Lisa Milicaj është një ndër emrat më të njohur të komunitetit shqiptar në SHBA. Jo vetëm puna e saj në shërbim të komunitetit shqiptar, por edhe mbiemri i saj që mbart me krenari, flasin shumë. Milicaj është mbiemër i njohur edhe në Mirditë, natyrisht në krahinën e Fanit, por edhe në Kosovë, kryesisht në Klinë, Jagodë dhe Berdosan. Është emri që kanë lënë të parët e saj, e natyrisht Ajo, në gjurmët e tyre nuk ka se si të mos reflektojë një Lisë emërmirë dhe aktiviste të pa lodhur në shërbim të komunitetit të bashkatdhetarëve në SHBA.
Për të kuptuar më mirë se kush është Lisa Milicaj mjafton të lexosh një minibiografi në faqen “Albanian American, Success Stories” e cila citon se: “Shqiptaro-amerikanja Lisa Milicaj është zyrtarja e parë e zgjedhur në shtetin e Nju Jorkut. Ajo është zgjedhur këshilltare e Bashkisë në qytetin Pllasente Valley, qytet ky me 10 mijë banorë dhe rreth 3500 shtëpi, i formuar ne vitin 1821 e që shtrihet ne luginën e lumit Hudson, ne Dutchess County. Lisa, ka lindur ne SHBA, si bijë emigrantësh nga Kosova, ku është shkolluar dhe sot mban diplomën master në lëmin e sigurimeve. Me nje punë te zellshme dhe konsekuente Lisa ka arritur të ketë nje biznes mjaft stabil te sigurimeve për më se 14 vite, dhe njeherit të jetë qytetare aktive ne qytetin Pleasant Valley. Lisa me punë të palodhshme, siq thotë edhe ajo vet, me nje vetmohim te pashoq dhe një konsekuence aktive, arriti ta realizojë ëndrrën amerikane….”
Por Lisa Milicaj ka përfituar edhe vemendjen e kandidatit, tashmë president i konfirmuar i SHBA-ve, Donald Trump. Në kulmin e fushatës elektorale kandidati Trump citonte një status të saj në Tëitter, ku shkruante mbi mbështetjen që ajo i jep Republikanëve dhe Trump:
E vërteta duhet thënë, kurrë nuk kam dëgjuar për “National Revieë” derisa ata “u përpoqën” të deklarojnë luftën kundër jush. Por s’ka problem, ju tashmë e morët votën time, shkruante Lisa drejtuar Trump.
Siç thuhet edhe në rubrikën “Histori Suksesi” Lisa edhe pse ka lindur në SHBA flet shqip, vetë ajo njeh shumë mirë historinë e të parëve të saj, njeh rrënjët e të parëve nga Fani e nga Kosova, prandaj ajo është prezente ndër të tjera edhe me vizita në Shqipëri dhe Kosove.
Kastriot Kola (Milicaj) thotë se kam ndjerë emocion që nuk mund të shprehet, kur jam takuar për herë të parë në Lezhë me motrën time, bijë e derës Milicaj, Lisën e cila pak kohë më parë erdhi në Lezhë në shoqërim të bashkëshortit të saj, veprimtarit të mirnjohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, i cili u nderua me medaljen e lartë “Nderi i Kombit”.
Lisa është e martuar me një bisnesmen të mirnjohur në SHBA, Harry Bajraktari i cili ka qenë jo vetëm mbështetës për Lisën, por edhe një vprimtar i pa lodhur i shqiptarëve të përtej oqeanit.
Po cila është lidhja e Lisa Milicit me Mirditën dhe Berdosanin.
Jak Milicaj, babai i Lisës ka qënë i pari në këtë familje që ka mbërritur në Amerike në vitin 1968. Mbërritja e tij në vendin e lirisë ishte e detyrueshme edhe për arsyen se rregjimi serb mbante Kosovën nën dhunë e terror. Jaku kishte lindur më 1940 në fshatin Jagodë, ku aty nisi shkollën fillore e më pas këtë e vazhdoi në Zllakuçan. Por ende pa mbushur moshën 28 vjeçare mundi të prekte ëndrrën ameriakne. Jo shumë kohë më vonë Jaku arrit të marrë edhe prindrit e tij në Amerikë, për tu integuar përfundimisht në hapësirën amerikane, ndërsa familja e tij shtohet me tre fëmijë, Luk e Nik Milicaj si dhe vajzën Lisa Milicaj.
Historia e kësaj dere shtyhet me tej në histori, ku gjithmonë spikat rezistenca ndaj së keqes dhe levizjet e shumta. Siç shprehet Ndue Përlleshi, Familja Milicaj gjatë viteve 1900- 1913 ishte ndër familjet më të mëdha në rrethin e Dushkajës, përkatësisht në fshatin Berdosan, me 72 anëtarë të familjes, ku zoti i shtëpisë ishte gjyshi i Jakut, Shyt Milicaj. Gjatë vitit 1913 Berdosani, si shumë vise të tjera shqiptare, bie nën sundimin e Malit të Zi të Kral Nikollës, i cili i bënte presion kësaj familje të madhe ta ndërronte besimin, nga ai katolik në atë ortodoks.
I zoti i shtëpisë Shyt Milicaj në mbështetjen e trimit legjendar Bajram Currit dhe çetave shqiptare që vepronin asaj kohe në Dukagjin, në asnjë mënyrë nuk lejoi që familja e tij si dhe mbarë Dushkaja të konvertoheshin në besimin ortodoks. Ashtu nga shtypja e dhuna që i bëhej kësaj familje, e tëra shpërngulet në Shqipëri në fshatin Qarr të Hasit si dhe në Xhuxhë të Fanit, prej nga edhe kishte prejardhjen e vet të hershme.
Ukë Milicaj si anëtar i kësaj familje iu bashkangjitet luftëtarëve të Bajram Currit në luftë kundër Qeverisë së Kral Nikollës, në rajonin e Dukagjinit e deri në çlirimin e Shkodrës. Pas shpërnguljes së kësaj familje në Shqipëri, bandat dhe hordhitë malazeze dogjën dhe shkatërruan çdo gjë që kjo familje kishte krijuar me mund e djersë. Pas këtij shkatërrimi në vitin 1915 e gjithë familja Milicaj kthehet në Berdosan, të cilët me punën e tyre filluan riparimin dhe vazhdimin e jetës nga fillimi. Më 1918 pas Luftës së Parë Botërore, Kosova bie nën sundimin e Serbisë. Në Berdosan në një konflikt vritet oficeri i lartë ushtarak serb Vuk Majstorovic. Serbia në shenjë hakmarrje djeg të gjitha pronat e familjes Milicaj dhe të tjerëve, duke lënë çdo gjë të shkretëruar. Pas këtij shkatërrimi të dytë brenda 5 viteve nga pamundësia e rimkëmbjes, i zoti i shtëpisë Shyti duke mos parë zgjidhje tjetër shpërngulet në Lug të Drinit, konkrietisht në fshatin Jagodë. Shyti me veti merr të vëllain Ndoun dhe mbesen Mirën, të bijen e Prek Milicajt, i cili ishte vrarë pabesisht në mullirin e familjes në Berdosan. Në Jagodë kjo familje jetoi prej vitit 1920- 1951. Gjatë këtyre viteve jetuan edhe në fshatin Radulloc për t’ iu shmangur ngatërresave me serbë. Më 1951 Gjergji me vëllain e tij Lleshin u vendosën në Zllakuçan të Klinës, ndërsa Gjon Milicaj mbet në Jagodë.
Përgatiti: Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

