– Dalin në skenë prova që hedhin poshtë deklarimet e pushtetarëve dhe ndonjë kleriku servil, që nxituan të deklaronin se ardhja e eshtrave në Rinas ishte e pa njoftuar… Botuar më 25 nëntor 2012, në gazetën “Tirana Observer”.
Të gjithë deklaruan në kor se e kishin marrë vesh një ditë para, ndërkohë z. Pjetër Logoreci, Dom Pren Kola me të tjerë që kanë bërë zhvarrimin provojnë se kishte lajmëruar 13 ditë para se të bëhej ky ritual. Shikoni në fund emailin origjinal…
Kombet me histori e qytetërim solid pa dyshim që në epoka të rëndësishme kanë ngjarje që kanë ndryshuar rrjedhat e historisë së tyre. Kanë simbole, data dhe emra. Dhe për t’i bërë nder vetes, kombet e qytetëruara i ruajnë të shenjta këto, sepse pikërisht përmes tyre provojnë historinë, mbijetesën dhe evoluimin.
Padyshim edhe kombi ynë, që për pak orë feston 100 vite të pavarësisë nga pushtimi i gjatë osman, nuk bën përjashtim nga ky përcaktim.
Si komb i lashtë, me histori brilante herë në favorin tonë dhe më shumë në disfavorin tonë, kemi flamurin kombëtar, heroin kombëtar, përvjetorë të lavdishëm dhe protagonistë të tyre. Nga sa kemi mësuar prej të parëve që kanë lënë gjurmët e tyre të transmetuara në ndërgjegjet tona, kemi pse të krenohemi me vlerësimin e madh që i kemi bërë flamurit, heroit kombëtar, por edhe simboleve.
Por kohë pas kohe, në rrjedha të ndryshme të ngjarjeve politiko-historike, sidomos individët, edhe pse kanë qenë përcaktues të ngjarjeve të mëdha historike, janë anatemuar, degdisur, syrgjynosur, burgosur, por edhe rikthyer e rivlerësuar. Vlerësimi për ta herë ka mbërritur kulmin, e herë ka njohur të kundërtën, në varësi të përcaktimeve politike.
Padyshim njëri prej tyre është Dom Nikoll Kaçorri. Sjelljet ndaj kësaj figure kyçe, me një kontribut të pashembullt në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë njohur një spirale negative, që kohë pas kohe është ashpërsuar me sulme dhe anatemime, por mbi të gjitha me harresë dhe indiferencë.
Ky fat i padrejtë iu rezervua – dhe vazhdon edhe sot – këtij vigani të kombit shqiptar, edhe pse figura e tij është mjaft e njohur ndër shqiptarë anë e mbanë botës, falë pendave të arta të shumë prej mirditasve dhe historianëve dashamirës si Hajredin Isufi e tashmë Nikoll Loka, që vjen me një botim sa historik aq edhe arkivor.
Për të thënë me dy fjalë rreth figurës së Dom Nikoll Kaçorrit, le të marrim një citim nga historiani Nikoll Loka:
“Imzot Nikollë Kaçorri, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së parë të Shqipërisë, i propozuar nga Mbreti Vid për Kryeministër, ishte njëri ndër hartuesit e alfabetit shqip, njëri ndër themeluesit e arsimit kombëtar shqiptar, përfaqësues politik i Kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912, i burgosur nga regjimi xhonturk, i inatosur me intrigat politike, por gjithnjë bashkëpunues për hir të Kombit…”
Por le të kthehemi në vijën e sjelljes ndaj kësaj figure emblematike të pavarësisë.
I pari që nis sulmet ndaj Dom Nikoll Kaçorrit ishte Esat Toptani, për interesa të tij.
Por kulmi shënohet kur del në skenë një injorant turkofil, i njohur si Haxhi Qamili. Historiani Sejfi Vllamasi në librin “Balafaqime politike” shprehet:
“Të etur për dominancë, turkofilët… organizuan rebelimin e vitit 1914 dhe në krye të turmave nxorën një injorant me emrin Haxhi Qamili…”
Gjatë këtij rebelimi u shkrumuan fshatra, qytete, dhe më 2 shtator 1914 u dogj kisha dhe Qela ku banonte Dom Nikoll Kaçorri, si dhe u shkatërrua biblioteka me pallatin Arqipeshkëvnor në Delbinisht.
Në këto kohë të turbullta, Dom Nikoll Kaçorri shuhet më 29 maj 1917 në Vjenë, ku kurohej nga një sëmundje. Ai varroset atje, i mbuluar me dheun e huaj, ndërsa në Shqipëri e mbulonin me pluhurin e harresës.
Edhe gjatë kohës së komunizmit, Dom Nikoll Kaçorri përdorej më shumë për “inventar historik” sesa si vlerë e vërtetë atdhetarie. U ngrit një lapidar në Lurë dhe shkolla mori emrin e tij, u vendos një bust në Durrës, por sërish shumë pak për një figurë të këtij kalibri. Shtëpia e tij në Krej–Lurë u shpall monument kulture, por askush nuk u mor me të.
Pas vitit 1992 ai përmendet më shpesh, por eshtrat e tij vijonin të dergjeshin pa adresë në Vjenë.
Syrgjynosja përfundoi më 9 shkurt 2011, falë angazhimit të një patrioti shqiptar të quajtur Pjetër Logoreci, i cili bëri të pamundurën derisa gjeti dosjen “Nikolas Cacorri”. Mrekullia u shfaq kur mbetjet e Imzot Kaçorrit u gjetën të mbështjella me flamurin kombëtar, pas 93 vitesh nën tokë.
Më 9 shkurt 2011 një avion nga Vjena zbarkon një arkivol të hedhur në një thes dhe të përfunduar në një karrocë. Pamje aspak dinjitoze për një komb të qytetëruar.
Shtetarë dhe klerikë të rëndësishëm gënjyen publikisht se “nuk ishin paralajmëruar” për ardhjen e eshtrave, por pak ditë më pas dolën faktet.
U zbulua një email i datës 27 janar 2011, pra 13 ditë para mbërritjes, mes Logorecit dhe Imzot Rrok Mirditës.
(Emaili [email protected].)

*
Por kësaj situate i shtohet edhe një mbledhje e Komitetit Ndërministror për 100-vjetorin e Pavarësisë, më 24 prill.
Citohet:
“…janë shpallur konkurse për shtatoret kushtuar Ismail Qemalit, Mbretit Zog, Hasan Prishtinës…por nuk përmendet askund Dom Nikoll Kaçorri.”
Pra shikoni se sa me djallëzi anashkalohet emri i Dom Nikoll Kaçorrit. Nuk paska vend për një shtatore në Tiranë, por vetëm një lapidar të ndryshkur në Krej–Lurë dhe një bust të fshehur në Durrës, trashëgimi nga komunizmi.
Mjafton kjo – dhe shumë elementë të tjerë – për të parë se ndaj kësaj figure vijon e njëjta vijë sjelljeje.
Megjithatë situata nuk është krejt gri. Individë të përgjegjshëm, me shkrimet e tyre, e së fundi me librin e Nikoll Lokës, janë në linjën e duhur për të nxjerrë në dritë veprën atdhetare e patriotike të njërit prej figurave kyçe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

