Ekipi në volejboll i “Mirditës” ka shënuar një fitore të rëndësishme sonte në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë, kundër ekipit të “Tiranës”. Vajzat e drejtuara nga ish-volejbollistja e Minatorit Lindita Hoxha tashmë janë në vendin e parë me 16 pikë, duke lënë pas Tiranën me 15 pikë, Barleti-Voley po me 15 pikë, Partizanin me 11 pikë, Teutën me 6 pikë, Vllazninë me 5 pikë, Skenderbeun me 3 pikë, ndërsa në vendin e fundit është Lushnja me 1 pikë.
Ndeshja ka nisur në ora 17 me një epërsi të dukshme të Mirditës, kjo deri në pikën e 6-të kur vendaset kishin vetëm një pikë. Ra në sy një lojë e fortë dhe e përpiktë e Tucit, Gashit, Nezjat e Ruçit, por çuditërisht katër gjuajtje rradhazi nga shërbimi të Tiranës e reduktuan diferencën ne 6-5 pikë. Më pas pati një ekuilibrim të shkurtër të lojës për tu krijuar një disbalancë e re. Asgje nuk i ndalte vajzat e “Mirditës” në pikët e rradhës, duke e fituar setin me rezultatin e thellë 25:16.
Seti i dytë ka nisur me një lojë të ekuilibruar, ku furisë së Mirditës i bënin mjaft mirë ballë Shkurti i Tiranës, por edhe lojtarja e re dhe me një të ardhme të sigurtë në tapet, Xhovana Kaçorri. Ndërsa në lojën e “Mirditës” ra në sy mungesa e sulmueses Matraku e cila është dëmtuar në ndeshjen e fundit me Partizanin, duke dëmtuar një ligament. Megjithatë ekipi i Mirditës tregoi kompaktësi dhe një shpirt të fortë të garës, mbështetur edhe nga një pjesë e konsiderueshme e tifozerisë së saj që kishin udhëtuar nga Mirdita. Loja ekuilibrohet në pikën e 24, por sulmet e Tucit, e një gabim i fushës kundërshtare përmes Shkurtit, bëri që Mirdita të marrë dy pikë rradhazi, duke e mbyllur me rezultatin 26:24.
Seti i tretë është fituar nga vajzat tiranase me pikë rradhazi. Deri në pikën e 10, Mirdita kishte shënuar një pikë të vetme. Ky ishte momenti kur kemi një riorganizim të Mirditës, ku vetëm Tuci me disa shërbime rradhazi ka ngushtuar diferencën në 12 me 7 pikë. Megjithatë deri në fundin e ndeshjes shpresat nuk janë shuar, aq më tepër që Mirdita mbërriti në pikën e 22 ende pa u përcaktuar fituesi. Mjaftonte një pikë që loja të vijonte, por janë dy pikë rradhazi të Tiranës që kanë vulosur rezultatin 22 me 25.
Seti i fundit ka treguar një ekuilibër të qartë mes dy skuadrave kryesuese, por edhe një Mirditë e cila nuk lë mundësi për të lëshuar lojën. Pikët kanë qenë të barabarta deri në të 18-tën, kur ka një rrjedhë tjetër të ndeshjes. Janë pikë rradhazi të Mirditës me një lojë mjaft të ndezur dhe konkuruese. As pushimi i kërkuar nga traineri i Tiranës nuk ndryshoi asgjë në përfundimin e setit me rezultatin 25:21 dhe krejt setin me rezultatin 3:1.
a.ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

