një kapitull të ri të dramës në dashuri ku piktorja ,, e famshme ‘’ kishte ikur e ftohur edhe një hap më tej nga dashuria e dikurshme e saj. Ajo kishte përqafuar famën e iluzionin por jo lirinë e dashurinë e plotë. Lekë Bardhi ishte pranë ish gruas e fëmijëve por në të njëjtën kohë i huaj në familjen e tij. Shfaqja ishin ata, kurse Leka personazhi tragjik i botës postmoderne.
As ringjallja e ditës së Pashkëve për ta nuk u bë akt bashkimi e ngushëllimi. Dikush po numëronte plagë kurse dikush tjetër thithte e përfitonte famë e lavdi të rrejshme. Në vazhdën e kësaj tragjedie personale edhe varret më nuk kanë gjurmë. E huja ka ndërhyrë tinëzisht në palqën e një populli që gjithmonë refuzoi të huajën. Modernitet, perversitet, incest e famë përplotësuar me ideologji, ndërpërfytyron rrëfimtari i talentuar Mark Pashku. Ai është detektues i së keqës kolektive por edhe asaj personale. Në pirgun e traditës që nuk zhgënjen kurrë, ai ka shkruar një roman postmodern që ngre alarmin e vetëdijësimit për rrëshqitjet tona oportuniste varësisht nga diktaturat dhe ideologjitë e huaja. Rrëfimi në këtë roman është simbioz apo prototip i një thënie të Papa Gjon Palit II ,, FAMILJE E SHENJTË, KOMB I SHENJTË ‘’ si duket këtë gjakim letrar, kulturor, etnik e psikologjik e ka synuar edhe ky mjeshtër i romanit modern shqiptar.
Ky roman rrëfen për hakmarrjet , vetërrënimet, kaoset shpirtërore, e ideologjike, hierarkinë ushtarake përzier me zërat e daullet e miopinë e shekujve të errët dhe krizat identitare.
Fabula zhvillohet në një hapësirë të mbyllur që bazohet në funksionimin e shenjave intime egoiste. Autori zbulon paragjykimet, dhimbjet, fatkeqësitë e një shoqërie që janë tekste të shkruara me një stil unik të cilat krijojnë vlera të larta ideo – artistike të krijuesit Pashku duke marrë kështu funksion psikologjik.
Në mozaikun e rrëfimit romanor shtegëtojnë një galeri personazhezh të një jete urbane në një kohë të sotme, por që në këtë urbanizëm e kaos jetësor disa nga personazhet sillen në një rreth vicioz pa rrugë e pa zgjidhje. Është lufta Sizifiane e individit përballë instinktit të thanatosit dhe vullneti i çelikt i personazhit për ta sfiduar vdekjen e për ta përqafuar jetën, e cila në tharm të stoicizmit e ka shpëtimin, shpërblimin, rikthimin e intigritetit e dinjitetit njerëzor që gjendet në udhëkryqin e jetës dhe karrierës. Pra, është drama ku mjeku shpirtëror kërkon mjekun, etja e vetëdija e arsyeshme dashurinë dhe jeta gjallëruese që refuzon vdekjen e shuarjen përballë një dileme e cila shkakton pezmin e melankolisë dhe pesimizmit përballë instinktit të Erosit që mundohet t’a mbajë gjallë frymën shpirtërore edhe atëherë kur klinikisht një shpresë është venitur para syve të njerëzve të të njëjtit mision.
Romani ka një varg motivesh e ideshë që janë të modeluara bukur. Përbrenda këtij materiali trillues ngrihet vetëdija për të qenë i lirë përbrenda shansit të madh të lirisë e përgjegjësisë. Fushëbeteja artistike e shkrimtarit Pashku është sfiduese për mendjet e rëndomta. Trilli e vdekja nuk kanë vend tek struktura ndërpsikologjike e ndërtekstuale e këtij shkrimtari i cili që moti ka detektuar luftën e kultit me realitetin e lajthitjet moderne.
Busullat na duhen kur anija e shpirtit tonë përjeton furtunë thonë alegoritë e tij të përkryera, andaj ngjyrat, madhështia, urata për paqe e harmoni, rrugët e gjata të jetës, postmortumet për njerëzit, madhështoret e letërsisë dhe këngët e pa këndueme Malesorçe e maje krahu janë balada poetike e figuracione që shpërfaqin lavdinë e një shpirti të etur për liri e përjetim të tharmit tradicional të jetës jashtë iluzionit e mashtrimit.
Autori Pashku përmes këtij romani postmodern gjakon t’i këndoj bukurisë së zemrës e jetës ngadhënjimtare por jo syve e veshëve tanë estetik .
Kjo strukturë komplekse narrative e shumëdimensionale, karakteristikë kjo e mendjeve të pjekura në letërsi i atribuohet edhe krijuesit Mark Pashku i cili triumfalisht po hynë në rradhën e shkrimtarëve më të shquar në botën letrare në Kosovë e Mal të zi por edhe më gjerë deri tek rrafshi nacional.
Ky vibracion shpirtëror e letrar nuk mund të spjegohet ndryshe, vetëm si kambana e kërkimit të vetës, traditës në ishujt e zjarrtë të së vërtetës që nuk zhgënjen kurrë.
Dhe krejt në fund mund të themi se: Mark Pashku me këtë libër apo roman cilësor është një mozaik i përbërë letrar mes klasikes, modernes e postmodernes, ku në thelb ka mesazhin e ruajtjes së familjes, jo si akt i vazhdimësisë së llojit njerëzor por si një dimension shpirtëror e të traditës që bekon kombin përmes dorës së heshtur së Hyjnores…
Shkrimtari Mark Pashku jeton dhe krijon diku në periferi të trojeve shqiptare por qëndron si obilisk i shquar letrar mu në qendër të letërsisë shqiptare.
Ai si kush më mirë ka kuptuar maksimën e R. Rolanit dhe etërve të kombit, se të krijosh do të thotë t’a vrasësh vdekjen.
Urime e suksese pene e artë
Respekt
Klinë me 22. XII. 2024

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest