Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

HYRJA E FORCAVE TË NATO-S NË KOSOVË (Përjetim i një dëshmitari okular)

Nga Pirusti News
1 210 Shikime
SHPERNDAJE

Nga: HAJDAR FEJZULLAHU

Dita e shumëpritur erdhi. 12 qershori. Ora 5 e mëngjesit dhe po pritej të hynin forcat e NATO-s. Unë nga gëzimi nuk fjeta tërë natën. Nuk ishte më ajo ndjenja e ankthit se si do të dalim në mëngjes. Ishte ndryshe. Ishte emocionuese. 78 ditë ferri në jetën time i përjetova bashkë me familje mes katër muresh. Thanë se tash po pritej te futen forcat e NATOS-s, po sipas lajmeve thanë se janë futur në kufi dhe ia mësynë Kosovës. Ne mendonim se ato do të futen për dy apo tri orë. Nuk doli ashtu siç menduam, po edhe nuk e dinim. Kjo ditë m’u duk shumë e gjatë në pritje të ëndrrës së kahmotshme. NATO-ja hyri rreth orës 7 të mbrëmjes. Unë me bashkëshorten time dhe me fëmijët improvizuam një studio me zë të zgjeruar dhe e vendosëm aty në ballkon. Ay u dëgjuan pas 78 ditësh zymtësie e tmerri, kënga, zëri dhe gëzimi shqip.

 Po- ne shqiptarët festonim shqip përfundimisht.

Ne ishim në një banesë private e që nuk ishte prona jonë. Serbët dolën të tërbuar nga jehona e fjalës dhe këngës shqipe. Ne ende i kishim të gërshetuara ndjenjat e gëzimit dhe të frikës dhe nuk e dinim se cilat po dominojnë më tepër. Unë hyja shpesh brenda për t’i dëgjuar lajmet. E disi fillova ta humbas durimin dhe i kritikova fëmijët se përse filluam aq herët të festonim. Përse shpejtuam? Në realitet unë tregova shpirtligësinë time kur i detyrova mandej fëmijët që ta kthejnë studion Brenda e që ta flas të drejtën,fillova madje edhe ta urrej.

Rreth orës 15, vërejta daljen e disa qytetarëve në rrugën kryesore, në atë të Shkupit, në hyrje të Prishtinës. Në atë rrugë nuk ka pasur lëvizje as të veturave ushtarake e as policore. Shihja plot qytetarë që dilnin me lule në dorë dhe të rreshtuar. Ne prapë nga ballkoni përcillnim situatën. Serbët filluan të na shanin, ata të cilët ishin përreth banesave tona e shumica ishin serbë të ikur nga Kroacia.

U pengonte brohoritja jonë. “NATO! NATO!” U pengonte edhe zëri i studios. Unë sodisja herë tek ata, herë te qytetarët që ishin afro 350, po njëkohëhësisht shikimi më fluturonte te magjistralje e Shkupit, sepse doja të dija a po duken forcat tona ushtarake. Shiu që filloi si një furtunë e papërshkruar dhe me një errësirë të madhe, e prishi atë atmosferë dhe ne u desh të hynim Brenda. Pas shiut më nuk dolëm. Unë me vete mendova:” Mos vallë janë lotët e të rënëve? Mos po qan Luli” Uh!!!

I largova këto mendime se ma lëndonin shpirtin edhe ashtu të lodhur.  E dija se ballkoni ynë mbeti halë në sy e serbëve. Rreth orës 17 erdhi një landrover i policisë serbe dhe e shikoi ballkonin. Dhe…sërish frika ma zëvendësoi gëzimin. E dija se na përcillnin për shkak të muzikës dhe brohoritjeve të parakohshme. Më shkoi mendja që të mos rrimë aty me familje, se na kanosej rreziku. Prapë mendimet ndjellakeqe më silleshin në kokë: “ Nuk ka asgjë nga NATO-ja!” Këtë bisedë e bënim me bashkëshorten time. Papritmas u dëgjuan dy helikopterë të cilët hynë na ana e Shkupit.

Filluam prapë brohoritjet: “ NATO! NATO!” Serbët ishin sërish kundruall ballkonit tim, përndryshe edhe një serb i quajtur Dragan, drejtor i Aeroportit të Prishtinës. Dragani i thotë një vajzës së fqinjve të mi: “Thuaji atij fqinjit të mos gëzohet kot se këta janë rusë” Ev,ev! Edhe unë me një zë të madh ia ktheva: “ Këta janë NATO,NATO!!! Thuaji Draganit”! Dragani më dëgjonte mirë sepse ishim shumë afër ballkoni me ballkon. Ajo vajza mbeti e hutuar dhe doli jashtë pa folur asgjë sepse nuk kishte faj. Ishte në dilemë se si duhej vepruar.
Sërish u kthyen dy helikopterë të stilit “ Banane” (kështu i quanin).

 O Zot! Ushtonte Prishtina dhe prapë gëzimi: NATO! NATO! 

Serbët filluan ta njohin tashmë frikën dhe mossigurinë sepse i shihnin humbjet e tyre. Shanin nëpër dhëmbë të tërbuar. “ Do t’ua presim kokat” na drejoheshin me zë të çartur. Ne nuk flisnim fare se e dinim që do të kemi pasoja në ato momente kritike kur ata e shihnin se fitorja është jona.  Afër kishim një pompë të benzinës, te rrethi i spitalit. Aty u stacionuan katër pizgauerë të ushtris angleze, me atë shkronjën e madhe “V” e që ne nuk e dinim se ishte shkronja “Viktoria” e ushtrisë angleze. Afër pizgauerëve ishte parkuar edhe një veturë e policisë serbe, ku policët serbë as që i përshëndetën ushtarakët e NATO-s. E po si t’i përshëndesnin kur e dinin se ata nuk kanë vend më në mesin tonë? Unë vetëm atëherë e kuptova se këta janë NATO-ja. Ne atë natë u larguam nga banesa jonë se nuk ndjeheshim të sigurt. Shkuam në katin e pestë te Hetem Merofci. I trokita në derë dhe u përshëndetëm duke e shprehur gëzimin për ardhjen e NATO-s. Megjithatë, nata ishte ende natë joshqiptare për ne dhe nuk e ndjenim gëzimin e duhur se forcat serbe silleshin ende nëpër qytet. E kaluam disi atë natë.

Unë i tregova Hetemit për ndodhin e studios dhe vëzhgimin e policisë në ballkonin tim. E pashë që edhe atë e kaploi një dozë frike. Rreth orës 5 të mëngjesit Prishtina ushtonte nga tanket, ushtri me plot armatim. Dhe… shpëtimi ynë mu në Prishtinë. Në qytetin tonë. O nuk di si ta përshkruaj atë gëzim! I them simes shoqe që të vishemi në mënyrë solemne për t’i përshëndetur e për t’u uruar mirëseardhje shpëtimtarëve tanë. Me vete morem edhe tufë lulesh. Lule pra, se po lulëzonte vendi ynë. Dorën në zemër,lulet i morëm nga ballkonet e disa të të ikurve tashmë. U nisëm drejt tek ushtarët e NATO-s që nuk ishin më larg se 150 metra. Serbët bënin sharje nga më të ndyrat, po ne nuk ua vënim veshin. Kur u futëm në zonën ushtarake, na doli një oficer para dhe na përshendeti në mënyrë ushtarake. Ai vërejti buqetat e luleve dhe veshjen tonë solemne, por për çudi, na u drejtua ne serbishte. Eu, eu, i them bijës sime, le t’u tregojë se babai nuk di serbisht. Ai mbeti i habitur që ne nuk e njihnim serbishten. Jo,i tha Vlora, bija ime sepse ajo e dinte ngapak anglishten. Ai na e ktheu me një kërkim faljeje duke u sqaruar:

– Kërkoj falje, por ne kemi informata si duket të gabuara.Na kanë thënë se shqiptaret janë të mbuluara, dmth me shami. Unë te ju shoh elegancë dhe jo mbulesë. Tani, nëse keni dëshirë,mund t’i takoni ushtarakët tanë, me këto lule dhe t’u dëshironi mirëseardhje. Me gjithë dëshirë-ia ktheva unë, po ne kemi dalur pikërisht për këtë qëllim.Vazhduam dhe u falënderuam për atë që kishin bërë për ne në Kosovë, ndërsa rreth nesh kishte përplot media botërore, me të cilët edhe u përshëndetëmTop of Form

TAKIMET E PASLUFTËS ME FAREFISIN DHE DHEMBJET E LUFTËS

Pas vizitës që ua bëmë ushtarakëve shpëtimtar të NATOS, u kthyem  duke ecur, duke lëvizur lirshëm sërish, sërish nëpër tokën tonë dardane. Po, po, o gjakpirës se kot na mbajtët nën thundrën tuaj. E huaja, jotja nuk bëhet kurrë. E po tani ik në theqafje.Unë lëviz lirshëm dhe ti mbathja me të katra nga ke ardhur. Në Karpate, pra. Kështu flisja dhe bluaja mendime në kokën time tashmë të lehtësuar nga tmerret e atyre ditëve. Po sa e sa herë në ato net të llahtarshme kam ëndërruar se fluturoja nga gëzimi dhe tani ajo ëndërr u bë realitet. Unë ecja lirshëm me familje drejt banesës sime. Po ishim thjesht të hipnotizuar nga barbarët. Ata silleshin si në tokat e tyre shekullore dhe luanin me ne, por ja tani ershi kundërsulmi. Them unë, çdo gjë kthehet në këtë botë. Unë ecja rrugës me kokën lart dhe kisha përshtypjen se edhe toka gëzohej nga hapërimi im i lirshëm me familjen time. U gëzova që nuk kisha harruat të ecja pas tërë asaj kohe. Shkuam në banesën tonë e që ishte pronë e huaj. Harrova t’ju them se rrugës na shanin serbët duke na quajtur tradhtarë që shkuam ta përshëndesnim NATON. Ne tashmë e përjetonim gëzimin dhe nuk na bënin përshtypje sharjet e barbarëve.

Dola në ballkonin tim të marr frymë lirshëm, ta shikoj qiellin e hapur, të mos kem frikë nga e nesërmja. Pas një kohe jo fortë të gjatë,te dera ime u shfaq fqinja ime Zorica. O sa me gëzim tani e prisja atë moment. Më erdhi si ta kisha ftuar vetë unë. Isha i stërmbushur me fjalorin tim të mbytur në amulli deri atëherë. Ulu, i them teto Zora dhe tani dëgjomë mirë se çfarë të them! Të them o fqinje se ky regjim millovisheqian i ndyrë, kjo ushtri juaja e fëlliqur, kjo stërvinopoilici, kurrë më në trojet tona me çizme të përbaltura nga mëkatet ndaj pafajësisë shqiptare, nuk do të marrë as erë në Dardani. Përshëndetuni! Ti si fqinje je treguar shumë e lig me provokimet tuaja të paskrupullta. Mos mendo se nuk i vëreja sytë e tu të stërmbushur me urrejtje ndaj nesh. Mirë, ti je një grua e moshuar dhe unë nuk do të bëj presion siç bëre ti te ne, por të them zhduku përgjithmonë nga dera ime, se nuk dua të të shoh. Zorica pra, ajo e presionit që më bënte, më erdhi dita ta dëboj lirshëm nga dera ime dhe të mos kem frikë nga ngulitja e tytës së sllavit të ndyrë në qafën time.

Nuk kisha më frikë se do të përfundoja si Luli im i mirë dhe të thoshin se vdiq nga rryma. Eh, po ku ka rrymë më të rrezikshme se ju, o të mallkuar! Gëzimi në familjen tonë kishte hyrë brenda në shpirtrat tanë dhe na i përqafonte fytyrat radhazi. Tani ishim ata që mezi prisnim ta takonim ndonjë të njofshëm dhe të rrëfeheshim për ngjarjet tona. Prishtina filloi të merrte një tjetër pamje dhe tjetër atmosferë. Serbët filluan ta ndërrojnë gëzofin dhe të sillen më ndryshe, më ëmbël, si burra të urtë dhe të kujdesshëm. O Zot, çfarë aktorësh në skenën jetësore, por ne ishim ata që nuk u besonim. Braktisja e Dardanisë filloi të evidentohej dukshëm nga ana e tyre. Iknin nga vendi i krimeve të tyre. Po, po, iknin për në Serbi. Pas tri ditësh më thirri një mik i cili merrej me tregti të materialit librar dhe zyrtar. Kishte lajme se kanë ardhur ushtria jonë diku në periferi të qytetit. Më ftoi që të shkojmë së bashku në Kolovicë dhe ta takojmë UÇK-në. O Zot, a jam në ëndërr?

Gëzim pas gëzimi. Po unë mezi prisja që t’i takoja. U nisëm për te miku dhe ai kishte mbushur bagazhin e veturës përplot gjësende që t’ua dhuronte atyre. Rruga ishte plot dhembje.Vetura të djegura, shtëpi, zymtësi dhe erë baroti e tymi. Ishin akoma të freskëta. Kur u afruam afër, e pamë flamurin tonë kuq e zi të ngritur. Zemra sa nuk më dilte nga vendi. Përmbahesha nga loti i gëzimit. E po le të shpërthejë i thashë vetes se edhe burrat qajnë. U ndeshëm në dy roje dhe na pyetën në e kërkojmë dikë. Miku R.T. u tha se e kërkon bacën Jakup. Na thanë se aty ishte, por ishte shumë i zënë. Miku im u tregoi se ua kishim sjellur disa materiale që janë të nevojshme për ta. Ata e informuan bacën Jakup Krasniqi dhe mesazhin. Ne ju kërkuam që mundësisht të na e jap ndonjë ushtar sepse ky miku kishte depot në bodrumet e e Rilindjes ku deri ne ate kohe i kishin shpëtuar pa ia djegur serbet. Ushtarët e UÇK-së na u falënderuan përzemërsisht, por na thanë se nuk kanë mundësi të na japin ndonjë ushtar sepse na i burgos KFORI. Ne ngelëm aty deri në orën 18 dhe terri kishte filluar ta tregonte veten. Ishte ende kohë e pasigurt dhe ne morëm rrugën e kthimit edhe pse pak ishim të zhgënjyer. Mua më përcolli miku im deri te ndërtesa sepse ende ishte një lloj kohe e luftës. Ende ishin tri palë ushtri: NATO-jaSerbia kohe lufte prishtina ishte me tri pal ushtri NATO , Serbija dhe UÇK-ja. Të nesërmen, diku me 16 qershor marrim lajmin shumë të hidhur ku u vranë katër djem te rinj, njëri prej tyre ishte djali i një mikut tim Iljaz Berishës. O sa dhembje ndjeva për këto fidante të reja! Dhe prapë pikëllim…Gëzim, pikëllim, trishtim dhe truri ishte trajnuar për këto ndjenja që ndryshonin nga momenti në moment.

Po atë ditë në katin e pestë ishin tubuar te Hetem Merovci disa fqinj, një turk i quajtur Iskenderi, burri i asaj Bahrës, Dragani dhe Heta. Më kishin ftuar edhe mua që të bisedonim për fatin e prishtinasve. Ngrisnin gotat,por nuk festonin. Gjëmonin! Kur më pyetën,unë pa hezitim ju thashë se ata që i kanë duart e lyera me gjak shqiptari, nuk është mirë të qëndrojnë këtu fare, por të ikin sa më shpejt dhe ta harrojnë përgjithmonë Prishtinën. Prishtina do të marrë pamje krejtësisht tjetër dhe këtu do të vijnë qytetarë që nuk dinë fare serbisht. Mendoj se isha i qartë, ju thashë. E Dragani që më thoshte se NATO-ja! I thashë Draganit se ja ku i ke rusët dhe le të të mbrojnë. Nuk e foli asnjë fjalë, vetëm uli kokën se kishte hallet e veta, nga t’ia mbante.Turk Iskenderi u thoshte fqinjve se janë prishtinas dhe nuk bën të ikin. Prishtina do të jetë tjetër Prishtinë, u thashë unë, por prapë ju vendosni. Ata filluan të interesohen për “ biletat e ikjes” deri në Beograd. Aty filova ta kuptoj se ata që janë të përlyer, po ikin ngadalë. Në Prishtinë fillojnë të arrijnë disa fshatarë të shumëvuajtur që kishin ndenjur 18 muaj në mesin e tyre. Në këtë kohë në derën time troket një mik i quajtur Halil dhe atë troket rastësisht në derën time. Shikoheshim në heshtje mes vete se na ra takim i papritur. Hajdar, ti je- më tha.Po Halil- unë jam dhe u përqafuam përmallshëm. Çdo ritakim pas luftës ishte me emocione gëzimi, dhembjeje dhe krenarie. Filluam bisedën rreth familjarëve, rreth kohës dhe vuajtjeve në ato ditë të mundimshme të luftës, kush është vrarë, kush ka mbijetuar, nga kanë shkuar e sa e sa pyetje tjera sepse nuk kishim asnjë informatë për familjarët tanë nëpër Drenicë.Me frikë pyesnim se kush është vrarë se nuk na pëlqente. Halilit ia sigurova një banesë në Breg të Diellit dhe e luta që një pjesë të familjes sime që ishin te afërt të halilit ,t’m’i sillte në Prishtinë. Halili vërtet shkoi të nesërmen dhe ashtu ndodhi. Të nesërmen një burrë nga Gradica erdhi me një furgon.

E para që më erdhi, ishte motra ime me të pesë bijat e saj e njëjtë edhe atë e akomodova në një banesë në Breg të Diellit edhe pse në një banesë fare të vockël. E sa filluam të çmalleshim me motrën time! Serbët ikën dhe boshatisën shtëpitë e tyre. Boshatisën edhe ato të shqiptarëve ku ishin vendosur gjatë luftës. O Zot, sa të akomoduar ndiheshin ata barbarë, por ja se nuk ju zgjati shumë ai akomoditet. Shqiptarët pa kulm mbi kokë e të dëbuar nëpër male,pa ushqim. Jo,jo, koha nuk punon gjithmonë për armikun.

Unë fillova ta pyesja motrën time radhazi për të gjithë se a janë gjallë nga kjo luftë e pabarabartë, po edhe ajo nuk I dinte të gjitha nga kjo tragjedi kombëtare. Dikur motra më tha: O vëlla,mos u mërzit se e kanë vrarë edhe Izerin tonë, djalin e xhaxhait tim. Izer Fejzullahun !!! Të birin e axhës Çaush! Ahuuuu, Izer vëlla, po edhe ty të mori plumbi i gjakpirësit! O Izer, po sa bukën e ndamë në të njëjtën sofër e ti na paske ikur pa lamtumirë, pa zhurmë, pa bujë, pa ceremoni mortore! Po ishim moshatarë dhe u rritëm bashkë. Bashkë kishim ruajtur bagëtinë, bashkë kemi ngrënë misërnike me ndonjë copë djath.Eh, Izer, Izer, të paka marrë në gji dheu i tokës nënë, tokës dardane.O Zot, qava si fëmijë. Nuk doja,por lotët shkonin rrëke. Qielli m’u përmbys nga ky lajm.

Motra më tregoi edhe për vrasjen e prof. Enverit, prof.Murat Halitin, profesorin e historisë dhe ca kushërinj të tjerë. Po, po, ishin të gjitha këto dhimbje të mëdha.Nuk i duronte dot shpirti i Enverin e kam pasur edhe kushëri,edhe shok klase. Duke e njohur bagazhin e tyre atdhetar,nuk mund te ndalesha së qari, me zë,me zemër, me shpirt. Ndjeja dhembje të madhe,por edhe krenare. lodhur. Motra më tërhoqi për dore duke më ngushëlluar dhe duke më thënë se lufta I ka këto. Ajo nuk meremeton,por merr. Ata ranë që ne të jetojmë të lirë.Mos loto,vëlla.Loti e rëndon idealin e tyre. E dija se ka të drejtë, e dija se ashtu është pikërisht,por përpara më vinin fytyrat e tyre të buzëqeshura. Nuk mund të pajtohesha.

Pasi që e akomodova motrën, u nisa për në banesë goxha i mërzitur. E dija që më prisnin disa punë,disa obligime të mia morale. U ktheva në banesë,u takuam me Halilin dhe i tregova për Lulin e mirë. Kërkova nga Halili që të shkojmë bashkë në banesën e Lulit të vrarë dhe ta shikojmë vendin e vrasjes së tij të kobshme. E gjeta letërnjoftimin e Lulit të vrarë. E mora afër vetes,në gjoksin tim në shenjë përkujtimi në të dhe m’u duk se e pashë të gjallë. Ishte kjo ditë e 18 qershorit dhe unë u ndesha edhe njëherë me Lulin e dhembjen ndaj tij,në banesën e tij njëdhomëshe. E mor Luli,edhe gjaku yt na e solli këtë liri…

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest