Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Në kujtesë të një brezi të artë – Matura 1968 e shkollës “Bardhok Biba”

Portretizim për sejcilin përmes vargjeve poetike të Llesh Jakut e Fran Jushit, kushtuar kësaj mature.

Nga Pirusti News
1 206 Shikime
SHPERNDAJE

Nga Aleksandër NDOJA

Koha është gjykatësi më i paanshëm. Ajo e vendos secilin në vendin që meriton, jo për nga zhurma, por për nga puna, përkushtimi dhe vlera e qëndrueshme që lë pas. Dhe kur kthejmë kokën pas në historinë arsimore e shoqërore të Mirditës, një dritë e veçantë ndriçon mbi maturën e vitit 1968 të shkollës së mesme “Bardhok Biba” në Rrëshen – një brez që nuk pati vetëm diplomë, por mision.

Ata ishin të rinj në një kohë të vështirë, por me zemër të madhe. Në mungesë të kushteve ideale, ata patën një armë më të fortë: vullnetin për të mësuar dhe dëshirën për të dhënë më shumë se ç’mund të kërkohej. Nga kjo moshë e shpresës, dolën mësues që përhapën dritën në shkollat më të largëta të vendit, inxhinierë që eksploruan thellësitë e tokës shqiptare, oficerë që ruajtën rendin dhe nderin, juristë që kërkuan drejtësinë, mjekë që shëruan me dije dhe ndërgjegje, e shumë profesionistë që kudo që shkuan, nderuan veten, familjen dhe Mirditën.

Kontributi i tyre nuk mbeti lokal. Ai u bë mbarëkombëtar – një trashëgimi që sot i ka lënë vendin pensionit të merituar, por jo harresës. Sepse kontributi i tyre nuk mund të harrohet. Ata u formuan vit pas viti, në bankat e shkollës e në laboratorë, në zyrat e shtetit e në repartet ushtarake, në spitale e në zyrat e ligjit.

Nuk ka nder më të madh për një komunitet sesa të dijë të falënderojë. Ndaj sot, me mirënjohje të thellë, u përulemi përpara këtij brezi të artë – të përkushtuar, të ndershëm, të zotë e të pathyeshëm në moralin e tyre profesional dhe njerëzor. Ju nuk e patët luksin e sotëm, por dhatë themelet mbi të cilat është ndërtuar shumë nga ç’ne kemi sot.

Poezia që ju është kushtuar është më shumë se vargje: është një dëshmi për një jetë të jetuar me vlerë. Me humor, kujtim dhe respekt, ajo u jep emrave tuaj dimensionin që ju takon në kujtesën kolektive të Mirditës.

Sot, kur shumë prej jush i kanë vënë një pikë të ndritshme kapitullit profesional, por jo atij të kujtesës, ju themi:
Faleminderit! Faleminderit për çdo ditë pune, për çdo orë mësimi, për çdo fjalë udhëzuese, për çdo shembull të mirë që latë pas.
Mirdita është krenare për ju. Shqipëria ju është borxhli. Dhe ne, brez pas brezi, jemi mirënjohës për dritën që latë pas.

Por për të kuptuar më mirë çfar kualitetesh nxori kjo maturë, le të analizojmë poezinë e publikuar në profilin e juristit Llesh Jaku, ku citon se është bashkëautor me ing. Fran Jushi.

Kjo poezi është një homazh emocional dhe me vlera të thella shoqërore dhe kulturore, kushtuar një brezi të artë maturantësh të vitit 1968 të shkollës “Bardhok Biba” në Rrëshen, Mirditë – një brez që tashmë ndodhet në pension, por që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë arsimore, shkencore, kulturore dhe profesionale të vendit.

Dy vargëzuesit Jaku e Jushi kanë zgjedhur një stil të thjeshtë, të kuptueshëm, me vargje tetërrokëshe ose dhjetërrokëshe, të ndërthurura me rimë e humor të hollë popullor. Secili portret i paraqitur është një miniaturë letrare që mbart individualitet, karakter, profesion dhe kontribut. Duket qartë një dashuri e sinqertë dhe një mirënjohje e thellë për secilin person të përmendur.

Çdo figurë ka tiparet e veta dalluese: Gjon Ndreja që sfidon absurditetet burokratike, Nikoll Beleshi me humorin dhe radio-numrin e çuditshëm, Llesh Lleshi që zbulon misteret e gjeofizikës, Ndue Leci e Fran Leci që mishërojnë disiplinën dhe metodologjinë e matematikës, apo Llesh Çupi që trajton dhëmbët me dorë të artë. Pa folur per kontribute të mëdha të Pal Shqalshit, Preng Kaçorrit, Preng Lleshit, etj.

Humori si mjet për nderim – Poeti nuk përdor fjalë patetike, por një humor të butë, dashamirës, plot sharm, për të sjellë më afër lexuesit figurat. Kujtimet e çiltëra – si ai i Maksim Gorkit që “vodhi dardha” apo “rreshti po e rreshti jo” i kopjimit – janë më shumë se thjesht anekdota; janë simbole të përbashkëta të një kohe me vlera.

Dimensioni historik dhe shoqëror – Përtej karakterizimit personal, çdo varg është dëshmi e një kohe kur edukimi, përkushtimi dhe ndershmëria nuk ishin vetëm virtyte, por domosdoshmëri. Përmendja e vendeve si Thkella e Epër, Arrrt Marka Doda apo Malaj, e rrënjos poezinë në kontekstin lokal të Mirditës, duke i dhënë një ndjesi të fortë identiteti.

 Tone Kosova është e vetmja grua e përmendur, dhe kjo shënohet me një respekt të veçantë e përmendje të përulët. Ky nënvizon rolin e grave në arsim dhe sfidat që kanë përballuar në një ambient tradicionalisht mashkullor.

Kjo poezi është shumë më tepër sesa një kujtesë. Ajo është një akt falënderimi, një urë midis brezave, dhe një thirrje për të mos harruar themelet mbi të cilat është ndërtuar Mirdita dhe më gjerë shoqëria shqiptare. Poetika e vargut popullor, e lidhur ngushtë me tokën, profesionin dhe njerëzoren, përçon një mesazh përuniteti dhe krenarie kolektive.

Kjo poezi është si një “mozaik mirënjohjeje”, ku secili gur i çmuar – qoftë mësues, oficer, inxhinier apo mjek – ka ndriçuar një copëz të jetës shqiptare. Ajo duhet ruajtur si dokument kujtese kolektive dhe ndoshta edhe publikuar më gjerë, sepse i flet me respekt dhe dashuri brezit që e ndërtoi Shqipërinë me mund, dije dhe ndershmëri.

Le të ndjekim poezinë

*Per Gjon Ndreja, ekon.finance.

O Gjon Ndreja fort u lodhe,
Me i mbush mendjen politikes,
Pa ja nda fole e shkrove,
Pa ja dijte adresen frikës.

Jo se kanë mbet krejt pa rrashtë,
Jo se i ka lënë mendja e kresë,
Por me i mbledh dy njisha bashkë,
Me qejf shuma ju del pesë !

*Per Nikoll Beleshi,mësues, oficer…

Pata fatin e punova,
Per do kohë me profesorin,
Hapa veshet te degjova,
Se më kujtove auditorin.

Me kujdes e punë korrekte,
Me humorin e perditshem,
Ka mbet n’mendje pa sekrete,
Numri i radios i çuditshem !

*Per Llesh Lleshin – ing.gjeofizik.

Ku e ka dashtë zanati i vjeter,
Jo veç maleve t’Mirdites,
Ti koleg i Thkelles Eper,
Mbetesh div i gjeofizikës.

Inxhinier si po te duket,
A s’të duket ndopak tepër,
Për vendlindjen kur te thuhet,
Edhe Thkellë, edhe Epër !

*Për Ndue Lecin-mësues matematike.

Pa përtese e krejt serioz,
Ka dhënë mësim nje jetë te tanë,
Me vleresimin rigoroz
Të gjithe nxenesit e kanë thanë.

Kush s’ndejt urtë e nuk mësoi,
Mori ndëshkimin nga kujdesi,
Për tri ditë dhimbja s’pushoi,
Kur t’ka kap përçen Ndue Leci.

*Per Fran Lecin -mësues matematike.

Aty ku pate pasion,
Me dhanë mësim matematikën,
Të kujtojne brezat gjithmonë,
Për thjeshtësinë e për etikën.

Historia a te kujtohet,
Ti s’kopjove dosido,
Mësuan krejt se si kopjohet,
Një rjesht po e një rjesht jo !

*Për Pal Shqalshin- mesues fizkultures.

Fizkulturen edhe sportin,
Me terrene e orendi,
Siç e bane ti ne Malaj,
Me e pasë gjithkush lakmi.

A t’kujtohet në rini,
Se tash je me flokë të bardha,
Qysh e nxore faqezi,
Maksim Gorkin tu vjedh dardha !

*Per Preng Kaçorrin-veteriner.

Ty detyra te perplasi,
Për ku ishte ma vështirë,
Sharra n’gozhdë kurre s’te hasi,
Se e mbarove s’ka ma mire.

E mbaj mend e ka shumë vite,
Tjetersimin nuk e fale,
Kurre strukturen nuk e prishe,
Veç çdo gjë origjinale !

*Per Preng Ll.Gjoken- mesues.

Burrë i matur, sederli,
Keshtu te rriti buka e vjeter,
Sikur te ishin shume si ti,
Kjo dynja do ishte tjeter.

Si gjithkush ke ra ne hall,
Kur ne klase kishte provim,
Ka rastis nje nxenes hamall,
Ti e kalove me durim !

*Per Tone Kosova- mesuese.

Veç pak vargje per ty shkrova,
Dhe pse i di derte e halle,
Paç hirësi Tone Kosova,
Si dikur familja e madhe.

Nuk po shkruaj humor me emër,
Jo se vargjet si kam gjet,
Porse je e vetmja femër,
Që feston me shokët e vet !

*Për Llesh Çupin- mjek stomotolog.

Pa ju ba askujt servil,
Si n’rini po e mban shtatin,
Asht Llesh Çupi krejt steril,
Se edha tash ushtron zanatin.

Emrin kushdo ta permendi,
Pa nda duart ti bekon,
Me tre dham kur vjen pacienti,
Hyn skerdhamq e del padron !

*Per Llesh Jakun-mesues, jurist.

Magjistrat ne drejtesi,
Asnjehere nuk te dhane hakun,
Ekselent ne mesuesi,
Thone njerezia per Llesh Jakun.

Besoj ka me tu kujtue,
Kur te kulla me tre poda,
Me zotesi e ke zbulue,
Kush po shan Arrt Marka Doda !

*Për Piro Jorgji – mesuesi kujdestar.

Nuk asht zor me gjetë aresye,
Pse ja kemi një farë borgji ,
Se u ka ndejt si prind mbi krye,
Profesori Piro Jorgji.

Më kujtohet fusha e vjetër,
Kur rrjeshtohej “Minatori”,
Elegant si askush tjeter,
Sa mirë luante profesori.

Një plejade me arsimtarë,
Për ju që përhapët dritën,
Gëzon respekt Mirdita mbarë,
Dhe ju gezoni për Mirditën !

Shëndet, jetëgjate e mbarësi per ju dhe familjet tuaja !

(Llesh Jaku & ing.Fran Jushi)

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest