Aleksandër NDOJA
Këngëtari i njohur i Ansamblit Mirdita (Mjeshtër i Madh), ka zgjedhur skenën e Rrëshenit për të festuar 30 vjetorin e karrierës së tij artistike, kur pikërisht 30 vite me parë debutoi si rishtar i këngës në një skenë të tillë publike. Me këtë rast ai mblodhi shokët që e kanë shoqëruar në këtë udhëtim të gjatë artistik, si nga grupi i burrave, formacioni orkestral etj.
Fillimisht skenaristi i këtij recital Gjergj Marku, kishte përgatitur një etyd filmik nga fshati ku ai ka lind, Xhuxha e Fanit, ndërsa më pas kanë vazhduar pjesët e tjera të programit të larmishëm që bënë për vete publikun duke e mbajtur në një andrenalinë të lartë për rreth dy orë.
Janë 30 vite rritje të një prej këngëtarëve më me emër në Mirditë në këto dekada. Këngëtari që është rrit sëbashku me këngën, pikërisht në këtë skenë, kur dhe doli për herë të parë para publikut para plot 30 viteve dhe për të mos e lëshuar besatimin me artdashësit përmes këngës së bukur të krahinës sonë të dashur.
Ai vinte pas 12 viteve me recitalin e dytë. Recitali i parë titullohej “Kur te kthehem”. Dukej si nje lloj premtimi aso kohe, për tu kthyer, dhe ai e mbajti fjalën. Sepse artisti rritet me këngën, dhe piqet profesionalisht gjithnjë e më shumë.
Grupi i burrave me solist vetë këngëtarin Kola (Milici), përcolli dy këngë, “Shqipja i bën apel Europës” dhe “Nanë Shqipëri të qofsha falë”. Grupi i Burrave të Mirditës ka qenë një realizim emblematik, dhe nuk ka qënë aspak e lehtë. Janë dashur përpjekje të mëdha për ta krijuar si njësi interpretuese, për hir të mendësive konservative të kohës, rrëfen në një intervistë poeti i madh Gjok Beci. Këtu janë të vlerës së lartë përpjekjet e këngëtarit mrekulli Fran Vorfi me shokët e vet, është dashur lëndë e cilësisë së lartë për ta mbajtur.
Por krahas burrave të viteve të para të këtij konstruksioni të lartë artistik, të cilët shumë prej tyre dolën këtu në skenë, ka qenë fatlum fakti i ardhjes së këngëtarëve të rinj që e kanë bartur këngën e Grupit të Burrave dekadë pas dekade, dhe njëri ndër ta Kastriot Kola (Milici), kur në festivalin e Gjirokastrës 1988 sëbashku me Bardhok Dedën kënduan këngën “Fusha e mal janë abetare”.
Pos këngëve lirike në këtë recital erdhën edhe këngë në një zhanër më të kultivuar, natyrisht, që tregojnë për një spacio më të gjërë që një këngëtar arrin përtej folkut, epikës apo lirikës tradicionale, për të hyrë në sofrën e madhe të këngës që i shërbën edhe gëzimit, edhe dasmës pa konvencion krahinor.
Me emocion u përcoll kënga Kushtuar vendlindjes Fanit, realizuar dhe me videoklip dhe shoqëruar me vallet e të rinjvë të Fanit nën drejtimin koreografik të mësuese Vera Gjoka.
Çdo artist me shpirt të vërtete artisti, e ka epje të fortë të tij, që këngën dhe muzikën e vendit të vet ta trashëgojë ndër fëmijë, nipër e mbesa. Ndaj për publikun erdhën dy fëmijët e këngëtarit Mirdita, dhe Emanueli, i cili po studion për muzikë që tani në këtë moshë, duke korrur duatrokitjet e publiket me këngën “Pushkë e cifteli”.
Pjesë e koncertit recital ishin dhe ata që përshëndetën duke filluar me Gofile Paplekën, Prena Becin si dhe humoristët Gjovalin Dushaj dhe Gjovalin Filopati, valltarët e rinj nën drejtimin e Fran Gjergjit.
Mirdita shquhet edhe për këngën e dysheve. Ato kanë marrë zë në gjithë skenat dhe sofrat e shqiptarëve. Një nga dyshet më të preferuara në këngën shqiptare janë dhe Kastriot Kola me Pavlin Kolën. Por kësaj rradhe ortaku i Kastriotit erdhi i vetëm, duke sjellë një këngë dedikuar enkas për kolegun e tij.
Dhe fundi ishte si “torta mbi qershi”, një nga këngët më të bukura për Mirditën, e punuar me merak të madh, ashtu sic e thotë dhe kënga “Jam Mirditas për merak”. Sepse Kastriot Kola ka qenë është dhe do të mbetet Mirditas për merak!
Kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj akordoi Mirënjohje për këngëtarin që ka dhënë e jep kontribut të cmuar në jetën artistike dhe kulturore të Mirditës e më tej.
Recitali u moderu me profesionalizëm të lartë nga regjisori dhe aktori Llesh Nikolla, Mjeshtër i Madh.
Më pas këngëtari, si dhe humanisti, që është mbështetës permanent i kulturës mirditase, Gjon Melyshi, (të cilit iu festu ditëlindja në mes artistëve), ndanë me artistë e të ftuar një darkë festive.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

