Tregim nga ing. Mark Zefi
Breshtani — ky fshat i njohur në viset veriore për bujari, urti e patriotizëm — shtrihet i qetë në prehërin e një kreshte qarkore malesh, që për më shumë se gjysmën e vitit mbulohen nga bora e bardhë. Ato ngjajnë si një gjoksore mbrojtëse për Alpet tona. Breshtani, që prej kohësh, ka tejkaluar kufijtë e një fshati të zakonshëm: numri i banorëve, sipërfaqja e tij dhe, mbi të gjitha, emri që ka skalitur në histori, e bëjnë të njohur shumë më gjerë se sa shtrirja e tij gjeografike.
Pyjet e gjithllojshme, që mbulojnë shpatet nga tri anët, i rrinë fshatit si një pallto e trashë e hedhur mbi supe. Ato nuk janë vetëm bukuri për syrin, por edhe një thesar jetese: druri për ndërtim e ngrohje, frutat e egra si boronicat e ëmbla dhe kërpudhat aromatike, çaji i malit që mban erën e verës edhe në dimër, gjahu i kafshëve të egra dhe kullotat e pafundme për blegtorinë. Thuhet se Breshtani është ndër të paktët fshatra të thellë që kishte rrugë automobilistike që në kohën e mbretërisë.
Shtëpitë, kryesisht kulla alpine dykatëshe, janë vendosur aty ku tokat pjellore takohet me shpatet që zbresin nga kodrat dhe malet. Nga rruga automobilistike, që gjarpëron përballë, duket sikur sheh një sofrë gjigante plot me mysafirë, ku çdo derë të pret e hapur.
Natyra, duket, ka pasur një dorë të veçantë në formësimin e banorëve. Sapo takon një breshtanas, kupton se bukuria e vendit është përzier në tiparet e tij. Nuk është e rastësishme që prej kohësh njerëzit thonë:
— I bukur si të ishte breshtanas.
Edhe vetë emri “Breshtan”, sipas gojëdhënave, vjen nga fjala “breshtë”, që do të thotë një masiv pyjor i dendur. Që në fillim të shekullit XX, fshati kishte shkollë fillore, ndërsa pas çlirimit, edhe shkollë të mesme. Kjo e ka bërë Breshtanin më të emancipuar se fshatrat e tjerë përreth.
Dhe ndoshta shenja më e qartë e këtij emancipimi është fakti që, ndryshe nga shumë vende ku Kanuni kishte fjalën e fundit, në Breshtan vajzat nuk janë penguar të ndjekin shkollën. Një vend ku fjala “traditë” dhe fjala “përparim” kanë ditur të ecin krah për krah.
Lezja, fëmijë i vetëm i dy prindërve të mirë, me një gjysh që kishte qenë partizan gjatë luftës për çlirimin e atdheut, ishte njëra prej vajzave të shkollës së fshatit gjatë viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar. Përveçse nxënësja më e mirë e klasës, ajo ishte edhe një model i bukurisë femërore, arsye për të cilën moshatarët i kishin vënë pseudonimin “E Bukura e Dheut”.
Të gjithë të rinjtë breshtanas ishin të bukur, pa asnjë përjashtim. Por ai që kishte një paraqitje mahnitëse, sikur vetë Zoti t’i kishte dhënë dorën e fundit para se ta sillte në jetë, ishte Valdrin Hila, shok klase me Lezen. Atij, shokët i kishin vënë nofkën “Zdapi”, pasi ishte me zhvillim fizik mbi moshatarët. Ishte mesatar në mësime, i sjellshëm, gjithnjë buzagaz, i dashur me të gjithë njësoj, orator dhe shumë i thjeshtë.
Valdrini vinte nga një familje me të ardhura të pakta, ndaj veshjet i kishte më pak cilësore se bashkëmoshatarët e tij, por mbahej gjithnjë shumë pastër. Familja e tij ishte klasifikuar si “kontigjent i armikut”, sepse xhaxhai, vetëm një muaj pas formimit të qeverisë komuniste, ishte arratisur në Amerikë. Për këtë arsye, babai i tij nuk kishte mundësi të punonte në ndonjë ndërmarrje ku pagat ishin më të larta se në bujqësi.
Të dy ishin nga e njëjta lagje, me shtëpitë e vendosura rreth 300–400 metra larg njëra-tjetrës. Ndoshta kjo afërsi kishte qenë edhe ura që i kishte lidhur më tepër mes tyre, sesa me shokët e tjerë. Miqësinë e veçantë që kishin, nuk e fshihnin para syve të shokëve, gjë që kishte bërë që askush të mos krijonte alibi apo thashetheme në adresë të tyre.
Në vitin e fundit, pas pushimeve të festës së Krishtlindjes, miqësia midis Valdrinit dhe Lezes dukej sikur pësoi një hop të menjëhershëm. Në shumicën e rasteve, gjatë pushimeve të shkurtra mes orëve të mësimit, gjendeshin bashkë — ose duke komentuar ndonjë copëz letrare, ose në ndonjë bisedë të lirë.
Por, meqenëse shokët e klasës ishin mësuar me këtë miqësi, nuk u zgjohej kureshtja apo dëshira për t’i përfolur, e aq më pak për të sajuar ndonjë trill në adresë të tyre. Vetëm Zefi, një tip indiferent dhe jo shumë i përfshirë në shoqërinë e klasës, ndonjëherë, kur u kalonte pranë, ua hidhte ndonjë kunj. Ata, pa u ndalur e pa u keqkuptuar, e zbutnin efektin e batutës së Zefit duke e përcjellë me një të qeshur të lehtë.
Dalina, shoqe e ngushtë e Lezes, shfrytëzoi një rast të favorshëm për të biseduar me të. Disa herë, ajo u kishte thënë shokëve dhe shoqeve të klasës:
— Me Lezen jemi si motra binjake, veçse nuk ngjajmë për nga bukuria.
— Kohët e fundit — vazhdoi Dalina — po vë re se, kur je pranë Valdrinit duke biseduar, ty të ndalet ora, o Leze. Jo se ka ndonjë gjë, se jemi rritur bashkë e shokë klase jemi, po a thu se keni ndonjë projekt të përbashkët për të ardhmen?
— Valdrinin, përveçse e kam në lagje e afër me shtëpi, kemi qenë gjithnjë shokë, dhe kurrë nuk e kemi ndërruar një fjalë të keqe me njëri-tjetrin. Mirëpo, siç aludon ti, Dalinë, nëse atij i lind ndonjë ide që lidhet me atë çfarë the pak më parë… si thua ti, a është e lehtë të refuzosh një djalë si ai? — ia ktheu Lezja.
— Valdrini është vërtet një djalë i rrallë, por… ajo biografia…! — shtoi Dalina.
Lezja nuk e zgjati më tej. Kishte mbetur vetëm një muaj deri në fillimin e sezonit të provimeve. Një ditë, kur Lezja kishte radhën për pastrimin e klasës, Valdrini u sorollat në oborrin e shkollës.
Sapo Lezja doli nga dera, Valdrini u afrua dhe të dy së bashku morën rrugën drejt lagjes ku banonin. Pak pasi hynë në rrugën që i çonte në lagje, Valdrini iu drejtua shoqes që kishte në krah:
— U vonova qëllimisht, se desha të bisedoj diçka shumë të rëndësishme me ty. Nuk dua të recitoj vjersha…
— Thuaj yjet janë zjarr; thuaj jeta është varr; thuaj dielli u shua… por — zëri i Valdrinit dridhej paksa — nuk duroj dot më tej vullkanin që përvelon brenda meje nga dashuria që ndjej për ty.
— Unë nuk kam as pasuri, as pozitë — vazhdoi ai — përveçse këtë të dytën as e mendoj, për arsye që dihen, edhe pse nuk kam asnjë faj. Por, më shumë se këto, kam sinqeritetin, besën dhe karakterin, që më mundësojnë të të siguroj se lumturia do të jetë mes nesh përgjithmonë, ndoshta edhe më e madhe se tek ata që sot kanë një çapë më tepër nga unë.
Ndërsa Valdrini fliste, Lezja dëgjonte me kokën ulur, aq e përqendruar sa dukej se as frymë nuk merrte. Por nuk e mori fjalën menjëherë, pasi ai mbaroi së foluri. Si për të thyer atë heshtje, Valdrini foli sërish:
— Çfarë kisha për të thënë, unë e thashë. Tani dua të dëgjoj fjalët e tua.
— Valdrin! — ia ktheu ajo. — I ndoqa me shumë vëmendje ato që the dhe të falënderoj për respektin dhe besimin që ke tek unë. Por unë kurrë nuk kam menduar e as pritur një propozim të tillë nga ti, përveç faktit që jemi komshi dhe jemi rritur bashkë. Ne kemi qenë gjithnjë shokë dhe kështu do të mbetemi. Besoj se kaq mjafton për t’u kuptuar… Tani jemi edhe afër shtëpive, prandaj duhet të ndahemi.
Mbas këtij takimi, Valdrini u bë disi i ndrojtur, si të ishte zënë në faj, ndërsa tek shoqja e tij nuk vërehej asnjë ndryshim nga më parë.
Vetëm pak ditë para mbylljes së ciklit mësimor, Valdrini, duke menduar se lisi nuk rrëzohet me një të rënë, gjeti një tjetër moment për të biseduar me Lezen.
— Të lus të kesh durim të më dëgjosh me vëmendje për këto që dua të sqaroj kësaj here — e hapi bisedën ai. — Kur je pre e dashurisë për një vajzë, nuk bëhen mirë llogaritë mbi pengesat që duhen kaluar që ajo dashuri të marrë jetë. Por mendoj se, kur dashuria është e pastër, e pa ndikuar nga interesa të caktuara, pa premtime për gjëra që nuk janë në dorën tonë dhe pa ndikimin e ndonjë pale ndërmjetëse, gjithçka është e mundur të arrihet.
— Valdrin! — tha Lezja, me një ton të qetë. — Ato që më the herën e parë, pa diskutim ishin një e papritur për mua. Por, kur ti flisje, mua më pushtuan ndjesitë e një çasti të gëzueshëm. Mirëpo, të papriturat duhet të presin pas dere. Nëse e gjejnë derën të hapur, nuk mund të quhen më të papritura. Duhet ta kesh parasysh se jetojmë në një kohë kur zakoni është domosdoshmëri të respektohet. Deri sot, nuk ka ndodhur që të bëhet një fejesë brenda fshatit tonë, dhe nuk kemi dëgjuar të ketë ndodhur as diku tjetër. Tani jemi edhe me provime, dhe nuk kemi gjithë kohën që duhet për të biseduar mbi probleme aq delikate si ky që shtron ti.
Me këto fjalë, Lezja e mbylli bisedën.
Mbas provimeve, Valdrini nuk ndërmori asnjë nismë të re për realizimin e qëllimit të tij. Por tani dukej se zjarri po përhapej dhe po kallte faqen tjetër të “malit”: ishte Lezja ajo që po jepte shenja të interesimit për Valdrinin.
Shumicën e punëve e bënte duke zgjedhur rrugë që kalonin pranë shtëpisë së tij. Kur e shihte, i bënte zë nga larg dhe e priste që të vinte, që të takoheshin aty, në mes të rrugës. Megjithatë, takimet ishin të shpejta, vetëm sa për të mos u harruar, gjithnjë me kokën anash, që të mos binin në sy të familjarëve dhe të afërmve, sepse klima do të acarohej dhe situata mund të komplikoheshin.
Lezës i erdhi një letër nga organizata e Bashkimit të Rinisë, ku njoftohej se të dielën do të organizohej një ekskursion drejt lapidarit të një dëshmori të rënë gjatë luftës, i cili ndodhej rreth 12 kilometra larg nga fshati. Në letër porositej që ajo të mblidhte sa më shumë të rinj e të reja për të marrë pjesë.
Sapo lexoi letrën që ia solli korrieri i fshatit, mori enët dhe u nis për tek burimi i ujit të pijshëm. Kësaj here nuk ndoqi rrugën e zakonshme, por zgjodhi një variant më të gjatë, që kalonte rrëzë shtëpisë së Valdrinit.
Kur po i afrohej shtëpisë së tij, Valdrini, i cili po merrej me diçka në oborr, e vuri re që vinte me dy shtama në duar dhe i doli përpara. Kësaj here, tek Lezja, ai vuri re një gëzim të veçantë, gjë që ia ushqeu shpresat për një përfundim siç e kishte ëndërruar.
Ashtu, shpejt e shpejt, siç ndodh kur bisedohet në rrugë, ajo e njoftoi për ekskursionin e së dielës, duke e porositur të mos mungonte për asnjë arsye.
— Do të vish pa tjetër. Do ketë gjëra shumë të bukura, që besoj do të të bëjnë të ndihesh shumë i gëzuar — i shpjegoi ajo, si për të garantuar pjesëmarrjen e tij.
— Çfarë mund të jenë ato gjëra që mua do të më bëjnë kaq të lumtur? — pyeti Valdrini, duke u shtirur si naiv.
— Do shpërndahen disa dokumenta për pranime të reja në rini. Do të takohemi me shokët e shoqet, se tani, pas mbarimit të shkollës, nuk jemi parë. Kthimi, pas ceremonisë, bëhet secili për hesap të vet. Të tjerat do t’i mësosh atë ditë; sot nuk thuhen të gjitha — ia ktheu me një tallje të lehtë Lezja. Pastaj u ndanë.
Pas mbylljes së ceremonisë, të rinjtë morën rrugën e kthimit. Lezja u përfshi në një bisedë me organizatorët e ekskursionit dhe, kur pa se të gjithë ishin larguar, kërkoi leje, duke thënë se duhej të nxitonte për të kapur shokët.
Sapo u fut në një rrugë të ngushtë, të mbuluar nga degët e shkurreve e lisave, papritur, sikur të kishte zbritur nga retë, prapa saj u gjend Valdrini.
Mbas pak rrugëtimi, ai i propozoi të merrnin një rrugë qorre, duke thënë se ishte më e shkurtër. Lezja e pohoi me një mimikë të lehtë, pa folur.
Valdrini, që printe, gjithnjë kujdesej që degët e shkurreve të mos e prekni nimfën që ecte pas tij. Pas pak, gjeti një shesh të vogël, plotësisht të hiezuar, dhe u ul për të pushuar.
Ashtu bëri edhe Lezja, por u ul përballë tij, paksa më larg.
— Mendoj se koha e qëndrimit tonë përballë njëri-tjetrit, në distancë… për ne të dy ka përfunduar — e provokoi me një gjysmë-shaka Valdrini.
Lezja lëvizi menjëherë dhe zuri vend pranë tij, në krahun e djathtë. E zbukuruar me një sqimë që i bënte fytyrën të rrezatonte, me një buzëqeshje të ëmbël dhe një zë miklues, iu drejtua të dashurit të saj me vargun që ai kishte lënë mangut herën e parë kur i kishte shfaqur dashurinë:
— Por mos thuaj më që s’të dua.
Një puthje e zjarrtë, kohëzgjatjen e së cilës do të ishte e tepërt të përpiqeshe ta llogarisje, i rrëmbeu të dy, të cilët, përveç frymëmarrjes, nuk gjenin mënyrë tjetër për të larguar vrullin e saj. Asgjë tjetër nuk ekzistonte aty për ata të dy, veç asaj puthjeje të fuqishme. Edhe trupat e tyre, sikur përthureshin brenda kornizës së saj, që, përveçse ishte mbyllje e një kapitulli, njëherësh ishte edhe firma e secilit, e cila lidhte dy zemra për gjithmonë.
Gjatë udhëtimit, bënë edhe tre ndalesa të tjera. Përveç puthjeve të zjarrta — sikur secili kërkonte të mbërrinte i pari në zemrën e tjetrit — pati edhe biseda të gëzuara, por edhe ndonjë diskutim se si duhej të vepronin për të fituar dakordësinë e dy familjeve, që godinës së dashurisë së tyre t’i garantohej çatia.
Sapo mbërritën në vendin ku rruga degëzohej për tek shtëpia e Lezës, Valdrini iu drejtua:
— Më thuaj diçka për ditën e sotme?
— Lumja unë sot — u përgjigj Lezja.
— Sot dhe gjithë jetën — plotësoi Valdrini.
********************************************************************
Ndrek Bardhi, babai i Lezës, ishte pinjoll i një soji të mirë, i vlerësuar dhe i respektuar nga organet e Partisë dhe të pushtetit në zonë si askush tjetër. Kjo, jo vetëm për karakterin e tij, por edhe sepse ishte i biri i një pjesëmarrësi në Luftën për Çlirimin e Atdheut, i cili kishte ndërruar jetë shumë i ri nga një sëmundje e rëndë.
Lezen e kishte fëmijë të vetëm. Duke vëzhguar zhvillimin fizik të së bijës dhe nga frika e ndonjë të papriture, nuk ishte i mendimit ta dërgonte në shkollën e lartë, që ishte hapur vetëm dy vite më parë. Në vend të kësaj, mendonte ta “rehatonte” me një martesë të mirë, në një familje të së njëjtës klasë shoqërore, në ndonjë fshat përreth ose në qytet. Edhe Kanuni e këshillonte se nusja duhej të kishte një lumë që nuk shterronte kurrë ndërmjet saj dhe bashkëshortit — një rregull që shumë e respektonin apriori, pa ia ditur domethënien e vërtetë.
Ky rregull, në thelb, kishte një kuptim praktik: në rast se burri dhe gruaja ziheshin dhe gruaja merrte rrugën për te prindërit, lumi do të shërbente si një ndalesë e detyruar. Gjatë asaj kohe, ajo mund të rimendonte vendimin e saj dhe, nëse pendohej, të kthehej pa u hapur fjala. Sepse, një herë që vendimi bëhej publik, kthimi mbrapsht ishte i pamundur.
Nga ana tjetër, Shan Hila, babai i Valdrinit, ishte një burrë i thjeshtë, i ndershëm, i dashur dhe i respektueshëm nga të gjithë bashkëfshatarët. Por ai ishte shumë i varfër — jo vetëm për shkak të kushteve ekonomike të zonës, por edhe nga mungesa e çdo përkrahjeje nga shteti dhe Partia, për shkak të biografisë. Etiketa “armik i Partisë”, e vendosur mbi të, i kishte mbetur që kur vëllai i tij ishte arratisur.
Në rrafshin shoqëror dhe familjar, Lezja dhe Valdrini ishin si në dy skaje të ndryshme të litarit.
Pas një muaji pushimi, ndoshta me ndonjë ndërhyrje të babait të saj, Lezën e caktuan si llogaritare në degën e financës së kooperativës bujqësore, e cila ishte krijuar vetëm një vit më parë. Mirëpo, filluan të qarkullonin fjalë ndër fshatarë se Valdrini, i biri i Shan Hilës, pothuaj çdo ditë bredhte nga zyrat e kooperativës dhe po i vardisej fort Lezës së Ndrek Bardhit.
Këto fjalë shpejt i arritën në vesh Ndrek Bardhit. Ai nuk deshi të përfshihej drejtpërdrejt në këtë verifikim. Në vend të kësaj, i ngarkoi të shoqes, Djellës, detyrën të “hetonte” vajzën për këto “thashetheme”.
E ëma ia hapi bisedën me të bijën si me rastësi, duke e sjellë muhabetin rrotull, e duke e informuar për çfarë po flitej në katund. Pastaj, me kujdes, e pyeti nëse kishte dijeni edhe vetë për këto fjalë dhe nëse ishin ose jo të vërteta.
— Jo, nanë, nuk janë të vërteta, — u përgjigj Lezja. — Unë Valdrinin e kam pasur katër vjet shok klase, e do ta takoj sa herë të dua pa pyetur fare katunin. Por nuk po kuptoj: pse qenke shqetësuar prej këtyre fjalëve? A jam e vogël unë? Po nëse do të ishin të vërteta ato që të kanë ardhur ty në vesh, çfarë i mungon Valdrinit si djalë?
E ëma nuk e zgjati më tej dhe biseda u ndërpre aty.
Pas dhjetë ditësh, Valdrinit i erdhi fletë-thirrja për ushtri. Me shumë gjasë, kjo ishte një manovër e nëndheshme e babait të Lezës, për të fituar kohë që të shkëpuste të bijën nga djali i asaj familjeje të shpallur “kontingjent i armikut”.
Valdrini ia tregoi Lezës datën e nisjes dhe i la emrin e një të afërmi të besës, në adresë të të cilit do t’i dërgonte letrat. Ai do t’ia sillte Lezës të pahapura, në dorë.
Sipas rregullave të asaj kohe, djemtë e familjeve me biografi të keqe nuk mund të kryenin shërbimin ushtarak në marinë (36 muaj), as në kufi (27 muaj) apo në gjenio (24 muaj). Ata dërgoheshin vetëm në repartet e punës, ku shërbimi zgjaste 18 muaj.
Gjatë kohës që Valdrini ishte ushtar, Lezës iu paraqitën disa kërkesa për fejesë nga mësues, oficerë, inxhinierë, ekonomistë e të tjerë. Por përgjigjja e saj për secilin ishte e njëjtë:
— Nuk kam asnjë vërejtje për ty, por nuk e kam vënë në program fejesën ende. Mos më hajde herë tjetër për këtë muhabet, se nuk do të të takoj.
Edhe në shtëpi, nga të afërm të ndryshëm, kishin ardhur raste për fejesë. I ati lodhej t’i mbushte mendjen, por ajo, me finesë, e kundërshtonte, duke i thënë:
— Asnjëherë deri tani nuk e kam ndjerë nevojën për martesë. Në rastin e parë që kjo nevojë të më trokasë, kam për ta thënë vetë.
Valdrini e mbaroi shërbimin ushtarak prej 18 muajsh, por për Ndrek Bardhin ato i dukën si 18 ditë. Kur u kthye, Valdrini e gjeti familjen në hall të madh ekonomik. Duhej gjetur medoemos një rrugë për të hyrë në punë shteti. Por kujt t’i kërkonte ndihmë? Ishin të rrallë ata që kishin aq peshë tek Partia sa të mos iu merrej për veprimtari armiqësore tentativa për të ndihmuar një “armik”.
Lezja ia kishte thënë se i ati ishte i informuar mbi lidhjen e tyre. Ndrek Bardhit fjala i shkonte si një e një bëjnë dy, dhe me siguri do ta përdorte rastin për ta larguar atë “shejtan” që ia kishte marrë mendjen vajzës, pasi miniera më e afërt ishte 40 kilometra larg Breshtanit.
Valdrini i kërkoi të atit t’i lutej Ndrek Bardhit për një leje pune në shtet. Shani shkoi te Ndreka, ia shtroi hallin dhe ky i dyti e siguroi se do ia plotësonte kërkesën. Brenda tre ditësh, leja iu dha në dorë Valdrinit.
Kur shkoi të regjistrohej në zyrën e punës pranë komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit, aty gjeti një të afërt që shërbente si inspektor. Ky, duke e njohur, e favorizoi, duke e dërguar në ndërmarrjen pyjore, ku puna nuk ishte e vështirë dhe paga ishte e kënaqshme. Dega e kuadrit, për të shmangur telashet e strehimit, e regjistroi në sektorin pyjor të Breshtanit.
Tani kishte ardhur koha që marrëdhëniet me Lezën të dilnin nga fshehtësia. Ata filluan të takoheshin lirisht në qendër të fshatit, pa iu shmangur syve të askujt, madje ndonjëherë edhe të zënë për dore.
Ndrek Bardhi ndërpreu vajtjet e zakonshme në qendër të kooperativës dhe vizitat tek bashkëfshatarët. Ndër ata që ende i hynin në shtëpi, ishin të besuarit e tij, të cilëve u qante hallin me zemër në dorë:
— Nuk po di çfarë të bëj. E vras mendjen ditë e natë: cila është gjëja që më ka hije të bëj në një rast të tillë? Për besë, or Dedë, evladi yt të çuaka në fund të ferrit. Ç’ma do jetën kur shokët nuk do të hyjnë më në shtëpi? Çdo sekondë kam para syve fundin e pusit ku do përfundoj, nëse vajza ime bie përfundimisht në duart e armikut, — i ishte shprehur ai Ded Hasës, shokut më të ngushtë në gjithë katundin, një buzëmbrëmje vizite.
Pas shumë mendimesh, Valdrini dhe Lezja ranë dakord që dikush t’i shkonte në shtëpi babait të saj për t’i kërkuar miqësinë.
Mbasi bisedoi gjatë me babanë e tij, Valdrini e ngarkoi Shanin të shkonte tek Ndrek Bardhi për t’i kërkuar Lezen.
Shani, me shumë zor, e mori këtë si angazhim dhe të shtunën në mbrëmje u paraqit në shtëpi të Ndrek Bardhit. Pas kafes dhe pyetjeve të zakonshme që bëhen kur takohen dy vetë, ai i shtroi arsyen përse kishte trokitur në derë.
— A të ka lanë mendja, or Shan Hila, a je tu mahitë? Po si ke kurajon të kërkosh miqësi me mua, ti more Shan! A e din kush je, a po duhet me ta thanë unë? Me dal prej këtu me shpejtësi e mos e provo ma kurrë me e shkel derën e shpisë teme për këtë muhabet! — i lëshoi Ndreka bashkëfshatarit të tij.
Shanit nuk i mbeti asnjë rrugë tjetër veçse të ngrihej e të dilte.
Po atë natë, Ndrek Bardhi thirri të bijën dhe e pyeti nëse kishte dijeni se Shan Hila kishte për të ardhur ta kërkonte për të birin.
— Si kishte me ardhur, sidomos pa dijenin time, por edhe të djalit tij, mor babë! — iu përgjigj Lezja.
— Me një fjalë, e paske vendosur të përfundosh në greminë, moj bijë? — ia ktheu i ati.
— Jo, babë. Ka ardhur momenti që unë të lidhem me një djalë. Valdrini nuk është gremina, është ai që e dua e më don. Atë e ka zili gjithë fshati dhe kush e njeh, si djalë që nuk i mungon asgjë, — sqaroi Lezja.
— Po biografinë, e harrove … nuk ia din? — pyeti i ati, duke theksuar shqetësimin e tij për sfidat që mund të sillte kjo lidhje.
— Biografia është në duar të të tjerëve dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me karakterin dhe personalitetin e një njeriu, o babi. Njerëzit lindin pa biografi. Ajo iu ngjitet vetëm pasi lindin, ndonjëherë edhe mbas 50 vjeç, për motive të caktuara. Kurrë biografia nuk mund ta bëjë të mirë një njeri nëse ai ka lindur shpirtlig, as të mirin nuk mund ta bëjë të keq, — tha Lezja me vendosmëri.
I ati e gjeti veten ngusht, nuk e zgjati më tej, por në përfundim i tha:
— Vazhdo pra, ia pafsh haren, por pa mua e nanën tënde.
Edhe Lezja ndjehej keq. Nga asnjë krah nuk shihej dritë jeshile. Edhe i ati i Valdrinit ia kishte këputur shkurt të birit:
— Pa aprovimin e Ndrek Bardhit, ajo çikë, në qoftë Zoja e Bekueme, nuk e kalon pragun e shpisë teme.
Llafet e bashkëfshatarëve lidhur me historinë e tyre tashmë kishin prekur tavanin. Pas kësaj gjendje kulmore, Valdrini e shoqëronte Lezen deri tek dera e oborrit të saj. Jo rrallë shiheshin duke rrufitur kafetë së bashku në klubin e ndërmarrjes tregtare në qendër të Breshtanit.
Koha ecte, por tymnaja nuk shpërndahej. Asnjëra palë nuk po gjenin një këshilltar të mirë që t’i ndihmonte. Valdrini me Lezen nuk mund të rrinin gjithnjë në rrugë. Familja e Valdrinit nuk kishte asgjë në dorë, ndërsa familja e Lezës, sapo ajo të bëhej nusja e “armikut” të partisë, sa hap e mbyll sytë do të konsiderohej armike. Djali i një ish-partizani, komunist prej gati 20 vitesh, do përjashtohej nga partia.
Pra, edhe Ndrek Bardhi ishte në kulmin e hallit. Nuk ishte fort e lehtë të mbahej gjithë kjo peshë. Për më tepër, e bija tash nuk donte t’ia dinte; rrinte me atë të “paudhën” deri natën vonë. Në ndonjë rast, kishte qëlluar që vinte edhe mbas darke, vetëm për të fjetur.
Të gjitha këto i bluante në kokë Ndrek Bardhi, por edhe të afërmit e tij ishin pezmatuar nga çfarë kishin dëgjuar.
Edhe sekretari i byrosë së partisë së fshatit deshti, në një tentativë për t’u shtruar në bisedë me Lezën, të fliste për problemin. Sapo ceku arsyen pse ishte angazhuar, Lezja ia preu fjalën:
— Mua po mu prishka biografia, nëse martohem me Valdrinin! Po përse nuk po i rregullohet atij që martohet me mua? Mos u zgjat më tej, shoku Nezir, nuk je sekretar për të lidhur dhe zgjidhur martesa; je për tjetër gjë.
Dhe ishte ngritur menjëherë, duke e lënë vetëm në tavolinë.
Valdrini gjykonte se duhej insistuar përsëri tek babai i Lezes, pasi tani i ishin mbyllur të gjitha rrugëdaljet dhe nuk kishte nga ta mbante pa kaluar në krah të së bijës.
— Është komunist, babi jot, po nuk është budalla, — i kishte thënë shpesh herë Lezës, kur ajo e konsideronte të pamundur miratimin e tij.
Valdrini i kërkoi babait të tij të shkojë sërish tek Ndrek Bardhi për këtë problem. Megjithëse Shani kundërshtoi fort, duke patur parasysh çfarë i kishin dëgjuar veshët disa muaj më parë, iu bind këmbënguljes së të birit.
Ndrekës, sapo e pa Shanin tek porta, nuk i mbeti pa folur:
— Çfarë kërkon ti, Shan, tek shpia ime? Të kam thënë mos të shoh më këtu për atë problem, që të kam nxjerrë përjashta një herë.
— Hap more derën dhe mos bëj marre. Nuk më ka lënë mendja të vij më për atë që jemi marrë vesh një herë. Sot kam ardhur për diçka krejt tjetër, — i tha Shani.
Ndreka u zbut dhe e ftoi të hynte. Shumë shpejt, mbasi u ulën, Djella solli kafetë dhe gotat me raki.
— Gabove, o Ndrek Bardhi. Nuk e ke sojin me u ngut e me veprua kështu siç veprove sonte, — nisi Shani.
— Drejt e ke o Shan, po kur Zoti të lëshon hallet siç mi ka lëshuar mua, ti merr mend. E din se pa e bërë budall robin, nuk mundet me i bërë, — iu përgjigj Ndreka.
— Unë, o Ndrek, edhe 100 vjet jetë të kisha, se për atë çikë nuk të vij më në derë. Këtë herë kam një kërkesë krejt të ndryshme nga ajo e herës së parë, kur ti më nxore përjashta, — tha Shani me vendosmëri.
Ndreka e mori seriozisht dhe me shumë interes po ndiqte ligjërimin e mysafirit, duke e parë drejt në sy.
— Kam ardhur me të lutur me Krisht e Muhamet, për të ma marrë atë djalë. I hangër dreqi tu shqye nëpër ferra për një krevat e një dyshek që nuk e kanë. Nëse je burr siç njihesh nga katuni, bëj këtë trimëri, se shpëton ata, por shpëtojmë edhe ne nga fjalët e katunit, që mos ti shohin ferrave e rrugëve, — mbylli Shani fjalën e tij.
Ndrekës iu errësua shikimi, uli kokën dhe e mbështeti mjekrën mbi dorën e djathtë, e cila ishte mbështetur në tavolinë. Pas një heshtjeje goxha të gjatë, pa e kthyer më shikimin nga përballë, ku ishte Shani, mori frymë thellë dhe iu drejtua:
— Të kuptova, o Shan, çfarë deshe të thuash me ato që fole. Zan më ke shtrejt, e nuk po di ç’me than as ç’me bëj. Por do ta mendoj, e besoj nuk do ta vonoj një përgjigje, — tha Ndreka.
Shani, pas lamtumirës me zotin e shtëpisë, doli. Rrugës për në shtëpi u shmang tek një dashamirë i tij, se kishte diçka për të diskutuar.
Ndreka, sapo mbylli portën e avllisë, thirri të shoqen Djellën të vinte në tavolinë ku pak më parë ishte ulur Shan Hila:
— Na ka ardh fundi, oj gru. Na ka mujt e keqja. Gjith katuni nuk ka tjetër fjalë në gojë veç emrin e çikës tonë. Punët kanë shkuar larg dhe lamshi, gjithçka është ngatërruar. Shan Hila më la pa fjalë kësaj here. Me ato që tha, më la me kuptuar se kjo punë ka marrë fund dhe nuk kemi më gjë në dorë, as ne, as ai.
— Tash e mrapa ne do jemi të ndarë nga shoqëria, se do radhitemi me ata që nuk e deshën këtë parti. Do ta kemi mallë me pa nji shoq në derë si për festa edhe për raste. A ke ndonjë mendim, çfarë duhet të bëjmë, se edhe në gojë të katunit nuk durohet më? — përfundoi Ndreka, i shqetësuar.
— Besa mor burr, unë e shkreta nuk po di çfarë të të them. Çfarë ta bën fëmija yt, nuk ta bën as Zoti. Por ne kemi vetëm një vajzë. Tash me thanë se na gëzoj Zoti kur na e fali, e ta vrasim ne tani si e rritëm… e zorshme asht. Për mua, si ta vendosësh ti, ashtu do të bëhet, — i tha Djella.
Fjala e fundit e saj, “… e ta vrasim ne tani si e rritëm…”, i mbeti në mëndje Ndrekës dhe nuk i dëgjoi më fjalët e fundit të bashkëshortes.
Mbas përgjigjes së Djellës, Ndreka mori shkallët dhe u ngjit në dhomën e pritjes, ndërsa Djella hyri në kuzhinë. Tash ai ishte vetëm, i shtypur nga pesha që i shkaktonte “vrasja” e së bijës. Retorikë e pandërprerë i rrotullohej në mendje vetëm një pyetje:
— Vallë, të jetë vrasje mosnjohja e dashurisë për dy të rinj!?
Po në fund të fundit, Partinë nuk e humb asgjë për një Ndrekë më pak, kurse ne, unë e Djella, do të shuhemi nëse braktisim vajzën tonë!?
Nuk kishin kaluar as pesë minuta nga biseda midis tij dhe të shoqes, kur Lezja u kthye nga puna. Ndreka e pa nga dritarja e katit të dytë teksa hynte në oborr, doli në shkallë dhe thirri Djellën të venin në çardak së bashku me Lezen.
Sapo nanë e bijë hynë në odë, Ndreka iu drejtua Lezes:
— Dëgjo bija ime. Unë më së fundi kam vendosur që të kaloj në anën tënde. Nga sonte e në vazhdim, kur të duash, sill Valdrinin në shtëpi.
Lezja nuk po iu besonte veshëve për atë që po dëgjonte nga goja e babait të saj. Ky ndryshim i rrufeshëm qëndrimi nga i ati, duke zbritur nga maja e kullës së padakortësisë, normalisht që e befasonte, por edhe nuk mund të mos e trondiste.
U ngrit nga karrigia dhe iu var në qafë të atit. “Everesti” i mosmarrëveshjes po shkrinte akujt që kishin ngrirë dashurinë e së bijës për babajn e saj. Lezes iu çullen sytë.
Nuk i fshehu dot lotët; qau me dënesë, ndoshta nga mallëngjimi që i shkaktoi e papritura me të cilën u përball, por ndoshta edhe nga dhimbja për të atin, pasi ajo e dinte mirë pasojat që mund t’i vinin. Mirë që u bë e gjallë e ëma; i shkoi afër dhe i bertiti.
— Mjaft ma. Nuk je më kalama, — i tha e ëma, ndërsa i ati e ledhatonte pa folur, ngaqë nuk po i gjente fjalët qw kërkohen në një situatë të tillë.
Mbas ndërhyrjes së Djellës, Lezja doli jashtë në oborr. Ishte gati muzg. As ajo nuk e kujtonte si fluturoi me vrap për tek Valdrini. Ndërsa vajti Lezja, nuk ishte kthyer akoma i ati.
— Valdrin! — thirri me zë të lartë. — Vishu, e hajde me mua se na pret babi në shtëpi të dyve bashkë.
Valdrini, që nuk po kuptonte asgjë, e pyeti:
— Çfar ka ndodhur?
— Vishu shpejt se të tregoj rrugës, — iu përgjigj Lezja. Ajo nuk e dinte se pak para se të mbërrinte, i ati i Valdrinit kishte qenë tek babai i saj.
U futën në dhomë pa thirrur me zë, vetëm me një trokitje të lehtë në derë. Ndrek Bardhi u zbulua në befasi, sepse nuk e kishte pritur këtë natë, por e zotroi menjëherë situatën. I dha dorën Valdrinit duke i uruar mirëseardhjen, pastaj u kthye tek Lezja dhe, si me humor, i tha:
— A për sonte të thashë, moj bijë? Nejse, shumë mirë. Asgjë të keqe nuk ka.
Fund.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

