Nr 17 i revistës “Mirdita” ka mbërritur në Mirditë gjatë mesditës së sotme. E dizenjuar dhe e prodhuar nga shtypshkronja “Lena Grafik” në Prishtinë, kjo revistë vjen si një numër special enciklopedik në të cilin janë të përmbledhura të gjitha figurat më të rëndësishme mirditase që ndër shekuj i bënë nder jo vetëm trevës së origjinës, por edhe mbarë kombit. Enciklopedia e Mirditës brenda konturit të njohur të të Revistës “Mirdita”, është një punim prodhur e cilësi të lartë në shtypshkronjën e mirënjohur në Prishtinë, me pronar dhe administrator mikun e intelektualëve të mbarë kombit, z. Hajdar Fejzullahu. Punimi grafik i revistës “Mirdita 17” është realizuar nga Venera Alshiqi.
700 ekzemplarët e “revistës 17” erdhën në Mirditë shoqëruar nga vetë prodhuesi i saj z. Hajdar Fejzullahu, shoqëruar nga shkrimtari dhe poeti Dan Ibrahimi, poeti dhe miku i hershëm i mirditasve Raif Gashi, art-desing Venera Alshiqi si dhe lektorja e Lena Grafik, znj Florentina Pajaziti. Pjesë e këtij eventi të rëndësishëm për SHKA Mirdita, ishte edhe anëtari i këshillit botues dhe bashkpunëtori i mirnjohur i “Mirditës” Mr.sc Murat Ajvazi dhe bashkëshortja e tij, ardhur enkas nga Zvicra për të marrë pjesë në ceremonitë përcjellëse të këtij numri.
Në qytetin e Rrëshenit vëllezërit nga Prishtina u pritën nga drejtuesit e SHKA Mirdita dhe përgjegjës për botimin e revisës Mirdita, Kryetari i SHKA Mirdita z. Pjetër Marku dhe Kryeredaktori i revistës, “Mirdita” z. Aleksandër Ndoja.
Të ardhurit nga Prishtina kanë vizituar Kishën e të Shëlbuemit në Rubik dhe u njohën me historikun e kësaj Kishe, si edhe me “Kupën e Paqes” simbol i bashkjetesë dhe bashkëpunimit mes besimeve fetare, e cila ndodhet në oborrin e saj. Më tej aktiviteti promovues është zhvendosur në ambientet e “Eko-Marub” në fshatin Katund i Vjetër, Rubik.
Po çfar e bën më të veçantë Revistën 17, le të njihemi e editorialin e saj.
Editorial i “Mirdita 17”
Çfar e bën edhe më të veçatë numrin 17 të Revistës “Mirdita”
Çdo numër i Revistës “Mirdita” ka rëndësinë e vet. Të gjithë janë vlerësuar maksimalisht në përcjelljet e tyre para publikut, si në rastet e promovimeve në sallat e jo pak prej kryeqyeteve të kulturës mbarëkombëtare, por edhe në daljet e saj online, apo nga kalimi dorë në dorë i revistës. Ndërsa ky numër duket se ka një veçanësi tjetër, ka një mision tjetër. Në pamje të parë mendohet se është marrë me vehten, sepse pothuaj e gjithë lënda e saj përmbledh emra të shumtë që me pendën e tyre dhe mendjen e ndritur i kanë dhënë emër Mirditës ndër shekuj. Por “gjeografia” mirditase që përmbledh kjo enciklopedi tejkalon çdo hamendësi. Emrat nisin në një kohë shumë të hershme, deri edhe të ditëve tona. Nuk ke se si të mos impresionohesh me punën e stafit redaksional për të evidentuar emra që kanë bërë historinë, për ti përmbledhur brenda një “çatie” të përndritur si revista “Mirdita” e që lexuesi ti ketë më të përmbledhur, ti njohë apo të ketë material të renditur, të mos sorollatet arkivë në arkivë për të gjetur materialin e kërkuar.
Pra, nëse kërkon material njohës për kontributin me pendë të artë të Atë Gjergj Fishtës, akademikut Ambroz Marlaska, akademik Zef Mirditës, aktorit me famë botërore Aleksandër Moisiu, prof. Lush Culajt, profesor Fatmir Sulejmani (Fanda), akademik Mark Tirta, artistëve Robert Ndrenika e Marie Paluca, artistëve të popullit Preng Lëkunda e Mark Kaçinari, poetit të pa përsëritshëm Gjok Beci, etj, etj, mjafton të kërkosh numrin 17 të Revistës “Mirdita”.
Por nëse kërkon të shtyhesh më tej në njohjen dhe detajet për emra të tjerë të gazetarisë dhe studimeve me origjinë nga Mirdita, si dhe gazetarët e pendës së artë të kësaj treve patjetër këtu gjen emrat e Frrok Çupit e Preç Zogaj, Ndue Dedaj e Pal Nikolli, Fran Tanushi e Nikoll Loka, Erenestina Halili e Jakin Marena, patjetër se pas daljes në qarkullim së këtij botimi duhet të kërkosh revistën “Mirdita”. Në faqet e këtij numri të revistës janë çimentuar edhe artistë të artit të penelit si Pashk Përvathi, Nehat Beqiri, Pjetër Marku etj.
Siç shihet revista Mirdita këtë radhë përmbledh kontributorë të mëdhenj në fushat shkencore, studime, poezi, aktorë, muzikantë e gazetarë.
Pra “Mirdita’ ka ditur të jetë një revistë gjithëkombëtare e cila shquhet për shërbim të spikatur ndaj kulturës e kombit. Objekti i saj kulturor dhe historik është të nxjerrë sa më në pah vlerat më dinjitoze të Mirditës në histori dhe kulturë. Janë të shumtë ata që kanë që kanë bërë emër në art, kulturë e shkencë, por ky numër është fokusuar me aq sa ka mundur në pjesën më elitare kombëtare, ndërsa nuk do reshtin përpjekjet që në të ardhmen kësaj liste ti shtohen edhe shumë të tjerë emra të merituar.
E veçanta tjetër e këtij numri të “Mirditës” e që përmbledh brenda faqeve të saj vlerat mirditase, është se jo rastësisht dritën e daljes në qarkullim do ta shohë në kryeqytetin e Dardanisë, në Prishtinë. Është shtypshkronja “Lena Grafik” që ka marrë përsipër daljen në qarkullim të këtij numri. Kjo është e veçanta mbi të veçantën, pasi Lena Grafik dhe botuesi i saj z. Hajdar Fejzullahu bujarisht kanë vendosur se ky botim do ti shtohet numrit prej më shumë se 18 mijë botimeve që kanë dalë prej duarve të tyre. Redaksia e revistës “Mirdita” padyshim falenderon përzemërsisht këtë iniciativë të tyre. Është ishte kënaqësi që numri mirditas i revistës “Mirdita” u “dizenjua” në një tavolinë të rrumbullakët me intelektualë të mirnjohur të Kosovës si Hajdar Fejzullahu, Raif Gashi, Dibran Fylli, Prend Buzhala, Lan Qyqalla, Dan Ibrahimi dhe Hashim Shala, ndërsa vajza e shkathët e dizanjit Venera Alshiqi konturonte hapat e parë të botimit të 17-të të Mirditës.
Aleksandër Ndoja/Kryeredaktor

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

