Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nuk është e vogël Mirdita, është copëtuar nga historia e mbrapshtë. Po tani?

Ashtu si Shqipëria rrethohet me shqiptarë, edhe Mirdita rrethohet me mirditorë. Reforma e re territoriale përballë një padrejtësie historike.

Nga Pirusti News
1 225 Shikime
SHPERNDAJE

Analizë nga Aleksandër Ndoja – Pirusti News

Sa herë në Shqipëri hapet debati për reformë territoriale, hartat nxirren mbi tavolinë dhe krahinat maten me shifra, kilometra dhe numër banorësh. Por ka vende që nuk mund të maten vetëm me statistika. Mirdita është një prej tyre. Sepse problemi i saj nuk është se është bërë e vogël; problemi është se është bërë e vogël duke u prerë, ose më saktë coptuar.

Sot flitet se Mirdita nuk i plotëson kushtet për të qenë një bashki më vete. Por rrallë thuhet se kufijtë e saj aktualë nuk janë historikë. Ata janë produkt i ndarjeve të pas Luftës së Dytë Botërore, kur regjimi komunist i drejtuar nga Enver Hoxha rishkroi hartën administrative të vendit, duke shpërndarë zona të tëra mirditore në rrethe të tjera përreth.
Edhe më herët, gjatë regjimit të Ahmet Zogu ka qenë prezente një dukuri e tillë, teksa bajraku i Kthellës ishte kaluar nën juridiksionin e Prefekturës së Matit, së bashku me Lurën. 

Vigu, Gjegjani, Fushë-Arrëzi, Bazi, Kalori e Ungreji, Fani me ikje ardhjet e veta nuk u larguan nga Mirdita për arsye natyrore apo ekonomike. Ato u ndanë administrativisht, ndërsa lidhja historike dhe identitare mbeti e pandryshuar. Pikërisht këtu qëndron paradoksi i sotëm: Mirdita gjykohet si e dobët mbi pasojat e një copëtimi të vjetër politik, ndërkohë që çdo përpjekje e dukshme për ta përfaqësuar dhe mbrojtur duket shpesh më shumë simbolike sesa reale, një “përgjumje” e lobimit lokal që e lë fatin e Mirditës, të varur nga vendime të jashtme.

Prej vitesh kam theksuar një realitet që duket sa simbolik aq edhe domethënës: ashtu si Shqipëria rrethohet ngado me shqiptarë, edhe Mirdita rrethohet ngado me mirditorë. Kufijtë administrativë ndryshuan, por njerëzit, tradita dhe përkatësia nuk ndryshuan kurrë.

Historia shpesh ka ndjekur të njëjtën logjikë: kur bashkësitë e forta nuk mund të nënshtroheshin të bashkuara, ato ndaheshin. Copëtimi ishte mënyra më e lehtë për të dobësuar një trup të vetëm shoqëror. Kjo ndodhi me shqiptarët në Ballkan dhe, në një përmasë më të vogël, edhe me Mirditën brenda Shqipërisë.

Sot reforma e re territoriale ka përpara një zgjedhje: të vazhdojë mbi një realitet të trashëguar nga vitet ’50, ose të ketë guximin të korrigjojë një padrejtësi historike. Sepse pyetja nuk është nëse Mirdita është e vogël, por nëse ajo është lënë qëllimisht e tillë.

Një ribashkim administrativ i trojeve historikisht mirditore nuk do të ishte nostalgji, por rikthim i një ekuilibri natyror zhvillimi. Një Mirditë më e plotë do të kishte më shumë potencial ekonomik, më shumë kohezion social dhe më shumë siguri për të ardhmen e saj administrative.

Në të kundërt, rreziku është i qartë: një Mirditë e tkurrur artificialisht mund të konsiderohet nesër e paqëndrueshme dhe të përthithet nga një njësi më e madhe, duke përmbyllur përfundimisht një proces që nisi shtatë dekada më parë. Në këtë situatë, fuqia e çdo lobimi lokal bëhet vendimtare dhe çdo mungesë aksioni apo “gjumë” institucional mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për fatin e një Mirdite tradicionale dhe historike.

Reformat territoriale nuk janë vetëm vendime teknike. Ato janë vendime historike. Dhe ndoshta kjo është koha që Mirditës t’i hiqet më në fund një “dënim” i vjetër administrativ duke e parë jo si një njësi që duhet shpërndarë, por si një krahinë që historia dhe njerëzit e saj e kanë njohur gjithmonë të bashkuar.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest