Nga: Aleksandër NDOJA
Njëzet vjetë më parë, Kol Mirdita sëbashku me qindra bashkluftëtarë po çante shtigjet e “Rrasës së Zogut” në malet që ndanin dy pjesë të të njëjtit trung. Sipas bashkëluftëtarit të atyre orëve tragjike dhe po aq historike, z. Nik Frroku, ata dhe grupi i tyre ishin të ngarkuar përplot me armë. Teksa kryenin ritualin e zankonshëm të atyre kohëve historike, në shtigjet hyrëse për në Kosovë, te Rrasa e Zogut, në natën e 9 korrikut të vitit 1998, u zhvillua një luftë e ashpër në mes të forcave serbe dhe grupit të luftëtarëve te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë errësirë nate, forcat serbe kishin zënë priten duke zbrazur breshëri të predhave prej armatimeve të gjithëllojshëm të shoqëruara me projektilë të ndriçimit verbues, ku qëllohet për vdekje Kola i Ndrec Mirditës.
Ndërsa sot sheshi”Abat Doçi” i Rrëshenit është tejmbushur me emocion të pa përshkrueshëm, teksa Kola i Ranocit, i kthehet më madhështorë se kurrë, Mirditës së parëve të tij.
Lajmi se bashkia e Mirditës kishte vendosur të nderojë dëshmorin e kombit mirditasin Kol Mirdita, kishte bërë që sheshi “Abat Doçi” tre a më shumë orë më para të mbushej me qytetarë të shumtë nga Mirdita, Tirana, Klina, Prishtina, Peja etj. Në shesh erdhën gjenerale dhe bashkluftëtarë, deputetë e ministra, Ish Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kampioni ndërkombëtar Luan Krasniqi, udhëheqësi i luftës, luftëtari trim e i paepur Aton Çuni me origjinë mirditase nga Kthella, sot deputet i Kosovës. Në ballë tyre ishte burri i urtë e fjalëpak, Ndrec Mirdita, babai i dëshmorit të kombit, me origjinë nga Spaçi. Ndreca shoqërohej nga familja e tij e madhe, djemtë Vilson e Nikson Mirdita me familjet e tyre nipa e mbesa. Klina prihej nga kryetari i saj Zenun Elezaj të cilin e shoqëronin dhjetra klinas të mirënjohur, bashkluftëtarë dhe bashkqyetarë, por edhe biografë të dëshmorit si Pal Canaj, Prenk Gjetaj, Lek Mrijaj, Dod Ndrecaj, Mikel Gojani, Vilson Culaj dhe shumë të tjerë. Ndërsa nga Prishtina kishin udhëtuar për në Rrëshen për të marrë pjesë në këtë cermoni edhe Hajdar Fejzullahu, botues i “Lena Grafik” veprimtari Murat Ajvazi me banim në Zvicër, Dan Ibrahimi poet, por dhe luftëtar i UÇK-së, veprimtari tjetër nga Prishtina me banim në Kanada Halil Gashi, e shumë të tjerë.
Një ceremoni e llogaritur në detaje, ashtu siç e meriton një dëshmor i kombit, për të cilën është punuar me shumë përkushtin nga një staf i bashkisë Mirditë, nën kujdesin e Sandër Lleshit, Gjergj Markut e Vilson Mirditës.
Ceremonia.
Ka nisur me ekzekutimin e hymnit kombëtar. Qindra pjesmarrës kanë “ndalur” frymën për pak minuta. Më pas skena është “pushtuar” nga zëri kumbues i këngëtarit Ilir Shaqiri i cili çon peshë “Abat Doçin” me këngën kushtuar Kol Mirdites.
Pas pak grupi i fëmijëve që shoqërojnë këngën, dalin nga skena dhe me lule në duar drejtohen për tek familjarët e Kol Mirditës. Më tej ceremonia ka vijuar me përshëndetjen e Kryetarit të Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj. Z. Dedaj ka falenderuar të pranishmit për pjesmarrjen në këtë aktivitet ceremonial, ndërsa ka vijur më tej me arsyet e e çuan në marrjen e vendimit për t’i akorduar stemën e artë të bashkisë Mirditë, dëshmorit të kombit Kol Mirdita.
Ndrec Dedaj bëri një përshkrim të figurës atdhetare dhe patriotike të Kol Mirditës duke theksuar se:
“Kjo ditë korriku do të mbetet e shënuar në memorien e Mirdites pasi po nderojmë njërin prej heronjve të luftës për liri e pavarësi të Kosoves, Kolë Ndrecë Mirdita, po kujtojmë e vlerësojmë sakrificën e tij sublime, i cili dha jetën për çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovën.
Jam këtu me emocionet e drejtuesit të bashkisë Mirditë, që ju dha rasti ta bëjë një nderim të tillë në zemër të Mirditës me miq te vyer që gjenden në këtë solemnitet
Ne nuk do te donim kurrsesi që të kishim jetë të humbura nga lufta; do të donim që njerëzimi të jetonte ne paqe dhe në mirëqenie të plotë, por kur bëhet fjala për Kosovën martire, që vuante prej një shekulli nën zgjedhën serbe, dhunën e vazhdueshme, vrasjet kolektive deri dhe foshnjat në bark të nënës, historia thërret heronjtë për t’i dalë zot fatit të popullit të tyre.
Njëri prej heronjve të Kosovës është pikërisht Kolë Ndrecë Mirdita, i cili që në lulen e rinisë, në moshën 22 vjeçare, luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kombit të vet, duke u ngjitur si përmendore në qiellin e lirisë, e tashmë duke e soditur që nga lart ëndrrën shekullore, Kosovën shtet të lirë dhe të pavarur
Pse pikërisht ky nderim bëhet nga bashkia Mirditë?
Mirdita dhe Kosova janë të lidhura fort që nga thellësitë e shekujve; kam parasysh faktin se ky truall, ky popull, ka marrë e dhënë në mënyrën më unike me Kosovën dukë ndarë fate të përbashkëta, kryesisht me Rrafshin e Dukagjinit
Lugu i Drinit, ose Mirdita e vogël, siç quhet ndryshe, eshte shquar ndër luftëra për liri; aty jan ngritur çeta me luftëtarët e lirisë, qe drejtoheshin nga Pjeter Çeli apo i famshmi Zefi i Vogel, Zef Gjidoda apo Pjetër Ramaja, që me bekimin e At’ Engjëll Palaj, iu bashkuan çetave te Isa Boletinit, e ku ndër beteja historike është shënuar ajo me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në qendrën shpirtërore të shqiptarëve në Shkup. Po në Lug te Drinit kemi qëndresën e luftëtarit të Shqipërise etnike Ndue Përlleshi.
Në këtë aradhë luftëtarësh të mëdhenj vjen dhe familja MIRDITA, me gjyshin e dëshmorit të kombit, që po nderojmë sot, familja e të cilit ishte vendosur nga Spaçi i Mirditës, në Ranoc të Lugut të Drinit.
Ashtu siç kishin vepruar të parët e tij në përgjigje të thirrjes së Kombit për Liri e Pavarësi edhe Kola, rroku armët dhe luftoi si trim me uratët e nanës në gji derisa ra heroikisht para 20 viteve tek Rrasa e Zogut në kufirin shqiptaro – shqiptar, bashkë me shumë atdhetarë të tjerë. Aty ai ka mbetur si Përmendore e Lirisë së Kombit mbarë. Kështu ne sot duke nderuar Kol Ndrecë Mirditën, kemi nderuar gjithë dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës dhe Luftën Çlirimtare të Kosovës
Të nderuar pjesëmarrës,
Askush më shumë se Mirdita nuk i ka thur vargje dhe kënduar Kosovës, udhës së saj të gjatë në luftërat e përgjakshme për Liri e Pavarësi, ndaj më lejoni ta mbyll me vargjet e poetit të madh mirditas, Gjokë Beci:
Jam Kosova e Shqiptarisë
100 vjet po i thërras lirisë
Por kërkush liri s’po më jep
Tym e flakë po më shkon kjo jetë
Boll durova, moj Europë
Kam Drenicën gropë mbi gropë
Unë jam bijë e tokës së lashtë
Qoftë mallkue o kush s’na don bashkë
Ndaj dhe sot ky nderim të na shërbejë për të qenë bashkë në udhën tonë drejt familjes së madhe europiane duke ruajtur identitetin tonë kombëtar, për të cilin luftuan e dhanë jetën qindra e mijëra shqiptarë këndej dhe m’atanë kufirit. Nderim për jetë dëshmorëve të kombit! Nderim dëshmorit tonë të dashur, Kolë Ndrecë Mirdita!” ka përfunduar z. Dedaj.
Aktiviteti ka vijuar me kumtesat e mbajtura nga studiuesit klinas Pal Cana e Mikel Gojani, të cilët kanë bërë një ekspoze të detajuar rreth aktivitetit luftarak dhe patriotik të 22 vjeçarit Kol Mirdita.
Ndërsa kryetari i komunës së Klinës z. Zenun Elezaj u shpreh në përshëndetjen e tij se: “Këtu jemi se bashku klinas dhe mirditorë, të prire nga kryetari i Komunës se Klinës, z. Zenun Elezaj dhe nga kryetari i Bashkisë së Mirditës, z. Ndrec Dedaj, për të bërë homazh në 20- vjetorin e rënies heroike të dëshmorit Kolë Ndrecë Mirdita. Heronjtë që flijojnë jetën e tyre për liri, e njomin tokën e atdheut me gjakun e tyre, që t’i japin jetë lirisë së kombit dhe, Kole Ndrec Mirdita, e derdhi gjakun nga shtati i tij i njomë, që shteti i Kosovës të ketë jetë dhe kombi shqiptar të ketë të ardhme në përbashkësi dhe kahje drejt civilizimit evropian. Ndërsa, shteti dhe kombi në përkujtimet e këtyre figurave të kësaj natyre sikur kjo e sotmja, i përjetëson heronjtë në piedestalin e lavdisë e të përjetësisë, ashtu siç po përjetësohet sot dëshmori Kole Ndrecë Mirdita, duke u nderuar me Stemën e Artë nga Bashkia e Mirditës, në krye me Kryetarin Ndrec Dedaj.
Në emër të familjes së dëshmorit Kol Ndrec Mirdita ka përshëndetur i vëllai i dëshmorit, intelektuali dhe ish ambasadori i Kosovës në Gjermani z. Vilson Mirdita. Ai fillimisht ka përshëndetur dhe falenderuar të gjithë pranishmit e sidomos nismëtarët kryesorë gjeneral Sander Lleshi, prof. Mikel Gojanin, Gjergj Markun, e veçanërisht kryetarin e bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, e homologun e tij nga Klina z. Elezaj, si dhe perkushtimin e tyre të përbashkët të cilët mundësuan që Kola të perkujtohet me këtë akademi të madhe perkujtimore, këtu në Mirditë.
Me shumë vëmendje u ndoq nga të pranishmit fjala e ish-presidentit të Kosovës, Prof.dr Fatmir Sejdiu. Presidenti tha se ishte krenar që kishte dekoruar me urdhrin më të lartë të Kosovës, Dëshmor i kombit, Kol Mirditën. Ai theksoi s se Kolën edhe pse nuk e kemi në mesin tone, ai mbetet një fanar ndriçues për ne të gjallët dhe gjeneratat që vijnë. Me sakrificën e tij dhe perkushtimin e tij, prej një familje të ndershme për të pasë Kosovëne lirë, andaj edhe si president kam marr vendimin që Kolë Mirditën ta dekoroj me medaljen e lirisë dhe të luftetarit të të lirisë “ ADEM JASHARI” andaj unë edhe nuk e kam pasë aq të veshtirë të e njoh ketë familje emblematike atdhetare e patriotike e njoha edhe më përafër nga Ismeti Rraci, Prenk Gjetaj Anton Kolaj e Hamit Krasniqi, ka përfunduar presidenti..
Ndërsa në këtë manifestim përkujtimor ishte edhe ushtaraku i lartë gjerman me një lidhje të ngushtë me Kosovën dhe heronjtë e saj. Në përshëndetjen e tij koloneli amerikan ne Gjermani, Donald Zedler tha se jam mik i kësaj familje, i Vilsonit me të cilin jami në Gjermani, por sot është dita e Kolës, i cili mbeti në moshë të re në përjetësi.
Pas përshëndetjes së shkurtër nga gjeneral Sandër Lleshi, u kalua në momentin ceremonial të akordimit të titullit të lartë nga Kryeari i bashkisë z. Ndrec Dedaj. Në skenë është ftuar babai i dëshmorit të atdheut Ndrec Mirdita, presidenti Sejdiu, ministërja Nikolla, deputeti Anton Çuni, kampioni Krasniqi. Pas marrjes së titullit të lartë, Ndrec Mirdita ju drejtua të pranishmëve me një fjalë të shkurtër dhe plot emocione. Ai ka falenderuar për akordimin e stemës së artë dëshmorit Kola Mirdita, dhe të gjithë të pranishmit për pjesmarrjen e tyre, duke i uruar për gëzime në familjet e tyre. Të pranishmit kanë ndjekur një koncert artistik me ansambiln “Mirdita” mjeshtër i madh dhe këngëtarët e shquar të hapësirës mbarëkombëtare si Ilir Shaqiri, Arif Vladi, Nikoll Nikprelaj, Gofile Papleka, Arinda Gjoni, Gjin Dona, Kastriot Kola, etj.
Më shumë për KOL NDREC MIRDITEN
Në Ranoc të Lugut të Drinit, aty ku lindi dhe u formua Dëshmori i Kombit Kol Ndrec Mirdita

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

