NGA RAMAZAN KICA
Fillimisht më duhet të them se në lidhje me Kastriotët nuk ka zhvillime të reja historike, por nga unë është shkruar një libër në vitin 2024 që është një studim i mirëfilltë, i mbështetur në të dhëna historike burimore, i titulluar “Nga ishin Kastriotët”. Autori i shkrimit të sipërcituar, në portalin “Pirusti News”, ndonëse ka evidentuar tre libra, por në fakt është marrë me librin/studimin tim “Nga ishin Kastriotët”. Unë i kam dhënë përgjigje shkurtimisht z. Pepa në rrjetet sociale por pasi një miku im më dërgoi shkrimin e mësipërm ku evidentohej vetëm “zoti Kica” e ndjeva për detyrë të informoj dhe të reagoj për opinionin Mirditas që ka respektin tim të veçantë; por duke theksuar që në kuptim të fakteve, dokumenteve apo kundërshtimeve që i bën studimit tim, nuk është i denjë që të merrem me të. Fillimisht më duhet të pohoj se jam marrë gjatë me periudhën Skënderbegiane, me luftërat e betejat e mëdha që ka zhvilluar Heroi ynë i madh Gjergj Kastrioti dhe kam harxhuar një pjesë të jetës time me këtë periudhë të rëndësishme të jetës së Shqiptarëve; ku kam gjetur, kam marrë, kam lexuar dhe kam përkthyer nga disa gjuhë shumë burime historike autentike për Kastriotët dhe Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Në librat e mi për këtë periudhë kam pasur dhe do të kem si busull orientuese Marin Barletin, të cilin e kam përkthyer vetë nga varianti i parë i botuar në Romë në vitin 1508-1510, dhe natyrisht kam lexuar e komentuar edhe përkthimet e të tjerëve dhe keqinterpretimet e bëra veprës së Marin Barletit. Kam dalë në konkluzion se pa Marin Barletin ne Shqiptarët nuk do të kishim Gjergj Kastriotin që kemi sot. Tani hymë në temë. Libri im “Nga ishin Kastriotët” merret vetëm me të dhëna burimore historike të shkruara në kohën kur ka ndodhur ngjarjet; dhe jo me gojëdhëna popullore dhe në asnjë rresht nuk largon vëmendjen e lexuesit nga të dhënat historike, siç shkruan z. Pepa. Jam i detyruar të ndjek kronologjinë e materialit të zotit Pepa (sepse do t’i përgjigjem pikërisht çfarë ai ngre në material; sepse ndryshe nuk mund të jem i prekshëm plotësisht dhe saktësisht në ato që do të shkruaj), pavarësisht se radhitja e mendimeve në material nga autori nuk ka një linjë logjike.
I → Kur është shkruar shprehja “narrativë romantike” për Barletin kam thënë me vete se nuk i`a vlen të merrem me z. Pepa, pasi vepra e Barletit nuk është romantike; ajo është historike. Këtë e quaj lajthitje! Një fatalitet të tillë, “që në “Historinë e Skënderbeut” të Barletit duhet të shohim më shumë një vepër letrare se sa një burim të saktë historik”, e hodhi Bedri Dedja në kumtesën “Mbi idetë pedagogjike në veprën e Barletit” (Konferenca e dytë e studimeve Albaologjike, Tiranë 1969, vëllimi I, f. 480). Dhe më duhet të shtoj që ky është i vetmi rast dokumentimi i kësaj çmendurie. Unë me ato kohëra të kafshërisë njerëzore nuk merrem; madje nëse ju u rrini atyre, nuk pranoj të komunikoj me ju.
II → Zoti Pepa, a mund të më sqaroni, ju lutem: çlidhje ka fakti se “ai është mirditor” (është fjala për njërin nga autorët e 3 librave që keni përmend, për të mos hyrë në debat me të) me trajtimin shkencor të të dhënave për Kastriotët? Dhe po këtu: a ka ndonjë lidhje përkatësia etnike krahinore e studiuesit me të dhënat shkencore për çështjen që ai studion? Për njeriun e kulturuar koncepti që ju keni shprehur këtu ju përjashton nga trajtimi i kësaj çështje që ju tentoni të hapni për debat! Asnjë studiues dibran nuk e ka bërë me mua (që jam dibran) këtë që bëni ju (mirditor) me mirditorin; fakt që flet për vlerat e dibranëve.
III → Zoti Pepa, shkruani se Barleti për vend origjinën e Kastriotëve shkruan që “ishte nga një fshat i Aemathia-s”. Kjo fjali nuk është e Barletit! Barleti shkruan që “krerët e fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Aemathia”. Pra; “jo nga një fshat i Matit”, por: “nga Mati”. Shtoj që: në trajtimet historike të zhytura në shekuj lajthitjet e mëdha vijnë nga gabimet e vogla. Më duhet t’i mëshoj fort këtij fakti, që: kjo shprehje e vetme e gjetur deri tani shkruar nga Marin Barleti është e dhëna e vetme historike për origjinën e Kastriotëve. Askush tjetër (bashkëkohës me Skënderbeun ose pas tij) deri në ditët tona nuk ka shkruar ndonjë rresht (të dhënë historike) për origjinën e Kastriotëve. Shprehja e Barletit është keqinterpretuar nga disa “koka të historisë” vendase dhe të huaja dhe në këtë pellg bie edhe z. Pepa, i cili keqinformon me ose pa dashje opinionin Mirditas. Në faqet 5-33 të librit tim kam zbërthyer e kundërshtuar keqinterpretimet e mëdha të bërë në rreth 500 vjet për përkatësinë etnike të Kastriotëve (origjinën e tyre).
IV → Zoti Pepa shkruani se “Gjergj Kastrioti quhej apo dhe vetëquhej Princ i Maqedonisë”. Kjo nuk është e vërtetë! Nëse dispononi një dokument të tillë, duhet të publikoi origjinalin e skanuar (së bashku me të dhënat e tjera; si, titullin, autorin, vitin dhe vendin e botimit). Këtë shprehje nuk e quaj vetëm shpifje, por edhe fatale!, ku pas emrit të autorit është vënë shprehja: “Muzeu Historik Mirditë” dhe kjo ishte një arsye e fortë pse po reagoj këtu pasi opinioni Mirditas duhet sqaruar për këtë. Z. Pepa dhe të tjerët duhet ta ngulin mirë në kokë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është quajtur, “Princi i Epirit dhe Arbërisë”. Ai kurrë nuk është cituar “Princ i Maqedonisë”! Në faqen 22 të librit “Nga ishin Kastriotët” është e skanuar pjesa e librit në latinisht, shkruar nga Marin Barleti (Romë 1508-1510), dhe nuk mund të bëhët asnjë interpretim tjetër. Në vijim kam sqaruar edhe keqinterpretimin (lajthitjen) e K. Frashërit që del në konkluzionin se me “Aemathia” Barleti nënkuptonte jo Matin por Maqedoninë, gabime që kanë lindur që në shekullin e XVI nga historianë si Lavardini, Spondani, Paganeli e tjerë, që çuan në përfundimin e gabuar e keqdashës se Kastriotët e kanë pasur rrënjën nga Maqedonia Sllave. Këtë teori gërdallë e dërrmoi Fallmerajer dhe dhjetra të tjerë dhe që e varrosi Fan S. Noli me deçizimin; “Që Barleti flet për Matin dhe jo për Maqedoninë, s`duhet as biseduar”. Përsa i përket Biçokut, që i referohet z. Pepa, më duhet të pohoj se është keqinformim i pastër ajo që shkruhet se, termin “Aemathia” Barleti e ka përmendur vetëm 1 herë. Jo, Barleti termin “Aemathia” në librin e tij e ka përmendur mbi 14 herë. Nuk po merrem më tutje me K. Biçokun; ai është më moshë dhe nuk ka kohë ta rishohë punën e tij, jo të saktë. Çështja se cilat territore përfshinte asokohe ky emërtim (Aemthia)! Në vijim më duhet t`i them z. Pepa se në studimin tim, në f. 37 kam ndërtuar një hartë me të dhënat e Barletit për shtrirjen e “Aemathia-s”, a e ka parë hartën? Më duket se jo! Duke u përpjekur të më kundërshtosh mua ke rënë vetë brenda duke i besuar Biçokut. Thua një shprehje: “Tani kjo ushtri, ka hyrë në Matjen e të sipërpërmendurit Skënderbe, kufitare me Lezhën, trevë e Arbërisë”.
Vetëm më këtë shprehje të shkruar sipas Biçokut nga Mark Diedo (1437) merr fund reagimi im ndaj shkrimit Tuaj, pasi vërtetohet plotësisht studimi im në lidhje me shtrirjen e Aemathia-s, ku Lezha vetë nuk ishte në Aemathi por kufitare me të. Kundërshtim pa fakte që bie vetë brenda! Është e habitshme! Barleti thotë “Aemathia, Matia, Mathia, e tjerë”! Ju e ktheni në “mirditorë”?! A ka ndonjë burim historik që në kohën e Skënderbeut dhe Barletit se ku ishte Mirdita dhe mirditorët? Jo! Emri i Mirditës del shumë më vonë dhe në një territor shumë të vogë (vetëm si mal, gjë që e kam sqaruar në libër, por që do ta trajtoj dhe këtu më poshtë). Jean-Claude Faveyrial, (1817–1893) nuk mund t`i caktonte kufijtë e “Aemathia-s” në fundin e viteve 1800 kur ishte mësues në Manastir, më mirë se Barleti i madh. Madje ai në veprën e tij mbron pushtimin Osman duke thënë se u mbrojt raca e pastër shqiptare nëpërmjet këtij pushtimi. Besueshmëria e tij është thuajse e papërfillshme; por mbi të gjitha: ka folur, pa asnjë dokument, në fund të shekullit XIX për shekullin XV! Në vijim më duhet të pohoj se Fallmarayer-in e kam cituar mbi 12 herë në librin tim, “Nga ishin Kastriotët”, madje e kam quajtur “gjigand të historisë” i cili në shekullin e 19-të hodhi poshtë idenë e gabuar të historianëve, Lavardin, Spondan, Paganeli e tjerë se Barleti me termin “Aemathia” kuptonte Maqedoninë, ide e gabuar që ka prekur edhe studiues të njohur shqiptarë. Në gjithë shkrimin e Gjok Pepës vetëm për Fallmarayer-in ka citime me faqe, të një libri që nuk ka lidhje shumë me Gjergj Kastriotin, por me identitetin e shqiptarëve (prejardhjen e tyre). Gjithsesi, sipas këndvështrimit tim, për 17 pikat e cituara në shkrimin e Pepës, po nënvizoj:
1. Pohohet që në fillim se Mati është vendorigjina e Skënderbeut. Këtë kam pohuar edhe unë në librin tim.
2. Mbrohet teza se Gjergj Kastrioti është Shqiptar. Këtë kam bërë edhe unë në studimin tim.
3. Nuk ka asnjë dokument (të kohës) që të vërtetojë se në “Krahinën e stërlashtë të Mirditës..” të ekzistojë ndonjë familje me emrin Gjon Kastrioti; madje e them me bindje të prerë: në shekullin XV (në kohëne Skënderbeut) nuk përmendet fjala “Mirditë”, dhe as ekzistonte një krahinë me këtë emër.
4. Për pikën “4” thuhen gjëra të përgjithshme dhe asnjë burim historik të cituar. Nuk kemi përse të përsërisim: në shekullin XV nuk ekzistonte Mirdita.
5. Nuk gjendet asnjë dokument që të lidhë Mirditën si vendorigjinë e Kastriotëve. Vetë Griezbah “e mësoi” këtë nga “përrallat popullore”.
6. Janë thjeshtë opinione personale të autorit. Normalisht, po të bashkoheshin të gjithë rreth Gjegj Kastriotit, historia do të kishte rrjedhur ndryshe.
7. Prerazi, kjo memorie popullore nuk tregon asgjë. Edhe në Bulqizë ekziston një gjë e tillë. Por, historia shkencore nuk shkruhet me përralla, gjë që e kam trajtuar në librin tim.
8. Athanas Gega nuk ka shkruar një histori të mirëfilltë për Heroin. Doktoratuara e tij është “më të shumtën një përkthim nga italishtja në frëngjisht e veprës së mashtruesit nga Breshia të quajtur Giammaria Biemmi”; mashtrues që “kishte kapur për fyti dhe vetë Nolin”.
9. As Gibon (ky kapacitet i madh i historisë) nuk sjell asnjë dokument, janë thënie të tij, dhe vetëm kaq!
9/1. Domini “Dibri et Ematie” është “zot të Dibrës dhe Matit” jo të “Dibrrit” që thotë Gjok Pepa. Ku është “Dibrri” zoti Pepa?
Dibrri është bajraku i 5 i Mirditës në shekullin e 18-të, ma thuaj se ku është “Dibrri” në kohën e Gjon Kastriotit?
Po Mirdita” Na sill ndonjë dokument, në shqip ose në gjuhë të huaj! Nëse një marri thuhet nga një qind vetë, kjo nuk i jep vlerë asaj.
10. Përmendja e mirditorëve krah Kastriotit është thjeshtë një mendim i autorit, disa shekuj më pas dhe pa sjellë asnjë dokument.
11. Marcellino da Civezza, kurrë nuk shkeli në Shqipëri dhe në fund të shekullit të 18-të ku e mësoi se ushtarët e Skënderbeut ishin mirditorë?!
12. Conrad Malte-Brun, gjeograf e gazetar, nuk ka qenë kurrë në Shqipëri por ka mendimin e tij ose lajthitjen e tij se lumi i Matit që buron në Martanesh e derdhet në Adriatik kalon në “Mirditë”!
13. Hahn-it të madh, për të cilin unë kam shkruar saktë e qartë në librin tim se është babai i Albanologjisë, historian i madh, i është thënë nga një famullitar ajo që shkruani Ju, por ky burrë i madh (Hahn) në faqen 50, 51, 52 të librit të tij në Gjermanisht (që e kam përkthyer nga origjinali) thënien e famullitarit Bardhi e quan gojëdhënë popullore që vjen nga Barleti, madje bën edhe ironi me të, sa ai (Hahni) thotë se i gjithë materiali buron nga Barleti, por vetëm se duke i shtuar nga përrallat popullore atë që dhe vetë Barleti nuk e ka shkruar. Shtoj që Hahni besoi që rrënjët e Kastriotëve vinë nga Kastri i Stelushit mesjetar (Kastri Oené i antikitetit, siç e kam sqaruar në libër). Pra sa shkruani është manipulim. Pra aty kemi përralla popullore shtuar atyre që jep Barleti. Më poshtë do të paraqis 3 faqet nga libri origjinal i Hahnit, si dhe përkthimin e tyre në shqip.
14. Henry Fanshawe Tozer-rit, në fund të shekullit të 19-të i ka thënë një udhërrëfyes se, “Atje është vendlindja e Skënderbeut”! Vetëm kaq! Po, a ka ndonjë argument! Nuk bëhet histori me të thëna udhërrëfyesish për 400 vjet më përpara!
15. Anton Johann Gross-Hoffinger, ka shkruar se në Mirditë këndohen këngë për Skënderbeun, po në Mat e Dibër, në Krujë e Tiranë, a këndoheshin këngë për Skënderbeun? Zhan Palern Forezien duke lëvizur nëpër Bullgari në vitin 1582 (115 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastrit), ku në qytetin Plovdiv bullgarët “rrojnë me kujtimet mbi madhështinë e kaluar dhe gjejnë ngushëllim duke kënduar në kor një këngë të gjatë të trishtuar, e cila i thur lavdi – Skënderbeut…” (Konferenca e dytë e studimeve Albaologjike, Tiranë 1969, vëllimi I, f. 161). A, mos vallë kjo do të thotë se Skënderbeu ishte bullgar?!
16. Adolph Ludvig Koppen, ka shkruar se rajoni qendror është vendlindja e Skënderbeut. Po e ka shkruar në mesin e shekullit 19-të, pa pasur në dorë asnjë dokument!
17. Felice Cuniberti, ka shkruar roman, nuk është vepër historike! Së fundmi, vjershat e shkruara për Heroin tonë Gjergj Katrioti nuk janë histori o Gjok Pepa! Ju, në shkrimin Tuaj nuk keni mundur të kundërshtoni asnjë fakt historik që kam sjellë unë në studimin tim “Nga ishin Kastriotët”, vetëm kemi përmendur disa herë emrin tim, dhe thoni në fund se “asnjë rrugë nuk të çon në Dibër e Mat”. Po në Mirditë a të çon ndonjë rrugë, kur asokohe nuk kishte Mirditë fare, (natyrisht me këtë emërtim). Po Barletit të madh si t`ia bëjmë, çfarë t`i themi, “ke harruar Mirditën”? Do ju këshilloja që të lexoni përsëri librin tim “Nga ishin Kastriotët” dhe të sillni ndonjë dokument autentik që e kundërshton këtë studim, atëherë mund të bisedojmë. PERFUNDIME:
A ► Mirdita për herë të parë në dokumente del në periudhën “afër fundit të shekullit XVI dhe deri nga mezi i shekullit XVII” si mal (monte di Mirediti), gjë që e kam trajtuar me mjaft kujdes në libër (ff. 139-143). Këtu jam i detyruar të shtoj që të gjithë studiuesit (përfshirë dhe dy nga Mirdita), janë shprehur se emri Mirditë del për herë të parë në dokumente në pjesën e dytë të shekullit XVII, gjë të cilën unë e shtyva (me dokumente origjinale) për rreth një shekull më tutje. Nëse keni dokumente që Mirdita ekzistonte në shekullin XV (apo akoma më herët), unë do të ju falënderoj dhe do t’jua di për nder, por me një kusht (të padiskutueshëm): duhet të publikoni dokumentin origjinal. Me përralla se, ka thënë dikush në shekullin XX për shekullin XV unë nuk merrem!
B ► Zoti Pepa keni ndjekur një metodologji krejtësisht të gabuar për të rrëzuar librin tim “Nga ishin Kastriotët”. Unë kam sjell disa dokumente origjinale në libër, të cilët jam përpjekur me sa njohuri kam që t’i përkthej dhe t’i sqaroj saktë. Pikërisht këtu duhej të nguleshit dhe të sqaronit se ku unë kam gabuar në përkthim apo sqarim të asaj që jep dokumenti (burimor autentik). Nëse unë kam, qoftë dhe një gabim të vetëm diku (në material burimor), si dhe përkthim dhe interpretim të gabuar të tij; atëherë kjo do t’i shërbente si premisë për të rrëzuar plotësisht librin tim, dhe, atëherë unë do të çohesha në këmbë, i përulur, përpara jush.
C ► Unë e kam thënë shkoqur dhe troç në libër që: nuk do të merrem me materiale “interpretime materialesh” apo “mendime dhe hipoteza të hedhura nga studiuesit shekuj pas ngjarjeve”. Ato nuk janë dokumente, dhe pikë. Ju pikërisht këtë keni bërë.
D ► Unë e kam thënë shkoqur dhe troç në libër që: nuk do të merrem me të quajturat “qasje etnografike” (përralla popullore). Se çfarë vlere kanë ato (kultura popullore, memorie popullore, mbledhje në terren, legjenda për Heroin etj) e kam sqaruar në mënyrë shteruese te libri im (ff. 166-190). Këtu po sjell vetëm një krahasim fakti (që s’ka lidhje me temën që po trajtojmë): në revoltën popullore të vitit 1844 kundër Hajredin Pashës, përrallat popullore thonë që u vranë 12 mijë turq. Sipas telegrameve të kohës (nga Manastiri, Janina, Selaniku, Shkupi, Shkodra etj), thuhet që janë vrarë 3-7 turq, dhe disa mijëra të vrarë janë shqiptar duke luftuar me shqiptarët e Haxhi Pashë Sakatit (Zogollit) që shkonin në ndihmë të Hajredin Pashës, si dhe mirditorë që gjithashtu shkonin në ndihmë të Hajredin Pashës. Vetëm këto pak shifra flasin shumë se çfarë janë memoriet popullore; dhe më e çuditshmja në një kohë prej një shekulli largësi!
E ► Zoti Pepa ke sjell nja 10 studiues, udhëtarë e gjeografë që kanë thënë se “Kastriotët ishin nga Mirdita”! Në fakt këtë fjali e kanë thënë mbi 170 studiues, por ato nuk janë fakte, ato janë thjeshtë opinione dhe mendime të njerëzve të ndryshëm; gjëra që absolutisht nuk mund t’i marrim për të vërteta (gjëra të thëna disa shekuj pas ngjarjes). Nga ana tjetër janë mbi 270 studiues (mbi 20 prej tyre kapacitete të mëdha të historisë botërore) që kanë thënë se “Kastriotët janë serbë nga Maqedonia sllave”. Dhe si i bie kësaj pune; ne do ta pranojmë këtë?
F ► Dokument që quhet “fakt historik” është ai që është shkruar nga personi që ka marrë pjesë në ngjarje, ose nga personi që ka marrë kontakte me personat që kanë marrë pjesë në ngjarje. Këta janë parime shkencore që nuk mund të preken! G ► Z. Pepa, për të mbrojtur bindjen tënde që “Kastriotët janë nga Mirdita” duhet të kishe sjell të paktën një dokument; një dhe vetëm një. Por, ai “një” të ishte “spartan”.
H ► Tenton të na bindësh se lugina e Matit në kohën e Kastriotëve quhej Mirditë! Kjo është trillim i plotë! Që të flasë kështu, nuk ka, absolutisht asnjë dokument! Jo vetëm Barleti e Frangu thonë krejtësisht ndryshe, por, nëse doni të informoheni më shumë lexoni shënimet e Gjergj Akropolitit (pretor i Bizantit) gjatë udhëtimit që bëri nëpër luginën e lumit të Matit (në shekullin XIII).
I ► Dhe për ta mbyllur po shkruaj: libri im është realisht studim i mirëfilltë, dhe bën gabim që e krahason me librat e tjerë që kanë shkruar përralla në vetën e parë, a thua se kanë qenë vetë në ngjarjet e shekullit XV. Unë vetëm kam përkthyer dhe zbërthyer dokumentet autentike të kohës, dhe nuk kam dhënë opinione të mia. Johann Georg Hahn, “Reise durch die Gebiete des Drin und Wardar im Auftrage der Kaiserl. Akademie der Wissenschaften, unternommen im Jahre 1863”. Publisher: Kaiserl. – Königl. Hof – und Staatsdruckerei, 1867. Në faqet 50-52 shkruhet:
▼ Gjatë udhëtimit për në Karma u ngrit tema e Skënderbeut dhe Don Anxhelo (don Engjëll Bardhi, famulltar, të cilin ia dha Hahnit si “shoqërues klerik në udhëtim” monsinjor Severini, peshkopi i Zadrimës – R. Kica) konfirmoi se populli e kishte harruar atë përveç emrit dhe vendit të tij të lindjes, dhe se nuk ekzistonte më (në popull) ndonjë këngë për të. Por Don Anxhelo e dinte historinë e tij, megjithëse ai u shpreh që nuk e kishte lexuar diku atë, por na tha që e kishte me të dëgjuar, dhe nuk e mbante mend se kush ia kishte treguar. I kërkova të më tregonte. Ato që ai tha buronin nga Barleti, sepse, në tregim aty-këtu dolën në pah të dhënat e tij (Barletit). Ai nuk dinte gjë tjetër veçse Skënderbeu lindi në një qytet të madh e të shkatërruar, rrënojat e mbetura të të cilit shtrihen gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut dhe që populli edhe sot e quan Kastri.(1) Babai i Skënderbeut jetoi atje dhe vazhdoi të jetonte atje edhe pas dorëzimit te Sulltani derisa u helmua nga një dsaibe (një lloj kapote e gjatë – R. Kica) me vlerë që Sulltani ia dërgoi si dhuratë. Edhe e veja e tij drejtonte dhe qeveriste atje derisa u kthye Skënderbeu. Por kur u dërgua në Kostandinopojë, ai (Skënderbeu) ishte ende aq i vogël sa nuk i mbante mend as prindërit, madje ai mendonte se Sulltan Murati ishte babai i tij. Ai e mësoi origjinën e tij të vërtetë vetëm përmes një letre që nëna e tij i dërgoi fshehurazi kur ai arriti burrërinë, në të cilën ajo e këshillonte atë që, për detaje të mëtejshme, të takonte dy nga shërbëtorët e vjetër të babait të tij që jetonin në Kostandinopojë. Skënderbeu i kishte takuar dy pleqtë dhe i kishte bërë të besuarit e tij dhe nëpërmjet tyre mësoi historinë e tij. Por, me këshillën e tyre (dy pleqve) ai e mbajti të fshehtë këtë gjë dhe kërkoi një mundësi për t’u arratisur në atdheun e tij. Kur mbreti hungarez Hunyadi sulmoi Turqinë, ai i kërkoi Sulltanit që t’i jepte komandën e ushtrisë që do të nisej kundër tij. Sulltani fillimisht refuzoi sepse ishte ende shumë i ri,
(1) por më në fund gjithsesi i dha komandën supreme. Pas kësaj Skënderbeu ia tradhtoi ushtrinë (Sulltanit) duke ia dorëzuar atë bashkëfetarit të tij hungarez, pas një marrëveshjeje të mëparshme dhe iku në Shqipëri. Duke pasur parasysh marrëveshjen midis kësaj historie dhe veprës historike të Barletit, nuk besojmë se gabojmë nëse e konsiderojmë këtë vepër (veprën e Barletit) si burimin nga i cili lindi tradita gojore. Prandaj, ajo i përket klasës së traditave që Benfey i përshkroi në Panchatantra-rin e tij, si (të dhëna gojore) që depërtojnë te njerëzit nga letërsia, dhe për këtë arsye na duket të jetë me interes të veçantë. Gjithçka që Barleti jep riprodhohet me mjaft besnikëri në tërësi, por boshllëqet që ai lë duket se janë të mbushura me materiale romantike (artistike), me përjashtim të vendbanimit të familjes Skënderbe, që është marrë nga legjenda lokale (përralla popullore), sepse Barleti nuk di asgjë për letrën e nënës, as shërbëtorëve të vjetër, as lajkave për të marrë komandën supreme (të ushtrisë së Muratit). Por, më e çuditshmja është se, ato që kanë bërë këto shtesa nuk kanë pasur të qartë që, duke ditur parimet në bazë mbi të cilat ishte edukuar Skënderbeu, për të cilat nuk bëhet fjalë (nuk diskutohen), duhej të ndodhte një mrekulli pa të cilën do të ishte e pamundur që ai të prekej në sedër nga ky zbulim i beftë; zbulim që e godiste duke e zbritur nga niveli i një princi perandorak në një bir Gjauri (nga osmanishtja: Gjaur – quhen në mënyrë përçmuese të pafetë, jo myslimanët – R. Kica) i një province të largët të perandorisë.
Ky variant meriton vëmendje më të madhe për aq sa tregon mënyrën se si materiali i nxjerrë nga letërsia (nga Barleti) gërshetohet me të dhënat gojore (përrallat popullore), dhe përcillet prej saj (përrallave popullore) me kalimin e kohës duke shtuar shtrembërime dhe shtesa të çuditshme, të cilat më vonë i ritransmetohen përsëri letërsisë të mbarsura me ndryshime dhe shtesa (të sajuara). Në këtë mënyrë ne shpjegojmë origjinën e romaneve mesjetare të Aleksandrit, hyrjen në Edda, Kronikën e Gjirokastrës të përkthyer nga Leake (Lik), sipas së cilës Tezeu dhe Soloni, duke emigruar nga Athina, themeluan një koloni pranë Gjirokastrës, dhe shumë të tjera të këtij lloji. Këtu gjejmë rrugën e kundërt të zhvillimit që merr legjenda e vërtetë popullore; sepse ndërsa kjo e fundit përpiqet gjithmonë ta përshtatë materialin tradicional gjithnjë e më shumë me kushtet njerëzore, ta bëjë atë gjithnjë e më shumë antropomorfike (me pamje njerëzore) për të qenë në gjendje ta kuptojë më mirë dhe si rrjedhim sillet negativisht ndaj gjithçkaje përrallore (që është e mrekullueshme si përrallë).
Në shtesën që merr materiali i nxjerrë nga letërsia, ne shohim një tendencë për t’i hequr asaj çdo veshje përrallore, me qëllim për ta bërë atë sa më tërheqëse dhe për të rritur interesin për të. Ajo që ishte edhe më interesante për ne në këtë legjendë (në këto shtesa popullore) ishte zbulimi i një vendlindje të re të Skënderbeut, për të cilin Boué kishte marrë informacion që në kohën e tij, por që e ne e kishim kërkuar më kot gjatë qëndrimit të shkurtër në Lezhë. Don Angelo i përshkruan këto rrënoja si shumë të gjera (me shtrirje të madhe).
Strukturat bazë të mureve rrethuese mund të gjurmohen përgjatë dy këmbëve të këndit ku Vomas-i derdhet në Gjadër. Ato përbëhen nga gurë të vegjël, të paprerë, të lidhur me gëlqere “siç ndërtohen dhe në ditët e sotme”. Shtretërit e dy përrenjve, të hyrë thellë në tokën e butë dhe të sheshtë, formojnë hendeqet natyrore të qytetit. Ka ende shumë mure themeli brenda, por asnjëri prej tyre nuk tregon lidhje me ndonjë ndërtesë të madhe ose kishë. Në njërën anë të murit ai na tha që kishte numëruar tetë xhepa të vegjël, nga ne nuk kuptuam nëse kishin qenë kulla apo vendroje. Ky vendbanim i brezave të kaluar është tashmë plotësisht i shkretë, sepse fshati nga e ka marrë hua emrin Kastrí(2) shtrihet pothuajse gjysmë ore në lindje të tij.
Është domethënës fakti i shkretimit që tregon një shkallë të ulët të zhvillimit, sepse ajo shtrihet në një fushë në kryqëzimin e rrugëve nga Shkodra në Orosh dhe nga Lezha në Pukë e Prizren – prandaj dominon në të gjithë këtë pjesë me shtigjet që të çojnë në fushë. Kjo fushë është kufiri më perëndimor i Bairaqeve të Diëras, Dibrit apo Diërit, që i përket Mirditës, dhe që nuk duhet ngatërruar me Dibranët me të njëjtin emër të Drinit të zi. Ne ishim në gjendje të kënaqeshim në këtë bisedë interesante me Don Angelo edhe të ndjeheshim më komod, edhe për faktin se zona e ngushtë nëpër të cilën kaluam ishte një nga më të mërzitshmet e udhëtimit tonë, sepse përbëhej nga kodra të shkreta dhe të zhveshura; por humbëm mundësinë për të folur për rrugën midis asaj lagjeje të vogël të Karmës dhe Komanit duke lënë pas dore interesimin që të na tregonin vijën kufitare të Dukagjinit, të cilin e kaluam në këtë itinerar të shkurtër.
———- (1) Hahni sqaron: Skënderbeu në atë kohë ishte 42 apo 43 vjeç. (2) Hahni sqaron: Kjo formë korrespondon saktësisht me greqishten moderne καστρι (në kompozimet greke toni shkon deri në rrokjen e tretë në të fundit): Παλαιόκαστρον, ‘Αργυρόκαστρον, Οβριόκαστρον, ‘Αγγελόκαστρον. Por përcaktori i vendit në greqishten e re është ιτης, ndërsa në shqip “at”. Pikërisht për këtë fakt fjala Kastrat (që është emri i njërit prej fiseve malore të Shkodrës) i cili është vendosur pranë një kështjelle të tillë të vjetër, konsiderohet njëkohësisht aty (nga njerëzit) si vendlindja e Skënderbeut. Shtojmë që ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë se cilës gjuhë i takon rrokja e fundit e fjalës Kastriota. Por, duhet vënë në dukje se në Shqipëri ne nuk dëgjuam, asnjë herë të bëhej fjalë për Kastriota dhe as për Georg (Gjergj), por vetëm për Skanderbegu te gegët dhe Skanderbei te toskët. Por në të kaluarën mbiemri i tij i mirëfilltë duhet të ketë qenë pikërisht ky (Kastriota), sepse, ndryshe nuk kishte përse të çohej vendlindja e tij në ato vende që mbajnë emrin Kastri.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

