Nga: Aleksandër Ndoja
“…E ti udhtar që rruga të bie andej përbri Lepencit. Ndale hapin e hidhe një vështrim, a një lule, aty përbri lapidarit me qindra heronj të atyre ditëve. Aty u shuan jetë për lirinë tënde, për lirinë tonë, për lirinë e kombit…”
Tragjeditë botërore dhe zgjimi i një kombi
Tragjeditë më të mëdha botërore i mbajnë mbi “shpinë” dy luftrat më anti-njerëzore: ajo e parë botërore dhe Lufta e Dytë. Në mesin e vitit 1945, bota mori frymë më lirshëm, kur gjeneralët e asaj lufte të kobshme që shuajti nga faqja e dheut miliona të panumërt, me hir apo pahir, nënshkruan paqen.
Por edhe pse bota u qetësua dhe kombet e martirizuara nisën “luftën” për t’u ringritur, një komb në zemër të Europës së qytetëruar ende ndodhej nën kthetrat e pushtuesit — ndër më kriminalët që njeh historia.
Vetëm 54 vite më vonë, gjeneralë më të zinj se ata të “Rajhut të Tretë”, nënshkruan kapitullimin e diktuar nga lufta legjendare e një populli të etur për liri, i cili më në fund kishte fituar mbështetjen e koalicionit ndërkombëtar e antiterrorist.
Në qershorin e vitit 1999, populli i vuajtur i shqipeve mori frymë lirisht. Nuk kishte më ushtri serbe, paramilitarë arkan-zez, policë apo fshatarë të trimëruar nga pushteti famëkeq, por kishte shumë varre, shumë histori pa fund, lotë e njerëz të humbur. Por mbi të gjitha kishte entuziazëm për t’u ringritur, kur dita e shumëëndërruar kishte trokitur.
Ilir Caka dhe Mirdita
Kushdo mirditas që dëgjon këtë emër, kthen vështrimin andej nga Kthella e Mirditës, sepse ka emra të tillë edhe në Mirditë. Dhe në fakt, nuk gabon!
Se Ilir Caka i Kaçanikut është hero i kombit — hero i çdo metri në hapësirën mbarëshqiptare, pra edhe hero i Mirditës. Sepse regjimi pushtues dhe antinjerëzor i shkjaut preku çdo derë të Kosovës, masakroi çdo fshat e lagje, kreu krime nga më të pashembulltat, aq sa çdo ditë e pushtimit ka një histori, një ngjarje apo masakër për t’u shënuar në kujtesën e kombit tonë.
Historia e Ilir Cakës erdhi në Mirditë në mënyrë disi të veçantë: erdhi përmes këngës dhe vargjeve të kantautorit Nikoll Dedaj.
“Jam në Kosovë, në Kaçanik,” – më thotë Nikolli. “Po bëj një këngë.”
“Sa mirë!” – i them. E mendova si ndonjë këngë lirike, por Nikolli nuk të lë kohë për hamendësime.
“Është këngë për një hero, për një djalë të ri, për një djalë që sapo kishte festuar ditëlindjen e 17-të, kur plumbat e dorës kanibale i morën jetën…”
Mjafton të dëgjosh këtë pasazh fjalësh dhe ora ngec në vend. Cila mendje djallëzore i vendos pushkën fëmijës? Si mund të ndodhte kjo në zemër të Ballkanit, në mes të Europës që jep leksione demokracie e të drejtash njerëzore?
Por e vërteta është e vërtetë…
Kush ishte Ilir Caka?
Ilir Caka lindi më 12 prill 1982, në lagjen Cakaj të katundit Vatë, komuna e Kaçanikut. Ishte fëmija i katërt në radhë i Osman Cakës.
Në moshë të vogël filloi të merrej me grumbullimin e kërpudhave dhe punonte si cigareshitës në Doganaj. Punonte shumë e fitonte pak, por me rëndësi ishte që ndihmonte familjen.
Filloi klasën e parë me mësues Riza Elezi. Mbaroi klasën e katërt me rezultate shembullore, gjithmonë me shkëndijat e lirisë në sy.
Në moshën 11-vjeçare, Iliri shkonte në Glloboçicë, blinte cigare afër kufirit dhe përmes maleve bënte 18 km në këmbë për t’i shitur me copë. Ata që e kanë njohur, tregojnë se Iliri u bë djalë i shkathët për tregti, megjithëse fitimet ishin të vogla.
Ëndrra e tij ishte të vijonte studimet për mjekësi, por për arsye të ndryshme, kjo nuk ndodhi. Megjithatë, ai e konsideronte arsimin si parësor për jetën e tij, prandaj, me insistimin e babait, vazhdoi gjimnazin në Kaçanik, me drejtim shkencor-matematikor.
Por deri këtu… murtaja antinjerëzore serbe ndërpreu gjithçka.
Rënia e një heroi – për të mbetur në përjetësi
Ora 19:55 e datës 24 mars 1999 mbajti pezull frymën e miliona shqiptarëve kudo në botë, teksa nga baza ushtarake e NATOS në Aviano të Italisë u ndezën motorët e parë të lirisë.
Iliri, i rritur para kohe, numëronte orë e minuta, goditje dhe aksione që i shtonin emocionet në pritje të ditës së lirisë. Por ndërsa lufta e koalicionit të paqes intensifikohej, lukunia serbe, duke ndjerë fundin e vet të sigurt, kryente krime pa fund, krime çnjerëzore, nga më të padëgjuarat.
Edhe Iliri e ndjente këtë, por në asnjë moment nuk rrinte pasiv, me aq mundësi sa kishte një moshë kaq e njomë.
13 prill 1999 – dita e zezë
Vetëm një ditë pasi kishte mbushur 17 vjeç, ndodhi tragjedia.
“…Nana e puthi në ballë, duke i thënë se për me vdek e kemi radhën ne, e jo ti. Duke i fërkuar ballin, nënës i pikuan lotët mbi trupin e tij, derisa u dëgjua zëri i Jakupit, i cili thërriste Ilirin. Iliri u ngrit shpejt dhe doli bashkë me Jakupin, duke e puthur nanën në ballë në atë errësirë…”
Ata morën detyrën e rojës nga ora 02:00 deri në 04:00 të mëngjesit. Nga ora 3:15 dëgjuan se te shtëpia e Halit Kolshit po mblidheshin nga katër drejtimet forcat serbe. Jakupi, më i pjekur, i tha Ilirit:
“Unë po zgjoj lagjen Tefikaj, ti lagjen Cakaj.”
Iliri njoftoi me shpejtësi lagjen e tij, por në këtë aksion forcat serbe e kishin rrethuar. I riu që ishte betuar të mos binte i gjallë në dorë të shkjaut, u hodh në ujërat e ftohta të lumit Lepenc.
Disa breshëri të zeza e shoqëruan në rrjedhat e lumit… Duket se edhe natyra atë ditë u kishte kthyer shpinën. Binte një shi i imët e i ftohtë. Dhimbje dhe vetëm dhimbje…
Flet Osman Caka, babai i dëshmorit Ilir Caka
– Z. Osman, Kosova ka qindra këngëtarë që kanë përjetësuar veprën e heronjve të saj. Si “zbritët” në Mirditë për të ftuar Nikoll Dedajn dhe sa i kënaqur jeni me interpretimin e tij?
Përgjigje: Për ansamblin “Mirdita” nuk ka shqiptar në rruzullin tokësor që nuk ka dëgjuar. Është një ansambël që ndër dekada ka mbajtur gjallë frymën kombëtare. Ka qenë një motiv shumë i fortë në Kosovë.
Zërat e papërsëritshëm të Fran Vorfit, Fran Preçit, Mrikë Trumshit, Nikollë Dedajt, Kol Zefit, etj., kanë qenë pjesë e përditshmërisë sonë. Ndërsa poeti i këtij ansambli, që është më saktë poet i Kombit – Gjok Beci, mbetet një gur i çmuar në historinë e artit tonë kombëtar.
Në këto kushte, iu drejtova njërit prej anëtarëve të ansamblit, Nikoll Dedajt, i cili u tregua i gatshëm. Erdhi në Kosovë dhe, në shkëmbimet e ndërjella, realizuam këngën që tashmë është bërë e njohur për të gjithë.
– Ju z. Osman Caka, tash që kënga është online, si e vlerësoni realizimin e saj?
Përgjigje: Është realizuar me profesionalizëm. Është si të thuash mbushje e një boshllëku në shpirt, pasi Iliri nuk kthehet më. Me këtë këngë, e cila tashmë po bëhet gjithnjë e më e njohur në hapësirën mbarëshqiptare, Iliri nuk më përket vetëm mua dhe nënës së tij, por i përket kombit, që do ta mbajë në altar së bashku me mijëra heronj që kanë dhënë jetën për lirinë e këtij kombi.
Epilog
Teksa po i jepja dorën e fundit këtij shkrimi për ta bërë gati për botim, më vjen një ftesë e papritur për të përfaqësuar Shoqërinë Kulturore Artistike “Mirdita” në një aktivitet dyditor në Kosovë, ku pjesëtarë të ansamblit do të jepnin koncerte në Han të Elezit dhe në Ferizaj.
Në këtë mori aktivitetesh, këmbët na çojnë në vendin e mynxyrës. Ndalem anës Lepencit, ujërat e të cilit gurgullojnë tatëpjetë. Përballë vështrimit tim të dyzuar, ujërat herë më dukeshin moskokëçarës, e herë gurgullimat më thoshin me ritmin e tyre:
“Nuk patëm faj. Iliri u hodh në krahët tanë, por ne s’mundëm ta mbronim. Djallëzia sllavozezë ishte më barbare e shtazarake. Po ne e mbajtëm në krahët tanë Ilirin, e spostuam disa qindra metra nga ajo fushëbetejë e zezë, e ruajtëm që një ditë trupi i tij të pushojë i qetë në altarin e heronjve të kombit.”
E ti, udhtar që rruga të bie andej përbri Lepencit, ndale hapin dhe hidhe një vështrim, a një lule, aty përbri lapidarit me qindra heronj të atyre ditëve. Aty u shuan jetë për lirinë tënde, për lirinë tonë, për lirinë e kombit.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

