-Nga Gjok Pepa, Muzeu Historik Mirditë-
Para do kohe kam postuar për lexuesin këtë shkrim mbi origjinën mirditore të Kastriotëve, por tani po më duhet të vë dorë sërisht mbi të për ta përshtatur si replikë me disa autorë librash të botuar sëfundmi, ku shkruhet vetëm për origjinën e Kastriotëve. Libri me autor Fehmi Kaloshin, “Epopeja e Kastrioteve” me mbi 500 faqe, “Origjina e derës princërore të kastriotëve” me autor Mëhill Elezin me mbi 300 faqe dhe “Nga ishin Kastriotët” me autor Ramazan Kicën me 256 faqe.
Siç dhe shihet, librat janë voluminozë. Autorët kanë zbrazur gjithë bagazhet historike që posedojnë për të na bindur se nuk janë amatorë që mundet ti kontestojmë lehtë, por për mua, si i shkolluar për letërsinë e që njoh mjaft mirë tekstin e kontekstin, njëkohësisht dhe lexues i apasionuar i librave historikë, bagazhet e tyre më ngjajnë se janë përdorur në mënyrë abuzive vetëm se si e si të largojnë vëmëndjen e lexuesit nga mungesa e të dhënave historike që shkojnë në favor të tezave që ata mbrojnë.
Zoti Kaloshi mbron tezën e origjinës dibrane të tyre, ndërsa zoti Elezi dhe zoti Kica origjinën matjane, pavarësisht se këta të dy nuk rakordojnë për vendin sëpaku bien dakort në një gjë, besojnë të dy në atë çfar ka referuar Barleti pë origjinën e Kryeheroit tonë, dhe mendoj, kanë të drejtë. Origjinën dibrane të Kastriotëve u mundua ta stisë me doemos regjimi i kaluar, ndaj me zotin Kaloshi nuk i,a vlen të merrem por, as me zotin Elezi, me arsyetimin e vetëm se ai është mirditor. Do mundohem të nxis një debat kryesisht me zotin Kica por pa përjashtuar askënd që e ndjen veten të aftë për të marrë pjesë në të.
Nga shumica e historianëve, vendas dhe të huaj, Marin Barleti, pavarësisht narrativës romantike, evidentohet si më i besueshmi ndër të gjithë ata që shkruan mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut.
Për vend-origjinën e Kastriotëve, ai ka dëshmuar fare shkurt duke shkruar se ishte nga një fshat i Aemathia-s. Sipas Fllmerajerit, por dhe Nolit, emërtimi i përdorur nga Barleti, pra Aemathia, ka krijuar “lajthitje” tek studiuesit sepse kështu është quajtur një pjesë e Maqedonisë e shpesh gjithë Maqedonia.
Duke qënë se kam lexuar tashmë mjaftueshëm rreth historisë së Kastriotit, “lajthitja” për të cilën flasin Fallmerajer dhe Noli më duket krejt paradoksale kur as më pak e as më shumë, Gjergj Kastrioti quhej apo dhe vetquhej Princ i Maqedonisë, Epirit dhe Arbërisë. Për të vërtetuar saktësinë e dëshmisë së Barletit, e njëkohësisht, për të mos i lënë më vend “lajthitjeve” të mëtejshme, ne do të na duhet, që sëpari, nga këto rrëfime, të mund të nxjerrim se cilat territore përfshinte asokohe ky toponim, apo makrotoponim, e njëkohësisht, nëpërmjet burimeve të tjera, nga libra apo studime historike, ti qartësojmë e saktësojmë ato me aq sa mundemi, për tu bërë sa më besueshëm për lexuesin.
Një ndihmë mjaft të çmuar në këtë drejtim na e jep libri “Toponimia mesjetare”me autor Akademikun Kasem Biçoku. Sipas këtij autori, makrotoponimi mesjetar Matja, në trajtën e emërtimit antik “Aemathia” është përdorur disa herë prej Barletit te “Historia Skënderbeut”. Në veprën e parë “Rrethimi Shkodrës” makrotoponimin “Aemathia” ai e ka përdorur si sinonim për Maqedoninë. Te “Historia Skënderbeut” ai e ka përdorur emrin “Aemathia” (Aemathius) si emërtim fushash të kësaj krahine si dhe emërtim lumi vetëm njëherë. Këtë lumë sëdyti e ka shënuar Mathia, shkruar në latinisht, sipas shqiptimit vendor, Matja,Madja.
Marin Barleti e ka dhënë makrotoponimin Matja (Aemathia) me shtrirje më të madhe gjeografike se krahina e sotme. Ai ka rrëfyer se, krahas Stelushit dhe Gurit të Bardhë, që janë në Matin e sotëm, në Matjen mesjetare ishin përfshirë dhe Kruja, Ujbardha pranë Mamurrasit, dhe të gjitha fushat bregdetare nga Lezha në Krujë. Edhe Martin Segoni e ka dhënë Matjen mesjetare me shtrirje shumë të gjërë dhe Lezhën pjesë të saj.
Po sipas Biçokut, Barleti, gjatë përshkrimit të vrasjes së Ballabanit pranë mureve të Krujës në pranverën e vitit 1467, ka rrëfyer se Matja mesjetare shtrihej deri në Lezhë; “Skënderbeu, pasi u kthye nga Roma, mblodhi një ushtri të madhe. Atë e ndau më dysh. Në krye të njërës vendosi princin Lek Dukagjini e në krye të tjetrës Nikoll Monetën, fisnik prej Shkodre. Këta, duke i drejtuar forcat nga Lezha përmes fushave të Matjes dhe pyllit të Jonimëve, do ta sulmonin armikun nga kjo anë, ndërsa ai, nga ana tjetër. Jonima, vëllai i Ballabanit, e kish kaluar tashmë malin e Bulgërit. Kur mori vesh këtë, Skënderbeu vazhdoi për tërë natën me shpejtësi në drejtim të Jonimës duke e zënë të gjallë bashkë me të birin Heder. Emrat e vendeve, “ Fushat e Matjes”, “Pylli i Jonimëve” dhe “Mali i Bulgërit” saktësojnë shtrirjen veriperendimore të Matjes deri në Lezhë.
Duke vazhduar argumentimin e tij, Biçoku na dëshmon se, për të vërtetuar shtrirjen e Matjes deri në Lezhë, ka dhe dokumente të kohës së Skënderbeut. Në një letër të qeveritarit venecian të Durrësit, Mark Diedo, shkruar më 31Korrik 1457, është treguar kufiri i Matjes deri në Lezhë. “Tani kjo ushtri ka hyrë në Matjen e të sipërpërmendurit Skënderbe, kufitare me Lezhën, trevë e Arbërisë”. Kjo e dhënë shpreh saktësisht shtrirjen gjeografike të Matjes asokohe, pasi Diedo, është njohës i drejpërdrejtë i trojeve shqiptare asokohe.
Kush mundet lexojë sadopak mes rreshtash besoj e kupton fare mirë se çfar ka mundur të na thotë veneciani midis atyre rreshtave kur shkruan,- … ka hyrë në Matjen e sipër të përmendurit Skënderbe, kufitare me Lezhën. Siç e thamë dhe më sipër, Matja përfshinte një territor shumë më të gjërë në të cilën Kastriotët padyshim njihedhin si princër por pronësi të tyre ai na lë të nënkuptojmë se është vetëm pjesa kufitare me Lezhën, pikërisht ajo pjesë të cilës i ka dalë për zot Gjon Kastrioti në dy letra të tij që do i shtjellojmë pak më poshtë.
Biçoku shkruan se, të gjithë treva bregdetare, nga Shufadaja (në gryk-derdhje të Lumit Mat) deri në Rodon, ka qënë në zotërimin e Gjon Kastriotit dhe Skënderbeut qysh prej viteve 20-30 të shek. XV. Dokumentet tregojnë se e gjithë pjesa perendimore e zotërimeve të Kastriotëve njihej me emrin mesjetar Matja, dhe se Kruja ka qënë qyteti më i rëndësishëm për mbrojtjen e saj, kurse Lezha, qendra më e rëndësishme ekonomike. Ai shton se, dhe historiani i njohur Jakob Falmerajer ka dhënë këtë shtrirje për makrotoponimin mesjetar Matja. “ Kufijtë e kësaj krahine të Kastriotëve (Mat, Matja) janë; Në perendim, deti Adriatik nga Durrësi në Lezhë, në veri, Drini, në jug, Mali i Krrabës në afërsi të Elbasanit, dhe në lindje, treva e burimeve të Fandit të Madh dhe degëve të tij.
Sipas këtij parashtrimi, besoj se ne, arrijmë të kuptojmë se, Barleti, kur ka rrëfyer për vend-origjinën, me Matjen nuk ka nënkuptuar territorin që mban emrin e saj sot, që asokohe duket se ishte një nga pjesët më të parëndësishme të saj, por gjithsesi, në bazë të referencave historike, ne do vërejmë se dhe këtu zotër janë vetëm mirditorët.
Fillimisht për këtë do ti referohemi librit “Historia e Shqipërisë” të historianit francez Zhan Klod Faverial. Ja çfar shkruan ai; “Mirditorët, për të cilë do flasim përsëri, jetonin në malet dikur të çuajtura Kunavia. Fshatrat e tyre shtriheshin luginës së Matit, që nga rrjedha e deri në burimet e tij me një gjatësi prej 24 legash. Territori që merrte emrin nga ky lumë përfshinte dhe Krujën.”
Logjikisht, debati mbi origjiën e Kastriotëve, duhet të ishte mbyllur nga dy letra të vetë Gjon Kastriotit. Në njërën prej tyre, ai u jep garanci tregtarëve raguzianë që kërkonin të bënin tregti në zotërimeve të tij. Sipas asaj letre, zotërimet e tij fillonin nga Shufadaja, port në grykderdhje të lumit Mat, dhe përfundonin në Prizren. Pra, siç shihet, nëse kemi parasyshë hartën e Shqipërisë, i gjithë ky territor, asokohe, por kryesisht edhe sot, banohet nga mirditorët.
Në tjetrën letër, Gjon Kastrioti i ankohet Papatit për Peshkopin e Lezhës, pasi ai kërkonte ti merrte 12 kisha që i përkisnin Peshkopatës së Arbërit, e që sipas Kastriotit, …” prej 800 vitesh ato ndodhen në zotërimet e mija.”
Unë nuk njoh ndonjë formë tjetër më të besueshme e ligjore për të shprehur saktësisht vendorigjinën e ndokujt mbi shpinë të kësaj toke se sa ky deklarim me shkrim i Gjon Kastriotit. Se sa breza i takojnë të kenë jetuar në ato troje në këto 800 vjet, u lutem ta bëni llogarinë gjithsecili vetë pasi mua më duhet të vazhdoj më tej në parashtrimin e argumenteve të tjera.
Biçoku, për të konsoliduar të dhënat e tij citon dhe Jakob Falmerajerin, të cilin akademikët Aleks Buda dhe Eqerem Çabej e kanë vlerësuar si një nga historianët më të shquar të shek. XIX, dhe që, sipas tyre, i ka bërë një shërbim mjaft të vyer historisë shqiptare me studimet e tij. Nisur nga ky vlerësim, le të shohim drejtpërdrejt se çfar shkruan ky autor në veprën e tij, “Elementi shqiptar në Greqi”.
1-“Vetëm në zonat e egra malore të Dukagjinit, Mirditës e Matit, atdheut të Skënderbeut, mezi shfaqet ndonjë gjurmë e lehtë e depërtimit sllav. Këtu gjithshka ka mbetur shqiptare.” Fq.131
2-“Vetëm për familjen e Kastriotëve, as për sqimë të familjes, as për joshje, e as për hiperdituri gjenealogjike të perendimorëve, nuk gjendet ndonjë gjurmë e prejardhjes franke.” Fq.166
3-“Që në fillimin e shek.XIV, në krahinën e stërlashtë të Mirditës, ka ekzistuar një familje Kastrioti, këtë kritika nuk e mohon, meqë po aty, para vitit 1423, një sundimtar, Gjon Kastrioti, luante një rol të dukshëm.” Fq.167.
4-“Popullsinë shqipfolëse në të dy anët e Drinit e quajnë në përgjithësi “mirditase”, por mirditasit zbërthehen në tri fise të veçanta, nga të cilat, mirditasit e mirfilltë, të cilëve u përkasin Kastriotët, gjenden në anën jugperendimore, ndërsa dukagjinasit në anën verilindore të territorit të larpërmendur…” Fq.215
5-“Për zonën e Dukagjinit, nga pikpamja e konceptit administrativ turk, këtu nuk duhet bërë fjalë. Në këtë kuptim, Dukagjini përfshinte gjithë Shqipërinë Qëndrore e Veriore, që nga Elbasani e deri në Malin e Zi. Atje ku Drini i Zi dhe i Bardhë fillojnë të rrjedhin sëbashku e mbarojnë dy Dibrat, fillon Dukagjini i mirfilltë në të dy brigjet e rrjdhës së bashkuar. Dukagjini i Veriut, ku sundonte Pali, shkon nga bregu i djadhtë i Drinit e deri lart, te kufiri serb, dhe sot njihet me emrin Malësia. Dukagjini i Jugut, pjesë e princ Nikollës, sot nuk mund të përcaktohet lehtësisht, për arsye se mungon çdo e dhënë e hollësishme. Vetë Griezbah, që ka qënë mu në këtë vend, nuk mundi të mësojë më shumë se sa fakti, që Mirdita, qe vendlindja e Skënderbeut. Ajo përbën kufirin jugperendimor të krahinës së Dukagjinit.” Fq.225.
6-“Sikur, për një mrekulli, gjë që s’kishte ndodhur, dhe nuk do të ndodhë kurrë, të gjitha fiset e shqiptarëve, grekëve, vllehëve dhe serbo-bullgarëve, që mbushnin Shqipërinë e madhe nga gjiri i Artës deri në Dormitor dhe lart në Hercegovinë, të kishin rrëmbyer armët dhe, me të njëjtin entuziazëm e dashuri për lirinë, të ishin bashkuar me Skënderbenë, si mirditasit, një kryengritje e tillë me një mbështetje prej të paktën dy milion frymësh, dhe me një udhëheqës si biri i Gjon Kastriotit, do mund të arrinte një shpëtim të qëndrueshëm nga zgjedha turke.” Fq.212
7-“Impulsi i fuqishëm me të cilin Skënderbeu, si një nga heronjtë e hyjnizuar të lashtësisë, i dha zemër bashkatdhetarëve të vet të luftës, ka ndikuar për një kohë të gjatë edhe pas vdekjes së tij. Kore virgjëreshash shqiptare, tregon Sabellico, mblidheshin rregullisht mu në mes të vrullit të luftës, të rrethuara nga rropama e armëve barbare, një herë në çdo 8-ditë, në sheshet e qyteteve që i përkisnin principatës, këndonin himne për heronjtë e rënë të kombit. Kujtimi i tij tek mirditorët e mbetur të krishterë nuk është shuar ende.” Fq.303
Nëse asokohe, Buda, Çabej dhe mjaft të tjerë, e kanë njohur imtësisht veprën e këtij historiani dhe e vlersonin kaq shumë atë, por sipas librit të tij, dhe zoti Kica kishe vlerësim të njëjtë për të, pse nuk u përmendën asnjëherë gjithë këto dëshmi që ai sillte rreth origjinës mirditore të Kastriotëve?! Nëse Buda dhe Çabej u imponuan nga politika e kohës, po zotin Kica çfar e pengon?!
Duke qënë se e vërteta e heshtjes së Budës dhe Çabejt tani dergjet sëbashku me ta në varreza dhe zotit Kica nuk i intereson një gjë e tillë, dëshmive që përmendëm nga historiani Falmerajer, ne do i bashkëngjitim dhe dëshmi e fakte të tjera historike për të zbuluar të vërtetën, që qarqe të caktuara, për turp të tyre, dje edhe sot, pothuajse dhunshëm, kërkojnë ta varrosin përgjithnjë.
8-Athanas Gega, që sipas F. Nolit, është njohësi më i mirë i historisë së Skënderbeut shkruan se, “Mbiemri Kastrioti, që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, Mnelës, Kashnjetit dhe Vigut, se sa me lokalitete të tjera me të njëjtin emër.”
9-Eduard Gibon, në librin e tij, “Historia e perendimit dhe rënies së Perandorisë Romake”, në vëllimin VII, botuar në Londër në vitin 1872, dëshmon se, “Territori i mbajtur nga Skënderbeu, ishte i ndarë në tre provinca; Zenta në veri të Drinit, Dibri në rajonin qëndror, dhe Muzakia në mes të liqenit të Ohrit dhe detit Adriatik. E dyta nga këto, ( Dibri ) ishte vendi i fisit trim dhe të civilizuar të mirditasve të cilit i përkiste Skënderbeu.”
Më parë se të vazhdoj me shtjellimin e fakteve të tjera, dua të theksoj se, kjo provincë që Gibon e quan Dibri është një nga bajrakët e Mirditës por që foshnjërisht, nga të gjithë studiuesit e historianët, vendas dhe të huaj, ngatërrohet me Dibrën. Edhe zoti Kica, që besoj duhet ta dijë mirë këtë fakt, vura re se, po kështu e deformon në përkthimin që i bën dokumentit ku Venetiku u jep qytetarinë Gjergj Kastriotit dhe vëllait të tij, Stanishit. Ai ka shkëputur nga ky dokument shprehjen, …domini Dibri et Aemathia dhe e ka përkthyer, zot i Dibrës dhe Matit. Çfar mjerimi. I huaji e ka shkruar pa asnjë gabim emrin e atij rajoni ndërsa ne e deformojmë atë sipas interesave tona. Vazhdojmë më tej.
10-Tono Nono, në librin “Përmbledhje periodike e artikujve të zgjedhur”, shkruan se; “Skënderbeu, zot i Shqipërisë, thirri për të luftuar fiset luftarake, dhe në krye të trimave të vet besnikë, mirditorëve, filloi një luftë që vazhdoi 23- vjet kundër Perandorisë Otomane.”
11-Marcelino Civezza, në librin “Historia universale e misioneve françeskane”, thekson; “Skënderbeu udhëhoqi trimat e vet mirditorë, që sipas Pouqueville, përbënin pjesën më të madhe të popujve të tij.”
12-Konrad Malte-Brun në veprën “Për Shqipërinë dhe shqiptarët” shkruan; “Lumi i Matit apo Mathis, përshkon një vend malor i cili është i banuar nga mirditorët, një popullsi shqiptare e krishterë, deri diku e pavarur, më e qytetëruar, që dallon nga shqiptarët e tjerë për një besnikëri më të madhe dhe nga disa ide për moralin. Ata qeverisen nga dy Prenkë apo prijës, njëri shpirtëror, i cili është abati i Ororshit dhe tjetri rrjedh prej familjes Leka. Kastrioti i famshëm, apo Skënderbeu, tmerri i ushtrisë osmane, lindi në këto vise. Ai lindi në qytetin e Kroya apo Krouia.”
13- Albanologu gjerman George Hahn dëshmon; “Dom Engjëlli më konfirmoi…që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh tashmë të shkatërruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin gjysëm ore në perendim të famullisë së tij të Vigut, të cilin populli e quante edhe sot e kësaj dite Kastri.”
14- Udhëtari anglez Henry Tanshaëe Tozer, në librin e tij “Kërkime në malësitë e Turqisë” shkruan; “Shëngjergji ishte vendi i Peshkopit të Mirditës, 20 milje larg nga Oroshi. Duke folur për Kashnjetin, ai më tregoi se në afërsi të ati vendi është Kastri, vendlindja e Skënderbeut, nga i cili ai mori dhe emrin Gjergj Kastrioti.”
15- Kronisti Anton Johan Gross, në revistën “Der Adler” në vitin 1841 shkruan; “Në këngët popullore të Mirditës, ku ka lindur Skënderbeu, ende këndohen këngë për heroin e tyre shqiptar dhe bëmat e tij.”
16- Adolf Ludvig Koppen, citon; “Ky rajon qëndror është i banuar nga fisi trim dhe i civilizuar i Mirditës, vendlindja e Gjergj Kastriotit.”
17- Feliçe Kuniberti, në librin e tij “Shqipëria dhe Princi Skanderbeg” shkruan; “Shqiptarët janë të ndarë në fise dhe një nga më të rëndësishmit në to, jo për nga numri, por prej nivelit të lartë të dijes, për trimërinë e zakonet e përparuara, është fisi i mirditasve. Familja e Kastriotit ishte në krye të këtij fisi i cili kishte mbajtur përherë, siç e mban edhe sot, një vend të dalluar mes gjithë fiseve të tjerë.”
Nga kjo përmbledhje e shkurtër besoj se lexuesi ka arritur të kuptojë se Barleti, ashtu si në shumicën e rrëfimeve rreth jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit, ka arritur të jetë i saktë dhe për vendorigjinën e tij, pavarësisht nëse nuk e ka përcaktuar emrin e fshatit, qytetit apo lokalitetit. Ai na thotë se ishte nga Mati apo Matja, dhe se për cilin territor të saj, ju tashmë e keni kuptuar se ai, nuk ka të bëjë me Matin e sotëm por me atë pjesë midis Drinit dhe rrjedhës së lumit Mat, e kryesisht me Dibrin ose ashtu si e njohim ne mirditorët dhe sot, si një nga të dymbëdhjetë bajrakët e Mirditës, e për më saktë, për Kastrin, qytet që sipas Shuflait u rrënuar nga venedikasit më 1501k kur ata u detyruan nga turqit të lëshonin Lezhën, e nga i cili, fisi i Kastriotëve trashëgoi dhe mbiemrin ose llagapin.
Pra, siç shihet, asnjë rrugë nuk të çon për Dibër apo Matin e sotëm, ashtu siç pretendojnë disa “historianë” të këtyre trevave, e për turp, dhe ca akademikë e institucione tonat, të djeshme dhe të sotme, që ndërtuan dhe restauruan një muze në një katund të Dibrës.
Sipas njërit nga librat me shkrime historike, botuar prej etërve françeskanë thuhet se, dy fshatrat në Dibër Gjon Kastrioti i,u dhuruan nga sulltani kur pësoi humbjen e parë dhe u kthye në vasal i tij. Në këtë marrveshje me sulltanin, ai ishte i detyruar të linte peng djalin e madh në Portën e Lartë si dhe të bënte administrimin e zotërimeve të tij në emër të sulltanit, e njëkohësisht, ti vinte në ndihmë me ushtarë sa herë ai do ta kërkonte atë por njëkohësisht, do përfitonte nga kjo marrveshje dhe shkollimin e fëmijëve të tjerë nga Porta e Lartë. Humbja që rrënoi përfundimisht Gjon Kastriotin ishte ajo e vitit 1431. Sulltani e shfronësoi totalisht atë dhe vendosi në Krujë administratorin e tij.
Në botimin e parë të veprës “Historia e Skënderbeut” të Fan Nolit në Shqipëri thuhet se ato dy fshatra në Dibër përbënin një feud ushtarak dhe që sulltani i’a dhuroi Skënderbeut kur i dha titullin “Bej”, pasi si ushtarak, për të përfituar këtë titull, duhej doemos të posedonte një prone të tillë, të njohur nga Porta e Lartë.
Sipas një logjike të thjeshtë, dy fshatrat në Dibër që sëpari i,u dhuruan Gjon Kastriotit kur u kthye në vasal, pas shfronësimit u kthyen në feud ushtarak ndaj ato i përfitoi më pas i biri për të legjitimuar titullin Bej. Ndoshta vendosjen e njerëzve të vet aty e bëri Gjoni por unë mendoj se këtë e ka bërë i biri për të vendosur aty përfundimisht një “sinor” të përhershëm për pronën e tij.
Mbylljen dua ta bëj me Kastratasit të vetmit pretendues që kanë njëfar të drejte të ndjehen pasardhës të Kastriotëve. Origjina e tyre është pikërisht nga Kastri i Kastriotëve legjendarë por që “fatkeqësisht”, nuk janë e njëjta familje me të por vetëm bashkëqytetarë. Milan Shuflaj na dëshmon se; Kastri u rrënua nga venedikasit kur ata u detyruan nga turqit ta dorëzonin atë në vitin 1501. Kastratët u shfaqën si fis gjatë vitit 1550 mbi linjën Shkodër-Orosh. Sipas këtij autori, embrioni i tyre ishte nga rrënojat e taborrit romak pranë rrënojave të Kastrit në Vig të Mirditës.
Nëse na funksionon normalisht logjika, ne duhet të kuptojmë se, Kastratët e sotëm janë kastrasit e djeshëm apo mesjetarë që u shpërngulën nga Kastri kur ky vend u rrënua nga venedikasit më 1501. Sipas asaj që dëshmon Shuflaj ata u konsoliduan apo ushfaqën si një fis, 50-vite pasi u detyruan të largohen nga vendbaninmi i tyre. Dhe logjika më e rëndomtë, besoj e kupton, se nuk ka si të ndodhë, që Kastriotët, që u shfaqën si fis që në shek. XIII, e paskan origjinën nga Kastratët, që shfaqen si të tillë, rreth tre shekuj më pas, pra në shekullin e XVI.
Si qershinë përmbi tortë dua të sjellë për ju vargjet e Rilindasit Zef Jubani.
“Leu nji yll n’at Shqipni / Me na shndritë, me na drejtue / Me shumë dije e trimi / Atje n’Kastër ish shenjue / Gjergj Kastrioti k’tij po i thonë”.
Eshtë e pamudur të përfshihen brenda një shkrimi të tillë gjitha faktet që disponojmë sot. Pjesa më e madhe e tyre gjenden në librin e botuar nga Preng Cub Lleshi, tashmë i ndjerë. Ai ishte i pari që hodhi dhe mbrojti plot përkushtim e dije këtë tezë të cilën një grup shokësh të tij po vazhdojmë ta pasurojmë dita-ditës për të mundësuar botimin e një libri tjetër më të plotë e të besueshëm për hirë të një të vërtete të madhe historike e në shenjë respekti për emrin dhe veprën e paharrueshme të tij..

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

