Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Intervista me çikën e Azem Galicës, e cila jetoi 70 vjet e fshehur nga Serbia

Nga arkiva: Çka thoshte çika e Azem Galicës në vitin 1994...

Nga Pirusti News
1 128 Shikime
SHPERNDAJE

Në gushtin e vitit 1924 teksa Azem Bejta (Galica) i plagosur rëndë do të udhëtonte drejt Shqipërisë, njëra prej shoqëruesve të shumtë ishte edhe bashkëshortja e quajtur Zoja, e cila ishte në javët e fundit për të lindur. E lodhur sa më s’ka, Azemi jep urdhër që bashkëshortja e tij të ndalojë në një vend të sigurtë në dushqet e Drenicës.
Amaneti i Azem Galicës ishte që nëse Zoja do lindte djalë ti vendosnin emërin e tij Azem, e nëse do lindte vajzë, këtij emri ti shtohej një “e”, pra Azemine. E ndërsa Azem Galica do të vijonte udhëtimin, nga plagët e shumta do të vdiste në pak ditë, për tu varrosur një një vend shumë sekret, në fundin e errët të shpellës enigmatike “Çuku që kërset”, dy muaj më vonë do vinte në jetë e vetmja pasardhëse e tij, Azeminja, që dhe ajo nuk do të linte trashëgimtarë.

Intervista me Azemine Azem Bejta është ndër më të rrallat si e vetmja trashëgimtare e legjendës së Drenicës, tmerri i Serbisë, realizuar në vitin 1994, në moshën 70 vjeçare. Thjeshtësia, por dhe largpamësia e Saj për ta arritur lirinë e Dardanisë është gati profetike, pasi ajo ndërroi jetë me 02 gusht 1999, vetëm pak muaj pas çlirimit. Azemine Galica prehet e qetë pranë varrit të babait të saj Azem Galica, në Drenicë.    -Shënimi im Aleksandër NDOJA-

-Intervista e realizuar nga Gani Dili, në vitin 1994-

Bashkëbiseduesja jonë, Azeminja, është e bija e Azem Bejtës. E patëm vizituar në qershor të vitit 1994, në fshatin Galicë, në vigjilje të 70-vjetorit të vdekjes së babait të saj, heroit tonë të madh kombëtar.

Dialogu pa skenar…

Kemi ardhur të bisedojmë me ju…

– Zoti u nderoftë e mirë se keni ardh! Për çka di e muj do t’flas, do t’u kallxoj…

Por, po qe se më pyetni për babën, edhe unë di aq sa di populli. Babën nuk e kam njohtë, se unë kam le dy muaj pas vdekjes së tij.

Do të thotë tash i keni 70 vjet?
– Po, n’ketë verë i kam mushë, t’shkretat…

Po, a e dini ku keni lindë?
– Më kanë thanë diku në malet e Tërstenikut të Drenicës. Po, në male edhe jam rritë, biro. Ashtu ish ajo kohë atëherë për tanë shqiptarët. Zaten malet janë kanë gati gjithherë edhe shpiat tona… Qysh more gjithmonë kishim pas hjekë prej këtij shkau! Po, ku na ranë hise që t’jemi n’gardh me ta…

As në male s’na kanë lanë rahat. Po, qe, edhe tash, sot, s’na lanë t’jetojmë si njerëz. Thua se këta na kanë falë e na kanë qit në kit dynja dhe tash çka dojnë bajnë me ne! Jo more jo, se, qe besa, nuk ka ardhë ai dakik, se këta mirë e dinë e kujt asht kjo tokë, e kujt asht Kosova, kush asht shiptari… Po, s’di deri kur do t’mushen men, more… Kurrë s’na kan nda zullumin… Sa na kanë pre, sa na kanë vra, sa na kanë djegë dhe – çka fituan?

E fituan Kosovën, po thonë…?

– Paj, vallahi, biro, me fjalë në letër po… Edhe unë muj me thanë se e kam Evropën temen, po s’asht ashtu…

A thonë: I forti gjithë e mun t’ligun, t’pakrahin… Kosova tanë e dinë e kujt asht. Qysh mujnë me thanë se e kanë fitue, apo Kosova asht e jona, kur dy milionë shqiptarë jetojnë këtu dhe asnja nuk e kanë për veti, asnja me veti.

Janë disa, janë…

– Po, kush janë ata, allahile?! Ndërhyn: Mirë thashë, ata janë asnja, ata janë kurrkush. Ah, sikur t’ish baba Azem gjallë, qysh m’kanë thanë, kish ditë ai çka kish ba me ta!

Siç knohet n’kangë:

“Shumë vetë n’men i ka pru,
Shumë me pushkë, pak ma shumë me dru…”.

Po, nejse, se vjen edhe ajo ditë kur do ta vrasin e do ta rrehin kryet e vet…

Po e dini këngën e Azem Bejtës…

– Po, shumë vetë e dinë, e unë që jam çikë e tij, si mos ta di? I di gati të gjitha kangët që knohen për ta.

Shumë më pëlqen edhe ajo që e knon aj kangtari i Shqipnisë “Prite, o Azem Galica…”. Kur e pata nie për së pari herë, m’besoni, trupi m’dridhej…

Këtu dëgjuam se deri vonë nuk e keni ditur se jeni çika e Azem Bejtës?

– Ashtu asht. I kam pas nja 8-9 vjet kur kam marrë vesh se jam çika e Azemit…

Si, prej kujt?

– Ni ditë isha në fushë me gja dhe ni shka, Jovan i thojshin, që e kish shpinë jo larg neve, mu afrua e më tha: “Çiko, a e di e kujt asht kjo tokë?”.

I thashë: “Po, e jotja dhe tash i largoj gjanë”.

“Jo-jo, mos i largo se kjo tokë asht e babës tanë. A e di e kujt je ti?”.
“Jam e Hashimit”, i thashë.
“Eh, moj çikë, me dit ti e kujna je…”.
“E kujt, more?”, e pyeta.
“E Azem Bejtës”, më th
a dhe ma dha ni copë bukë me do djathë.
“Nuk ta du bukën që e ka ba toka e babës tem!”, i thashë dhe ika.

E, mos ta zgjas ma shumë, fjalët e shkaut m’prekën n’zemër dhe disa ditë nuk e ndjeva veten mirë. Atëherë, mixha Hashim më kallxoj fije për pe…

Çka të tregoi?

– Paj, m’kallxoj se jam çika e Azemit, se babagjyshi i tij, Abdullahu, m’kish pas marrë në katundin Prellovc ku m’u kish martu nana dhe prej dy vjetëve sa i kam pasë atëherë në shpinë e tyne m’kanë majt msheftë, pa e ditur kurrkush kush jam. Kanë pas droe mos faqezitë më diktojnë e ma hupin faren… Deri vonë, përveç do në katund, nuk ka ditë kush për mue…

Po emri juaj Azemine?

– Po, e kam prej babës. E kish lanë amanet: N’koftë që Zoja lenë djalë, lenja emnin Azem. E n’koshtë çikë – Azemine.

Si i përjeton këto ditë të Kosovës?

– Si tanë shqiptarët. Zor asht ba me jetue boll. Po kam besim se gjaku i babës Azem, i Hasan Prishtinës, i Bajram Begit, i Tahir Mehës, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, e i shumë të tjerëve, nuk ka me shku huq. Syni i tyne qelë ka met pa e pa Kosovën-Republikë…
Kam ymyt (besim) se shpejt kemi me u ndaj prej kësaj Serbie, që ne e ka hangër ymrin dhe na e ka pi gjakun prej që na lanë nër ta…

Po, kush na la nër ta?

– Evropa, loke! Evropa… Qysh po nie e po kallxojnë lajmet, tash kanë nrrue kohët. E kanë marrë vesh tash se kush asht katili, dreqi i Ballkanit!

A keni edhe diçka të shtoni, të tregoni?

– S’po di… Veç me ba me dekë dy sytë qelë më mesin pa e pa Shqipninë. Kisha me ecë nëpër t’gjitha ato vende kah ka ecë e kah ka luftue baba Azem.

Po, a nuk keni pasaportë, a?

– Ç’farë pashaporte, loke! Qito vjet i bana e asni dokument s’e kam! Kurrkund s’jam e regjistrime… S’kanë guxu atëherë me m’shkrue, se ma kishin hjek faren!
Ishalla vjen dita jonë, shteti jonë e shkruhem atëherë…

Edhe nja pata me ta thanë…

Urdhëroni!

– Ishalla i jep Zoti ymër Brahim Rugovës e na ruen për hatër t’Kosovës, për hatër t’lirisë…

Në vend të përfundimit..

A ka rast të tillë, të ngjashëm në botë: 70 vjet të jetojë njeriu pa u shënuar, pa u regjistruar, pa u evidentuar askund?!

E, pse?

Pse-në e di Serbia!

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest