Reportazh nga Aleksandër NDOJA
(Rreth e qark Shqipërisë verilindore)
Pranimi i ftesës nga shoqata “Malziu” dhe posaçërisht nga mësuesi i mirënjohur të atyre anëve Ali Hasani që shoqata jonë kulturore AASHL “Mirdita” të marrë pjesë në festën e Vilës në Bushtricë të Kukësit, na detyron që ora 0530 e mëngjesit të së dielës të na gjejë në “start”. Për të mbërritur në fshatin Vilë ka dy drejtime, e para nga Kukësi dhe e dyta nga Peshkopia. Kjo sepse pikërisht në Bushtricë është dhe “kufiri” mes dy rretheve veri-lindore të Shqipërisë.
Ndërsa sëbashku me ekonomistin Ndue Ndoj, piktorin Pjetër Marku dhe avokatin Pjetër Ndreca zgjedhim nisjen në drejtim të Peshkopisë, për ti ardhur rreth malit të Korabit, për të prekur “këmbet” e Gjallicës dhe më tej të Munellës mirditase, ashtu siç një javë më parë malit të Tomorrit, për në Gjerbës e Ujanik. Edhe kjo rrugë na konfirmon se do na “gjobiste” në jo pak se 350 km. Megjithatë “starti” i parë e ka finishin mjaft të shkurtër në kohë.
E nëse nisja në Tiranë shënon ora 0530, duke përshkuar mbi urat dhe tunelet e shumë lakuara prej disa vitesh me “e lagu, s”e lagu”, koha bëri të veten, pasi në qendrën e qytetit të Peshkopisë, kemi mbërritur fiks pas 60 minutave.
Në Peshkopi..
Është e dielë akoma pa mbërritur ora 7, ndaj dhe qyteti është në qetësi. I vetmi që “prish” panoramën bosh të bulevardit kryesor të njohur si ndër më të veçantit në Shqipëri, është piktori i mirënjohur i atyre anëve, Hamdi Kaci. Ai vjen drejt nesh duke na kërkuar disa minuta në dispozicion për një kafe mikpritje në qytetin mikpritës, siç njihet Peshkopia. Biseda vijon rreth temave të ndryshme, ndërsa për mua si autor i këtyre radhëve, por sidomos dhe për kolegun e tij të hershëm Pjetër Marku, është i njohur fakti se Hamdi Kaci është një nga figurat më të njohura të artit pamor shqiptar, me një kontribut të rëndësishëm në fushën e pikturës dhe edukimit artistik.
Gjatë viteve 1973–1990, Hamdi Kaci mori pjesë në ekspozita dhe konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë ato në Dibër të Madhe, Mirditë dhe ish-Jugosllavi. Ai ka qenë organizator dhe pjesëmarrës në disa koloni artistike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fondin e tij personal, ai ka dhjetëra vepra të gjinive të ndryshme, duke përfshirë kompozime, portrete, peizazhe dhe grafikë. Disa prej veprave të tij ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Pas disa minutash dhe falenderimi të dy anshëm, nisim rrugën drejt destinacionit të së dielës, në fshatin Vilë.
Drejt fshatit Vilë, me qindra automjete para dhe pas automjetit tonë.
Rruga gjarpëron mes maleve të shumta. Është stinë pranvere e natyrisht panorama është tejet mahnitëse. Është rruga që dikur quhej “rruga Rinia”, pasi është bërë kryesisht me punë vullnetare nga rinia. E nëse ajo gjarpëron mes malesh e kodrash të thepisura, pa kuptuar kemi kaluar në disa fshatra në rrugën që lidh Peshkopinë me Bushtricën, si Sllatinë, Shumbat, Venisht, Trojak, Ceren, Kullas, Ploshtan, Radomirë, Shullan, Tejzë, Ujëmirë e Vasie, deri kur mbërrijmë në Bushtricë, e cila është pjesë e Bashkisë Kukës.
Të flasësh për bukuritë natyrore, por edhe ato të realizuara nga dora e njeriut është punë e gjatë, megjithatë malet e larta në kombinim me kodrat plot gjelbërim dhe pllajat madhështore të japin ndjesinë sikur përpara ke ndonjë kartolinë më të arrirë që mund të ketë dalë në qarkullim. Me këto ndjesi dhe diskutime mbërrijmë në Bushtricë, tashmë në zonën administrative të Kukësit, ndërsa një tabelë me mbishkrimin “festa e Vilës” na drejton drejt një rruge malore për të mbërritur në vendin e quajtur “Laku i Erës”.
Në “Lakun e Erës, kur shkrimtari disident thoste se……
…mësuesi poet Bilbil Billa, thotë se është Shefqet Billa që po ja shkund pluhurin e harresës Lakut të Erës…
Nuk u desh më shumë se 10 minuta për të prekur epiqendrën e festës së Vilës. Pikërisht në një pllajë madhështore ishin mbledhur si të kishin rënë nga qielli mbi 2500 njerëz. Edhe pse ishte kohë e mirë, në këtë lak, era të priste disi, ndërsa na u tha se Visar Zhiti i ardhur nga Gjerbësi i Skraparit në Kukës,
kur mërzitej me shokët e dhomës jo pa shaka u thotë se, “Më mirë të vallëzoj gjithë natën me ujqërit në lakun e erës, se sa të qëndroj me ju këtu”, ndërsa mësuesi poet Bilbil Billa thotë se është Shefqet Billa që po ja shkund pluhurin e harresës Lakut të Erës me këto festa madhështore që organizon për të dytën herë radhazi, ndërsa kujton se në rininë e tij në një aksion për mbledhjen e thekrës këtu në këto livadhe ishte kafshuar nga gjarpëri, aq sa për shumë ditë kishte mbetur në spital.
Laku i Erës kishte marrë një gjallëri të jashtëzakonshme. Diku në një skenë të improvizuar buçiste zëri i gazetarit dhe moderatorit Dëfrim Met’hasani i cili falenderonte për këtë pjesmarrje masive nga të gjitha lagjet e katundit e Vilës, por edhe emra të shquar të artit kombëtar që kishin zgjedhur të vinin në Vilë, si Eranda Libohova, Kastriot Tusha, Gold AG, Arif Vladi, Flora Gashi, Osman Hasa, Rami Jata, Nexhip Dida, Vëllezërit Sejdiu, Arflet Selmani, Fadil Jata, Musa Dauti.
E ndërsa njofton nisjen e një minikampionati të mundjes, e gjithë hapësira ishte pushtuar nga grupe të rinjsh dhe të rejash që vallëzonin nën tingujt e instrumentistëve të ndryshëm.
Shefqet Billa, është mësues në profesion i cili ka ngritur një bisnes tregtar në tregtimin pllakave, duke u shënuar si kompani lidër me magazinë qendrore në Spanjë, nduke furnizuar gjithë boten me pllaka, ndërsa po hapin filiale në të gjitha qytetet kryesore te Europës dhe Amerikes Veriore. Ai vjen me një pamje të qetë pothuaj në çdo tavolinë të ftuarish, duke u përshëndetur dhe biseduar me ta.
Edhe grupi ynë pati takime të shumta. Për minuta të shumta patëm takime pune ku u vendosën piketa bashkëpunimi të afërt me kryetarin e Bashkisë Kukës z. Albert Halilaj dhe të tjerë drejtues, ndër ta Abdulla Domi.
Një takim i shkurtër edhe me Leonard Tase, pjesë elitë e sportit të volejbollit i cili sëbashku me motrën e tij volejbollisten e shquar të viteve 80-ta, Ela Tase ishin në majat e këtij sporti. Tase na tha se shumë vite më parë i pata thënë njërës prej volejbollisteve tuaja, se pse emrin e ekipit e keni “Minatori” e jo “Mirdita”, një emër kaq i bukur, ndërsa shtoi se u bë mirë që më vonë ky emër u ndërrua. Koha vijoi duke folur mbi arritjet ndër vite të ekipit mirditas. Edhe në vijim u zhvilluan disa takime, ndërsa po vinte ora e mbylljes së këtij aktiviteti. Sidoqoftë atmosfera ishte e veçantë këtu në Vilë, në Lakun e Erës.
Në “Lakun e Erës” ishte ndërtuar një fshat në miniaturë….
Tendat e shumta kishin mbishkrime të sejcilit prej fiseve si Billa, Jata, Dragjoshi, Hasa dhe Tota. Në sejcilën prej këtyre tendave ishin “stacionuar” pjestarët e fiseve, pra në “Lakun e Erës” ishte ndërtuar një fshat në miniaturë. Këto fise kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e traditave dhe kulturës së fshatit Vilë. Ngjarje si “Festa e Vilës” dhe mbledhjet në “Odat e burrave” janë shembuj të përpjekjeve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të këtij komuniteti.
Sipas të dhënave të vitit 2023, njësia administrative Bushtricë ka një popullsi prej 548 banorësh dhe përfshin shtatë fshatra: Bushtricë, Gjegje, Matranxhë, Palush, Vilë, Barruq dhe Shpat.
Ndërsa dielli ka marrë tatëpjetën drejt perëndimit, automjete të shumta vihen në rradhë për në destnacionet ku kanë zgjedhur të jetojnë, kryesisht Tiranë, Durrës, e Lezhë, por dhe në Kukës. Por për organizatorët e kësaj feste e kryesisht Shefqet Billa, kjo festë do të jetë e përvitshme. Është një festë e një komuniteti i cili lë pas çdo obligim tjetër, për tu mbledhur këtu në Lakun e Erës, për tu çmallur me njëri-tjetrin, për të gëzuar dhe festuar sëbashku edhe me miq të shumtë që nuk janë nga Vila. E ndërsa festa shenon fundin, Laku i Erës përsëri mbetet të jetë një arenë e vallezimit të ujqërve, siç pesë a më shumë dekatdash e përcaktonte Visar Zhiti.
Porta dalëse, Kukësi..
E ndërsa qarkimi i Shqipërisë verilindore vazhdon nga ana jonë, vështrimet ndalojnë në bukuritë e rralla të natyrës. Është qyteza e Bicajve në Kukës, një oaz qetësie e bukurie të pamatë, një diamant mes malesh që na paranjofton mbërritjen në Kukës, në këtë qytet vlerash në histori, por edhe kryefjalë e botës demokratike gjatë luftës heroike në një njërën pjesë të kombit, në Dardani.
Në Kukës, “prita” e organizuar nga aktori i mirënjohur, regjizori i talentuar Qazim Velia.
Qazim Velia është një emër i njohur në jetën kulturore të qytetit të Kukësit, ku ka dhënë një kontribut të çmuar si regjisor dhe aktor amator, me një ndikim të vazhdueshëm në teatrin lokal dhe promovimin e vlerave kulturore shqiptare në këtë trevë.
Qazim Velia ka qenë pjesë aktive e grupit teatror të shtëpisë së kulturës në Kukës, sidomos gjatë viteve ’80 dhe ’90. Ai ka interpretuar dhe regjisuar një sërë pjesësh teatrale që janë mirëpritur nga publiku vendor, shpesh me tematikë patriotike, shoqërore dhe edukative. I njohur për pasionin ndaj artit skenik, ai ka ndihmuar edhe në edukimin artistik të brezave të rinj në qytet.
Në qendër të Kukësit ai del shpengushëm dhe buzagaz në pritje të grupit tonë. Pasi vendosemi në një prej ambientet e një bisnesi në Kukës biseda përqëndrohet mbi Vilën, Bushtricën dhe aktivitetetin e ditës së sotme. Ai si i përhumbur kujtonte kohën kur me grupin teatral udhëtonte në këmbë me kilometra të tëra në drejtim të kësaj zone, për të qënë pranë kooperativistëve apo aksionistëve me artin dhe humorin e tyre.
Tonin Gjoka nga Petoqi në Fan, në fokus vijues..
Ëdhe këtu koha kalon pa kuptuar, për të vijuar rrugën nëpër rrugën e kombit, me destinacion Tiranën, por një telefonatë urdhërore e Tonin Gjokës në Fan të Mirditës na “shton” minutazhin e përshkimit të rrugës. Tonin Gjoka është një emër i njohur jo vetëm në Fan për dhe në Mirditë e më gjerë për mirësin dhe bujarinë e tij. Natyrisht në fshatin Petoq ku ai jeton, falë punës së tij dhe fëmijëve mjekë dhe artistë, ka mundur të ngrijë një perandori në pronat e tij në një ambient të mrekullueshëm punuar mjeshtërisht nga vetë ai, por dhe një fabrikë uji që pritet sëshpejti të dalë në treg, si edhe si prodhues i mjaltit tejet cilësor, përmes 500 koshereve që mbarështron suksesshëm..
Mbërritja në Tiranë mbyll ciklin e një rrugëtimi afër 350 km në Shqipërinë verilindore, por edhe të “konsumimit” të një përvoje të mirë siç ishte pjesëmarrja në Festën e Vilës, atje në Lakun e Erës, ku nuk është çudi që përtej fantazisë, por me vizion e këmbëngulje nga djemtë e saj, sëshpejti të kemi të bëjmë më një oaz të rrallë të turizmit elitar.
Vilë, Bushtricë qershor 2025

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

