Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Skëndër Doda: Ndue Nufi i Kaçinarit Cub, kaçak apo viktimë e rrethanave..!

Nga Pirusti News
5 058 Shikime
SHPERNDAJE

Botuar ne nr. 20 te revistes “Mirdita”

Në historitë e shumta të vendit tonë gjenden mjaft rrëfime për kaçakët,  cubat dhe komitët të veshur me legjenda nga më të habitshmet. E vërteta  me të pavërtetën,  faktet dhe fantazia ndërthuren si në një mozaik të larmishëm  por  të çrregullt  duke e bërë të padallueshëm kufirin midis realitetit dhe imazhit.  Kjo dukuri shpjegohet vetëm  në kontekstin historik e social ekonomik të vendit dhe kohës ku kanë jetuar, mungesën  e  mjeteve të informimit,  subjektivizmin dhe dëshirën e  njerëzve të varfër dhe pa mbrojtje për të  pasur ose ndjekur një idhull.

Nëse do të ishte  mundësia për të grumbulluar  a analizuar të dhëna për periudhën kur ata kanë jetuar  e vepruar, do të mbërrinim në të njëjtat përfundime; kaçakët,  këta persona rebelë e të dhunshëm në shumicën e rasteve kanë  përjetuar fëmijëri apo rini mjaft të vështirë e problematike  kjo në rrafshin personal apo familjar.  Në mjedisin social  ata  mund të jenë ndjerë të përçmuar, të abuzuar  e të dhunuar. Të mbushur me ndjenjën e urrejtjes së thellë ndaj padrejtësive të kohës, por jo të aftë për zgjidhjen e problemeve në rrugë tjetër  ata kanë reaguar dhunshëm për arritjen e synimeve të tyre duke qenë të bindur se jeta e tyre e kishte fundin e shpejtë. Shoqëria njerëzore në çdo stad të saj ka pasur persona të tillë.  Realiteti jetësor në shumë raste rrënqethës,  ka skalitur tek ata një  profil të njëjtë;  veprimtari kundër rregullave apo ligjeve të kohës,  mbrojtës të njerëzve të varfër dhe pa mbështetje, grabitës karvanësh,  vrasës brutalë ndaj  pasanikëve, sundimtarëve, përdorimin e mjeteve të dhunshme për sulme  e plaçkitje dhe më në fund  famën dhe mungesën e një varri.

Në fakt fama folklorike është e vetmja  “pasuri e patundshme” që i shoqëron me dekada pas vdekjes.  Në krahinën e Mirditës  dhe rrethet fqinjë  Shkodër e Lezhë  kur flitet për individë që kanë  spikatur me akte trimërie vetëmohuese përmendet Ndue Nufi i Kaçinarit  shpesh herë i veshur me legjenda nga më të habitshmet.  Të moshuarit ende i ruajnë të freskëta historitë e  bëmave  të  tij  madje thuhej se mjaft nëna kur përkundnin fëmijët në djep u këndonin  ninulla me urimin  që ata të bëheshin trima si ai.  Rreth një shekull më parë kur është lindur e ka jetuar Ndue Nufi në gjithë krahinën e Mirditës askush nuk kishte dëgjuar për  anglezin e famshëm Robin Hood dhe bëmat e tij. Ndërkohë  dhe termi “kaçak”  po shkonte drejt  zvetënimit dhe përdorej më shumë fjala “cub” “komitë” duke nënkuptuar përkatësinë.

Pas  viteve 90’   njerëzit  të painformuar,  thjesht duke dëgjuar këngën e  Ndue Nufit,  frymëzoheshin prej saj dhe bënin krahasime  nga më të ndryshmet  nisur dhe nga fakti i  betejës mjaft të ashpër disa orëshe në Shkodër.  Historitë  për Ndue Nufin kam patur fatin që ti dëgjoj  që në vegjëli nga babai i cili  ishte pothuaj moshatar me të dhe si bashkëfshatar e kishte takuar në burgun  Shkodrës. Madje  rreth vitit 1952  në  një takim babai i ka thënë  Enver Hoxhën; “Nëse do ta fitosh Mirditën  dekorosh Ndue Nufin”. Të nesërmen E Hoxha i kthen përgjigje “Ndue Nufi nuk kishte kauzë,  ishte  anarkist,  pa asnjë  lidhje me komunizmin”.  Duket se kjo përgjigje vulosi  heshtjen 70 vjeçare pavarësisht se historitë dhe legjendat për të qarkullonin në zonën e veriut e më gjerë duke marrë me vete peshën emocionale, opinionet dhe këndvështrimet  e shumta. Ndue Nufi  paraqet një rast  tipik por për të nuk është hedhur asnjë rresht qoftë për të analizuar  me gjakftohtësi dhe pa pasion  profilin e tij,  kushtet dhe rrethanat  në rrafshin personal që e shndërruan atë djalosh 15 vjeçar me sjellje tejet të ekstreme;  mbrojtës të fukarenjve dhe mjaft i rrezikshëm për pushtetarët e kohës dhe pasanikët. Instikti i vrasësit,  agresiviteti ekstrem,  dëshira e madhe për të hequr qafe ata që i urren ishte ngjizur e zhvilluar nga rrethanat specifike të jetës të cilat,  duhet pranuar ndershmërisht,   ishin mjaft të rënda,  të ndërthurura ndërmjet ngjarjeve aksidentale dhe padrejtësive sociale në kontekstin e kohës.

Nga sa kuptohet Ndue Nufi nuk mund të ishte një serial killer  që karakterizohej nga gjykimi i varfër,  çrregullime të personalitetit dhe papërshtatshmëri me normat sociale.  Gjatë kërkimeve të ndryshme për të dhënë një profil të qartë dhe sa më objektiv për Ndue Nufin  kam dëgjuar rrëfime të shumta madje nga persona të ndryshëm janë mbledhur e ruajtur shënime personale dhe….. vetëm kaq. E vetmja përpjekje për të dhënë një dëshmi publike i dedikohet mjekut Kolë Shtjefni i cili në librin  e tij  “Mirdita; doke dhe zakone” botuar në 1998  në faqet 127-128   tregon  emrin e gruas që vajtoi Ndue Nufin madje  jep dhe fjalët e vajtimit shoqëruar me një histori të shkurtër të kaçakut.  Nuk ka të dhëna se cili e porositi këtë vajtim dhe si u gjet vajtimorja mirditore në Shkodër.   Realizimi i një analizë  objektive  të figurës së tij nuk mund të jetë e veçuar nga  optika dhe dritëhijet e kohës që ai jetoi;  situata kaotike, nga  individualiteti i tij që filloi të spikasë që në adoleshencë, psikologjia sunduese e asaj periudhe në një fshat të izoluar të një krahine malore  e të varfër por e përmendur për papajtueshmërinë me padrejtësitë sociale dhe sundimin  huaj.  Askush nuk mund të  pretendojë për një version origjinal të jetës dhe bëmave të tij. Rrëfimet gojë më gojë i kanë mbijetuar viteve pikërisht sepse janë ndryshuar rast pas rasti  duke u trajtuar si  histori të vërteta.  Mungesa e dokumenteve  nuk lejon hapësirën e  ndërtimit të  saktë  të kronologjisë  dhe ky shkrim për hir të vërtetës nuk mund të jetë varianti  më origjinal dhe i plotë.  Jo pa qëllim në mjaft raste kam përdorur fjalën “thuhet” sepse  për detaje të ndryshme  ka mjaft kundërshti dhe “mbivendosje”  në rrëfimet e njerëzve që e kanë jetuar atë kohë ose i kanë dëgjuar nga prindërit e tyre.

Kush ishte Ndue Nuf Frroku dhe si u shndërrua në komitin më të famshëm të kohës?

I lindur në Mzi (Vilzë) në Kaçinar  të Mirditës  rreth viteve 1918-1920  në një familje të varfër ishte fëmija i dytë pas një vajze. Fati i keq e ndoqi që në ngjizje sepse disa  muaj para se të lindej  i vdes babai.

Rreth moshës 9 vjeçare e ëma i jep të birit  “patllaken” që e kishte mbajtur i ati. Ende pa mbushur 14 vjeç  i vdes dhe e ëma.  Fatkeqësia  nuk ju nda dhe tek motra e cila duke prerë dru në mal rrëzohet dhe  disa  gurë të  mëdhenj  i dërmojnë  kockën e këmbës. Pa asnjë ndihmë mjekësore, në varfëri  ajo mbeti pothuaj uloke  duke qëndruar  gjithë kohën e vetme në shtëpi. Për jetimët kujdeseshin me aq sa mundeshin  të afërmit e tyre dhe ata të varfër.  Ndueja e kalonte kohën në fshatin e vogël  sëbashku me kushërinjtë  dhe shokët moshatarë,  shpesh herë duke garuar në qitje me patllake ku siç thuhej gurin sa një vezë e ndante në mes. Një ditë dikush  hyn fshehurazi në shtëpi dhe i përdhunon motrën. Ndueja e mësoi  vonë këtë  ndodhi. Tashmë,  ndërtesa psikologjike e tij u shkund nga themelet,  ishte një “koritje” e tmerrshme;  në  lojë hyri  nderi i tij,  i shtëpisë,  i fisit  e deri diku dhe i fshatit.  I  egërsuar  menjëherë njofton pleqësinë e fshatit, i bën me dije se  motrën uloke  dikush e kishte shnderuar dhe prej saj kërkonte emrin e përdhunuesit. Motra e ndjeu rrezikun  dhe hezitonte të fliste për të shmangur çdo sherr. Ndueja  nxorri revolen dhe e plagosi motrën në shpatull,  njëkohësisht i premtoi  ta çonte në Shkodër për mjekim nëse  do të tregonte emrin e përdhunuesit.  Në këto rrethana motra tregon  emrin e horrit por sërish nuk shpëtoi nga vrasja në sy të pleqësisë.  Në atë kohë kjo vrasje dhe me kanun nuk justifikohej pasi  dihej pamundësia fizike e vajzës për tu mbrojtur.

Tanimë për  pesëmbëdhjetëvjeçarin  fillon jeta e vështirë e malit me të vetmin qëllim; të vriste përdhunuesin i cili i përkiste një familjeje  me influencë dhe e lidhur ngushtë me  qeverisjen e  mbretit Zog.  Dhe një ditë Ndueja  vrau vëllanë e përdhunuesit.  Xhandarmëria e ndiqte këmba këmbës e për këtë arsye  djaloshi  jetonte pyjeve, strehohej e furnizohej nga miqtë e të njohurit e tij të cilët ishin po aq të varfër si vetë ai.

Një natë u strehua tek një kushëri i tij i cili jetonte diku ndërmjet  Blinishtit  dhe Troshanit të Lezhës. I zoti i shtëpisë i thotë se ishte më mirë që pas darkës të fshihej  te “ksolla e berreve”  pasi në skaj të fshatit  ishte  posta e xhandarmërisë.  Ndueja pranon.  Befas në mesnatë  xhandarët  ushtrojnë kontroll në banesë dhe më pas drejtohen nga hauri i bagëtive.  I zoti i shtëpisë duke e ndjerë rrezikun i  porosit  xhandarët të kenë kujdes se atje  brenda “ka një qen të egër që damton”.  Duket se kaçaku përgjumësh e dëgjoi bisedën jashtë kasolles  sepse siç tregonte vetë,  në mes të natës dikush i shfaqet në ëndërr duke i bërtitur me forcë; ”çohu”.

Me intuitën që e karakterizonte  sapo  hap sytë dallon te porta a kasolles një siluetë njeriu me pushkën e drejtuar mbi të.  Instiktivisht  shtrin dorën për të kapur pushkën e mbështetur pranë vetes por xhandari qëlloi i pari dhe e plagosi pikërisht në llërën e dorës së djathtë.  Në moment kujtohet për patllaken në brez,   e nxjerr me dorën e majtë dhe vret  xhandarin. Kërcet batareja. Ndueja i plagosur thërret  nëse kishte ndonjë mirditor në rrethim; dikush i  përgjigjet  dhe Ndueja i kërkoi besën sipas zakonit. Të shtënat pushuan, djaloshi u dorëzua në besë megjithëse thuhej se xhandari  mirditor që e mori nën besë ishte në armiqësi familjare me të.

…Në spital mjeku i preu dorën deri në kyç. Plumbi nuk i kishte prekur kockën por  siç u kuptua më pas,  mjeku ishte paguar për këtë veprim. Nga spitali përfundon në burg  i  dënuar 100 vite. Në qeli dy të burgosur e  rrahin keqas. Në këto kushte Ndueja siguron një lugë me bisht të gjatë dhe disa netë rresht  pa u ndjerë  mprehu  bishtin e saj në gurët e murit.  Gjeti rastin e volitshëm kur ata flinin të shkujdesur dhe  i vret.  Ridënohet edhe 200 vite burg.  Im atë në atë kohë ishte “rrogjtar” (shërbëtor) në një familje  pasanikësh në Shkodër dhe e ka takuar bashkëfshatarin e tij në burg. Ndueja i thonte me shaka se nga  500 vjet jetë 300  do ti kalonte në burg.

Në prill 1939  me pushtimin italian bashkë me të burgosurit e tjerë shpërthen burgun e i rikthehet jetës së kaçakut duke vrarë në fillim mjekun që i preu dorën.  Tanimë i lirë, më i rritur e me famë vazhdon jetën e komitit,  por jo vetëm. Ndjekësit e tij besnikë deri në vdekje ishin të rinj disa prej të cilëve kishin zgjedhur jetën e malit pikërisht për shkak të hasmërive familjare. Streha e tij ishte mali, pylli dhe kasollet e bashkëfshatarëve, ndërkohë që u bë i tmerrshëm duke  plaçkitur  në dyqanet e tregtarëve kryesisht në Shkodër e më pak në Lezhë.  Pasanikëve u “çonte fjalë”  për atë që kërkonte dhe askush nuk e kundërshtonte.  Djali  jetim pa shtëpi, pa familje nuk kishte aspak lakmi, nuk mbante asgjë për vete, plaçkën grabitur  e shpërndante për ndjekësit e tij dhe të varfërit. Si njeri që fliste veçse me armë tërhoqi vëmendjen e komunistëve shkodranë Zef Malaj dhe Tuk Jakova  të cilët bënë përpjekje për ta afruar në shërbim të kauzës së tyre.  Në një takim me Tukun, Ndue Nufi e pyet se a kishte të drejtë të plaçkiste e tu jepte shokëve  pjesë por Tuku i përgjigjet se komunistët nuk janë  plaçkitës.  Thuhej se Ndue Nufi ishte kundër pjesëmarrjes së femrave në luftë pasi i konsideronte qenjë të dobta, ndoshta nisur dhe nga ngjarja me të motrën e tij.  Refuzoi  bashkëpunimin me komunistët shkodranë por të njëjtën përgjigje i dha Kapidanit  të  Mirditës i cili u  përpoq  ta afrojë duke i ofruar gradën  “Major”. Përgjigja ishte se ndihej më mirë “Gjeneral në male”. Vitet kalonin dhe bëmat e tij  shtoheshin e rrëfeheshin gojë pas goje. Në Shkodër para një “dugaje” të mbyllur ndaloi para një turme të madhe njerëzisht të cilët kishin zbritur nga rrethinat për të blerë kripë.

Pasi i pyeti u tha se kripa nuk sillej nga  Italia por nga Durrësi, shpërtheu dyqanin e  shpërndau kripën falas. Në mëngjesin e acartë të  18 dhjetorit  1943 mblodhi në Vaun e Dejës rreth 100 djem të rinj mirditorë të cilët ishin të gatshëm ta ndiqnin besnikërisht deri në vdekje për në Shkodër.  Por Ndue Nufi  vendosi të marrë me vete vetëm 7 djem beqarë;  Prengë Kalorin,  Ndue Mark Bardhin, Preng Pacin,  Ndue Mark Kolën, Gjon Lekën  nga Simoni Ndue Nikollin.  I fundit  ishte Ndue Kolë Gjoka i martuar por që nuk u nda nga grupi pasi ngiste makinën. Për  ta larguar  nga grupi e urdhëroi të ngarkonte makinën me plaçkë dhe të nisej për  Mirditë.  Rrugës  shoferi u ndesh me një togë ushtarësh  gjermanë ku mbeti i vrarë.

Ndërkohë Ndue Nufi me të tjerët shkon për të hapur burgun, liron disa të burgosur dhe  mësyn në një “dugajë” për të plaçkitur. Pronari lokalit  e njohu menjëherë dhe nuk rezistoi. Por sapo Ndueja me shokë u largua,  ai me një telefon që kishte nën banak lajmëroi xhandarmërinë se sapo ishte plaçkitur nga një cub.  Xhandarët nga ana e tyre njoftuan menjëherë komandën gjermane  të sapovendosur në Shkodër se disa komunistë të rrezikshëm po qarkullonin  nëpër qytet. Në rrugë situata dukej e qetë,  dikush e përshëndet Ndue Nufin, i jep të njohur dhe me këmbëngulje e fton te “Kafja e madhe”.  Ky ishte momenti fatal për kaçakun pasi pranoi të ulet ndërkohë nazistët gjermanë bashkë xhandarët  po krijonin perimetrin e rrethimit.

Ndue Nufi e nuhati rrezikun,  doli nga ana e pasme e “Kafes së Madhe” dhe u drejtua me shpejtësi tek sarajet e Gjomarkajve ku kërkoi ndihmë për ta nxjerrë nga Shkodra bashkë me shokët.  Kapidani kundër traditës refuzoi ta ndihmojë duke i  kujtuar faktin se dhe ai e kishte refuzuar dikur bashkëpunimin me të.  Prej aty përmes plumbave të armëve të xhandarëve e gjermanëve  duke lënë disa shokë të vrarë i drejtohet ndërtesës së legatës Apostolike të Vatikanit. I kërkoi priftit të largohej prej andej sepse do të luftonte dhe u ngjit me shpejtësi në katin e dytë të ndërtesës.

Gjermanët për momentin ndaluan zjarrin sepse kaçaku vetë i dytë ishte futur në një banesë që konsiderohej i shenjtë. Thuhet se njoftuan Vatikanin dhe rifilluan të shtënat dhe me top nga Kalaja pasi krismat e tij dëgjoheshin në mbarë  Shkodrën.  Banorët që jetonin pranë spitalit tregonin se atje kishin transportuar mjaft të vrarë e të plagosur.

Beteja zgjati disa orë. Ndueja kur e pa se po i mbaronte municioni urdhëron shokun e mbetur gjallë të dilte në dritare me shami të bardhë. Tjetri doli duke thirrur se po dorëzohej  pasi Ndue Nufi ishte vrarë.  Mbi të u zbrazën disa armë njëherësh. Pak çaste më pas një grup i madh xhandarësh dhe gjermanësh mësynë portën dhe tentuan të ngjiten në katin e dytë por Ndue Nufi lëshoi mbi ta disa granata rresht duke i asgjësuar të gjithë. Askush nuk pati mundësinë të tërhiqej. Kur nuk kishte më asnjë shpresë shpëtimi  ngriti këmishën lart  dhe qëlloi  veten me pistoletë në gjoks. Disa të moshuar këtë version e tregojnë disi ndryshe. Sipas tyre Ndueja u shfaq në dritare dhe thirri me sa forcë kishte se atë nuk e vriste kush; ngriti këmishën e qëlloi veten me revole.

Ra errësira dhe specialistët xhenjerë  kontrolluan imtësisht për granata të paplasura në oborrin e ndërtesës.  Xhandarët  duke besuar se Ndue Nufi mbante flori të fshehur në trup e kontrolluan imtësisht kufomën madje një prej tyre deshi ta qëllonte për së vdekuri por kapiteni gjerman pjesëmarrës në operacion kur mësoi se nuk kishte përballë një komunist por një grabitës, nuk e lejoi dëmtimin mëtejshëm të kufomës.

Mëngjesin e datës 19 dhjetor Ndue Nufin me shtatë besnikët e tij të vrarë pasi i ekspozuan para popullit  i groposën në zallin e lumit Kir.  Kështu përfundoi historia e një kaçaku që mori famë të jashtëzakonshme pothuaj në gjithë veriun  Shqipërisë.

Ja si  shkruan Kolë Shtjefni në librin  “Mirdita doke dhe zakone” botuar në 1998  në faqe 127-128;

Mrika e Gjon Markut  vajton Ndue Nufin i cili bashke me 6 shokë të tij mirditas vinë në Shkodër dhe këtu prej xhandarmërisë që donin me i arrestua  si komitë, tentoj me shkue te shtëpia e Kapidan Gjonit e me pështue, por ky nuk i len mbrendë. Tue pa veten ngushtë, hyjnë në shtëpinë  e delegatit apostolik me zori dhe aty rrethohen prej xhandarësh dhe gjermanësh. Kjo ndodhë mbasi kapitulloi  Italija dhe hynë gjermanët në Shkodër.

 

Qaj Ndue Nufi i nepi i krajlit, or meku jem ,

Qysh zgjodhi paikn’ e djalit or meku jem

Shkoi e ra mjedis pazarit or meku jem

Ndjeu Shkodra e Tirana or meku jem

Erdh Mirdita bardh si zana or meku jem

E ju ndejtun në tavolina or meku jem

U kujtue dhe dugajgjija  or meku jem

Por për ju filloi padija or meku jem

Muer padja anë m’anë  or meku jem

Tan shkodranë u quen në kamë or meku jem

Kët Mirditë se lamë pa e xanë  or meku jem

Tradhëtarë dhe gjermanë or meku jem

Por ju shkuet te Kapidani or meku jem

Se kje padituni dhe vetë or meku jem

O me bjerrin o me tretë or meku jem

Po ju shkut te delegati or meku jem

U mundue boll i ngrati or meku jem

Por ju i that  tai dil përjashta or meku jem

Kur ka dalun aj me shkue or meku jem

Për në mujshi me luftue or meku jem

Sarajet e mia ju a kam lëshue or meku jem

Filluet kajkën me këndue  or meku jem

Pushkë e bombë tue vringllue or meku jem

Tue shkue gjaku por si prrue  or meku jem

Për me dekë se me dekë  or meku jem

Ju shkuet me gajret  or meku jem

 

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest