Përgatiti: Aleksandër NDOJA
“Rastësia është nëna e domosdoshmërisë, e cila është baza e bashkëpunimit dhe e arritjeve të suksesit”.
Këtë sentencë do ta shkruante në faqen e parë të librit të tij, realizuar nga Ministria e Kulturës nën përkujdesjen e ministres Elva Margariti “Shqipëria në Mozaik”, autori i mirënjohur i mozaikëve muralë, “Mjeshtri i Madh” Agim Nebi, teksa ma dhuronte librin pak ditë më parë, në një ambient publik në qendër të Tiranës.
Në fakt, kjo “rastësi” e ka fillesën një natë më herët në Rrëshen, ku një ngjarje e dhimbshme, një ceremoni mortore te miq të përbashkët na bëri bashkë. Agim Nebi, bartës i dhjetëra çmimeve prestigjioze në Shqipëri dhe Itali, si dhe “Qytetar Nderi” i Torittos në Itali që prej vitit 2013, qëndronte disi i heshtur, në shoqërinë e një shtetasi italian, mik i familjes.
Portreti i tij, megjithatë, më dukej i njohur; kjo më shtyu t’i afrohem dhe të nis një bisedë, e cila do të shndërrohej shpejt në një rrëfim të pasur artistik e njerëzor.
Lidhja me Mirditën
Agim Nebi ka origjinë nga Korça, ku ka lindur në vitin 1950. Talenti i tij i hershëm dhe i rrallë e çon shpejt në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. I vlerësuar për aftësitë e veçanta, Ministria e Kulturës i akordon një pedagog personal dhe një program special katërvjeçar, çka do t’i hapë rrugën studimeve të mëtejshme. Në vitin 1977, Nebi ndjek Akademinë e Arteve në Tiranë, në degën e pikturës monumentale, duke u diplomuar në gjininë e mozaikut, fushë që do ta shndërrojë në një emër referencial.
Lidhja e tij me Mirditën nis, në mënyrë natyrale, përmes artit dhe jetës personale. Ai thellon njohjen me bashkëstudenten e tij në degën e pikturës dhe skenografisë, Afërdita Jahja, e cila, pas përfundimit të studimeve, emërohet piktore dhe skenografe pranë Pallatit të Kulturës në Rrëshen. Afërdita Jahja, e lindur në Rubik, qëndron rreth tre vite në këtë detyrë, para se të martohet me Agim Nebi. Megjithatë, bashkëkohësit e fushës së artit e cilësojnë këtë periudhë si tejet të suksesshme për jetën kulturore të Mirditës, me kulmimin në Festivalin e vitit 1978.
Gjatë kësaj kohe, Agim Nebi është i pranishëm shpesh në Mirditë. Ai ruan kujtime të veçanta nga takimet me poetin e mbarë kombit, Gjok Beci, për të cilin rrëfen se e ka shoqëruar edhe në Kurbnesh, duke i dhënë garanci se, nga ajo që kishte parë gjatë provave, Ansambli “Mirdita” do të fitonte çmimin e parë – ashtu siç edhe ndodhi. Nga Gjok Beci, Nebiu thotë se ka të gdhendur thellë një fjali që ia përsëriste shpesh: “Mbetet i pavdekshëm ai që gdhend Shqipërinë.”
Gjurma artistike në Mirditë
Agim Nebi ka lënë gjurmën e tij edhe fizikisht në Mirditë. Në hollin e një ndërtese që fillimisht ishte konceptuar si hotel turizmi para viteve ’90, e që më vonë kaloi në dispozicion të Kishës, ai ka “ledhatuar” artistikisht me guralecë një mozaik ku paraqitet bariu me delet në lëndina – një imazh i thjeshtë, por simbolik, i harmonisë mes njeriut dhe natyrës.
“Të thëna, apo jo…” mbi mozaikun gjigand “Shqipëria”
“Mozaiku “Shqipëria” në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar ka përmasa rreth 40 m gjatësi dhe 14 m lartësi, me një sipërfaqe 560–565 m², dhe u inaugurua në vitin 1981”.
Në librin “Shqipëria në Mozaik”, Agim Nebi i kushton një vëmendje të veçantë mozaikut gjigand “Shqipëria”, të vendosur në ballinën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, duke e trajtuar procesin e realizimit të tij në tre etapa të mirëpërcaktuara, ku ndërthuren ideja, realizimi artistik dhe mesazhi historik-kombëtar.
Si lindi mozaiku “Shqipëria”
Piktori dhe mozaicisti Agim Nebi kujton se në vitin 1979, teksa përfundonte mozaikun “Festa e Grurit” në hollin e Hotel “Tirana”, u njoh me autorët e projektit të Muzeut Historik Kombëtar, ende në ndërtim. Pas disa ditësh, skulptori Niko Thana, përfaqësues i Ministrisë së Kulturës, e njoftoi se ishte vendosur që ballina e muzeut të zbukurohej me një mozaik monumental dhe se kërkohej formimi i një grupi autorësh.
Për realizimin e veprës u përzgjodhën pesë artistë: Agim Nebi, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi, Josif Droboniku dhe Vilson Kilica. Duke qenë se asnjëri prej tyre nuk banonte në Tiranë, shteti i kohës i sistemoi në Qytetin “Studenti”, ndërsa puna u zhvillua në palestrën e shkollës “Fan Noli”. Ishte një rast i rrallë bashkëpunimi artistik, i shoqëruar me vështirësi të mëdha, veçanërisht nga ndërhyrjet ideologjike dhe kufizimet e realizmit socialist, që impononin simbole si kazma, pushka, ylli i kuq apo figura e E. H.
Koncepti artistik dhe përmbajtja historike
Mozaiku përfaqëson një rrëfim të gjerë të historisë shqiptare. Në krahun e djathtë përfshihen periudhat para Luftës së Dytë Botërore: luftëtari ilir si simbol i lashtësisë, kryengritjet kundër pushtimit osman dhe figura e rilindësve, të cilët përmes penës dhe mendimit forcuan identitetin kombëtar dhe gjuhën shqipe. Elementët dekorativë, veshjet dhe armët ndihmojnë shikuesin të kuptojë kohët dhe mesazhin e veprës.
Në krahun e majtë mbizotëron periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, e paraqitur si një etapë çlirimtare dhe kolektive, ku theksohet edhe roli i grave shqiptare. Edhe pse figurat i përkasin periudhave të ndryshme, ato bashkëjetojnë në kompozim si pjesë e të njëjtit ideal: mbijetesën dhe lirinë e kombit.
Nga rreziku i heqjes te restaurimi
Pas rënies së komunizmit, mozaiku rrezikoi të hiqej për shkak të simboleve ideologjike. Qeveria demokratike e fillimviteve ’90 thirri autorët; në mbledhjen e zhvilluar në Ministrinë e Kulturës u paraqit vetëm Agim Nebi. Fryma e përgjithshme ishte ruajtja e veprës, përmes korrigjimeve të domosdoshme. Nebi propozoi ndërhyrje minimale, të argumentuara mbi dokumentacion fotografik, të cilat u miratuan nga qeveria. Vendimi për heqjen e simboleve u nënshkrua nga kryeministri Aleksandër Meksi dhe ndërhyrja u përshëndet edhe nga Parlamenti shqiptar. Kështu, mozaiku “Shqipëria” vazhdoi të mbetej simbol i Sheshit “Skënderbej”.
Me kalimin e viteve, vepra u dëmtua nga koha, faktorët atmosferikë dhe tërmeti i vitit 2019, derisa qeveria Rama vendosi restaurimin e saj. Falë angazhimit të ministres së Kulturës Elva Margariti, projekti u përfshi në programin EU4Culture, i mbështetur nga Bashkimi Europian. Në maj 2021, në praninë e ish-ambasadorit të BE-së Luigi Soreca, nisën punimet restauruese, të zbatuara nga UNOPS, nën drejtimin e Pamela Lama, me pjesëmarrjen e mjeshtrit Agron Islami dhe specialistëve të shumtë, si dhe me bashkëpunimin e firmës “Leon”, përfaqësuar nga E. Llupi.
Si një nga autorët e veprës, Agim Nebi kontribuoi me eksperiencën e tij shumëvjeçare në Shqipëri dhe Itali, duke e cilësuar këtë proces si një vlerësim të vonuar, por të merituar për një vepër që mbetet një copëz e rëndësishme e historisë dhe artit shqiptar, e realizuar mes sakrificash, censurës dhe presionit ideologjik.
1994 – Largimi nga Shqipëria
Kur profesor Agim Nebi pyetet nëse do të kishte preferuar ta ushtronte profesionin e tij të rrallë në atdhe, pikërisht aty ku la vepra monumentale që i kanë çimentuar emrin në histori, përgjigjja e tij mbetet e ngarkuar me dilema. Largimi nga Shqipëria nuk ishte zgjedhje, por domosdoshmëri.
Pas heqjes së simboleve komuniste nga mozaiku “Shqipëria” në Muzeun Historik Kombëtar, jeta e tij u bë gjithnjë e më e vështirë. Presionet, keqkuptimet dhe deri edhe kërcënimet nga segmentet ekstreme, ende të forta e aktive në atë kohë, e detyruan të marrë një vendim të dhimbshëm. Në këto rrethana, Agim Nebi u paraqit familjarisht në Ambasadën Italiane në Tiranë, e cila, në një kohë rekord, e pajisi me vizat përkatëse. Me mbërritjen në Itali, ai gjeti të gatshme jo vetëm banesën, por edhe një studio të kompletuar për vijimin e punës artistike.
Arritjet e tij në Shqipëri kishin paraprirë emrin e tij edhe përtej Adriatikut. Jehonën e veprës e ndjeu menjëherë dhe iu përkushtua punës pa humbur kohë. Fillimisht qëndroi për një periudhë të shkurtër në Bari, në Sanicandro, ku realizoi disa vepra të vogla, që shënuan edhe hapat e parë të krijimtarisë së tij në Itali.
Në këtë kohë, një intelektual italian, prof. Alfredo Musaico Somma, njeri me kulturë të gjerë dhe njohës i pasionuar i artit, kishte parë më herët në Shqipëri një vepër mozaiku të Agim Nebiut, e cila i kishte lënë mbresa të veçanta. Rastësisht, pasi mësoi se autori ndodhej tashmë në Itali, u interesua ta takonte personalisht.
Takimi u konkretizua shpejt dhe Alfredo i kërkoi Agim Nebit realizimin e një vepre për rezidencën e tij verore në Polignano a Mare, buzë detit. Duke soditur Adriatikun nga dritarja, Alfredo i tha:
“Agim, përtej këtij deti është Shqipëria jote. Jemi afër, vetëm deti na ndan. Kjo është ideja që dua të më shprehësh…”
Kjo vepër, e mbështetur më pas nga institucione italiane, u realizua edhe dy herë të tjera, me variante të lehta, në ambiente publike: në Toritto, në pallatin “STELLA”, në sheshin “Aldo Moro”, me kërkesë të shoqatës LIONS – Toritto, si dhe në Tiranë, me kërkesë të Regione Puglia, si simbol i bashkëpunimit midis dy vendeve.
Imazhi dhe titulli i saj u shndërruan në simbol të një misioni humanitar nga Italia drejt Shqipërisë, organizuar nga shoqata bamirëse ITAL. Po ashtu, vepra u përzgjodh si shenjë e vëllazërimit midis gjimnazit italian “Orazio Flacco” dhe një gjimnazi të Tiranës. Me kalimin e kohës, shumë aktivitete shoqërore morën titullin dhe imazhin e saj, duke e konsideruar nga italianët si një “Sintesi perfetta”, simbol i miqësisë dhe afërsisë mes dy popujve.
Që nga ajo periudhë, Agim Nebi ka realizuar një numër të madh veprash, një pjesë e rëndësishme e të cilave janë përfshirë në botimin “Shqipëria në Mozaik”, ndërsa Italia e ka vlerësuar krijimtarinë e tij me çmime prestigjioze, duke i dhënë një dimension ndërkombëtar artit të tij.
informacion i shkurtër:
- Skulptura monumentale dhe publike: dhjetëra vepra (sheshe, institucione, hapësira publike)
- Skulptura galerike / studio: mbi 150
- Relieve, buste, kompozime tematike: disa dhjetëra të tjera
- Një pjesë e veprave ndodhen në:
- Shqipëri (Tiranë, qytete të tjera)
- Itali (sidomos në zonat ku ka jetuar dhe punuar)
-
Për më shumë rreth artistit të madh Agim Nebi, ndiqni informacionin në blogun e tij personal, duke klikuar në:
nebimosaici.com
https://nebimosaici.com/#agim-nebi-curriculum-al-2

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

