Familjaret pasardhes te atyre qe shkruan historine e kesaj greve qe pati jehone te madhe per 80 vite me rradhe, kane vendosur tufa me lule prane memorialit.
Plot 80 vite më parë, në të nxehtin e mbrëmjes së datës 7 gusht 1938 nga mali i lartë i Kulmes përballë Rubikut, zbrisnin disa “plangprishës” të cilët pasi fituan mbështetjen e rreth 400 punonjësve të tjerë, i sollën jo pak andrralla të pa prekshmes “SIMSA”, kompani italiane e cila i shfrytëzonte 13 orë në ditë me një rrogë qesharake 5 lekë në ditë. Disa më kryesorët prej tyre ishin Nikoll Bardhok Bajraktari, Ndrec Ndue Lleshi, Mark Preng Zefi, Nikoll Preng Nikolli, Bardhok Lusha, Gjergj Marena, Ndue Llesh Noka, Llesh Mark Ndoj të cilët ishin inicuesit e kësaj greve e cila do të shënohej në historinë e sindikalizmit shqiptar, si greva që provoi se heshtja nuk vlen.
Nga kronologjitë e kohës thuhet se “heshtjen” e kërkoi edhe prifti i Rubikut Padër Ceril Cani, i cili thirri në veçanti më kryesorin e këtij organizimi Mark Ndue Gegën, duke i bërë të ditur se kishin bërë mëkat që kishin lënë punën, ndaj i kërkon të rrëfeheshin sa më parë. Nga gojdhënat thuhet se Marka Ndue Gega i është drejtuar priftit të merrej me punët e Kishës se për grevën kishin dhënë besën 400 burra, e besa ishte më e shenjtë se puna, ndaj ajo nuk mund të thyhej. Madje, sipas Gegës ishte dhe “punë e gjatë” të rrëfeheshin 400 burra për “mëkatin” ndaj “SIMSA” italiane, firmë e cila prej vitesh kishte mbretëruar e qetë në Rubik.
Pa e menduar më gjatë, me 8 gusht në mëngjes 400 punëtorët e fuqizuar në organizimin e tyre edhe nga burra në zë të kohës si Ndue Geg Përlala, Gjin Mark Lleshi (Doda), Mark Preng Buba dhe Pjetër Preng Biba, zaptuan zyrat e kompanisë koncensionare, ndërsa zyrtarë të shumtë të saj dolën jashtë tyre, në tentativë për tu larguar. Ndërkohë rrethimi i punëtorëve ishte i fortë dhe i vendosur, çka detyroi administratën të merrnin kërkesat e punëtorëve për ti deleguar tek qendra në Tiranë. Kërkesat e hartuara nga këshilli i grevistëve ishin këto:
- Ulje e kohës së punës ditore nga 13 në 10 orë në ditë.
- Rritje e pagës nga 5 në 6 lekë në ditë.
- Plotësim i kushteve të punës dhe jetesës.
- Të drejtën e pushimit javor e mujor dhe e festave fetare.
- Garantimin për punë të pandërprerë të punëtorëve.
Grevistët kishin dhënë ultimatum se nëse kompania nuk i plotësonte këto kërkesa, puna nuk do të fillonte në minierë. Greva dha efekte të menjëhershme edhe te qeveria e kohës e cila përmes Prefekturës së Shkodrës njoftohej Ministri i Brendshëm për situatën e krijuar. Në kundërpërgjigje në Rubik u shfaqën 20 xhandarë për të ndaluar grevën, por vendosmëria e punëtorëve e bënë të pa efektshme çdo kundërpërgjigje. Në kulmin e protestës dhe nervozizmit ndaj heshtjes së SIMSA-s minatorët hodhën makinën e drejtorit nga ura e Rubikut në lumë. Kur u pa se punëtorët nuk po dorëzoheshin, madje nuk dukej asnjë çarje në unitetin e tyre, më 12 Gusht 1938, greva e minatorëve u mbyll duke shënuar fitoren e plotë të grevistëve.
80 vite më vonë..
Rubiku është po aty, ndërsa industria ka heshtur. Nuk janë më grevistët, por është kujtimi i tyre nga një opinion mjaft i gjerë por edhe nga pasadhësit e Nikoll Bardhok Bajraktarit, Ndrec Ndue Lleshit, Mark Preng Zefit, Nikoll Preng Nikollit, Gjergj Marenës, Ndue Llesh Nokës, Llesh Mark Ndojt, Ndue Geg Përlalës, Gjin Mark Lleshit Mark Preng Bubës dhe Pjetër Preng Bibës. Është lapidari që ka mbijetuar në të hyrë të Rubikut që sot ka përballë qindra njerëz të ardhur nga anë e anës. Të gjithë kush më shumë e kush më pak kanë lidhje më këtë ngjarje e cila ka ndodhur 8 dekada më parë.
Janë pjesmarrës pak minatorë apo metalurgë të mbetur nga armata e mbi 8000 punëtorëve që dikur punonin në sektorin e industrisë së bakrit dhe sektorët ndihmës në Mirditë, por dhe të rinj e të reja, pjestarë të ansamblit “Mirdita” (Mjeshtër i Madh), qytetarë të Rubikut, etj.
Ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit qendror, znj. Marie Doda, nënprefekte e Mirditës, përfaqësues të pushtetit vendor, ndërsa ceremonia me këtë rast ishte nën kujdesin e Bashkisë Mirditë.
Një përshëndetje është bërë me këtë rast nga përfaqësuesi i sindikatave z. Tefik Koleci
Epilogu i kësaj dite përkujtmore ishte një koncert festiv me pjestarë të ansamblit “Mirdita” ku e ftuar ishte këngëtarja e mirënjohur Ertila Koka, ndërsa në skenë është ftuar aktori i cili ashtu si para 30 viteve ne film, Llesh Nikolla me artistët e Ansamblit Mirdita, betohen ne skenë dhe me pas “”guri i beses” kalon dorë në dorë edhe nga ish-metalurgët dhe punetorët në sallën e koncerteve festive të Qendrës Kulturore “Abat Doçi” të Rubikut.
A. Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

