Edhe në katedralen e Rrëshenit, e Shtuna e Madhe e Shenjtë e Pashkëve ka nisur sonte në ora 21.00 me një meshë të drejtuar nga mons. Gjergj Meta. Qindra besimtarë të qytetit të Rrëshenit dhe zonave përrreth, kanë mbushur Katedralen para orës së lajmëruar për Meshën e Shenjtë të Pashkëve, në pritje të fillimit të ceremonisë.
Në hyrje të Katedrales me drita të fikuar në zbatim të ritit meshtar, monsinjor Meta ka vijuar me ndezjen e qiriut të madh, ndërkohë vajza të reja shpërndanin qirinj për sejcilin besimtar që i drejtohej Katedrales. Në pëputhje me ritin ceremonial bëhet bekimi i dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji, simbole që kanë një domethënie të madhe biblike, që tejkalojnë kufijtë e historisë e të kohës. Një tjetër simbol, është QIRIU i madh, i bardhë që ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve. Është Qiriu që përfaqëson e simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes, Dritë që ndodhet midis historisë së vjetër e historisë së re të njerëzimit, është Alfa e fillimeve metakozmike dhe Omega e metahistorisë, simbole të Fjalës së Hyjit që është para të gjitha kohërave dhe që i mbyll të gjitha kohërat, ndërsa data e vitit, e gdhendur në Qiri të Pashkëve, 2015, na tregon se Jezu Krishti rrënjoset thellë në historinë e përditshme, në historinë tonë të sotme, krah për krah me njeriun, për të fituar mbi errësirën e mëkatit, të vdekjes, të pakuptimit, të dhunës, të egoizmit, të asgjësë që josh çdo krijesë, të akullsisë së shpirtit.
Sipas ritit të liturgjisë së Dritës të Natës së Pashkëve, Qiriu i Krishtit të Gjall, zhytet në ujë të bekuar për të simbolizuar frytet e begatshme të Shpirtit Shenjt, në mënyrë që të krijojë bijë të tjerë të Hyjit me anë të Pagëzimit, Sakramentit të rilindjes sonë shpirtërore. Diakoni, duke marrë Qiriun e madh në dorë, simbol i Dritës së Ngjalljes së Krishtit, gjithnjë sipas ritit të liturgjisë së kësaj Nate të Pashkëve, përshkon Kishën të zhytur në errësirë dhe me zë të madh i kumton asamblesë së besimtarëve të pranishëm Ngadhënjimin e Jezu Krishtit mbi vdekje. Është momenti kulmor i lajmërimit të Ngjalljes së Krishtit. Kështu, Kisha na fton t’i dëgjojmë fjalët që lajmërojnë fitoren e Krishtit të Gjall mbi vdekje, që kumtohen në çdo Kishë për të gjithë.
Më tej Kremtimi i Natës së Pashkëve ka vijuar me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re si një afresk gjigant i “historive të mëdha të familjes”, që nga tregimet e krijimit, nga tregimet e ndrojtura të fillesës deri në vizionet e profetëve dhe në thirrjet e Shën Palit për t’u bërë “njerëz të rinj”.
Mesha e Madhe të Shenjtë e Pashkëve, po vijon edhe në këto momente me interesim të gjerë, pasi është mesha e parë e Pashkëve që po udhëhiqet nga mons. Gjergj Meta nga fillimi ushtrimit të detyrës si Ipeshëkev i Dioqesëz së Rrëshenit.
a.ndoja


@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

