Tirana kulturore bëhet pritëse e monografisë së Krasniqit.
Prof. Dr. Kolë Krasniqi është petagog në Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës, në Kosovë. Angazhimi i tij është mjaft i vlerësuar në qarqet universitare të Kosovës, ndërkohë që disa vite më parë, pas çlirimit të Kosovës lë pas jetën shumëvjeçare akademike e qytetare në Austri, për t’ju përgjigjur nevojave të vendit të tij të origjinës, në fushën e mësimdhënies. Krahas punës shkencore dhe mësimdhënies në universitet, Kolë Krasniqi është marrë me publicistikë dhe në këtë kuadër vjen libri më i fundit i tij monografik, “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit”. Ndërsa për prezantimin e librit të tij, ka zgjedhur Tiranën, konkretisht sallën “Konstandin Shpataraku” në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Libri monografik ku evidentohet prania dhe rreziku i terrorizmit islamik jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendit e rajonit nis me një parathënie nga prof. dr. Pajtim Ribaj dhe prof. James Albrecht, US.
Të pranishmë në këtë event të rëndësishmë të Prof.Dr Krasniqi, kanë qenë figura të rëndësishme të shkencë, politikës, kulturës etj, ndër ta prof. dr. Rexhep Meidani, prof. Pajtim Ribaj, gjeneral Skënder Dodaj, profesorin James Albrecht, ish-ministrin e Punëve të Brendshme Dritan Demiraj, prof. Dr. Elena Kociaqi, dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës prof. Dr. Altin Sheganin, prof. Dr. Azem Hajdarin, kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizin, prof. Dr. Enver Bytyqi, Zuhdi Hajzerin, gjeneral Reshat Maliqin dhe shumë përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës. Në këtë aktivitet promovues dhe festiv kanë qenë të pranishëm edhe shumë miq të autorit ngaKosova, Mirdita, Lezha e Tirana.
Ndërkohë që autori Kolë Krasniqi ka vlerësuar me nota maksimale praninë në këtë event të disa studentëve studentëve të tij, por edhe të disa prej pjestarëve të policisë dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ai ka falenderuar edhe përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, të konsullit të Republikës së Austrisë nga Kosova dhe përfaqësuesit të ambasadës së Austrisë në Tiranë.
Dr. Kolë Krasniqi edhe drejtorin e Institutit të Studimeve Albanistike “Gjon Gazulli”, profesorin Nikollë Lokës, kolonel Mark Markun, profesor Mark Palnikaj dhe fisnikun mirditor Dod Lulin, për përkrahjen e ofruar vëllazërore në drejtim të organizimit të kësaj ceremonie madhështore për promovimin e librit të tij më të ri.
Një pjesë hyrëse nga libri:
Kosova dhe përgjithësisht rajoni i Ballkanit gjithmonë ka qenë territor ku janë takuar dhe janë ndarë civilizimet dhe ndikimet e Fuqive të Mëdha. Këtu është takuar dhe është ndarë ndikimi i kishës katolike romake nga ajo ortodokse bizantine, ndikimi i fesë islame nga krishterimi, ndikimi i interesave gjeostrategjike të botës lindore nga ato të botës perëndimore etj. Këto kryqëzime kulturore dhe fetare si dhe ndikime të interesave të ndryshme gjeostrategjike kanë ndikuar që në Kosovë, gjatë shekujve të kaluar të zhvillohen kultura të ndryshme rivale, kisha rivale dhe besime të ndryshme fetare, të cilat nganjëherë kanë qenë edhe kundërshtare të njëra-tjetrës.
Pavarësisht nga diversiteti fetar dhe kulturor, populli i Kosovës, asnjëherë deri me tani nuk i ka trajtuar këto ndarje ideologjike si kufi të ndarjes së vetë kombëtare në baza fetare, por gjithmonë ka kultivuar ndjenjat e harmonisë, tolerancës dhe të mirëkuptimit ndaj pjesëtarëve të komuniteteve të tjera fetare.
Mirëpo, fatkeqësisht, kohët e fundit ka filluar të sulmohet modeli tradicional i harmonisë dhe tolerancës fetare që është kultivuar me shekuj në Kosovë. Zanafilla e këtyre sulmeve shtrihet që në fillim të vitit 1992, kur në Bosnjë filloi lufta qytetare dhe Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Konferencës Islamike. Gjatë këtij viti filloi ardhja e pakontrolluar e disa organizatave “humanitare” në rajon dhe shkuarja e dhjetëra te rinjve kosovarë për arsimim fetar në disa qendra islamike të Lindjes së Afërt. Kështu disa individë dhe grupe të personave që erdhën si “misionarë” nga Lindja e Afërt, filluan veprimtarinë e tyre subversive në drejtim të nxitjes së ekstremizmit islamist dhe përhapjes se një ideologjie radikale në të gjitha territoret e banuara me popullsi myslimane në Ballkan.
Gjatë kësaj kohe ishte suspenduar autonomia politike në Kosovë dhe regjimi i instaluar diktatorial serb ushtronte forma të ndryshme të diskriminimit etnik ndaj popullsisë shqiptare. Ky pozicion kolektiv i shqiptarëve përballë rrezikut të përbashkët nga regjimi serb, ka ndikuar në fuqizimin e ndjenjave të unitetit dhe të harmonisë kombëtare dhe të “nacionalizmit shqiptar” në përgjithësi.
Me qëllim të luftimit të “ideologjisë ekspansioniste kombëtare shqiptare”, që paraqiste rrezikun serioz për stabilitetin politik të regjimit diktatorial serb në Kosovë, ishte stimuluar përhapja e ideologjisë radikale islamiste, si një ideologji konsumuese, komprometuese dhe aleate për luftimin e nacionalizmit shqiptar.
Në këto rrethana, të karakterizuara edhe me shkatërrimin e sistemit të arsimit dhe me kriza të thella sociale, ekonomike dhe politike, u paraqit radikalizmi islamist në Kosovë, i cili u zhvillua në mënyrë të shpejtë dhe të papenguar si një proces tejet dinamik duke u manifestuar viteve të fundit edhe në formën e qartë të veprimtarisë ekstremiste dhe në disa raste edhe terroriste.
Në realitet, rrethanat e paraqitjes dhe zhvillimit të ekstremizmit islamik në Kosovë janë unikate edhe nga fakti se shumica absolute e popullit shqiptar shprehin publikisht respektin ndaj të kaluarës së tyre të krishterë dhe falënderimin ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ndihmat e ofruara gjatë luftës për çlirimin e vendit dhe për përkrahjen e gjithanshme për krijimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të tij.
Me qëllim të ruajtjes së vlerave demokratike, Policia e Kosovës në bashkëpunim me strukturat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, kanë ndërmarrë një varg masash operative me qëllim të luftimit të veprimtarisë ekstremiste dhe terroriste në Kosovë. Kështu, vetëm gjatë dy viteve të fundit, Policia e Kosovës ka identifikuar 316 kosovarë, në mesin e tyre edhe dy atentatorë vetëvrasës, 44 gra dhe 29 fëmijë, që u janë bashkuar formacioneve të ISIS-it në Siri dhe në Irak. Sipas këtyre të dhënave zyrtare, Kosova në raport me numrin e saj të popullsisë, qëndron në vendin e parë në Evropë për nga numri i luftëtarëve të huaj që veprojnë në Siri dhe në Irak.
a.ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

