Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Abacia e Oroshit, Mesha dhe festime në përkujtim të Pajtorit të Mirditës, Shën Llezhdri

Nga Pirusti News
3 402 Shikime
SHPERNDAJE

Në ditën e dytë të aktiviteteve me rastin e ditës së Shën Llezhdrit, epiqendra e festimeve është zhvendosur në qendrën e abacisë së Oroshit, në Kishën e cila ka një histori të spikatur dhe të njohur nga cilido. Lëndina përpara Kishës së Oroshit, në një diell pranveror ishte mbushur që herët nga qindra banorë të Oroshit, të cilët banojnë aktualisht në këtë zonë, por edhe shumë të tjerë që janë larguar prej kohësh në Tiranë, Lezhë etj. Ata kishin udhëtuar për të qenë sot në vendin e shenjtë, aty ku njëri ndër figurat më të shquara të kombit, Abat Preng Doçi ka zhvilluar një aktivitet të jashtëzakonshëm patriotik në shërbim të Atdheut.

Më herët aty kishte mbërritur Ipeshëkvi i Dioqezës së Rrëshenit Imzot Gjergj Meta, i cili kishte programuar një Meshë të Shenjtë në përkujtim të pajtorit të Mirditës, Shën Llezhdrit.

Mesha është ndjekur nga një numër rekord besimtarësh, aq sa nuk kishte asnjë vend të lirë apo ndonjë mundësi tjetër qoftë edhe në këmbë. Në këto kushte, një numër i madh banorësh ka qëndruar jashtë, në ndjekje dhe në pritje të përfundimit të meshës. Pas përfundimit të meshës, Ipeshkëvi Gjergj Meta i është bashkuar festimeve që kishin organizuar djemtë e Oroshit, nën drejtimin e z. Bib Gjomarku.

Ceremonia festive në qendrën e Abacisë Orosh

Në fillim të ceremonisë ka përshëndetur z. Bib Gjomarku. Ai ndërmjet të tjerave ka thënë se dita e sotme është pikënisja e një feste tradicionale mirditore, pas një shkëputje prej 80 viteve. Ai pasi ka konfirmuar se kjo festë do të shënohet në çdo vit në Orosh, ka ftuar Paulin Gegën dhe grupin e tij, për të prezantuar këngën më të re për Oroshin, me tekst të Fran Laskës dhe orkestrim të Edmond Zhulalit. Koncerti ka vijuar me një përshëndetje dhe këngë nga këngëtari Gjon Frroku dhe me tej me performancën e një grupi artistik të Shkollës “Ndrec Ndue Gjoka” të Fanit, përgatitur nga mësuesi Fran Përshqefa.

Pak histori për Abacinë e Oroshit.

Abacia e Oroshit ka qënë një nga qendrat benediktine kishtare më të famshme të vendit e më gjërë. Sfinksi monumental dhe kryekre i lashtë i katolicizmit në mbarë trevën. Ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë që u sakrifikua aty, siç na bën të mendojmë ndonjë gojdhënë.
Mungada e Malit të Shejtë kishte 72 mungarë. Juridiksioni i Mungadës shtrihej mbi një tokë të haptë fort, qi kishte për kufij Dejën, Matjen, Lurën e Kuksin, Duket se është e vërtetë se zakoni me i bartë të vdekunit e “bajrakëve të Mirditës” qysh prej Mnelës largët ka vijue deri tash vonë. Kujtohet edhe një keshtjellë që naltohej mbi mahallë të Vilës. Ai vend i shejt u rrënua nga Turqit. Sot prej gjithë atyne pronave të kuvendit të mungarëve kanë mbetë në këmbë vetëm rrënoja muresh.

Ansambël kishtar i kompozuar në mënyrë prefekte, që përbëhej nga rrënoja kishash historike, si: abacia antike, kuvendi i madh benediktin, qela e fretnëve, kisha e Shëlbuemit, kisha e Shën Gjergjit, kisha e Madonës së Kuqe (Zojës së Bekuar), kisha e Shën Gjon Pagëzuesit, kisha e Petkut, qela e Oroshit, Arka e Shejtë, lterët, kumbanoret, rezidenca verore e Abatit, shkolla, etj. Një dekor plot hijeshi e madhështi, një “qytezë” e rrallë e krishtërimit me një dyzinë objektesh kulti të kohëpaskohëshme.

Abacitë e Shëlbuemit në Rubik, Shën Mërisë në Ndërfanë dhe Shën Llezhdrit në Orosh, ishin qendra të rëndësishme Benediktinësh, dhe përbënin qytezat e pathyeshme të katolicizmit roman në Mirditë.

Kisha e Shën Llezhdrit e vendosur përmbi malet e Mirditës, e cila është abaci e mitrueme është kishë shumë në za ndër këto anë, me rentë të madhe, dhe me nderim të madh.

Dokumenti i parë i Abacisë së Shen Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit është i vitit 1319. Sipas letrës së Johhanes(Gjonit) XXII, Abacia e Shën Lleshdrit (Sancti Alexandri diocesis Albanensis) ishte pjesë e peshkopatës së Arbërit, edhe para vitit 1319.

Për përcaktimin e territorit të peshkopatës së Arbërisë, na ndihmon vendndodhja e tre kishave të cilat sipas dokumentacionit janë nën juridiksionin e kësaj peshkopate. Në vitin 1166 nën aktin e njohur të shugurimit të Shën Trifonit në Kotor përmendet abati i kishës së manastirit të Shelbuemit në Rubik (Sancti Salvatori Arbanensis) që cilësohet i tillë për tu dalluar nga ai i Tivarit, gjithashtu i pranishëm në këtë ceremoni. Manastiri i dytë është ai i Shen Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjte (Agjios Oros), abacia që njihet në dokumentacion me emrat “San Alexandri Maior de Albania”, “Sancti Alexandri diocezis Albanensis” e cila duhet dalluar nga manastiri tjetër i Shën Llezhdrit të Bokianit, i njohur ndër dokumenta me emrin “San Alexandri di Collematia” në vartësi të peshkopatës së Lezhës. Ndërtimi i tretë është kisha e Geziqit që me të drejtë është njësuar me “Sancta Maria di Trafandina in diocesis de Albania.

Të tre këto ndërtime siç ka treguar Shuteriqi për rastin e Geziqit, e përcaktojnë qartë shtrirjen e peshkopatës katolike të Arbërisë në krahinën e sotme të Mirditës, duke e kufizuar në perëndim me malësinë e Lezhës. d.m.th me Peshkopatën e Lezhës, në veri me krahinën e Pultit dhe peshkopaten omonime, në jug e lindje me territoret e Peshkopates së Stefaniakes dhe asaj të Krujës. Përsa i përket selisë peshkopale, duke u nisur nga rëndësia e abacisë së Oroshit në këtë trevë dhe nga fakti që ajo disa shekuj më vonë përmendet si abaci mitrale, ne mendojmë se selia duhet kërkuar pikërisht në Shën Aleksandrin e Malit të Shenjtë. Peshkopata e Arbërit duhet të jetë krijuar me territore e kisha të Peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht dhe asaj të Stefaniakes. Në këtë fakt duhet kërkuar rrënjet e grindjes ndërmjet peshkopatës së Arbërisë dhe asaj të Lezhës për 12 kishat, që e mësojmë nga letra e vitit 1407 që Venediku i dërgon Papës të shtyrë nga ndërhyrja e Gjon Kastriotit.

Sipas një studimi të botuar në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1938, në shek. XIII, në Malin e Shenjtë, kishte një ndër qendrat kryesore familja e Blinishtëve (një ndër familjet më të përmendura të Arbërisë në shek. XIII – XIV). Zotërimi i familjes Blinishti shtrihej ndërmjet lumit të Gjadrit dhe abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë (S.Alexander de Monte).

Me 20 prill 1367, papa Urbani V, emëron si abat të manastirit benediktin të Shën Mërisë së Rotecit në dioqezë të Tivarit, Aleksin prej Arbënit, mungar benediktin i kuvendit të Shën Llezhdrit të Malit (S.Alexandër de Monte).

Në vitin 1426 abati i abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë (S.Alexandër de Monte) ishte i nënvumë i Selisë së Shejtë. 11)
Gjerak Karaiskaj në librin “5000 vjet fortifikime në Shqipëri”, përmend edhe abacinë e Malit të Shenjtë, si një ndër qendrat e rëndësishme kishtare që në prag të pushtimit osman ishte e fortifikuar.

Në vitin 1436 duke u kthyer nga toka e shejtë, kalon nëpër Raguzë, i biri i princit Prengë. Ky është kujtimi i parë i titullit princ, të cilin edhe sot e mbajnë kryetarët e Mirditasve katolikë, të cilët prej kohësh shumë të vjetra ishin në influencë shumë të fortë të abatëve të Shën Llezhdrit (Sanctus Alexandër de Monte) mbi Malin e Shejtë. Preng Nikolli, kreu i Mirditës, pas një takimi me krerët e tjerë shqiptar në Edrene, kishte ardhur për t’u takuar me Gjon Kastriotin.

Manastiri i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjtë (Sanctus Alexander de Monte, Sanctus Alexander Maior), ka qënë qendra shpirtërore, politike dhe ekonomike e krahinës së Mirditës.

Monumenti më i rëndësishëm i peshkopatës së Arbërit mbeten rrënojat e Abacisë së Shën Llezhdrit në majë të Malit të Shenjtit, ndërtuar dhe rindërtuar disa herë gjatë shekujve, djegur dhe rrënuar disa herë nga turqit dhe herën e fundit nga komunistët në vitin e marrëzisë, 1967. Ato kanë qenë gjatë shekujve vend nderimi dhe pelegrinazhesh për të krishterët e Shqipërisë së Veriut. Udhëtarët dhe studiuesit e huaj, që e patën vizituar në fund të shekullit XIX, flasin, ndër të tjera, edhe për dy kryqe të vjetra, njëri me datën 1447, me mbishkrime latine dhe dhuruar nga Pal Dukagjini, sundimtar i krahinës, ndërsa tjetri, më i vjetër, me relieve dhe shkrime bizantine, që tregon për periudhën më të hershme të manastirit.

Kryqi i argjendit që Pal Dukagjini i dhuroi Abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh, në vitin 1447,që njihej si “kryqi i madh”, është ruajtur në Orosh deri në vitin 1898, në këtë vit u dogj pas një zjarri në abaci. U fotografuar nga konsulli A.Degrand në vitin 1890. Në kryq sipas një studimi të botuar tek revista “Leka”, kishte një mbishkrim latino-bizantin: “1447 a di 7 agusto, questa crosi fecie fare Sinor Polo Duchagin in tempo di predetto signor e di Piro Ducha, e mi Niksa Adamovic” (1447, me 7 gusht, këtë kryq urdhnoj të bahej zotni Pal Dukagjini në kohë të të sipërthanunit zotni e të Pjetër Dukës, e unë Niksa Adamoviç e bana) “.

Sipas mbishkrimit kryqi u punua nga Niksa Adamoviç, që ishte nga Raguza.
Mbishkrimi ka një rëndësi të madhe historike. Në të përmenden dy përsonazhe të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë. Pal Dukagjini që ishte sundimtar i krahinës së Dukagjinit. ku perfshihej edhe krahina e gjërë e Mirditës, dhe Pjetër Duka (Përlati), abat i abacisë së Shën Llezhdrit në Orosh. Sipas Gjon Muzakës, “zotërit e shtëpisë së Dukagjinëve kishin nën sundim vendin e quajtur Zadrima dhe vendet e quajtura Fandi, dhe ca fshatra që emërtohen Mali i Zi dhe një vend që quhet Pulti dhe Fleti, e që sot të gjitha quhen krahina e Dukagjinit”.

Në fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985 shkruhet se “zotërimet e familjes së Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Veriut nga Zadrima e Sipërme deri në Ndërfandinë dhe në bashkimin e Drinit të Zi me të Bardhin.

Me njësinë krahinore Fandi a Ndërfandina në shek. XIII-XIV duhet kuptuar gjithë hapsira me ujëderdhje në dy Fandat, por edhe pak më gjërë, në anën malore e deri në ujëderdhjet në Drin, mal e fushë (krahina etonografike e Mirditës).

Mbas vdekjes së Skenderbeut në vitin 1468 dhe pëmbysjes të Konfederatës së krenve e të vjetëve ndërmjet, familja e Kont Pal Dukagjinit, sunduesja e krahinës që shtrihet kah veriu, e cila tash quhet Mirditë, muer streh në këto male të Benediktinëve në grykë të Shën Lleshit afër Oroshit, e cila mbas ksaj rrjedhje u ba qendra e qeverisë dhe kryevendi i Mirditës.

Pjetër Duka ishte Abati i njohur në histori si Pjetër Përlati, që komandoi forcat arbëreshe në mbrojten e kështjellës së Sfetigradit.

Mbiemri Duka duhet parë si shkurtim i emrit të vjetër Dukagjin, që është përdorur në këtë formë që në periudhën e Skënderbeut. Duke folur për një akt përfaqësimi pranë Papatit, Kristo Frashëri shkruan: ”Me këtë akt Skënderbeu në prani të Pal Engjëllit, kryepeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, të Pjetër Dukës abati i manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë, të abatit Vlash prior në Kuvendin dominikan të Shkodrës orator dhe nunc Apostolik në Shqipëri dhe në prani të dëshmitarëve të tjerë, të mbledhur në Shën Mërinë e Rodonit, ngarkoi Martin Muzakën, si ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë pranë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve të mbledhur në Konçistor dhe të trajtojë çdo çështje që ka të bëjë me kryqëzatën antiosmane”.

Në korrik të vitit 1439 abati Pjetër qe dërguar prej Skënderbeut dhe nënës së tij në Raguzë për të përmbyllur detyrimet financiare që tregtarët raguzanë të drithit kishin ndaj Gjon Kastriotit, i cili kishte vdekur. Në dhjetor të vitit 1447 abati Pjetër qe dërguar si përfaqësues i Skënderbeut pranë Mbretit të Napolit, Alfonsit V.

 Në një dokument të viteve 20 të shek. XV, Mirdita e sotme përmendet edhe si “vendi i Dukagjinëve”, që mund të lidhet me zotërimin e dikurshëm të kësaj treve prej familjes fisnike Dukagjini dhe me vendorigjinën e saj. Emri i dytë familjar i Dukagjinëve, Përlati, ndoshta tregon prejardhjen e hershme të tyre nga fshati Përlat i Mirditës.

Një degë e Dukagjinëve e kanë patur qendrën e tyre në Përlat, që ishte feud antik i Dukagjinit, një degë e të cilit i mori dhe emrin.
Mbiemrin Përlati, siç duket e morën se nxorën nga gjiri i familjes disa klerikë të lartë. Pavarësisht se krijuan emër të madh, Përlatajt e ruajtën mbiemrin Dukagjini si tregues vijimësie të origjinës fisnike. Siç ndodh me familjet e mëdha, ata e shtuan mbiemrin Përlati, për të treguar identitetin e tyre të ri si Dukagjinë të Kthellës.

Në një dokument të vitit 1402 botuar nga Milan Sufflay në “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, Vol II”, përmenden Pal dhe Tanush Dukagjini, të cilët ishin nga familja e Dukagjinëve dhe mbanin mbiemrin Përlati. 28)

Përgatiti: Aleksandër Ndoja
Orosh 13 Maj 2018

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest