Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Dy domgjonas nga Kosova, në Domgjon. Treqind vjet në pritje të këtij udhëtimi

Nga Pirusti News
2 146 Shikime
SHPERNDAJE

Reportazh nga  Hasan Hasani – Përkola, botuar ne revista “Mirdita” 20

Një udhëtim i jashtëzakonshëm. Një udhëtim i pritur treqind vjet. Kësaj radhe dy domgjonas shke­­lën në Domgjon. Janë këta dy pinjoj nga vëlle­zërit  Pren Kola e Gjon Kola (Përkolaj e Gjokolaj) që më 19 korrik 2018 i’a mësynë Domgjonit prej nga të parët e tyre u shpërngulën në fillim të shekullit te­tëmbëdhjetë: Përkolajt diku rreth viteve 1730, ndërsa Gjokolajt pesë-gjashtë dekada më vonë.

Pi­njolli i Përkolajve (unë Hasan Hasani) shkeli për he­rë të parë në katundin e origjinës, ndërsa ai i Gjokolajve kishte qenë edhe një herë më parë, para shtatë-tetë vjetësh. Ky udhëtim u përgatit për disa muaj. Gjon Gega i Gjokolajve (nga Rezina-Gja­ko­va) dhe Besnik Paci, një veprimtar i shquar i çësh­tjes kombëtare dhe biznismen i njohur nga Dom­gjoni  hartuan programin e udhëtimit tonë, më saktë, udhëtimit tim. Çdo gjë me përpikëri. Hjundai i Gjon Gegës marshin e parë e nisi nga Gjakova. Kaluam Urën e Fshejtë, gjatë bregut të Drinit të Bar­dhë, në Vermicë-Morinë (kufiri shqip­taro-shqi­ptar!), rrëzës Bjeshkës së Gjalicës dhe Malit të Pikë­llimës, drejt tunelit të Kalimashit, për të arritur në Fan. Ecim e bisedojmë për Domgjonin. Çka na kuj­tohej. Dhe, tunelin e Kalimashit e lamë pas shpi­ne. Gjoni m’i tregon katundet e para të Mir­ditës, që shtriheshin bregut të Rrugës së kom­bit, në të djath­të dhe të majtë, si: Thirrë, Gjakëz, Hebe, Sang. Fre­nat zvogëluan shpejtësinë. Sinjalet u nde­zën. Po kthenim në të djathtë. Para nesh gjen­det ta­bela e Fanit. Zbresim për dhjetëra metra poshtë…

Tre burra na presin në kthesë.

Ndalemi para tyre. Kishin dalë për të na pri­tur. Gjoni i njihte. Ishin Gjon Pjetër Gjoni (me djalë) dhe Zef Ndue Zefi. Që të dy nga familja e Gjokolajve, së cilës i përkiste edhe Gjon Gega. Unë me Zefin kisha komunikuar një muaj më herët për­mes mesenxherit dhe telefonit. Bashkë me mirëse­ardhjen ndodhi ajo që duhej të ndodhte: një për­qafim burrash mirditorë, vëllezërish mirditorë nga Domgjoni, një përqafim dhe shtrëngim i shoqëruar me dridhërima shpirtërore. Unë sikur jetoja një gjendje flurore. Më dukej se pesha ime më shumë qëndronte mbi tokë, sesa në tokë. Ndërruam ca fjalë dhe vazhduam rrugën. Ne na u bashkangjitën Zef Ndue Zefi dhe Gjon Pjetër Gjoni. Tabela tre­gonte se duhej të udhëtonim tre-katër kilometra deri në Domgjon. Në fillim, rreth dy kilometra na përcolli një shirit i ngushtë asfalti. Ishte rrugë zigzake, plot kthesa. Për t’u shndërruar me ndonjë veturë tjetër, duhej që të dyjat të mënjanoheshin në të djathtë duke nxjerrë secila njërin krah jashtë asfalti, në kalldrëmin me gurë. Me të mbaruar shiritin e asfaltit, na përcolli një rrugë e gurtë…

Domgjoni i mbuluar me gjelbërim

Po hynim në Domgjonin e rrethuar nga bje­shkët. Munella me 2000 metra lartësi mbidetare qëndronte shtatëlartë e krenare mbi Domgjon. Përballë Munellës, me Domgjonin në mes, një bje­shkë tjetër më e vogël, quhej Kaptina e Domgjonit. Edhe Sukërrasa ia shtonte bukurinë Domgjonit. Mes këtyre bjeshkëve, në dy-tri lugina të gjata, shtri­hej Domgjoni. Sikur flinte mes këtyre bje­shkëve. Një katund i madh, me rrugë gurore, me shtëpi e kulla gurësh (relikte të kohëve të moçme), po edhe me shtëpi të reja e moderne, me pullaze të kuqe tjegullash. Në çfarëdo sheshi, kodre apo lar­tësie brenda katundit, Domgjoni nuk shihet. Është i tëri i mbuluar nga pemët dhe drunjtë, shpeshherë shumë të vjetra, si: gështenja, arra, kumbulla, qershi, molla, dar­dha, kajsia, pjeshka, rrushi, tha­na. Domgjoni i mbuluar me gjelbërim. Thanë se ka rreth 200 shtëpi, shkollë te­të­­vje­çare, kishë. Vetëm nëse ec nga rruga në rrugë, kë­to objekte i takon. Përndryshe, aty ku je ndalur shikon vetëm ndonjë objekt (shtëpi). Për këtë fajtor është gjelbërimi dhe shtrirja në dy-tri lugina, mbi të cilat ngrihen bje­shkët. Në asnjë mënyrë, nga asnjë pozicion, një pa­no­ramë të Domgjonit nuk mund ta fokusosh as me sy, as me aparat. Konfiguracioni i tij dhe gjelbërimi i dendur (verës) nuk ta mundësojnë një gjë të tillë.

“Mirë se vini në Domgjon”

 Zbresim në Sheshin e Domgjonit. Pesë-gjashtë metra larg, një gur i madh në shesh, me një shqipo­një dykrenare në mes dhe fjalët: “Mirë se vini në Domgjon”. Po kaq larg ndodhej edhe një kafene e vogël, ku në dy tavolina në oborr qëndronin disa bu­rra, të cilët kur na panë, u ngritën në këmbë. Shi­kimin e parë ia hodha kishës së katundit, të ndërtuar në vitin 1924; pastaj shkollës që ndodhej afër kishës (vetëm një rrethojë teli me gjemba i ndante oborret e këtyre dy objekteve fetare e arsi­more). Përmbi ne ngrihej Mu­ne­lla gjigante. Seç m’u kujtuan Zanat e Fishtës! Tha­shë: po po, zanat e Mirditës gjenden aty! Ato e ru­ajnë në gjirin e tyre të thellë Mirditën! Ndoshta vetëm Domgjonin!? Ku ta di cilën?! Ndoshta të dy­jat. Edh pse këtu ishte një ajër i dendur, i freskët, mua me dukej se nuk po mund të ngopesha frymë! Sikur nuk po ngihesha me ajër Domgjoni. Me ajër të parëve të mi!

U përshëndetëm me burrat që po qëndronin në këmbë. Kureshtjen e parë tonën, sikur e arsye­tonin. Më i vjetri ndër ta, Pren Nikë Filipi (Dom­gjo­ni), një 74-vjeçar, na doli para. U shtrënguam ngrykas si dy malësorë të përmallshëm, pa u ta­kuar njëri me tjetrin kurrë më parë. Si dy malësorë. Si dy mirditorë. Si dy domgjonas. Edhe me të tjerët ashtu. Na priu. Hymë brenda në kafene. U prezen­tuam. E morën vesh se kush ishim, për çka kishim shkuar, çka kërkonim të mësonim. Ia shtruam bisedës si vëllezër të një familjeje. Dhe ashtu ishim. Kjo është e vërteta. Ata me ne e ne me ata. Lir­shëm. Ishin kureshtarë, sidomos për mua. Unë dhe Gjon Gega pyetnim. Ata përgjigjeshin. I kishte përgatitur Besnik Paci nga Domgjoni. Me ne ishte edhe Gjergj Ndrecë Çuni (arkitekt). Biseduam e biseduam. Gotat me raki ecnin ngadalë. Po koha na ikte shpejt. Kështu më dukej mua. Ngrihemi tha dikush. Kemi shumë për të parë.

Gurra e Domgjonit

Disa qindra metra u ngjitëm përpjetë me ve­turë, e pastaj edhe njëqind apo dyqind metra në këmbë. Aty ndodheshim para Gurrës së Domgjo­nit. Po çka është Gurra e Domgjonit? Historia e saj është tepër interesante dhe e rëndësishme për këtë lokalitet të lashtë antik. Gurra e Domgjonit është një pus i thellë (bunar) rreth gjashtë-shtatë metra. Muret e gurit i ka të çelikta, sepse gurët kanë zënë vend në mure, me material interesant, që u rrezis­ton shekujve, dhe i domosdoshëm për kohën kur u ndërtua: gurë, lesh e tamël për t’iu qëndruar she­kujve. Në të vërtetë, ky është ujësje­llësi i Domgjo­nit. Zefi Zefi e Gjoni Gjoni na prinë. Unë pas tyre ba­shkë me Gjon Gegën, nëpërmjet një deriçke të vogël hymë brenda. Domgjonasit e rinj kishin ndër­tuar shkallë të betonuara me hekura rrethojë të salduar, që vizitorët të mund të arrinin deri tek uji (tri-katër vadë) dhe ta prekin me dorë mreku­llinë. Po cila është mrekullia? Ky pus, i quajtur Gu­rra e Domgjonit, është i vjetër më së paku 14 she­kuj. Të dhënat arkeologjike tho­në se është ndërtuar diku rreth shekujve 3 e 6 të erës sonë, dhe ka shër­byer për ta furnizuar me ujë lokalitetin (Domgjo­nin). Për më tepër unë (publi­cist e shkrimtar) nuk kam të drejtë të të hyjë më thellë, por këtë ua lë arkeologëve dhe historianëve, të cilët kanë shkru­ar, e do shkruajnë në të ar­dh­­men. Këtu përfun­don misioni im si pinjoll me prejardhje nga Dom­gjoni që për herë të parë po shkeli tokën e të parëve.

Në truallin e Patër Gjergj Fishtës

Jo larg Gurrës së Domgjonit, ndoshta rreth 100 metra, ndodhet trualli i të parëve të familjes së Ho­merit shqiptar, të përndritshmit Patër Gjergj Fi­shta. Trualli ishte i mbuluar me gjelbrim i tëri, nga pemët dhe drunjtë. Dukej qartë se aty nëpër­mjet degëve të pemëve dhe drunjve, ngriste kokë një pullaz i një shtëpie të vogël. Nga ky truall she­kuj më herët (mbi 200 vjet) familja e poetit kombë­tar shpërngulet në Zadrime, më konkretisht në ka­tundin Fishtë, ku edhe sot gjendet kulla ku ka lin­dur Patër Gjergji. Por, shikuar shtrirjen e Dom­gjo­nit, bjeshkët që e rrethojnë, të cilat që në shikim të parë të ngjethin mishtë nga pamja epike që mbru­jnë në vete, atëherë nuk është vështirë të ven­do­sësh aty-këtu edhe heronjtë epikë të “Lahutës së Malcis”, apo të “Mrizit të zanave” dhe “Valles së Pa­rri­zit”. Sigurisht, dukja epike e kësaj pano­rame që e rrethon këtë lokalitet, e krijoi edhe shpirtin epik të Gjergj Fishtës dhe heronjve të tij.

Një kujtim i këputur gjashtë dekada më parë

 Pas kësaj vizite (Gurrës së Domgjonit dhe trua­llit të Patër Gjergj Fishtës) po zbrisnim teposhtë, bregut të një vije me ujë të kristaltë (rridhte nga Gurra) që zbriste për në thellësi të katundit. Ne ecnim në kolonë, njëri pas tjetrit (mund të rrësh­qisje në vijën e ujit), bashkë me Zefin, thuaja dorë për dore, duke u mbajtur njëri për tjetrin. Ky më rrëfen: vëlla Hasan, deri në gjysmën e dytë të she­kullit të kaluar, domgjonasit kanë mbijetuar me vetëm një profesion (zanat), me një mjeshtëri. Në krejt Mirditën, po edhe më larg (nuk është dëgjuar për ndonjë vend tjetër) vetëm domgjonasit kanë pasur bazenet e shumta ku njerëzit kanë mbaruar peshkven për t’i lyer qerret e drunjta që gjatë fërki­mit të pjesëve të drunjta, të mos dëmtohen. Pra, peshkvja e ka burimin e vetëm këtu në Dom­gjon. Dhe domgjonasit e kanë furnizuar tregun me këtë lloj yndyre për qerre, kryesisht duke e shitur në Prizren dhe Gjakovë dhe vendet këtu përreth, aq sa kanë arritur t’i shkelin me këmbët e tyre.

Ky rrëfim për një çast me shkundi nga një plu­hur harrese më i vjetër se gjashtëdhjetë vjet. Po pse vallë ndodhi kjo? Unë si fëmijë kam dëgjuar nga baca Mehmet dhe babai im (Mala), se të parët tanë, “atje prej nga kanë ardhur”, kanë pasur një zanat, e ky zanat ka qenë peshkvja për qerre. Pra, thoshin ata: kemi qenë peshkvaxhi prej të cilës kemi jetuar?

Po pse vallë u dasht të ma kujtojë vëllau Zefi këtë të dhënë që kurrmë s’e kam dëgjuar. Paskam pasë rënë në gjumë të thellë. Po të mos ishte Zef Zefi, mua kurrë nuk do të më ishte kujtuar kjo e dhënë. Dhe, pikërisht kjo e dhënë e muros bindjen se Përkolajt e Jabllanicës njëqind për qind prejar­dhjen e kanë nga ky katund, nga Domgjoni i Mir­ditës. A e kanë ushtruar këtë zeje Përkolajt në Ja­bllanicë, këtë nuk e di. Ndoshta në fillim po, sa për të mbijetuar. Shekulli tetëmbëdhjetë!

Në konakun e Gjergj Ndrecë Çunit

Rreth orës trembëdhjetë u ngujuam në dy ma­kina. Destinacioni ishte familja e Gjergj Ndrecë Çunit. Aty ish përgatitur dreka për vëllezërit nga Kosova (Dushkaja) që për gati tre shekuj kanë lënë pas shpine Domgjonin dhe për një jetë më të mirë, kanë marrë botën në sy. Bukur larg shtëpia e tij. Ndoshta më shumë se një kilometër. Atje u balla­faquam me kullën e moçme prej guri. Gjergji si arki­tekt, kishte filluar rinovimin nga themeli. Mu­ret rrethore të shtëpisë i kishte ngritur me shije prej arkitekti duke bashkuar traditën me të sotmen. Një mrekulli e vërtetë. Një kështjellë e vërtetë mesjeta­re, me gurë të gdhendur mjeshtërisht. Po edhe shtë­pia e re në oborr. Martini (vëllai më i ri i Gjergjit), djalë shtathedhur, bashkë me një nënë malësore bukur në moshë, na uruan mirësear­dhjen. Brenda na priti sofra e shtruar. Përveç disa lloje rakishë, kush sipas qejfit, nuk jam në gjendje të numëroj sa lloj mishërash ndodheshin në sofër para nesh. Di vetëm se këtu, në këtë gojë bjesh­kësh, edhe peshk u servua para nesh. Për bagëtitë e therura dhe sa sosh e cilat janë, hë për hë nuk jam në gjendje të them më shumë. Këto i shoqëronin sallatat e ndryshme me perime, po edhe pitet dy-tri llojesh që kishin mbuluar sofrën. Këtu gjende­shin edhe disa lloje djathërash. Drekë mbretërore mir­ditore, e pse jo edhe domgjonase.

Mua, si njeriut që për herë të parë po më shkil­te këmba në truallin e të parëve, në Domgjon, pas gati tre shekujsh nga shpërngulja, më i vjetri në sofër, Pren Nikë Filipi (Domgjoni), po edhe Gjon Gegës, po ashtu një domgjonas i shpërngulur tash e dy shekuj e gjysmë nga kjo tokë, për t’iu bashka­ngjitur vëllait Pren Kola, na servoi përpara kokën e edhit që kishin prerë pikërisht për ne, të ndarë në dy pjesë. Ky është nderimi më i madh i mundshëm që i bëhet mysafirit, të huajit apo të të afërmit, në sofrën shqiptare në Dukagjin. E shikova. Iu drej­tova Pren Nikës: atje kah ne, koka e dashit, cjapit, qengjit apo edhit që i çitet “mysafirit” përpara, nuk e han vetë, por e ka për detyrë ta ndajë me dy-tre burrat që i ka në krahë të djthatë dhe të majtë. Mirëpo, meqë gjysma iu servua Gjonit, ky le ta shikojë krahun e vet në të majtë, ndërsa unë kra­hun tim në të djathtë. I shkoi buza në gaz. Më shikoi ëmbël dhe luajti pakëz kokën (nuk e di të tjerët a e vërejtën), në shenjë pohimi, se ky është edhe zakoni jonë në Mirditë. Dhe cakrruam gotat e rakisë duke i uruar familjes Çuni shëndet e begati në familje dhe në sofrën për miq.   Rreth orës pesëmbëdhjetë u ngritëm. U për­shën­detëm me vëllezërit Gjergj e Martin Ndrecë Çunin duke i falënderuar për sofrën e begatshme me të cilën na nderoi ne, dy domgjonasve të vonu­ar në vatrën prej nga erdhën të parët. Këtu i lamë shëndenë edhe Pren Nikë Filipit duke u shtrën­guar burrash, gjoks për gjoks vëlla me vë­lla! Rru­gës për në kthim përsëri u ulëm në kafe­nenë në shesh, ku kishim qenë para dy-tre orësh. E vizitova edhe Lterin 800 vjet të moçëm. Monument lashtë­sie që ndryn në vete një histori të këtij lokaliteti shu­mëshekullor. Edhe këtu biseduam rreth prejar­dh­jes sonë. Të gjithë ramë në një mendim se katër vëllezërit nga Domgjoni: Menkolajt (Men Kola), Gjerkolajt (Gjergj Kola), Përkolajt (Pren Kola) dhe Gjokolajt (Gjon Kola) jemi nga familja e madhe e Kolës (mungojnë të dhënat se si quhej babai i Kolës) nga Domgjoni.

Kulla 400 vjeçare e vëllezërve Kolaj

Pas kësaj ndeje të shkurtër, u ngritëm nga kafeneja. U nisem rrugës teposhtë, prej nga kishim ardhur para dite.  Pas disa qindra metrash (ndo­shta 400 apo 500) u shmangëm nga rruga kryesore. Kthesa jonë mori në të djathtë. Kur arritëm në një luginë nja dy-treqind metra larg, kaluam një urë të vogël nën të cilën rridhte një lumë ujëshumë. Vetu­ra jonë u ndal para një shtëpie të zhytur në gjel­bërim. Para nesh zbardhon një kullë guri dykatë­she. Thanë se ka qenë trekatëshe, por ndër shekuj, kati i tretë i është hequr. Dukej si nuse domgjo­nase. Qoshet (këndet), gurët e dyerve të skalitur mjeshtërisht, të latuar mirë me daltë, të mëdhenj sa një trup burri, me gjysmëharkun përmbi, stolisnin këtë objekt. Tipike kullë malësore. Katin e dytë e mbanin trarët e drurit që 400 vjet pa u luajtur asnjë cpirrë. Para nesh doli Nikolin Zefi, i cili po jetonte në të, kushëriri i Zef Zefit që na shoqëronte. Pas mirëseardhjes (ishte ora 16 e 30 minuta pasdite), u ulëm në tarracën  që ngjitej për këtë mur kulle, në katin e dytë. Përkundër asaj që dita ndodhej në të sosur, me këmbënguljen e Nikolinit, ne u dety­ruam të uleshim dhe të pinim nga një raki. Ende pa i mbushur gotat me raki qershie (në Domgjon rakia e qershisë zë vendin e parë nga të gjitha llojet e mundshme të rakisë, si më e mira, më e forta), zonja e shtëpisë solli një pjatë të madhe me djathë-meze. Kjo po bëhej për të çuar në vend hirin e zotit e të burrërisë shqiptare. I pari Nikolini, i zoti i shtëpisë, cakrroi gotat me të gjithë ne (Unë, Gjon Gega, Zefi Zefi dhe Gjon Gjoni) duke na uruar mirëseardhjen. Nisi rrëfimi për kullën, të cilin, siç duket këtë befasi e kishin lënë për fund. U tha: kjo kullë ka rreth 400 vjet (ndoshta një apo dy dekada më pak!) moshë ç’prej se ekziston. Në këtë kullë kanë lëshuar klithjen e parë fëmijët e katër vëlle­zërve: Men Kola, Gjer Kola, Pren Kola dhe Gjon Kola. Kjo kullë ku gjendemi sot ka përcjellë më shumë se 12 breza. Këtu Nikolinit i treguam se unë dhe Gjoni (nga Kosova) jemi pasardhës të Pren Kolës dhe Gjon Kolës. Unë nga Jabllanica e Dush­kajës, ndërsa Gjoni nga Rezinat e Gjakovës, të cilët në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë kishim brakti­sur Domgjonin (shkaqet nuk i dimë, sëpaku ne brezat e fundit) dhe kishim marrë rrugët e botës në sy, për t’u vendosur në Kosovë, në dy katunde të Dushkajës (Jabllanicë e Rezinë), ndoshta për një jetë më të mirë. Këtu u fol edhe për pasardhësit e vëllezërve më të vjetër, Men Kola dhe Gjer Kola. Zef Zefi që kishte ardhur me një notes shënimesh pikërisht për këtë rast (ishte i njoftuar më herët) shpalosi të dhëna se përveç ne dy vëllezërve të shpërngulur, nga Men Kola sot jetojnë pasardhësit Preng Gjon Luçija në Durrës dhe i vëllai Tonin Luçija në Domgjon. Këtyre duhet bashkuar edhe vëllezër të tjerë nga ky bark që jetojnë në Kosovë. Ndërsa nga Gjer Kola është Preng Nikollë Baj­raktari që jeton po ashtu në Durrës, e që i ka edhe pesë vëllezër, disa prej të cilëve jetojnë përko­hësisht në Itali. Nga kjo familje, Fran Hajdar Baj­raktari jeton në Domgjon, pikërisht në lagjen ku po zhvillohej kjo bisedë, jo larg shtëpisë së Nikolin Zefit. Dhe, pikërisht ishte kjo kulla ku lindën katër vëllezërit Kolaj, por nga e cila u shpërngulën Pren Kola në fillim (i pari) dhe Gjon Kola (më vonë) pas tij. Nga ky rrëfim, e sidomos, kulla që qëndronte para nesh, më dukej se po e dëgjoja klithmën e parë në jetë të Pren Kolës. Më stepi. U shtanga si gur. Ndjeva se buza po më dridhej. Edhe sytë m’u mbushën ujë, por nuk i lash të rridhnin. Gotat i zbra­­zëm. Ishte ora 17 kur i lam lamtumirën Niko­lin Zefit me shpresë se do të takohemi përsëri jo fort larg. Këtu u ndal edhe Zef Zefi që jetonte në Laç, por këtu kishte shtëpinë e vëllezërve.

Ndarja me vëllezërit  Gjoni

I fundmi përcjellës, Gjon Pjetër Gjoni, që pi­kërisht në këtë vend u bashkua me ne paradite, mbeti të na përshëndesë. Po, për ta çuar në vend nderin dhe burrërinë mirditore, ne u ndalëm edhe në shtëpinë e tij, që nuk është më shumë së 200 metra larg Rrugës së kombit. Në oborrin e tij, të rrethuar me pemë: rrush, molla, kumbulla e pemë të tjera, na pritën edhe dy vëlezërit Ndue Pjetër Gjoni dhe Nikollë Pjetër Gjoni si dhe zonja e shtë­pisë. Edhe këtu u freskuam me pije dhe pemë nga oborri i tyre. Biseduam, u njoftuam në detaje për secilin. Thamë shumë gjëra e më shumë na mbetën pa u thënë. Ndoshta ndonjëherë tjetër. Akrepat po shkelnin orën tetëmbëdhjetë kur u ndamë nga këta tre vëllezër bujarë e burra të fjalës, sa të ngopur për takimin tonë vëllazëror, aq edhe të mangët që ndo­dhemi kaq larg njëri-tjetrit, saqë për treqind vjet nuk kishim komunikuar njëri me tjetrin.

U nisem për Kosovë (Gjoni për Gjakovë e unë për Prishtinë) të mahnitur nga ajo që përjetuam gjatë kësaj dite në Domgjon. Makina e tij më dukej se nuk po ecte nëpër tokë. Sikur i kishte ngelur diçka në Domgjon. Edhe ne e ndienim veten të de­hur nga Munella e Kaptina, nga Gurra e Lteri, nga Sukërrasa dhe Guri në shesh që vetëm mirëse­ar­dhje jepte, e kurrsesi lamtumirë ose mirupafshim. Ndoshta nga malli treqindvjeçar që na ndante.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest