Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ju sjell në vëmendje “Lezina Nikën, rrobaqepësen e Rubikut – Gruaja që heshti, punoi dhe mbajti peshën e një epoke mbi supe”

Një grua, një martesë sfiduese dhe një jetë mes dinjitetit dhe përndjekjes.

Nga Pirusti News
4 207 Shikime
SHPERNDAJE

-P o r t r e t i-
Nga Aleksandër Ndoja

Ka qenë fillimi i vitit 1985, kur Ndërmarrja e Riparim-Shërbimeve, që në zhargonin e kohës quhej edhe Ndërmarrja Komunale, pas një viti e gjysmë pune në qytetin e Rrëshenit, më transferoi në të njëjtin profesion në qytetin e Rubikut. Gjatë kësaj periudhe më rastiste shpesh të vizitoja reparte të ndryshme të shërbimeve, si këpucari, berberë, mekanikë, trikopunues, por edhe rrobaqepësinë. Ishte një kolektiv i konsiderueshëm që, për sa kohë unë, në një farë mase isha koleg i tyre në të njëjtin sektor shërbimesh, drejtohej nga një rrobaqepës me përvojë, njeri i urtë dhe komunikues, Gjon Kocli.

Kishte mjaft emra si Marte Doda e shumë të tjerë, por gjithnjë më tërhiqte vëmendjen një grua e gjatë, më e moshuara ndër ta, me pamje krenare, por që fliste rrallë, pak ose aspak në kolektiv.

Quhej Lezina, Lezina Nika – një punonjëse me përvojë të spikatur që i duhej të punonte, vetëm të punonte, pa fjalë. Duhej të përballonte shumë situata aspak të lehta: së pari damkën e të qenit kulake, që nga dita e një martese ndër më të rrallat në zonën Bregmatase, e më vonë edhe të qenit gruaja e një të burgosuri politik.

Kjo e bënte atë më të vëmendshme në punë, më kërkuese dhe fjalëpak, për të rritur e vetme dy vajzat e saj, por edhe për të qenë “shoqëruesja”  nëpër kampet e Qafë Barit e Ballshit ku kishin burrat të degdisur, e një ndër grave më të bukura shqiptare, që quhej “Miss Shkodra” – Ana Jakova, bashkëshortja e këngëtarit lirik Lukë Kaçaj. E nëse Lezinës i duhej të punonte sa më shumë në rrobaqepësinë shtetërore, madje edhe në banesën e saj, për t’i ardhur në ndihmë bashkëshortitsaj Martin Nika në burgjet komuniste të kohës, Ana ndihmonte Lukën në qeli duke dhuruar gjak për të siguruar të ardhura për mbijetesë.

Megjithatë, në ecjakjet pafund në drejtim të burgut në Qafë-Bar dhe Ballsh, ku ishin së bashku Lukë Kaçaj e Martin Nika, të dy gratë ishin gjithmonë bashkë, ashtu të pazëshme deri aty nga viti 1988, kur Martin Nika la qelinë, ndërsa Ana Jakova ndërroi jetë. Megjithatë, Lezina ja doli të rriste dy vajzat e saj, Angjelinën dhe Loreta.

Dy vajzat, njëra në punë të rëndomtë, tjetra volejbolliste e spikatur e Minatorit.

Qytetarët e Rubikut Angjelinën e kujtojnë në punët e rëndomta të shërbimeve në komunitet, ndërsa më e vogla, shtatlarta Loreta, duartrokitej në përbërje të ekipit legjendar të “Minatorit” në volejboll, në Rrëshen, në periudhën kur ky ekip drejtohej nga Pashk Biba dhe Jorgo Koçuli. Një situatë e tillë zgjati deri nga fundi i komunizmit, kur Martini dhe Lezina Nika, së bashku me dy vajzat, u vendosën në Shkodër, në një pronë të trashëguar nga familja “kulake” e Martinit, për të udhëtuar më vonë drejt SHBA-së, ku jetojnë edhe sot dy vajzat, ndërsa çifti, me një histori që kishte nisur shumë herët, kanë kaluar në jetën e pasosur prej disa vitesh.

Po si e “takova” sërish pas 40 vitesh ish-kolegen e pazëshme të dikurshme, dhe historinë e saj të pazakontë?

Pak ditë më parë më ra në dorë një libër me autor ish-drejtorin për më shumë se 20 vite të Bibliotekës së Lezhës, z. Gjergj Shyti, të titulluar “Rrëfime Bregmatase”. E teksa në bisedë e sipër me autorin, po shfletoja shpengueshëm këtë libër, duket se fleta ngeci pikërisht në faqen 121, ku është një shkrim i titulluar “Ma jep atë dorë, se ti paske qenë shqiptar i vërtetë”. Nuk ka se si të mos tërheqë vëmendjen ky titull, kur mëson se subjekti i shkrimit është pikërisht Lezina e Rubikut, por edhe motra e autorit.

Fjala e dhënë më e fortë se burgu – Historia e Lezina Nikës në derën e Pjetër Llesh Nik Dakës së Bregmatit

Në shpjegim më të përmbledhur të këtij shkrimi, autori Gjergj Shyti thotë se pikërisht Lezina ishte “viktimë” e fjalës së dhënë që ende pa lindur. Dikur babai i tyre, që në para se të vinin në këtë jetë Martini e Lezina, i kishte dhënë fjalën, pra më saktë dorën e Lezinës, derës me emër në Bregmat, Pjetër Llesh Nik Dakës.

Por kohët ndryshonin me shpejtësi dhe dera e Pjetër Llesh Nik Dakës u shpall kulake, pse jo, armike e “popullit”. Në këto kushte, a do vihej në diskutim miqësia me Pjetrin? Natyrisht po. Por kurrë nuk mund të vihej në diskutim fjala e dhënë.

E kur erdhi dita e dasmës, një e hënë e asaj kohe ne vitin e largët 1954, në shtëpinë e nuses, në derën e Pal Gjergj Shytit vjen një informacion tronditës: në asnjë mënyrë nuk duhet ta dërgosh vajzën në shtëpinë e kulakut, madje nëse ndodh, atë ditë shtëpia jote do të rrethohet me pushkatarë.

Fjala e dhënë ishte më e fortë se presioni, qoftë edhe i pushtetit – i një pushteti që nuk falte. Megjithatë, dy ditë para së hënës së caktuar, të shtunën, në mëngjesin e hershëm, Lezina pa i mbushur të 20-tat, me dy valixhe në duar dhe nën shoqërimin vetëm të nënës, merr rrugën me një kamion sipër – jo në drejtim të vjehrrisë në Bregmat, por diku në Durrës, ku e priste Martini për të filluar një jetë të re.

Nuk vonoi shumë dhe në shtëpinë e Pal Gjergjit trokiti pushteti. Pal Gjergji ka rrëfyer se si nga dritarja ka parë dy me uniformë në oborrin e tij. Ka dalë, ashtu i vendosur, ndërsa aspiranti i është drejtuar:

-Ky është kryetari i ri i Degës së Punëve të Brendshme të Lezhës, thotë me një ton solemn dhe menjëherë u zb…

– A je ti, Pal Gjergji? – më drejtohet ky kryetari i ri.
– Po, i thashë, – bash vetë jam! – ia ktheva si i zënë në faj.
– A e nise vajzën?
– Një fjalë e dhënë qysh se ishin në bark të nënës, një fjalë me besë – dhe s’munda ta shkel!
Ai më pa, u zverdh disi në fytyrë e, me një nënqeshje gjithë kuptim, mu afrua paksa dhe më tha:
Ma jep atë dorë! – dhe si e mori, ma mblodhi dorën e vet, e vijoi për së dyti:
– Ma jep, pra, atë dorë, se ti paske qenë shqiptar i vërtetë…

Jeta në Durrës dhe…

Martin Nika dhe Lezina u sistemuan në Durrës, për të mos u dukur më në zonën “kulake”. Fillimisht Martini punon në NISH-tulla, punë e rëndë në ndërtim, por shpejt fillon në NISH-goma dhe Lezina si qepëse me makineri të syprinave atleteve që prodhoheshin në ate kohë. Aty punojnë për disa vite, por letrat, biografia, etj… Një ditë i “deportojnë” nga ai qytet… dhe ku? Për në Kurbnesh.

Nisja për në Kurbnesh, por përfundimi në Rubik..

Më vonë, Martini ka treguar: “Do shkonim në Kurbnesh, por akoma teksa qëndroja në Rrëshen, vendosa të takoj kryetarin e Komitetit. Më thanë se më lehtë e takon pasditeve, pasi nuk kishte familjen aty dhe jetonte në Komitet. E kërkova, më priti dhe më ndihmoi. Më tha: ‘Kam vend në Rubik… rri ca në hotel a ku të mundesh, se shumë shpejt të jap shtëpi.’

Ashtu u bë… Martini kishte filluar punë si gomist-biçiklist në Rubik, e Lezina në rrobaqepësi. Jeta kishte vijuar normalisht për ca kohë, ishin lindur dhe dy vajzat: Angjelina dhe Loreta. Po deri kur?!

Deri një ditë kur Partia, Sigurimi, njerëzit e ligj, “zefat” apo “vlashët”, kishin nisur shpifjet. Disa kontrolle dhe ndalimi përse ruante nën banak dy zile biçiklete për miqtë, apo një diferencë inventari prej 70 lekësh. Kaq mjaftonte për të vendosur prangat, se më tej e dinte hetuesia apo prokuroria. Martin Nika ishte akuzuar se kishte sharë pushtetin, sabotuar, etj.

Në fakt, Martini pas daljes nga burgu, madje në kohën kur liria e fjalës kishte marrë udhë, është shprehur: “Me të vërtetë atë pushtet nuk e doja, se më kishte marrë pronat dhe më kishte shpallur kulak, por kurrë nuk e kisha sharë, sulmuar apo sabotuar.”
Megjithatë, “dëshmitarët” e provuan se Martini ishte armik, aq sa për të “prekur” Qafë-Barin e Ballshin, aq sa për të lënë në heshtje dhe nën vështirësi Lezinën, me dy vajzat e tyre.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest