Përgatiti: Aleksandër NDOJA
Historia e krimeve serbe ndaj shqiptarëve është e mbushur me dhimbje, por jo të gjitha plagët janë rrëfyer. Disa janë varrosur në heshtje arkivash, disa janë fshirë nga kujtesa kolektive, e disa presin ende të flasin. Një prej tyre është tragjedia e Dilës nga Shëngjini i Mirditës, një grua fandese (katolike), e cila në janarin e vitit 1913 u bë dëshmitare e pushkatimit të katër burrave – mes tyre edhe i biri – dhe vetë u torturua në mënyrë çnjerëzore nga ushtria serbe në Zhur, pranë Prizrenit.
Kjo ngjarje nuk vjen si rrëfim gojor, por si dokument autentik i kohës, i shkruar nga një prej figurave më të besueshme të historisë shqiptare: Imzot Lazër Mjeda, Ipeshkë i Dioqezës Shkup–Prizren (1910–1922), kontribuues i madh i arsimit dhe identitetit shqiptar.
Letra është zbuluar në arkivat e “Propaganda Fide” në Vatikan nga studiuesja Dr. Nusha Zhuba, e cila po sjell në dritë materiale të rralla që hedhin dritë mbi krimet e harruara ndaj shqiptarëve. Në këtë dokument tronditës, Mjeda përshkruan me hollësi masakrën e katër mirditorëve dhe kalvarin e një nëne që lidhet në pemë, lihet pa ndihmë dhe poshtërohet vetëm pse ishte shqiptare.
Më poshtë, Pirusti News publikon të plotë letrën e vitit 1913, nënshkruar nga Imzot Lazër Mjeda, një dëshmi që nuk është thjesht histori, por akt akuze kundër barbarisë dhe harresës.
Prefetto della Sacra Congregazione della Propaganda Fide!
-Dila e Fanit-
“Një grua fandese (katolike), Dila, nga fshati Shëngjin, kishte ardhur në Prizren me djalin e saj, një të afërm dhe dy persona nga fshati Gjugje, për të blerë rroba dhe gjëra të tjera të nevojshme për dasmën e vajzës së saj dhe dy vajzave të tjera të reja.
Pasi i blenë rrobat, ata shkuan te komandanti Jankoviç për të marrë një letër rekomandimi, në mënyrë që të mos ngacmoheshin nga ndonjë ushtar gjatë rrugës. Komandanti u dha atyre letrën dhe ata u nisën.
Kur arritën në Zhuri, rreth katër orë larg nga Prizreni, hasën disa ushtarë serbë. Ata menjëherë ia paraqitën letrën një nënoficeri, por ai nuk i kushtoi vëmendje. Ata u kontrolluan dhe, megjithëse nuk kishin asgjë inkriminuese, lidhën katër burrat së bashku dhe gruas i lidhën duart fort pas shpine.
Të lidhur, ata u detyruan të ecnin disa hapa me qytat e pushkëve, derisa arritën në një hendek ku i shtynë brenda, duke rënë njëri mbi tjetrin. Pastaj u qëlluan me breshëri mbi ta, duke i kthyer të gjithë në kufoma të ftohta.
Nëna e mjerë bërtiti e tmerruar, i thirri të birit dhe, duke e parë të vdekur, iu kërkoi ushtarëve që ta qëllonin edhe atë, në mënyrë që të bashkohej me të birin. Por gruas fatkeqe iu mohua ky “nder”; ajo do të pësonte vuajtje të tjera. Dy banditë ushtarë e lidhën në një pemë.
Ndërkohë, njëri nga ushtarët nxori një bukë nga thesi, të cilën viktimat e kishin blerë në Prizren për udhëtimin, dhe vendosi brenda dy fishekë Mazerrit. U dëgjuan të shtëna të forta, duke nxitur disa oficerë dhe komandantin të shkonin në vendngjarje.
Ata pyetën për shkakun e të shtënave dhe ushtarët thanë se kishin qëlluar katër shqiptarë që po përpiqeshin të kalonin kampin me municione. Ushtarët treguan bukën, në të cilën vetë kishin vendosur fishekët. Komandanti nuk kishte arsye të mos besonte këtë shpjegim.
Ndërkohë, askush nuk mendoi për gruan e mjerë të lidhur në pemë. Ajo mbeti aty nga pasditja e së hënës deri në mëngjesin e ditës tjetër. Të mërkurën e zgjidhën dhe gruaja e mjerë u shemb përtokë, më shumë e vdekur sesa e gjallë.
Ata i dhanë pak ushqim, pak ujë dhe një copë bukë dhe e nisën për në Prizren, me duart e lidhura. Kur mbërritën në Prizren, ishte natë dhe e mbyllën në një shkollë serbe, ku kaloi atë natë të tmerrshme në një dhomë të errët, ende me duart e lidhura.
Të nesërmen, ajo u paraqit para komandantit Jankoviç dhe disa oficerëve e qytetarëve, duke e akuzuar si revolucionare. Gruaja e mjerë, e ndërprerë nga lotët, ngashërimat dhe të fikëtit, tregoi historinë e saj siç u përmend më sipër.
Gjenerali nuk i besoi dhe e mbylli në Pallatin e Ipeshkvit Serb. Por të nesërmen u ndje i prekur dhe e liroi, duke e dorëzuar katolikëve, të cilët e çuan në kishën e tyre.
Disa oficerën u pyetën se si ishte e mundur që për dy fishekë të gjetur në një bukë të vrisnin katër persona. Ata u përgjigjën se ushtarët nuk mund të fajësoheshin, sepse në kohë lufte nuk ka ndjekje penale dhe as gjyqe për këto raste.
Ata u pyetën përsëri si ishte e mundur që dy fishekë të piqeshin në një bukë kaq të hollë në furrë pa u pëlcitur. Përgjigjja ishte se kjo ishte provuar e mundur.
Nuk mund të përshkruhet një histori kaq e dhimshme e katër shqiptarëve mirditorë të vrarë dhe e një gruaje të masakruar vetëm.” Përfundon letrën e Tij Ipeshkëvi Lazër Mjeda, letër që tashmë si dhe shumë të tjera, do të jenë sëshpejti në një botim nga dr, Nusha Zhuba.
Imzot Lazër Mjeda, janar 1913

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

