Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Gjovalin Shqalshi simbol i qëndresës, punës dhe artit në Mirditë

Nga furrnalta e bakrit tek skena artistike, rrëfimi i një jete mes zjarrit, dhimbjes dhe përkushtimit

Nga Pirusti News
2 455 Shikime
SHPERNDAJE

-Nga Aleksandër NDOJA-

Gjovalin Shqalshi prej vitesh është i angazhuar në shumë drejtime: në industrinë e bakrit, në lëvizjet sindikale, por edhe në art e kulturë.
Prej vitesh jemi mësuar ta shohim teksa ngjitet në skenë me një ecje të dëmtuar, por pak kush e di se ai ka kaluar një kalvar që mund të mos i kursente jetën, gjatë një avarie në furrnaltën e Metalurgjisë.
Më parë ishte si gjithë të tjerët, madje me të qeshur i vesh vetes nofkën e “garipit”. Po cila është e vërteta e kësaj ngjarje të rëndë, të ndodhur natën e Krishtlindjeve të vitit 1984? Në fakt, asokohe duhej të punohej si gjithë ditët e tjera, e ndoshta edhe më shumë.

Në një intervistë për “Pirusti News”, Gjovalini rrëfen shumë të pathëna e të harruara mbi jetën e tij, punën në Metalurgji, lëvizjen sindikale pas viteve ’90 dhe shumë të tjera.

“Së pari, do ju lutesha për një autoportret të shkurtër tuajin!”

Jam lindur në lagjen “Shqalsh” në vitin 1963, ku aty nisa dhe kalova fëmijërinë time si të gjithë të tjerët.
Interesante për ne në atë kohë ishte nisja e shkollës, pasi më parë nuk kishte asgjë nga arritjet e mëvonshme e sidomos ato të tashmet për fëmijët. Ajo çfarë dua të cek është nisja e klasës së parë me mësuesen Dava Dedaj, një mësuese e cila ka lënë gjurmë të forta në kujtesën time ashtu si te çdo nxënës tjetër, pasi prej mësueses së klasës së parë merret kontakti me librin dhe germat e para të gjuhës tonë.

Çfarë kujtoni nga ajo kohë në shkollë?

Dua të theksoj se shkolla jonë 8-vjeçare në lagjen Shqalsh ishte pak më poshtë se ku më vonë do të ndërtohej shkolla e mesme. Të gjithë besoj kujtojnë se shkolla jonë kishte ambiente si asnjë tjetër në Shqipëri: rrethohej nga një masiv i madh akaciesh, me një lëndinë shumë të madhe me bar, që ofronte mundësi për të luajtur dhe për t’u argëtuar.

Që në atë kohë u përfshiva në grupet artistike të shkollës, që për hir të vërtetës kanë qenë të shumta, jo vetëm ato kulturore por edhe sportive, falë mësuesve të apasionuar si Dava Shqalshi në muzikë dhe Pal Shqalshi në fiskulturë – aktivist i palodhur në krijimin e ambienteve sportive bashkëkohore.

Më vonë ju shohim metalurg në Rubik. Si ndodhi kjo?

Në vitin 1978 (qershor) mbarova klasën e tetë dhe, siç ishte e detyrueshme, do të duhej t’i drejtoheshim arsimit të mesëm.
Nuk e di se në çfarë rrethanash prindërit e mi vendosën të më bënin metalurg, ndaj në shtator të atij viti u gjenda në vitin e parë, dega “metalurgji” në Shkollën e Mesme Industriale të Rubikut.

Ishte një shkollë mjaft serioze, me mësues të zotë, ndërkohë që industria e bakrit në Mirditë kishte marrë hov të madh, me kërkesa të forta për realizimin e planeve pesëvjeçare, siç thuhej në atë kohë.

Çfarë kujtoni nga jeta shkollore?

Mësimi ishte mjaft cilësor, me kërkesë të fortë llogarie e disiplinë. Drejtori Pjetër Marka Lleshi ishte tejet korrekt në drejtim dhe në mësimdhënie. Mësuesi im kujdestar ka qenë Lutfi Zhabjaku, ndërsa si gjithë bashkë-nxënësit e mi, jam krenar se kam dalë nga dora e mësuesve elitë të arsimit kombëtar si Llukman Kosovrasti, Andrea Nathanaili, Sajmir Voshtina, Fatmir Koburja, Shyqyri Mneri, Sara Menahem, Abaz Marku, Vjollca Thimo, Mishel Gjermani, Ilir Xhemali e shumë të tjerë. Kështu kaluan katër vite si konviktor, për ta përfunduar shkollën e mesme në qershorin e vitit 1978, me diplomën e metalurgut në dorë.

Dhe më pas…

Më pas i erdhi radha vagonit, vetëm 500-600 metra nga shkolla. Në fakt, ne mbaruam për metalurg, por vagoni nuk na u hoq nga dora. Nuk ishim nën tokë, por mbi tokë, në kontakt të drejtpërdrejtë me masivet e gurëve të mineralit që dilnin nga nëntoka.

A mund të na përshkruani procesin e punës në Metalurgji?

Po. Me vagonët tanë mbushnim depozitën gjigande të furrës me tre komponentë: gurë me përmbajtje bakri, aglomerat dhe qymyr. Nga temperatura e lartë në furrë, masivi shkrihej dhe rridhte përmes një lugu në “convert”, ku pasurohej dhe ndahej skorja. Ishte punë e lodhshme, me tre turne, ndërsa shpesh ndodhte që pas turnit të tretë, me të mbyllur orën 7 të mëngjesit, na dërgonin deri në orën 12 për ndihmë në kooperativat bujqësore.

Sa zgjati kjo periudhë për ju?

Deri më 24 dhjetor 1984. Ishte koha kur më thirrën për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, i paracaktuar për në kufi andej nga Tropoja. Por kjo nuk u realizua, pasi një tragjedi e ndodhur natën e 24 dhjetorit të atij viti më shmangu nga çdo detyrim tjetër.

Na e përshkruani me aq sa kujtoni?

Në javën e parë të dhjetorit 1984, mora urdhrin për të shkuar ushtar më 2 janar. Siç ishte rregulli, më 10 dhjetor u paraqita për të dorëzuar detyrën, pasi ligji thoshte se 15 ditë para mobilizimit ushtari duhet të merrte pushimet. Në zyrën e kuadrit, përveç shefit Kol Bib Deda, ishte edhe drejtuesi politik i uzinës Gjon Përdeda. Kur Gjoni mori vesh se atë ditë do bëja dorëzimet, më kërkoi që të qëndroja në punë edhe 10 ditë, pasi duhej realizuar plani i vitit.

Ti si e prite?

Në fakt pranova, ndoshta i ndikuar edhe prej faktit që do qëndroja dhe ca ditë mes shokësh e kolegësh. Ditët kaluan normalisht, deri në natën fatale të 24 dhjetorit 1984.

Një përshkrim i detajuar…

Kishte kaluar mesnata kur u dha alarmi se kompresorët ishin bllokuar. Jam thirrur nga inxhinieri Mark Leka, ku u njoha me avarinë në furrën nr. 4. Pas një pune intensive defekti u eliminua, e unë u riktheva te kompresorët. Rreth orës 2 të natës, një punëtor u sëmur rëndë te kanali i shkarkimit të furrës. Meqë ai u largua, u thirra sërish unë për të punuar te “avakrongjol”, pasi u njoftua një avari e re në furrë.

Si do e përshkruani avarinë në furrë?

Furra ishte gjigande, e cila në temperaturë shumë të lartë shkrinte mineralin. U tha se kanali ishte bllokuar dhe furra kishte rrezik të shpërthente. Pastrova kanalin dhe përzierësi i shkrirë po drejtohej drejt konvertit. Por çrregullimi bëri që rrjedha të ishte e fortë, duke rrezikuar jetën e metalurgëve të tjerë.

Në këto kushte tentova të reduktoj portën dalëse të furrës për ta bërë të kontrollueshme daljen. Pikërisht në atë moment, një llavë e fuqishme më goditi. Nga ai çast kam rënë pa ndjenja në dyshemenë e repartit, më tej nuk kujtoja asgjë.

Mesa të kanë thënë, si u veprua?

Punëtorët, të alarmuar, u përpoqën të më fikin flakët mbi trup, por pasojat ishin fatale. Më çuan me një automjet “Zis” me shofer Tonin Tusha në spitalin e Rrëshenit, ku u asistova nga kirurgu Agim Qarri. Por gjendja ishte e rëndë dhe menjëherë më nisën në Spitalin e Djegie-Plastikës në Tiranë, ku u kurova me muaj të tërë.

Ndërsa një ngjarje e tillë në një sektor kaq të rëndësishëm u kalua kaq lehtë?

Në fakt, gjej rastin të falënderoj edhe sot mbi 200 punonjës të Metalurgjisë, të cilët më qëndruan pranë me mbështetje morale dhe monetare. Secili prej tyre ofroi nga 100 lekë, që për kohën ishte shumë e madhe. Një përfaqësi e tyre i kërkoi Ramiz Alisë, gjatë një vizite në Mirditë, të ndërhynte për përmirësimin e gjendjes sime. Ai dha porosi të prerë që të njoftohej hap pas hapi mbi shëndetin tim dhe madje u hodh ideja për të më dërguar jashtë vendit.

Si ndodhi në fakt?

E vërteta është se nuk u pa e udhës të udhëtoja jashtë vendit, por qeveria e kohës solli një ekip mjekësh hungarezë.
Ata, së bashku me mjekët shqiptarë, bënë aq sa mundën dhe më çuan në këmbë, por me një defekt të theksuar në ecje që mbeti për gjithë jetën.

Pas daljes nga spitali, u ktheve përsëri në Metalurgji?

Po, por në administratë, në një punë të lehtë. Kaluan pak kohë dhe erdhën ndryshimet demokratike, ku u përfshiva në këtë vorbull.

Në çfarë kuptimi?

Bashkë me shokët e punës realizuam të parët në këtë sektor një grevë me kërkesa ekonomike, si përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave, etj. Kjo u finalizua me dorëheqjen e administratës. Më pas nisën ristrukturimet dhe proceset e njohura të asaj kohe. Metalurgjia u shkatërrua, uzina mbeti pa shërbim.

Ju kam parë të angazhuar në lëvizje sindikale që herët. Diçka në këtë sferë?

Që në fillimet e para themëlova dhe u bëra kryetar i sindikatës së invalidëve të minatorëve siliktik. Më vonë u bëra zëvendëspresident i shoqatës mbarëkombëtare, dhe një ndër arritjet më të mëdha ishte miratimi i statusit të minatorit. Pas rihapjes së përkohshme të uzinës në vitin 1997, u zgjodha kryetar i sindikatave të “Alb-Bakrit”, detyrë që e mbajta për gjashtë vite me radhë. Pra, prej rreth 22 vitesh kam punuar, luftuar dhe kontribuar, duke qenë një zë i fortë për të drejtat e punëtorëve invalidë, ku vazhdoj edhe sot.

Ju jeni i angazhuar dhe si instrumentist e këngëtar grupi. Kur nisën këto angazhime?

Në fakt, kjo nisi që në fëmijëri, siç e kam përmendur më lart, falë mësuesve të përkushtuar në Malaj. Më pas edhe në shkollën e mesme, por sidomos gjatë punës në Metalurgji. Isha pjesëtar i ansamblit “Metalurgu” të Rubikut, për të folur për kohë të arta me drejtues si Gjok Beci, e muzikantë me emër si Mark Gjoka, Dodë e Alda Prendi, Anton Gjoka e shumë të tjerë.

Pas gjithë këtyre ngjarjeve dhe historive, a mund të na flisni pak për familjen tuaj?

Po jam i martuar dhe gruan e quajnë Afërdita. Djali i madh, Krishniku, ka mbaruar Universitetin e Arteve. Enriko ka studiuar për Hoteleri-Turizëm. Andrea punon në Emergjencat Civile. Ndërsa Sara është mjeke e shëndetit publik.

Dhe në fund…

Më lejoni të bëj një falenderim, ndoshta më të rëndësishmin. Faleminderit familjes sime, e cila për 18 muaj me radhë udhëtoi çdo javë nga Malajt, me pisha në dorë, për të më ndihmuar të merrja dritën dhe shpresën drejt rrugës ku nisej autobuzi i orës 5 të mëngjesit për Tiranë. Babai im, Ndreca, dhe nëna Pashkja shpesh flinin rrugëve kur nuk gjenin transport, vetëm për të qenë mbështetja ime më e fortë, sidomos psikologjike, në ato muaj të vështirë kur ende nuk dihej nëse do të mund të qëndroja mbi tokë me këmbën time.

Ky falenderim shkon edhe për të gjithë ata që më qëndruan pranë në atë kohë, si dhe për ju, portal, që herë pas here sjellni portrete të spikatura me historitë e tyre të vuajtjes dhe rezistencës.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest