-Nga Gjok PEPA-
Kjo shprehje shekspirane e Nolit, përdorur prej tij në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve, më ndihu të përkufizoj gjithë kundër-replikën e stërmundimëshme të zoti Ramazan Kica ndaj replikës sime kundrejt librit të tij, “Nga ishin Kastriotët”.
Në shumicën e saj të bie në sy tentativa e pamoralshme për të më bërë mua askushin në lëmin e historisë, mundë që padyshim i ka shkuar dëm. Unë e kam pranuar se nuk jam studiues e aq më pak historian por kjo nuk mund të më bëhet kurrë pengesë të jem një lexues i apasionuar i saj, e si njeri i lirë, me dijen e përftuar të mund të replikoj me cilindo studiues a historian që sipas meje ka gabuar ose gabon në tezat e tij. Duke i’u shmangur argumenteve të mia ai ka tentuar të më fusë në kurth përmes lojës me fjalët a shprehjet që kam përdorur në atë replikë. Kërkon dokumenta autentikë nga unë por nuk thotë asnjë fjalë të vetme për letrat e Gjon Kastriotit që kam cituar e dihet se ekzistojnë, njihen e pranohet botërisht si të tilla, pra si dokumenta, pa patur nevojë ti posedosh, mjafton t’u referohesh pa i manipuluar në përmbajtje.
Zoti Kica.
Unë nuk arrij dot të kuptoj se, si mundeni të thurni epitetet më lëvduese për Fallmerajerin, e t’i referoheni me shumicë atij sa herë u intereson por, dhe njëkohësisht, në mënyrën më të paturpëshme, t’i shumëzoni me zero gjithë referimet që ai na sjell mbi lidhjen e Kastriotëve me Mirditën të cilat gjenden në replikën time me ju. Ndoshta dhe mund të ta justifikoja këtë sjellje karshi veprës së tij, por, kur ju, pa më të voglin ngurrim, silleni po kështu dhe me 170 autorë të tjerë (shifër e juaja kjo, pasi unë kam mbi 200 të tillë) që kanë shprehur po të njëjtën gjë për lidhjen e Kastriotëve me mirditasit, mua “më lini pa mend”. Pra, sipas teje, gjithë njerëzia e kësaj bote që ka lexuar këta autorë, duhen mëshiruar, pasi mundi i tyre për t’u informuar rreth ngjarjeve historike të mesjetës, paska shkuar i gjithi dëm, por u jepet dhe një mundësi, të lexojnë librin tuaj. “O tempora, o mores”.
E keni filluar kundër-replikën duke përmendur thënien time, ‘narrativë romantike” për stilin e rrëfimit në librin e Barletit. Kjo u paska shtyrë të mendoni se nuk ia vlente të merreshit me mua, por sërisht, dhe po habitshëm, pranoni se këtë e ka thënë për herë të parë dhe të vetme, Bedri Dedja, dhe nuk përtoni të përmendni dhe vendin, kohën, faqen dhe numrin e vëllimit ku është botuar. Duke të “falenderuar” për paralelen e hequr mes meje dhe zotit Dedja, personalitet mjaft i njohur i letrave shqipe, por dhe njëkohësisht, për shkarkimin e barrës së krijimit të kësaj “marreje” prej kurrizit tim, do desha tu pyes; Ku mendoni se mund t’a kem dëgjuar këtë shprehje kur kurrë nuk kam qënë pjesë e auditorëve të lëndës së historisë?!
Ju kërkoni tu sqaroj se pse e kam shmangur nga debati njerin nga autorët e librave që kam cituar në replikën time. Arsyen e kam shkruar po aty. Ai është një studiues i mirfilltë e njeri mjaft i nderuar por që “fatkeqësisht,” është një mirditor që mbron tezën e origjinës matjane të Kastriotëve. Nuk preferova të bëj debat të hapur me të por ballazi dhe e realizova atë pikërisht sot që po shkruaj këto rreshta. Se është apo nuk është vlerë kjo sjellje krahasuar me atë të dibranëve karshi teje s’më takon mua ta përcaktoj por lexuesit. Dua të të bëj me dije se, ai e dinte fort mire dhe e pranonte lidhjen e Kastriotëve me mirditasit por këmbëngulte se ajo degë e familjes së tyre është shfaqur më vonë dhe rridhte nga vendi ku ai pretendon të jetë vendorigjina e herëshme dhe e vërtetë e tyre.
Nëse unë paskam shkruar se Barleti na thotë se Kastriotët ishin me origjinë nga një fshat i Aemathia-s kur në të vërtetë është shprehur se ata rridhnin nga Aemadhia, a mundeni të më thoni se pse ai nuk arriti të artikulojë pak më shumë rreth kësaj origjine nëse do ishte nga një qytet i kësaj krahine?!
Vallë duhet të ketë menduar se do i’a zbehte lavdinë atyre një origjine qytetare?! Unë kam shkruar se Matja mesjetare kishte dy qytete, por kur ju, Krujën se përmendni dhe Lezhën e përjashtoni prej saj, a mund të na thoni cili ishte qyteti tjetër i saj që ai nuk do mund të hezitonte ta përmendëte?! Nëse ai ka dhënë informacion të hollësishëm mbi betejat, vendet, numrin e luftëtarëve, emrat e gjeneralëve dhe familjarëve, ju mendoni se nuk ka mundur të mësojë pak më shumë dhe për vendorigjinën e tyre qytetare?! Mësoni të lexoni mes rreshtave zotëri. Gjithsesi, unë kurrë nuk kam pranuar e as do pranoj ndonjëherë një origjinë fshatare të Kastriotëve pasi logjikisht, është e pamundur që “pjella më hyjnore e rracës njerzore”, siç shprehet Shuflai për Kryeheroin tonë, të mos ketë lindur në ambientet e një qytetërimi të lashtë apo prej një rrace që e ka të bartur në gen qytetërimin.
Për të kuptuar se cili fis i rracës shqiptare e ka patur dhe e ka në gen qytetërimin, mjafton të lexoni se si janë shprehur me dhjetra autorë të huaj e vendas për mirditasit. Nga mbi dyzet të tilla po veçoj vetëm një prej tyre dhe vetëm për lexuesin pasi e di fare mirë se për ju ajo konsiderohet si një pallavër.
“Në kushte normale, mirditasit mund të qytetërohen lehtë, duke qënë nga natyra me karakter bindës, me talent të spikatur e doke të bukura. Ata janë mbajtur nga të gjithë shqiptarët, si më të vlefshmit në luftë, si më inteligjentët e më të zotët për tu qytetëruar, por mbi të gjitha, si katolikë të vërtetë e mbrojtës të fesë së tyre, duke qëndruar të pathyeshëm në besimin e tyre përkundër përpjekjeve bizantine, sllave apo osmane”. Degrand.
I nderuar zotëri.
Ju më kërkoni t’u tregoj qoftë dhe vetëm një dokument ku Gjergj Kastrioti quhet apo vetëquhet princ i Maqedonisë. Nuk jam studiues por një lexues dhe këtë s’mund të ma kërkoni mua. Ky qëndrim tregon dhe njëherë se ju nuk u “hyn në sy” asnjë libër historie, përkundër, unë ato i kërkoj, gjej dhe porosis përmes inernetit e më vijnë me postë. Fati më paska ndihur dhe këto ditë. Falë bashkpunëtorit dhe shokut tim të mirë Xhovalin Z. Kaçorri erdhi sipas porosisë libri i Frang Bardhit “Skënderbeu-apollogji”. Ja si shkruan ai rreth kësaj teme. “Ky autor, pra Volterrani, kur bën përshkrimin e Maqedhonisë dhe pjesëve të saja, thotë këto në Gjeografinë e tij; Tri, sidomos familje i zotëronin të gjitha këto bashkë me Epirin. Këto familje ne i pamë të gjitha të mërguara në Romë. Komnenët që rridhnin nga një fis fisnik Stambollitësh zotëronin vendet bregdetare si Durrësin, Vlorën e shumë të tjera….. Familja e dytë është ajo e Kastriotëve, nga të cilët Jan Dibra apo Dobrensi zotëronte Tojën dhe disa vende të tjera më përbrenda. Familja e tretë sipas tij është e Dhespotëve por nuk po vazhdojmë më tej ti radhisim të gjitha. (vërejmë se auktori e quan Krujën me emrin Trojë).”
“ …me emrin Ematia nga e cila Barleti thotë se kan dale Kastriotët, shënohet këtu Maqedhonia. Kjo del nga vetë fjalët e Barletit, i cili në librat mbi pushtimin e Shkodrës, qytet në Epir, thotë se Ematia dhe Maqedhonia është po e njëjta gjë. Në favor të këtyre është dhe dëshmia e mbretit Ferdinand pasi Skënderbeu e ndihmoi të merrte fronin, ku mes të tjerave, sipas Barletit, ai thotë;…”e s’është çudi kur ti ke origjinë nga Epiri apo Shqipëria e cila dikur quhej Maqedhoni e nga dolën prijës si Aleksandri dhe Pirro…”.
Frang Bardhi nuk ka paraqitur dokumenta por i është referuar Gjeografisë së Volterranit e librit të Barletit. A duhet ti besojmë?! Në fak as në librin e Barletit nuk është se ka ndonjë dokument të cilit ai i referohet por ju i keni besuar verbërisht edhe pa to kur keni hedhur themelin e tezës suaj, ndaj unë po vazhdoj me durim dhe më tej për hater të lexuesit e të mirditasve të cilëve kam fatin dhe nderin t’u përkas.
Pasi keni hedhur poshtë me një lehtësi të llahtarëshme dhe veprën e Akademikut Kasem Biçoku nëpërmjet së cilës unë kam dhënë kufinjtë e Matjes mesjetare, ju mundoheni të më zini mat me fjalët e mia, pasi me dorën time paskam shkruar pikërisht për atë që ju e paskeni zbuluar prej kohësh, pra, që qyteti i Lezhës, nuk ka qënë pjesë e saj.
Për etikë po mundohem të jem sa më i përmbajtur por gjithsesi nuk mundem të hesht plotësisht para kësaj mendjelehtësie. Qeveritari venecian i Durrësit, Marko Diedo, që në letrën e tij (dokument i njohur nga studiuesit) shkruan se;”…ushtria sapo hyri në Matjen e të sipër përmendurit Skënderbe, kufitare me Lezhën trevë e Arbërisë”, e ka përmendur qytetin e Lezhës vetëm për të përcaktuar saktësisht cila ishte pjesa që kishte në pronësi Kastrioti por, dhe ligjërisht, e ka të pamundur ta përfshijë këtë qytet brenda saj, pasi kështu, i bie që ai të pohojë se dhe atë qytet e zotëron ai, kur në të vërtetë atë e administronin kolegët e tij veneciane që nga viti 1398, kohë kur atë u’a dorëzuan Dukagjinët që ishin zotërit e vërtetë të tij. Cila logjikë u shtyn të mendoni se veneciani do i’a fuste vetes apo se ky qytet nuk përfshihej në Matje kur ai rrethohej totalisht nga teritoret e saj që kishin për kufi verior lumin Drin?! Lezha na paskësh qënë oaz. I kujt?! I Venetikut?! Ruana zot!
Dhe pse mendoj se nuk duhet të zgjatem me palogjikën tuaj argumentuese për të mos u bërë i mërzitshëm për lexuesin, nuk mund të lë jashtë këtij shkrimi pa komentuar dhe rrekjen tuaj për të më zënë mat përmes vonshmërisë së emrit Mirditë. E di fare mire këtë të vërtetë por kjo nuk më pengon dot mua të argumentoj se shumica që popullonte territoret që asokohe emërtoheshin Matja ishin mirditas. Për ju kjo është e pa pranueshme pasi, si mbarë popullata, mendoni se emri i një fisi rrjedh vetëm prej emrit të territorit ku përfshihet por ja që unë mendoj dhe ndryshe, e besoj nuk jam i vetëm. Nëse do ti rrinim logjikës suaj i bie që mirditasit që jetojnë sot në zonën e Matit, Lezhës apo Pukës ta prezantojnë veten si matjanë, pukjanë apo lezhjanë por dhe lumjanët të prezantohen si kuksianë e lurasit si dibranë. Kjo gjë që nuk e di të ketë ndodhur akoma por me kalimin e kohës ndoshta dhe mund të ndodhë.
Ju po mbaheni dhe si zbulues i kohës kur territori yne paska marrë emrin Mirditë dhe t’u them të vërtetën nuk gaboni, por vetëm për kohën. Gjatë promovimit të librit “Arbëria në kufinjtë e mbijetesës” të studiuesit Gjet Ndoj, u përmend dhe kjo vonshmëri e emrit Mirditë. Autori i librit dhe shumica e auditorit ishin po në të njëjtin mendim me ju. I drejtova këtë pyetje autorit të librit e cila mundet të vlejë vetëm për lexuesin pasi ju e di se nuk do e merrni në konsiderate. “Zoti Gjetë! Keni shkruar se themeluesi i dinastisë së Bushatllinjëve krenohej se ishte mirditas. A më shpjegoni dot se si është e mundur të ketë ndodhur një gjë e tillë kur koha e tij, pra e Bushatlliut, më duket se nuk rakordon me kohën kur Mirdita paska marrë këtë emër që e ka dhe sot?!” Heshti autori e heshtën të gjithë. Nuk e di në se ju mund të arrini të kuptoni arsyen e heshjes së tyre megjithëse ajo flet mjaft qartë. Banorët e Matjes ishin mirditas, emërtim i hershëm e mjaft zulmëmadh.
E marr me mend se ju nuk e honepsni dot as historianen Elena Kocaqi por për hatër të lexuesve po citoj vetëm dy pasazhe të shkurtëra të marrë nga njëri prej librave të saj ku shkruhet mbi Mardaitët e Pelponezit të cilët sipas arkivave bizantine, osmane e veneciane lidhen jo vetëm me mirditasit e sotëm por me gjithë fiset e veriut të Shqipërisë. Ja si citon ajo;
“Sipas Sathas, mardaiti dhe cakones nuk janë popuj, por teknikë luftarake si e shqiptarëve dhe shqiptarëve të Peloponezit.”
“Taktika luftarake mirditore dhe cakone është ajo e pritës. Pra Sathas i lidh marditit e Peloponezit pikërisht me mirditorët.”
Megjithëse gjithë historianët dhe studiuesit e njohin mjaft mire taktikën luftarake të Gjergj Kastriotit, unë për këtë dua ti referohem vetëm Nolit. Në hyrjen e botimit të parë të veprës së tij studimore për të, ai shkruan;” Taktika ushtarake e Skënderbeut ka qënë ajo e luftës së çetave në mal. Pra pyetja që duhet bërë është kjo; ku e mësoi ai zanatin e tij kaq mire sa të ishte i zoti të ndalonte me këtë armë primitive dy nga sulltanët më të mëdhenj? Mos vallë në malet ku kishte lindur apo në pallatin e Sulltanit, ashtu siç thonë gojdhënat? Ky problem i rëndësishëm, që është enigma e parë së cilës duhet ti bëjë ballë historiani, ose është kapërcyer ose është trajtuar përciptazi.”
Me “padijeninë” që shfaq këtu ky gjigand i mendimit dhe shqiptarizmës na ka dhënë dhe argumentin më të madh në lidhje me origjinën mirditore të Gjergj Kastriotit. Lufta e çetave në mal dihet se zhvillohet sipas taktikës së luftës me pritë. Nëse kjo llojë taktike ishte specialitet vetëm i mirditasve, a mundet ai, që këtë taktikë ta ketë mësuar diku tjetër përveçse mes tyre, në malet ku kishte lindur?!
Kaq mjafton për të mos u marrë më me ju zoti Kica. Besoj se me kaq dhe lexuesi do arrijë të kuptojë se institucionin që kam përfaqësuar, pra Muzeun Historik Mirditë ,të cilin ju e keni përgojuar prej meje, as dhe një historian i mirfilltë s’do mund t’a kishte përfaqësuar më denjësisht.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

