Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Dy rreshta që alarmuan ushtrinë, Rrëfimi im i vitit 1991

Si një shaka e pafajshme për pak përmbysi një repart të tërë dhe vuri në lëvizje Ministrinë e Mbrojtjes

Nga Pirusti News
13 255 Shikime
SHPERNDAJE

Aleksandër Ndoja (ngjarje e jetuar)

Mu kujtua kjo histori pikërisht sot, kur në kryefaqe pashë lajmin se z. Pëllumb Tare kishte ditëlindjen. Dhe për çka do të rrëfej, kërkoj edhe konfirmimin e tij, se ndoshta kujtesa ime ka ruajtur më shumë emocione se detaje.

Pranvera e trazuar e ’91-shit

Ishte pranvera e vitit 1991. Unë në vitin e dytë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në “Brigadën e Ndërlidhjes”, diku pranë “Rrapit të Treshit” në Tiranë.
Miqësia ime me Pëllumb Taren kishte lindur natyrshëm. Ai civil, punonjës i repartit 92 — repart superspecializuar për teknikën e ndërlidhjes. Unë ushtar, çentralist. Ai teknik i aparaturave transmetuese dhe këngëtar i njohur i festivaleve të fundvitit; unë i specializuar për aparatura kohëmatjeje. Na afronte zanati, por sidomos humori i Pëllumbit.
Miq me të, miq edhe me shefin e çentralit, Ylli Gjineci, fqinj i tij i lagjes.

Ishin fillimet e trazirave. Kazani politik po vlonte. Çdo ditë sillte erë ndryshimi. Në atë klimë, çdo shaka merrte peshë tjetër.

Shaka e parë, ajo e Pëllumbit

Një mëngjes, teksa nxitonim për ceremoninë e flamurit, Pëllumbi më afrohet me një seriozitet prej aktori.

E more vesh për Ylli Gjinecin?
Jo, çfarë ka ndodhur?
Shumë i sëmurë… krizë… spitali… gjendje depresive.

Detaje të thëna me profesionalizëm të frikshëm. Unë e besova. Kërkova leje dhe dola menjëherë nga reparti. Por rrugës, në drejtim të Kinostudios, më del Ylli përpara,  krejt në formë, duke ardhur në punë. Pëllumbi ma kishte hedhur pa pikë mëshire. Gjithë ditën mendova si t’ia ktheja.

Plani im i pamenduar thellë

Mesditë. Më vjen një ide: të bëj një lojë për t’ia kthyer, pa më shkuar mendja se ajo lojë do të kthehej në alarm tw madh deri në shtabin qëndror mbrojtjes në Ministri. Hyra në sekretarinë e brigadës ku ndodhej e vetmja makinë shkrimi. Zana, sekretarja, më besoi. I thashë se më duheshin vetëm dy rreshta.

Shkruajta në letër të bardhë sipas mendjes time në sens humori:

Komandës së Repartit 92.
“Ju bëjmë me dije se punonjësi juaj Pëllumb Tare u arrestua nga policia për trafik armësh në shërbim të Partisë Demokratike.”

As firmë, as vulë zyrtare. Vetëm një zarf, të cilit i vumë vulën qesharake të ushtarit, atë që e mbante kushdo për gallatë. Në mbrëmje, pasi ikën të gjithë, e futa letrën poshtë derës së repartit. E imagjinoja mëngjesin e Pëllumbit: habi, shaka, të qeshura…

Kur shakaja gjen njeriun e gabuar

Por Pëllumbi atë mëngjes nuk ishte në repart. Ishte nisur herët drejt malit të Tomorrit për një defekt antene. Letrën e gjeti një sekretare. U alarmua. Ia çoi shefit të madh. Ai, pa e analizuar, njoftoi Ministrinë e Mbrojtjes.

Nga ai çast, rrodhi rrufeja:

  • U dha alarm për gjithë Brigadën e Ndërlidhjes
  • Dhjetëra automjete ushtarake — Zila, Karpate — dolën nga tunelet
  • Armatimet u kontrolluan një për një
  • Magazinierët u çuan në këmbë
  • Linjat telefonike të çentralit ku punoja unë gumëzhinin nga urdhra, raporte, panik

Dhe unë transmetoja urdhra… pa e ditur se cila ishte fara e gjithë kësaj furtune: dy rreshtat e mi të shkruar për shaka.

Shefi i sigurimit e kupton rrengun

Pasditja solli qetësim. Shefi i sigurimit, Shpëtim Bajrami, një dibran i mençur e pa letrën.
Pa firmë. Pa vulë. Vetëm vula qesharake e ushtarit.
Dhe kuptoi menjëherë absurditetin. Por Ministria dhe gjithë brigada kishin rënë tashmë në grackë, ndaj duhej një përgjigje serioze.

Thirrja në zyrë

Në pasdite më rastësisht duke kaluar para zyrave të shtabit ndërrohem në rrugë dhe përshëndetem me shefin e sigurimit Shpëtim Bajramin. I them, pse nuk paske shkuar nw shtëpi, apo je në shërbim. Ai i lodhur, i zbehtë, me sytë që qeshnin e shqetësoheshin në të njëjtën kohë, më tregon për një letër që kishte bërë namin dhe nuk më lejohet të iki në shtëpi pa gjetur autorin. Unë kërkoj ta shikoj letrën dhe kështu në pak hapa shkuam në zyrë. Nuk po u besoja syve. Në tavolinë ishte letra ime.

Unë, gati i qeshur:
Këtë e kam shkruar unë…
Ai nuk e beson.
Nuk mund ta kesh bërë ti…
E kam bërë unë! Shaka për Pëllumbin — se edhe ai më bëri mua me Yllin…
Ai qesh, por qeshja i ngec në fyt. E gjithë ushtria ishte vënë në alarm.

Mbledhja e madhe

Të nesërmen, ora 08:00. Mbledhje solemne.
Komandantë, komisarë, shefa, e deri te Zana dhe unë — “mëkatarët”.

Komandanti Perikli Gjoka flet gjatë për situatën e vendit dhe përgjegjësinë ushtarake. Tension. Heshtje. Presion nga Ministria.

Pastaj e marr fjalën unë. Shpjegoj çdo gjë. Disa nuk e mbajnë dot të qeshurën, por frika i mbërthen.

Diskutime të pafundme… dhe në fund del vendimi:

Unë dhe Zana dërgohemi në repartin e Bërzhitës.
Larg Tiranës. Larg brigadës. Larg çentralit.

Dita e largimit

Një muaj askush nuk na përfilli. Unë i përjashtuar nga çentrali; Zana nga sekretaria.
Vetëm Agim Murati, futbollisti i njohur — më thoshte me shaka:

O malok, na shkatërrove brigadën…

Pëllumbi qeshte fshehurazi. Ai vetë i zënë me krijimin e degës së PD-së.

Më vinte keq për Zanën, që e kishte rrogën të vetmen mbështetje.
Unë kisha vetëm disa muaj shërbim të mbetur. Ata i mbarova në Bërzhitë, ku në të vërtetë kalohej më mirë se në brigadë.

Fund

Kështu përfundoi aventura ime e vitit 1991: një shaka e pafajshme, dy rreshta të shkruar pa menduar, dhe një ushtri e tërë që u vu në lëvizje si në kohë lufte.

Dhe çdo herë që e kujtoj, them me vete:
Në ’91-shin, edhe shakatë kishin rrezik… dhe vulat e ushtarëve peshonin sa urdhrat e gjeneralëve.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest