Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Rexhep Gali Balidemaj – ‘Mandela’ i Plavë-Gucisë dhe Heroi i Qëndresës Shqiptare

Figurë e rrallë që lidhi historinë e Plavë-Gucisë me fatin mbarëshqiptar

Nga Pirusti News
1 001 Shikime
SHPERNDAJE

     Nga: Tom Gjergji, New York

Rexhep Gali Balidemaj lindi më 19 dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, ndërsa katër klasët e tjera, që në atë kohë quhej gjimnaz, i kreu në Plavë, në gjuhën serbe.

Rexhepi, që në moshë të re, ishte djalë i shkathët dhe i mprehtë, duke u shquar për zgjuarsinë e tij. Shkathtësia dhe intelekti i tij ranë në sy të ministrit shqiptar të asaj kohe, Qazim Koçuli, i cili e mori Rexhepin në Tiranë, ku ai vazhdoi gjimnazin në gjuhën shqipe.

Në Tiranë, Rexhepi u brumos me ndjenja të larta patriotike dhe së shpejti ra në kontakt me të rinjtë antifashistë shqiptarë, si Qemal Stafa, Kajo Karafili e shumë të tjerë. Së bashku me ta mori pjesë në disa aksione antifashiste.

Ai u pezmatua thellë nga vrasja e bashkëmoshatarit dhe mikut të ngushtë të tij, Qemal Stafa, nga forcat kuislinge. Në fund të verës së vitit 1943 u kthye në vendlindje, ku u angazhua në lëvizjen rinore të Plavës e Gucisë. Në vjeshtën e atij viti u regjistrua në radhët partizane, me të cilët luftoi deri në Trieste të Sllovenisë.

Pas kapitullimit të Gjermanisë dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdoi shkollimin në Beograd, ku kreu kursin për shifrant. Në vitin 1946 u dërgua në Kiev të Bashkimit Sovjetik, ku ndoqi për dy vite shkollën ushtarake dhe u diplomua si pilot.

Pas kthimit nga Kievi, shërbeu si pilot ushtarak në ushtrinë jugosllave deri në fund të vitit 1949. Rexhepi asnjëherë nuk i harroi shokët nga Shqipëria, dhe për këtë arsye UDB-ja jugosllave e përndiqte vazhdimisht. Pikëpamjet e tij binin në kundërshtim të ashpër me regjimin titist të kohës, çka shënoi fillimin e kalvarit të arrestimeve dhe burgosjes së tij. U dënua me 6 vite burg si “informbyroist” i çështjes kombëtare shqiptare. Dënimin e vuajti në burgun famëkeq të Goli Otokut.

Më pas u dënua edhe disa herë të tjera për agjitacion dhe propagandë proshqiptare e antijugosllave. Burgimet e tij i kreu në burgjet më të vështira në Kotor, Gjurakovc, Gjilan, Gërgur, Prishtinë e Lipjan. Në total vuajti në 13 burgje të ndryshme për 16 vite e disa muaj më tepër.

Në vitin 1981 iu bashkua demonstratave të studentëve, duke u bërë burim frymëzimi për ta dhe për gjithë rininë kosovare. Ai u njoh me Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Fahri Faslliun dhe Afrim Zhitinë, të cilët dhanë jetën për Kosovën dhe për shqiptarinë.

Rexhep Balidemaj ishte dhe mbetet një personalitet i madh shqiptar, simbol dhe burim frymëzimi për hapësirën mbarëshqiptare. Populli i Plavës e Gucisë dhe të rinjtë e atyre trevave, me të drejtë, e kanë quajtur me krenari “Mandela i Plavës-Gucisë”.

Pas viteve 1990, së bashku me gruan dhe tre djemtë, emigroi në New York. Në moshën 102-vjeçare ndërroi jetë më 7 qershor të vitit 2025, në një spital në Bronx të Nju Jorkut.

Unë jam njohur me Bacën Rexhë rreth viteve 2000, në një aktivitet për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar nga shoqata e Plavë-Gucisë. Baca ishte në tavolinën kryesore dhe binte në sy për bisedat, shakatë dhe recitimin me pasion të vargjeve Lahutës së Malësisë së Atë Gjergj Fishtës, të cilat i kishte recituar edhe në qelitë e burgjeve të Serbisë.

Babai im, duke e njohur Rexhepin, më pati thënë: “Or mec, ke shkrue e ké knue mjaft kangë të ndryshme, shkruaj ca vargje të zgjedhura për Rexhep Balidemajn dhe knoje një kangë për jetën dhe veprimtarinë patriotike të tij, që është një nga burrat më të zgjuar, patriotë dhe atdhetarë të çështjes kombëtare.

Unë u mundova t’ia plotësoj dëshirën dhe i shkrova vargjet Rexhep Gali Balidemaj, të njohur në Amerikë. Një vit më vonë e regjistrova këngën për Bacën Rexhë, këngë e cila u mirëprit me superlativa nga mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë trojeve, sidomos nga krahinat mbi Shkodër dhe nga Plavë-Gucia.

Në të vërtetë, Baca Rexhë dhe trashëgimtarët e tij u surprizuan e u gëzuan shumë kur dëgjuan këngën që pasqyronte gjithë jetën dhe aktivitetin e tij patriotik. Por Baca, me modesti, më thoshte të mos e propagandoja në media sa të ishte gjallë, por ta postoja pasi të ndërronte jetë. Unë i thashë:

“O Baca Rexhep me flokë e me zemër të bardhë, lum kush i këndohet sa të jetë i gjallë. Se ti, o Bacë, nuk ke për t’u nda nga kjo jetë pa i kaluar 100 vjet e përpjetë.”

Ai qeshte, edhe pse sytë i kishte të përlotur nga emocionet që i ngjallnin vargjet e këngës. Në ato çaste më tregoi se edhe stërgjyshërit e tij, rreth 7-8 breza më parë, kishin qenë të besimit të krishterë dhe në kohën e Perandorisë Osmane (afërsisht vitet 1780–1800) ishin kthyer në myslimanë. M’i renditi kështu:

  1. Rexhep Gali
  2. Gal Shabani
  3. Shaban Smajli
  4. Smajl Ahmeti
  5. Ahmet Kurti
  6. Kurt Omeri
  7. Omer Ula
  8. Ulash Nika
  9. Nik Selca

Rexhep Balidemaj do të kujtohet si simbol dhe burim frymëzimi jo vetëm për rininë dhe popullin e Plavë-Gucisë, por për gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve.

Kangë për Rexhep Balidemajn

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest