Kol Paci, sipas Mons. Zef Oroshit: «Fisi i im-tha-u themelue në Fishtë nga dy djem prej shtëpijës s’ime, të cilët ranë spari n’atë vend tue kerkue vrri per gjatë. Disa vjet erdhne per verime, por dikur e keputne. E pra këtu i kanë trojet e vjetra e as nji send nuk e kanë shitë as t’eger as të butë, vetem se aso kohe e më sot kemi mbetë të ndamë pa pleq pa pleqni»
“Tue përkujtue Fishtën”, titullohet dëshmia e klerikut atdhetar, Mons. Zef Oroshi, mbi origjinën e At Gjergj Fishtës (1871-1940) nga Mirdita, dëshmi e konfirmuar nga vete At Gjergj Fishta, te miku i tij Mons. Z.Oroshi në Romë në vitin 1939. Dy vite më vonë (1941) edhe plaku fisnik Kol Paci në fshatin Domgjon i Mirditës, të cilin Z.Oroshi e quan të parin e Fishtës, në shenjë metaforike, si autokton i fisit te origjinës së Fishtës, shkrim i botuar ne revistën patriotike-kulturore,
“Shejzat” 1-2 në vitin 1962, Romë, f.21., revistë e drejtuar nga Prof. Ernest Koliqi dhe Dr. Martin Camaj, që ishin miq të Mons. Zef Oroshit. Në letrën e tij , të botuar në këtë revistë, Zef Oroshi, cek kontaktin e parë me At Gjergj Fishtën dhe kur i tregon se ishte nga Mirdita. “Edhe unë nga ai vend jam, trojet e të parëve, nuk i kam shitë as falë”, i konfirmon At Gjergj Fishta, Dom Zef Oroshit, i cili dy vite më vonë shkon në Domgjon të Mirditës, së bashku me famulltarin e Kishës së Shën Markut ne Fand, Dom Nikoll Lulin, shkojne per te taku ose me u pjek (siç ceket në shkrim) me te parin e Fishtes Kol Pacin. Këtu jep edhe një përshkrim të detajuar për Kol Pacin si një burrë fisnik, të rrafshtë e të matur, të cilit kur i përmenden Fishtën, nisi me dredh mustakët në shenjë krenarie të meritueshme. Ai dëshmon para Zef Oroshit, de fisi i tij në Fishtë u themelua nga dy djem të shtëpisë së ver, të cilet ranë fillimisht në atë vend, duke kërkuar vrri për gjënë e gjallë(e ka fjalën për gjyshin e Fishtës, Simonin e Ndoc Pacit dhe kushëririn e tij Lleshin, te cilët ranë nga Domgjoni në Fishtë rreth viteve 1800 për fushim dhe ushqim për bagëtinë). Kol Paci cek në dëshminë e tij se familjarët e ramë në Fishtë, disa vera erdhen për verime(në Domgjon), por më vone u shkëputën(shkaku i vështirësive dhe problematikave të kohës), e Kol Paci vazhdon:… “e pra ktu i kane trojet e vjetra (ne Domgjon) asni send nuk kanë shit, as te egër e as te bute, vetem aso kohe e me sot, kemi mbete te ndame pa pleq e pa pleqni (nuk kanë ndarë asgjë midis tyre, vetëm se i ndau largësia dhe vështirësitë e kohës). Kol Paci ka ndërruar jetë në vitin 1951, i njohur në Domgjon dhe në krahinën e Fanit, si patriot e përkrahës i lëvizjeve të Fan S. Nolit. Pikërisht për këtë arsye ai u arrestua dhe u burgos nga xhandarmëria e A.Zogut në qytetin e Shkodës dhe fotot e historiku i veprimtarisë së Kol Pacit kanë qenë të ekspozuara për disa vite në Muzeun e qytetit të Lezhës dhe në Muzeun e Domgjonit në Mirditë. Ndërsa Mons. Zef Oroshi, i arratisur nga Shqipëria, u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndërroj jetë në vitin 1989. Ishte një atdhetar i kulluar dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare, nuk reshti kurrë duke shkruar e promovuar figurën emblematike të At Gjergj Fishtën, dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij, ka drejtuar revisten “Jeta Katolike” etj.
*Më poshtë vijon shkrimi i Mons. Zef Oroshit, në revistën “Shejzat, 1-2, Romë, 1962, f.21.
“Tue përkujtue Fishtën”, nga Mons. Zef Oroshi.
Të dashtunit Prof. Ernest Koliqi, P. Danjel Gjeçaj e Dr. Martin Camaj.
“Dishroj të ju falnderoj për grishjen dhe për shënimin e emnit tim në Komitetin e nderit me rasën e «Perkujtimit» të Poetit tanë Kombtar, At Gjergj Fishtës, në nandëdhetëvjetoren e lindjes së Ti. Më vjen keq që, marrë me udhtimet e misjonit tim, herë me fryt e herë pa fryt, nuk paçë mundësijë m’U a ndihmue nji fyshek në këte punë kaq shëjte, patriotike e, ma së forti, kaq antikomuniste. At Fishten e kam njoftë qyshë i vogel, por me komunikue shpirt-nisht me të më ra, shpesh, vetem në vjetin 1939 kur u gjet per do kohë në Kolegjen e Shën Antonit, në via Merulana, në Romë. Ishe edhe un student në Romë e shkoshe shpesh m’e pa. Aty më dhuroi të gjitha vepra e tija çka kishte me vedi, me autografe. Nder tjerat ed’ne «Gomari i Babatasit», pjesë II, botue nder ato ditë, ku shtoi me dorë të vet vjerrshat qe, per rrethana të ndryshme, botuesat i kishin lanë jashtë, me rreshta pikash. Tue shkrue, më kujtohet se tregoi njifarë shqetsimi kundra sish sepse nuk e kishin lanë si ishte dorëshkrimi. Kur i tregova se ishe nga Mirdita: «Edhe un nga ai vend jam — tha — e trojet e të parëve nuk i kam shitë as falë». Dy vjet ma vonë më ra me shkue në Domgjon (Fand) për çashtje apostullimi e, bashkë me famullitarin e vendit, atëherë D. Nikoll Luli, shkuem me u pjekë me të parin e fisit t’At Fishtës.
Quhej Kol Paci. Nji burr shtat mesatar, gjoksin e gjanë ‘e shllung me lesh, vetulla të mdhaja, ballin e naltë, me ’i kuvend rrashtë e të matun, kund, nja gjashtëdhetë vjeç. Kur i permendme At Gjergjin, nisi disi me dredhë mustakët si në shej krenijet të meritueshme. «Fisi i im-tha-u themelue në Fishtë nga dy djem prej shtëpijës s’ime, të cilët ranë spari n’atë vend tue kerkue vrri per gjatë. Disa vjet erdhne per verime, por dikur e keputne. E pra këtu i kanë trojet e vjetra e as nji send nuk e kanë shitë as t’eger as të butë, vetem se aso kohe e më sot kemi mbetë të ndamë pa pleq pa pleqni». Nga fiset të tjera të Fandit mbahej fis autokton. Shtëpijë bujare besnike e e urtë”.
Nga: Paulin Zefi

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

