Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Një shaka e pa menduar mirë që vuri në alarm ushtrinë

Pranvera e vitit 1991, një letër pa firmë, dhe rrëmuja që tronditi Brigadën e Ndërlidhjes në ditët e para të pluralizmit

Nga Pirusti News
13 405 Shikime
SHPERNDAJE

Mu kujtua sot, teksa në kryefaqe më doli fakti se z. Pëllumb Tare kishte ditëlindjen.
Për çfarë po rrëfej më poshtë, kërkoj edhe konfirmimin e vetë Pëllumb Tares.

Ishte pranvera e vitit 1991, koha kur unë ndodhesha në vitin e dytë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, të cilin e kryeja në Brigadën e Ndërlidhjes, diku nga zona e njohur si “Rrapi i Treshit” në Tiranë.

Edhe pse isha ushtar, kisha një miqësi të ngushtë me Pëllumb Taren, i cili ishte punonjës civil pranë një reparti që quhej Reparti 92-92, një njësi superspeciale për teknikën e ndërlidhjes, kryesisht për aparaturat transmetuese.

Miqësia jonë lidhej edhe me faktin se Pëllumbi ishte njeri humori, këngëtar i njohur, pjesëmarrës në festivalet e fundvitit në RTSH. Ai ishte i specializuar si teknik radiosh dhe televizionesh, ndërsa edhe unë kisha specializim dhe një përvojë të konsiderueshme si specialist aparaturash për kohëmatje.

Për këto arsye rrinim shpesh bashkë. Unë shërbeja si çentralist, një shërbim disi komod për kushtet e kohës. Po aq miqësi kishim edhe me shefin e çentralit, Ylli Gjineci, i cili ishte gjithashtu fqinj me Pëllumbin.

Kohët po evoluonin me shpejtësi. Ishte fillimi i vitit 1991, kur “kazani” nuk mbante më dhe vlimi kishte nisur.
Pëllumbi ishte ndër të parët që kishte dhënë shenja disidence, gjë tepër e vështirë në ato rrethana, sidomos brenda një reparti ushtarak – vendi më i izoluar nga zhvillimet politike.

Ai bënte shpesh shaka, madje edhe të rënda, por gjithmonë kishte mirëkuptim mes nesh.

Një mëngjes, teksa të gjithë nxitonim për ngritjen e flamurit, shoh Pëllumbin që vinte përballë meje.
Me një seriozitet që vetëm ai dinte ta mbante në fillim të një humori, më thotë:

E more vesh për Ylli Gjinecin, mikun tonë?
— Jo, i them, çfarë i ka ndodhur?
— Pa i bërë “syri tërr”, më thotë se është shumë i sëmurë, ka pasur një krizë dhe e kemi çuar natën në spital…

Jep edhe disa detaje të tjera që përkonin me shenja depresive dhe largohet drejt repartit të tij.

Unë e besova plotësisht. Për këtë arsye i kërkova dy orë leje komandantit tim, Lirim Liçaj.

Sapo dola nga reparti drejt Kinostudios, dalloj shef Yllin duke ardhur qetësisht në punë.

Dyshimi u shua menjëherë.
Pëllumb Tare ma kishte hedhur, si mua, ashtu edhe Yllit.

Gjithë ditën mendoja se si t’i “hakmerresha” Pëllumbit.

Aty nga mesdita më lindi ideja të sajoja edhe unë një lojë, pa e menduar se ajo do të rezultonte tejet e rrezikshme.

Hyra në sekretarinë e brigadës, pasi vetëm aty kishte makinë shkrimi. Sekretarja, Zana, më lejoi, pasi njihesha si ushtar korrekt dhe me reputacion të mirë. I thashë se më duheshin vetëm dy rreshta për diçka personale. Nuk kundërshtoi.

Në një letër të bardhë shkrova:

Komandës së Repartit 92-92

“Ju bëjmë me dije se punonjësi juaj Pëllumb Tare është arrestuar nga policia për trafik armësh në shërbim të Partisë Demokratike, e sapokrijuar këto ditë…”

Pa firmë, pa emër. E futa në një zarf dhe i vendosa vulën e ushtarit, që e mbanim në dorë thjesht për gallatë, pasi letra zyrtare nuk shkruanim – ishim brigadë ndërlidhjeje dhe komunikonim me telefon.

Pasdite, kur të gjithë ishin larguar, letrën e futa poshtë derës së repartit, me idenë se Pëllumbi do ta gjente në mëngjes dhe do shpërthente gallata.

Por ja që Pëllumbi atë mëngjes ishte nisur herët me shërbim urgjent drejt malit të Tomorrit, për një defekt antene.

Letrën e gjeti një sekretare, e cila u alarmua dhe e çoi menjëherë te shefi i madh i Repartit 92. Ai, pa e lexuar mirë, njoftoi Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministria dha alarm për Brigadën e Ndërlidhjes. Brenda pak minutash, e gjithë teknika lëvizëse doli nga tunelet: dhjetëra Zila dhe Karpate të armatosura, për t’u kontrolluar nëse mungonte qoftë edhe një vidë, jo më armët.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave nxirrnin armët nga depot për kontroll. Magazinierët e “pikave të hapjes” kontrollonin edhe armët e rezervistëve.

Ndërkohë, unë në çentral transmetoja urdhra pa fund, pa e ditur se gjithë kjo furtunë vinte nga dy rreshta të shkruara prej meje.

Nga pasditja situata filloi të qetësohej. “Ujin e bekuar” e hodhi shefi i sigurimit të brigadës, një dibran i mençur, Shpëtim Bajrami. Ai e kishte marrë letrën dhe e kishte shqyrtuar me kujdes.

Nuk u besonte syve se si ishte marrë seriozisht një letër pa firmë, pa vulë zyrtare, madje me vulë ushtari që e mbante kushdo në xhep.

Brigada dhe Ministria e Mbrojtjes ishin alarmuar nga një shaka e një ushtari.

Po kush ishte ushtari?!!!!

Në mbrëmje më thërret Shpëtim Bajrami. I lodhur dhe i zbehtë, më thotë se kishte gjithë ditën pa pirë as ujë, dhe më tregon letrën.

Unë, gati për të qeshur, i them qetësisht:
Këta rreshta i kam shkruar unë.

Ai nuk më beson.
Nuk ka mundësi ta kesh bërë ti
— Po, i them, e bëra për shaka me Pëllumb Taren, se kështu ma bëri me Ylli Gjinecin.

Ai qeshte, por ishte edhe në tension. Ishte alarmuar Ministria, Brigada, e gjithë ushtria.

Të nesërmen, në orën 08:00, mbledhje e përgjithshme.
Të pranishëm: komisari i brigadës Bajram Llukaçi, komandanti Perikli Gjoka, shefi i shtabit Bashkim Feta, komandanti i batalionit Agron Hoxha, komisari Vanxhush Mele, komandanti im Lirim Liçaj, shefi i sekretarisë dhe unë – “mëkatari”, bashkë me Zanën që më kishte lejuar të përdorja makinën e shkrimit.

Fjalën e mori komandanti Perikli Gjoka, me një seriozitet të plotë, duke përshkruar situatën e rëndë të vendit. Tavani dukej sikur rrotullohej nga presioni i ardhur prej Ministrisë.

Më pas fola unë, duke shpjeguar ngjarjen dhe qëllimin e “lojës”. Disa mezi përmbanin të qeshurën, por serioziteti rikthehej nga frika e komandantit.

Vendimi ishte i prerë.

Unë dhe Zana u transferuam nga Brigada e Ndërlidhjes në Tiranë dhe u dërguam në Bërzhitë, në një repart ndërlidhjeje larg kryeqytetit.

Për rreth një muaj askush nuk u kujtua për ne. Unë i përjashtuar nga çentrali, Zana nga sekretaria. Vetëm Agim Murati, ish-futbollist i njohur i Partizanit, më ngacmonte me shaka:
— O malok, na e shkatërrove brigadën!

Me Pëllumbin qeshnim fshehurazi kur na jepej mundësia. Ai ndërkohë ishte i zënë me përgatitjet për krijimin e PD-së në zonë e më gjerë.

Për Zanën më vinte keq – ishte grua e moshuar dhe paga ishte e domosdoshme për të.
Unë, gjithsesi, kisha edhe pak muaj shërbim për të mbyllur, të cilët i përfundova në Bërzhitë, ku – për çudi – jetohej më mirë se në brigadë, në Tiranë.

Aleksandër NDOJA
(rrëfime nga jeta ushtarake)

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest