-Dhe më tej…e publiçistit Gjergj Marku. Një rrëfim gjysëmorësh para 7 viteve me gazetaren e shquar të TVSH-së për vite e vite, Violeta Gjoka –
Si fjalë e parë-rrëfim për gazetarin-shkrimtar
E lind dheu patriotin apo patrioti bashkëlind në të njëjten ditë, e lind gazetari pasionin apo pasioni bën gazetarin, qytetari ciceronin e tokës së tij apo dheu rrëfen vetiu në gojë e shkrim…
Këto asosacione kam njëmendësuar pas rreshtave të lexuar të publicistikës së Gjergj Markut.
Shpaloset në gazetarinë e tij, ngjizur me letërsi, i gjithë dimensioni gjeografik e historik, rishtar e real, njeriu në të mirë e të keq, shteti dhe individi, gojëdhana e kronika, problemi dhe emocioni, shpaloset Mirdita, dheu i të parëve të mi dhe mijëra grimca të jetës sonë shqiptare.
Rubiku, Lura, Nënshejti, Shna Ndoj, Bulqiza, Burreli, Spaçi, Puka, Tuzi (Vitoja), Prizreni, etj., janë gjeografi e njohur për një gazetar, por pasionanti e sjell si histori të jetuar, me background e personazh, herë si reportazh udhëtimi e herë si reportazh natyralist, një herë si artikull problemor e tjetër herë si skicë, gjithkund në penë është ai, por kurrë si vetëqëllim. Rrëfimi i tij, si stilistikë, priret drej vlerës, asaj që nuk duhet humbur assesi…dhe i bën një nder të madh fëmijës tim, që dëgjon dinastinë e mrekullive të dheut të gjyshit e mijëra lexuesve të tjerë.
Sepse gazetaria dhe çdo mjeshtëri tjetër, për mua këtë ka alterego, të tregojë të vërtetën siç është, bardhë e zi në kronikë, të ngrejë problemin bardhë e zi në artikullin problemor, të rrefejë në gojë të të tjerëve vlerën, të bardhën, të zezën, në reportazh. Marku ia mbërrin.
Përmes “Udha e një reporteri”, Marku hap zemrën si siparin e skenës së krijimtarisë, duke bashkuar gjithë vektorët veprues, faktorët dhe momentet e mëdha, që e sollën deri tek libri në duart e publikut, miniera si sheshi i parë i fakteve gazetareske, Sandri-bankieri që shpëtoi mikun nga rrisku, gazetaria në provincë (shënim i autorit), zyrtar në Mirditë, janë koleksioni i artefakteve biografike të rrëfimtarit në vetë të parë…
Virgjna e Gëziqit, i ngjan një muzeu etnografik, historik e kulturor, rrënqethës për nga fabula, i kahershëm për nga mosha e i përditsuar për nga mesazhi, 105 –vjecari që ther rrugën në këmbë për tre orë, për të marrë pensionin, personazh me jetë në kufinj tre shekujsh, si lundra që bashkon skajet e maleve përkundruall njëri-tjetrit, jetëgjata drej Ginnes, nanë Dila, që flet uratët mu përballë kishës së Shënapremtes, taksisti gjerman me biçikletë rrugëve malore të Ballkanit, Gjon Mark Ndoj, si emblemë e vuajtjeve njerëzore, Graf, ”Krajlica e malësorëve” në kohët moderne, janë personazhe e tipare direkte, por elegante. Gazetari propozon një pamje të vetme dhe të përqëndruar, ndërsa shkrimtari nën zhguallin e të vërtetës, i mbush me figurë letrare , duke u futur si padashur në qerthullin gazetar-shkrimtar.
Raste të tilla bashkëjetese kemi parë me Heminguejn e Balzak, Zola e Fallaci; ndodh që edhe Marku t’i marrë shoqërisë “hua” lëndën e parë, burimin që prej andejmi të nxjerrë produktin mbushur me detaj. Shkrimtari ka një qëllim, një ide kur shkruan, gazetari, gjithashtu. Marku nuk i ndan të vërtetat në dy gjysma, por dy gjysmat e të vërtetat i bashkon në një realitet që shijohet si rregull e parim (gazetari) dhe katarsis e frymëzim (letërsi). Togëfjalëshi i Markut nuk mban erë kafeje bari, mban djersë e pluhur minatori, rrëzëllin si paret në qafen e nuses mirditore, thellon si rrudhat e flokëbardhëve që takon rrugëve me pluhur të krahinës së tij…. Ama, armën e përbashkët të letërsisë e gazetarisë, ai nuk e hedh nëpër udhëkryqe: Fjalën!
Marku gati-gati e nis rrëfimin si një parahyrje romani autobiografik ose si një autoskicë, autoportret, si një monolog letrar e si një revistë televizive për vehten. Kjo ndodh, sepse ai vjen tashmë i sprovuar në fushat e mësipërme, atje ai ka mprehur fjalën dhe e sjell tashmë si dëshmi të vetëdijes profesionale….momenti kur mund të tregosh për të tjerët..
Më tej, në një tjetër ndarje ai portretizon njerëzit që i qëlluan bashkëbisedues e shënjues të mbresës së tij, më pas ndalet një hop në reportazh. Në vijë lineare, kupton se autori mbetet peng i autoritetit të thellë e të paparashikueshëm të letërsise dhe pushtetit real të gazetarisë, mes kohëzgjatjes e përkohshmërise, mes realitetit dhe prodhimit të botëve alternative,duke mos transportuar faktet apo territoret. Është një lloj gazetarie që zhvillohet brenda fakteve,duke shprehur sferën e padukshme që rrethon një histori, pa tradhëtuar narracionin e duke folur për stil e kreativitet.
Marku ka gjetur vendin e mënyrën për t’u shprehur, kohën e momentin për të treguar, metrazhin e filmit të tij jetësor e profesional…. tani i mbetet lexuesit….
Erenestina Halili
Dr e Shkencave Filologjike
Tetor 2011

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

