-Nga Aleksandër NDOJA-
Ka qenë një mbrëmje disi e vonë kohë më parë, teksa po punoja në një studio në qytetin e Rrëshenit, kur, disi rrëmbimthi, më shfaqet përballë një i ri me mjekër dhe flokë të gjatë, me natyrë disi impulsive dhe një buzëqeshje që të ofronte menjëherë njohje. Më tha:
– Jam Elvisi… Elvisi.
Në pak sekonda, brazdat e kujtesës kërkojnë këtë imazh, duke më çuar pas në kohë, për të kujtuar Elvisin e katit të dytë tek parafabrikatet: djalin e vetëm, vëllain e dy motrave të çiftit Preng e Dava Dona.
E kujtoj si një fëmijë simpatik, i bardhë si trëndafil, shumë i angazhuar në aktivitete shkollore, madje duke marrë shkëlqimin e një “stari” të një kohe pa kokë – që më pas u fundos në errësirën e vitit 1997. Por më pas, unë të paktën nuk dija më asgjë për të. Ishte një ndër fëmijët më “trendy” të asaj kohe…
-Libri “Un Elvis immigrant shqiptar..” që mbërriti si dëshmi-
Dhe ja, pas më shumë se 25 vitesh, më shfaqet sërish ai Elvisi, tashmë i rritur dhe formuar në dallgët e turbullta të asaj kohe që nuk ishte aspak komode për të rinjtë shqiptarë. Në dorë mbante një libër me titullin:
“Un Elvis – imigranti shqiptar, ardhur me një gomone në Itali”
Ma dhuroi me kënaqësi dhe më njoftoi se pas pak ditësh do të bëhej promovimi në ambientet e shtëpisë botuese “Fan Noli”, në Tiranë.
Libri nuk është i gjatë – rreth 85 faqe – por ka një peshë të rëndë. Një rrëfim i sinqertë dhe pa llustër, ku pasqyrohet barra e emigracionit të një 15-vjeçari që kalon detin mbi një gomone. Shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, pa zbukurime, libri sjell një realitet të hidhur që shumë e kanë përjetuar, por pak e kanë dokumentuar.
-Nga përrallat e fëmijërisë te vitet e errëta-
Elvisi e nis librin me përshkrime nga fëmijëria në pallatin pesëkatësh në Rrëshen. Ishte i lumtur në një familje të bashkuar. Njëra motër i tregonte përralla të “Një mijë e një netëve”, ndërsa tjetra e nxiste të merrej me art. Por jeta nuk vijoi në rrjedhën e përrallave.
Ai përshkruan me sinqeritet e pa lustër ngjarjet e vitit 1997, ku babai i tij nuk pranoi të mbante armë në shtëpi, ndërsa fëmijët lëviznin fshehurazi për të mbledhur bakër dhe metale të tjera për t’i shitur…
-Italia përballë Greqisë-
Kur filloi adoleshenca, zhgënjimet e moshës dhe dëshira për t’u larguar e çuan drejt vendimit për emigrim. Ndryshe nga shokët që synonin Greqinë nëpërmjet malit, Elvisi zgjodhi Italinë – një vend që e njihte nga televizori.
Në Vlorë priti rreth tre javë. Pastaj erdhi momenti i nisjes me gomone.
– Na thanë të vraponim nëpër fusha dhe të fshiheshim pas shkëmbinjve.
Ishin 30 persona. Gomonia kishte tre motorë. Dritat e Italisë ndriçonin horizontin, kur skafistët i detyruan të hidheshin në det. Duhej të notonin të paktën 200 metra në ujë të akullt. Lagur e lodhur, por më në fund, kishin prekur ëndrrën.
-Një zhgënjim i shpejtë-
Por Italia nuk ishte ajo që kishin imagjinuar. Pa para, u nisën më këmbë drejt Leçes.
Në trenin për Piacenza, u arrestuan në Manopoli dhe përfunduan në një kazermë. Fati dhe mosha e re e çuan Elvisin në një shtëpi pritjeje ku, për herë të parë, mund të lahej dhe të qëndronte i qetë. Më vonë, një i afërm e mori me vete. Por filluan peripecitë dhe…
-Stoli-
– Flija mbi stola dhe ushqimin e gjeja duke u endur.
Realiteti po bëhej gjithnjë e më i zbehtë. Askush nuk më ndihmonte më. Nuk kisha as shtëpi, as të fejuarën, as, as, as…. Vetë shteti më kishte braktisur.
Por edhe në atë gjendje, ruaja një grimë njerëzillëk.
– Një mbrëmje gjeta në stolin tim një të panjohur me mbulesën time. Ia kërkova, ma dha menjëherë. E ftova të flinte mbi kartonët e mi, ndërsa unë mbajta mbulesën.
Por edhe aty nuk zgjati shumë. Policia ndërhyri. Përfundoi në një tjetër qendër. Gjyqi e shpalli të pafajshëm, por me disa kushte mjekësore. Më pas, doli sërish i lirë, në një banesë me qira bashkë me persona të tjerë.
-Reflektim mbi gjithçka-
Ky libër ka shumë histori që nuk mund të përmblidhen në një artikull. Por përmes rrëfimit të Elvis Donës, pasqyrohet jeta e një emigranti shqiptar që e nisi udhën në moshë shumë të re, në një botë që ishte më shumë një makth sesa një ëndërr.
-Libri mbyllet me këtë reflektim të autorit:
“Ndoshta jeta është një dhuratë e mrekullueshme, së cilës tani po filloj t’i ribesohem, edhe pse nuk jam gjithnjë në gjendje ta pranoj si të tillë dhe ta jetoj në këtë nivel. Kam kuptuar se lumturia dhe drama alternohen me njëra-tjetrën, por ndodh kur jemi vetëm që gjërat të na duken më dramatike – edhe pse zgjedhja e vetmisë është ndryshe nga të gjendurit vetëm.”

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

