Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Frrok Çupi/REVISTA KA NJË MIRDITË…Editoriali i “Mirdita-19”

Nga Pirusti News
2 986 Shikime
SHPERNDAJE

Revista” Mirdita” është në radhën e shoqeve të rralla që ka bota:

“..Do të jetë si revista ‘ Merkuri i Francës’, që u botua në Francë në shekullin 17. “Merkuri i Francës’ ishte revistë e shkencëtarëve, nuk ishte revistë militantësh të verbër. As “Mirdita” deri më sot nuk është e tillë. Mirdita nuk ka shkencëtarë, por ka etjen për shkencë. Fillimisht do të shkruajë historinë që ia kanë fshehur regjimet që nga kapitujt mbi ‘ardhjen’e Krishtit dhe mbi vlerën për ‘ dinastinë e gjakut’…”

Nuk ka ndonjë gabim në titull. Mënyra më e zakonshme do të ishte të shkruhej “Mirdita ka një revistë”, siç jemi mësuar me “korrektësinë” e lodhshme.

Por në fakt mënyra më e drejtë është të thuash se “revista ka një Mirditë”. Revista jonë e shquar  ka një fat të jashtëzakonshëm, se ka një ‘Mirditë’ me pasuri të pafund. Duket se Zoti, sidomos ‘zoti’ i Fridrih Niçes, këtu ka vënë drejtësi alias ‘Perëndi e të varfërve’. Kur e pa Mirditën të varfër, me shkëmbinj e gurë më shumë se me tul toke; zoti i dha një pasuri tjetër gjigande: Në njërën anë i dha fatin e të qenit mesi i hartës së një kombi shumë të veçantë mes Lindjes e Perëndimit, mes Islamizmit dhe Vatikanit, si dhe burra të mençëm e të  ndryshëm nga burrat e botës. Kjo e mbushi me ngjarje këtë krahinë të pasur vlerash…

Në një ironi të tmerrshme, me siguri ironi e hartuar nga ata që e dashurojnë Mirditën deri në kockë, varet një tregim tjetër për krahinën. Tregimi ka të bëjë përsëri me pasuritë e Mirditës. ‘Zoti që e zhveshi nga ‘tuli i tokës’ i dha Mirditës- thuhet në këtë tregim-  dy lumenj, njëri i akullt, tjetri i ngrohtë. Të dy- thonë se zoti ua dha mirditorëve, me qëllim që kush nuk i rri besës dhe nderit, kush e humb mendjen dhe kombin, të ketë vend ku të mbytet…”

Atëherë bëj pyetjen:

A është më me fat që Mirdita ‘ka një revistë’, apo është e lumtur Revista që ka “Mirditë”? Jam gazetar dhe gazetaria është qenia ime e dytë; e prandaj mund të them se nuk ka begati më të madhe për Revistën se sa ka Mirditë… Nuk dua të jem patriot debil si shumica e ‘patriotëve’ që janë debilë të frustruar; dhe prandaj dua të bëj pyetje tjetër: ‘Po sikur revista të kishte Lushnjë ose Tepelenë, ose Roskovec?”. Mjerë ajo redaksi që do të drejtohej prej meje, vallë ku do t’i gjente vlerat qw ofron Mirdita për revistën e vet!

Në Tepelenë do të gjenin një kryetar të Parlamentit, komunist primitiv, tani 70 vjeç që sot e kësaj dite nuk e thotë dot fjalën ‘prokurori’,  por prapë e thotë ‘prekurori’ njësoj si në ditët e fëminisë kur ruante dhitë në Progonat. Një gazetar i vogël i revistës do të kishte shkruar se ‘krahina jonë ka nxjerrë kryetarin e Kuvendit. Revista do të ishte ndotur e do të ishte turpëruar për gjithë jetën.

Kurrë, në historinë e kombit, nga Mirdita nuk u zgjodh një njeri që të vihej në krye të Kuvendit ose të Qeverisë… Zot na ruaj!,- si mund të ndodhte kjo. Mirditëne kanë urryer të gjitha regjimet, komuniste e demokrate, dhe prandaj nuk ia dhuruan këtë turp. Se do të zgjidhnin ndonjë ‘Gramoz’ dhe do të turpërohej revista duke i bërë portretin…

Po Mirdita i ka ndërtuar vetë zotat e vet. Vetëm tetë dekada pas rënies së dinastisë së Gjergj Kastriotit ngriti dinastinë e Gjomarkajve. Në këtë truall për herë të parë në vend u vendos Krishtërimi, lart në Malin e Shenjtë. Krahina e vetme që shqyu hartën e Perandorisë Otomane, doli prej saj si shqiponjë dhe e vuri veten në Perandorinë e Romës. Mirdita, djepi i Gjergj Fishtës, Prend Doçit, Nikollë Kaçorrit… Këta burra do të kishin fshirë çdo ofertë të pistë të regjimeve për t’i bërë kryeministra e kryetarë. Kryetarë të mendjes së kombit u bënë jo me poshtërimin e regjimeve, por prej vetes. Mirdita u kthye në Republikë autonome dy herë…

Këtë Mirditë ka Revista, dhe është me fatin e gjithë botës. Se po të mos kishte këtë Mirditë, revista jonë nuk do të ishte kaq e rëndë, kaq e pasur, kaq e ndritur. Me siguri do të ishte njollosur siç janë njollosur mijëra revista e media që kanë pasur pas vetes kriminelë, ose trafikantë, ose perversë, ose qeveri të ngrefosur e antinjerëzore…

Revista” Mirdita” është në radhën e shoqeve të rralla që ka bota: Le te marrim tre shembuj:

  • Në radhën e revistës britanike ‘Gentlament Magazine’, ose “Revista e Zotërinjve”. Ajo është revista më e vjetër, e botuar për herë të parë në vitin 1739. Ngjashmëria me revistën Mirdita?…  Sepse të dyja janë ‘revista zotërinjsh’. Botuesi i saj ishte Edward Cave; revista jetoi 200 vjet, deri në vitin 1922. ‘Mirdita’është botuar nga piktori Pjetër Marku, një ‘lord’ i artit i lindur në hijen e Gurit Nus, si një Skoci e vogël. Kur të mos jetë Pjetri, do të jetë revista, sepse revista ka Mirditën…
  • Do të jetë si revista ‘Merkuri i Francës’, që u botua në Francë në shekullin 17. “Merkuri i Francës’ ishte revistë e shkencëtarëve, nuk ishte revistë militantësh të verbër. As “Mirdita” deri më sot nuk është e tillë. Mirdita nuk ka shkencëtarë, por ka etjen për shkencë. Fillimisht do të shkruajë historinë që ia kanë fshehur regjimet që nga kapitujt mbi ‘ardhjen’e Krishtit dhe mbi vlerën për ‘ dinastinë e gjakut’. Jean Loret, një gazetar legjendë, ishte edhe gazetari i parë i revistës franceze. Me ‘Mirditën’nuk kemi pse të kërkojmë gazetarin e parë’, sepse nuk ekziston. Gazetari i parë ishte ose piktor, ose historian, ose… Po, mirë, s’ka gjë, le të ketë edhe nga këta, sepse kohë në kërkim të personalitetit po kalojmë.  Revista e ndihmon këtë proces njerëzor.
  • Si revista ‘Harper, që doli në Shtetet e Bashkuara në mes të viteve 1800; Harper ishte mujore që fitoi shpejt popullaritet. Interesat kryesorë që tërhiqnin lexuesin ishin skicat me libra, poema, histori, ngjarje politike dhe diskutime për shoqërinë… A nuk të duket se po flasim për revistën tonë? Një komb a një krahinë a një fis që ka një revistë, ky është kombi ose fisi ose krahina e ndriçuar në mendje dhe krenare mes shoqesh. Edhe mes tre shoqeve që solla pak më parë…

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest