Reportazh nga Hasan Hasani – Përkola, botuar ne revista “Mirdita” 20
Një udhëtim i jashtëzakonshëm. Një udhëtim i pritur treqind vjet. Kësaj radhe dy domgjonas shkelën në Domgjon. Janë këta dy pinjoj nga vëllezërit Pren Kola e Gjon Kola (Përkolaj e Gjokolaj) që më 19 korrik 2018 i’a mësynë Domgjonit prej nga të parët e tyre u shpërngulën në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë: Përkolajt diku rreth viteve 1730, ndërsa Gjokolajt pesë-gjashtë dekada më vonë.
Pinjolli i Përkolajve (unë Hasan Hasani) shkeli për herë të parë në katundin e origjinës, ndërsa ai i Gjokolajve kishte qenë edhe një herë më parë, para shtatë-tetë vjetësh. Ky udhëtim u përgatit për disa muaj. Gjon Gega i Gjokolajve (nga Rezina-Gjakova) dhe Besnik Paci, një veprimtar i shquar i çështjes kombëtare dhe biznismen i njohur nga Domgjoni hartuan programin e udhëtimit tonë, më saktë, udhëtimit tim. Çdo gjë me përpikëri. Hjundai i Gjon Gegës marshin e parë e nisi nga Gjakova. Kaluam Urën e Fshejtë, gjatë bregut të Drinit të Bardhë, në Vermicë-Morinë (kufiri shqiptaro-shqiptar!), rrëzës Bjeshkës së Gjalicës dhe Malit të Pikëllimës, drejt tunelit të Kalimashit, për të arritur në Fan. Ecim e bisedojmë për Domgjonin. Çka na kujtohej. Dhe, tunelin e Kalimashit e lamë pas shpine. Gjoni m’i tregon katundet e para të Mirditës, që shtriheshin bregut të Rrugës së kombit, në të djathtë dhe të majtë, si: Thirrë, Gjakëz, Hebe, Sang. Frenat zvogëluan shpejtësinë. Sinjalet u ndezën. Po kthenim në të djathtë. Para nesh gjendet tabela e Fanit. Zbresim për dhjetëra metra poshtë…
Tre burra na presin në kthesë.
Ndalemi para tyre. Kishin dalë për të na pritur. Gjoni i njihte. Ishin Gjon Pjetër Gjoni (me djalë) dhe Zef Ndue Zefi. Që të dy nga familja e Gjokolajve, së cilës i përkiste edhe Gjon Gega. Unë me Zefin kisha komunikuar një muaj më herët përmes mesenxherit dhe telefonit. Bashkë me mirëseardhjen ndodhi ajo që duhej të ndodhte: një përqafim burrash mirditorë, vëllezërish mirditorë nga Domgjoni, një përqafim dhe shtrëngim i shoqëruar me dridhërima shpirtërore. Unë sikur jetoja një gjendje flurore. Më dukej se pesha ime më shumë qëndronte mbi tokë, sesa në tokë. Ndërruam ca fjalë dhe vazhduam rrugën. Ne na u bashkangjitën Zef Ndue Zefi dhe Gjon Pjetër Gjoni. Tabela tregonte se duhej të udhëtonim tre-katër kilometra deri në Domgjon. Në fillim, rreth dy kilometra na përcolli një shirit i ngushtë asfalti. Ishte rrugë zigzake, plot kthesa. Për t’u shndërruar me ndonjë veturë tjetër, duhej që të dyjat të mënjanoheshin në të djathtë duke nxjerrë secila njërin krah jashtë asfalti, në kalldrëmin me gurë. Me të mbaruar shiritin e asfaltit, na përcolli një rrugë e gurtë…
Domgjoni i mbuluar me gjelbërim
Po hynim në Domgjonin e rrethuar nga bjeshkët. Munella me 2000 metra lartësi mbidetare qëndronte shtatëlartë e krenare mbi Domgjon. Përballë Munellës, me Domgjonin në mes, një bjeshkë tjetër më e vogël, quhej Kaptina e Domgjonit. Edhe Sukërrasa ia shtonte bukurinë Domgjonit. Mes këtyre bjeshkëve, në dy-tri lugina të gjata, shtrihej Domgjoni. Sikur flinte mes këtyre bjeshkëve. Një katund i madh, me rrugë gurore, me shtëpi e kulla gurësh (relikte të kohëve të moçme), po edhe me shtëpi të reja e moderne, me pullaze të kuqe tjegullash. Në çfarëdo sheshi, kodre apo lartësie brenda katundit, Domgjoni nuk shihet. Është i tëri i mbuluar nga pemët dhe drunjtë, shpeshherë shumë të vjetra, si: gështenja, arra, kumbulla, qershi, molla, dardha, kajsia, pjeshka, rrushi, thana. Domgjoni i mbuluar me gjelbërim. Thanë se ka rreth 200 shtëpi, shkollë tetëvjeçare, kishë. Vetëm nëse ec nga rruga në rrugë, këto objekte i takon. Përndryshe, aty ku je ndalur shikon vetëm ndonjë objekt (shtëpi). Për këtë fajtor është gjelbërimi dhe shtrirja në dy-tri lugina, mbi të cilat ngrihen bjeshkët. Në asnjë mënyrë, nga asnjë pozicion, një panoramë të Domgjonit nuk mund ta fokusosh as me sy, as me aparat. Konfiguracioni i tij dhe gjelbërimi i dendur (verës) nuk ta mundësojnë një gjë të tillë.
“Mirë se vini në Domgjon”
Zbresim në Sheshin e Domgjonit. Pesë-gjashtë metra larg, një gur i madh në shesh, me një shqiponjë dykrenare në mes dhe fjalët: “Mirë se vini në Domgjon”. Po kaq larg ndodhej edhe një kafene e vogël, ku në dy tavolina në oborr qëndronin disa burra, të cilët kur na panë, u ngritën në këmbë. Shikimin e parë ia hodha kishës së katundit, të ndërtuar në vitin 1924; pastaj shkollës që ndodhej afër kishës (vetëm një rrethojë teli me gjemba i ndante oborret e këtyre dy objekteve fetare e arsimore). Përmbi ne ngrihej Munella gjigante. Seç m’u kujtuan Zanat e Fishtës! Thashë: po po, zanat e Mirditës gjenden aty! Ato e ruajnë në gjirin e tyre të thellë Mirditën! Ndoshta vetëm Domgjonin!? Ku ta di cilën?! Ndoshta të dyjat. Edh pse këtu ishte një ajër i dendur, i freskët, mua me dukej se nuk po mund të ngopesha frymë! Sikur nuk po ngihesha me ajër Domgjoni. Me ajër të parëve të mi!
U përshëndetëm me burrat që po qëndronin në këmbë. Kureshtjen e parë tonën, sikur e arsyetonin. Më i vjetri ndër ta, Pren Nikë Filipi (Domgjoni), një 74-vjeçar, na doli para. U shtrënguam ngrykas si dy malësorë të përmallshëm, pa u takuar njëri me tjetrin kurrë më parë. Si dy malësorë. Si dy mirditorë. Si dy domgjonas. Edhe me të tjerët ashtu. Na priu. Hymë brenda në kafene. U prezentuam. E morën vesh se kush ishim, për çka kishim shkuar, çka kërkonim të mësonim. Ia shtruam bisedës si vëllezër të një familjeje. Dhe ashtu ishim. Kjo është e vërteta. Ata me ne e ne me ata. Lirshëm. Ishin kureshtarë, sidomos për mua. Unë dhe Gjon Gega pyetnim. Ata përgjigjeshin. I kishte përgatitur Besnik Paci nga Domgjoni. Me ne ishte edhe Gjergj Ndrecë Çuni (arkitekt). Biseduam e biseduam. Gotat me raki ecnin ngadalë. Po koha na ikte shpejt. Kështu më dukej mua. Ngrihemi tha dikush. Kemi shumë për të parë.
Gurra e Domgjonit
Disa qindra metra u ngjitëm përpjetë me veturë, e pastaj edhe njëqind apo dyqind metra në këmbë. Aty ndodheshim para Gurrës së Domgjonit. Po çka është Gurra e Domgjonit? Historia e saj është tepër interesante dhe e rëndësishme për këtë lokalitet të lashtë antik. Gurra e Domgjonit është një pus i thellë (bunar) rreth gjashtë-shtatë metra. Muret e gurit i ka të çelikta, sepse gurët kanë zënë vend në mure, me material interesant, që u rreziston shekujve, dhe i domosdoshëm për kohën kur u ndërtua: gurë, lesh e tamël për t’iu qëndruar shekujve. Në të vërtetë, ky është ujësjellësi i Domgjonit. Zefi Zefi e Gjoni Gjoni na prinë. Unë pas tyre bashkë me Gjon Gegën, nëpërmjet një deriçke të vogël hymë brenda. Domgjonasit e rinj kishin ndërtuar shkallë të betonuara me hekura rrethojë të salduar, që vizitorët të mund të arrinin deri tek uji (tri-katër vadë) dhe ta prekin me dorë mrekullinë. Po cila është mrekullia? Ky pus, i quajtur Gurra e Domgjonit, është i vjetër më së paku 14 shekuj. Të dhënat arkeologjike thonë se është ndërtuar diku rreth shekujve 3 e 6 të erës sonë, dhe ka shërbyer për ta furnizuar me ujë lokalitetin (Domgjonin). Për më tepër unë (publicist e shkrimtar) nuk kam të drejtë të të hyjë më thellë, por këtë ua lë arkeologëve dhe historianëve, të cilët kanë shkruar, e do shkruajnë në të ardhmen. Këtu përfundon misioni im si pinjoll me prejardhje nga Domgjoni që për herë të parë po shkeli tokën e të parëve.
Në truallin e Patër Gjergj Fishtës
Jo larg Gurrës së Domgjonit, ndoshta rreth 100 metra, ndodhet trualli i të parëve të familjes së Homerit shqiptar, të përndritshmit Patër Gjergj Fishta. Trualli ishte i mbuluar me gjelbrim i tëri, nga pemët dhe drunjtë. Dukej qartë se aty nëpërmjet degëve të pemëve dhe drunjve, ngriste kokë një pullaz i një shtëpie të vogël. Nga ky truall shekuj më herët (mbi 200 vjet) familja e poetit kombëtar shpërngulet në Zadrime, më konkretisht në katundin Fishtë, ku edhe sot gjendet kulla ku ka lindur Patër Gjergji. Por, shikuar shtrirjen e Domgjonit, bjeshkët që e rrethojnë, të cilat që në shikim të parë të ngjethin mishtë nga pamja epike që mbrujnë në vete, atëherë nuk është vështirë të vendosësh aty-këtu edhe heronjtë epikë të “Lahutës së Malcis”, apo të “Mrizit të zanave” dhe “Valles së Parrizit”. Sigurisht, dukja epike e kësaj panorame që e rrethon këtë lokalitet, e krijoi edhe shpirtin epik të Gjergj Fishtës dhe heronjve të tij.
Një kujtim i këputur gjashtë dekada më parë
Pas kësaj vizite (Gurrës së Domgjonit dhe truallit të Patër Gjergj Fishtës) po zbrisnim teposhtë, bregut të një vije me ujë të kristaltë (rridhte nga Gurra) që zbriste për në thellësi të katundit. Ne ecnim në kolonë, njëri pas tjetrit (mund të rrëshqisje në vijën e ujit), bashkë me Zefin, thuaja dorë për dore, duke u mbajtur njëri për tjetrin. Ky më rrëfen: vëlla Hasan, deri në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, domgjonasit kanë mbijetuar me vetëm një profesion (zanat), me një mjeshtëri. Në krejt Mirditën, po edhe më larg (nuk është dëgjuar për ndonjë vend tjetër) vetëm domgjonasit kanë pasur bazenet e shumta ku njerëzit kanë mbaruar peshkven për t’i lyer qerret e drunjta që gjatë fërkimit të pjesëve të drunjta, të mos dëmtohen. Pra, peshkvja e ka burimin e vetëm këtu në Domgjon. Dhe domgjonasit e kanë furnizuar tregun me këtë lloj yndyre për qerre, kryesisht duke e shitur në Prizren dhe Gjakovë dhe vendet këtu përreth, aq sa kanë arritur t’i shkelin me këmbët e tyre.
Ky rrëfim për një çast me shkundi nga një pluhur harrese më i vjetër se gjashtëdhjetë vjet. Po pse vallë ndodhi kjo? Unë si fëmijë kam dëgjuar nga baca Mehmet dhe babai im (Mala), se të parët tanë, “atje prej nga kanë ardhur”, kanë pasur një zanat, e ky zanat ka qenë peshkvja për qerre. Pra, thoshin ata: kemi qenë peshkvaxhi prej të cilës kemi jetuar?
Po pse vallë u dasht të ma kujtojë vëllau Zefi këtë të dhënë që kurrmë s’e kam dëgjuar. Paskam pasë rënë në gjumë të thellë. Po të mos ishte Zef Zefi, mua kurrë nuk do të më ishte kujtuar kjo e dhënë. Dhe, pikërisht kjo e dhënë e muros bindjen se Përkolajt e Jabllanicës njëqind për qind prejardhjen e kanë nga ky katund, nga Domgjoni i Mirditës. A e kanë ushtruar këtë zeje Përkolajt në Jabllanicë, këtë nuk e di. Ndoshta në fillim po, sa për të mbijetuar. Shekulli tetëmbëdhjetë!
Në konakun e Gjergj Ndrecë Çunit
Rreth orës trembëdhjetë u ngujuam në dy makina. Destinacioni ishte familja e Gjergj Ndrecë Çunit. Aty ish përgatitur dreka për vëllezërit nga Kosova (Dushkaja) që për gati tre shekuj kanë lënë pas shpine Domgjonin dhe për një jetë më të mirë, kanë marrë botën në sy. Bukur larg shtëpia e tij. Ndoshta më shumë se një kilometër. Atje u ballafaquam me kullën e moçme prej guri. Gjergji si arkitekt, kishte filluar rinovimin nga themeli. Muret rrethore të shtëpisë i kishte ngritur me shije prej arkitekti duke bashkuar traditën me të sotmen. Një mrekulli e vërtetë. Një kështjellë e vërtetë mesjetare, me gurë të gdhendur mjeshtërisht. Po edhe shtëpia e re në oborr. Martini (vëllai më i ri i Gjergjit), djalë shtathedhur, bashkë me një nënë malësore bukur në moshë, na uruan mirëseardhjen. Brenda na priti sofra e shtruar. Përveç disa lloje rakishë, kush sipas qejfit, nuk jam në gjendje të numëroj sa lloj mishërash ndodheshin në sofër para nesh. Di vetëm se këtu, në këtë gojë bjeshkësh, edhe peshk u servua para nesh. Për bagëtitë e therura dhe sa sosh e cilat janë, hë për hë nuk jam në gjendje të them më shumë. Këto i shoqëronin sallatat e ndryshme me perime, po edhe pitet dy-tri llojesh që kishin mbuluar sofrën. Këtu gjendeshin edhe disa lloje djathërash. Drekë mbretërore mirditore, e pse jo edhe domgjonase.
Mua, si njeriut që për herë të parë po më shkilte këmba në truallin e të parëve, në Domgjon, pas gati tre shekujsh nga shpërngulja, më i vjetri në sofër, Pren Nikë Filipi (Domgjoni), po edhe Gjon Gegës, po ashtu një domgjonas i shpërngulur tash e dy shekuj e gjysmë nga kjo tokë, për t’iu bashkangjitur vëllait Pren Kola, na servoi përpara kokën e edhit që kishin prerë pikërisht për ne, të ndarë në dy pjesë. Ky është nderimi më i madh i mundshëm që i bëhet mysafirit, të huajit apo të të afërmit, në sofrën shqiptare në Dukagjin. E shikova. Iu drejtova Pren Nikës: atje kah ne, koka e dashit, cjapit, qengjit apo edhit që i çitet “mysafirit” përpara, nuk e han vetë, por e ka për detyrë ta ndajë me dy-tre burrat që i ka në krahë të djthatë dhe të majtë. Mirëpo, meqë gjysma iu servua Gjonit, ky le ta shikojë krahun e vet në të majtë, ndërsa unë krahun tim në të djathtë. I shkoi buza në gaz. Më shikoi ëmbël dhe luajti pakëz kokën (nuk e di të tjerët a e vërejtën), në shenjë pohimi, se ky është edhe zakoni jonë në Mirditë. Dhe cakrruam gotat e rakisë duke i uruar familjes Çuni shëndet e begati në familje dhe në sofrën për miq. Rreth orës pesëmbëdhjetë u ngritëm. U përshëndetëm me vëllezërit Gjergj e Martin Ndrecë Çunin duke i falënderuar për sofrën e begatshme me të cilën na nderoi ne, dy domgjonasve të vonuar në vatrën prej nga erdhën të parët. Këtu i lamë shëndenë edhe Pren Nikë Filipit duke u shtrënguar burrash, gjoks për gjoks vëlla me vëlla! Rrugës për në kthim përsëri u ulëm në kafenenë në shesh, ku kishim qenë para dy-tre orësh. E vizitova edhe Lterin 800 vjet të moçëm. Monument lashtësie që ndryn në vete një histori të këtij lokaliteti shumëshekullor. Edhe këtu biseduam rreth prejardhjes sonë. Të gjithë ramë në një mendim se katër vëllezërit nga Domgjoni: Menkolajt (Men Kola), Gjerkolajt (Gjergj Kola), Përkolajt (Pren Kola) dhe Gjokolajt (Gjon Kola) jemi nga familja e madhe e Kolës (mungojnë të dhënat se si quhej babai i Kolës) nga Domgjoni.
Kulla 400 vjeçare e vëllezërve Kolaj
Pas kësaj ndeje të shkurtër, u ngritëm nga kafeneja. U nisem rrugës teposhtë, prej nga kishim ardhur para dite. Pas disa qindra metrash (ndoshta 400 apo 500) u shmangëm nga rruga kryesore. Kthesa jonë mori në të djathtë. Kur arritëm në një luginë nja dy-treqind metra larg, kaluam një urë të vogël nën të cilën rridhte një lumë ujëshumë. Vetura jonë u ndal para një shtëpie të zhytur në gjelbërim. Para nesh zbardhon një kullë guri dykatëshe. Thanë se ka qenë trekatëshe, por ndër shekuj, kati i tretë i është hequr. Dukej si nuse domgjonase. Qoshet (këndet), gurët e dyerve të skalitur mjeshtërisht, të latuar mirë me daltë, të mëdhenj sa një trup burri, me gjysmëharkun përmbi, stolisnin këtë objekt. Tipike kullë malësore. Katin e dytë e mbanin trarët e drurit që 400 vjet pa u luajtur asnjë cpirrë. Para nesh doli Nikolin Zefi, i cili po jetonte në të, kushëriri i Zef Zefit që na shoqëronte. Pas mirëseardhjes (ishte ora 16 e 30 minuta pasdite), u ulëm në tarracën që ngjitej për këtë mur kulle, në katin e dytë. Përkundër asaj që dita ndodhej në të sosur, me këmbënguljen e Nikolinit, ne u detyruam të uleshim dhe të pinim nga një raki. Ende pa i mbushur gotat me raki qershie (në Domgjon rakia e qershisë zë vendin e parë nga të gjitha llojet e mundshme të rakisë, si më e mira, më e forta), zonja e shtëpisë solli një pjatë të madhe me djathë-meze. Kjo po bëhej për të çuar në vend hirin e zotit e të burrërisë shqiptare. I pari Nikolini, i zoti i shtëpisë, cakrroi gotat me të gjithë ne (Unë, Gjon Gega, Zefi Zefi dhe Gjon Gjoni) duke na uruar mirëseardhjen. Nisi rrëfimi për kullën, të cilin, siç duket këtë befasi e kishin lënë për fund. U tha: kjo kullë ka rreth 400 vjet (ndoshta një apo dy dekada më pak!) moshë ç’prej se ekziston. Në këtë kullë kanë lëshuar klithjen e parë fëmijët e katër vëllezërve: Men Kola, Gjer Kola, Pren Kola dhe Gjon Kola. Kjo kullë ku gjendemi sot ka përcjellë më shumë se 12 breza. Këtu Nikolinit i treguam se unë dhe Gjoni (nga Kosova) jemi pasardhës të Pren Kolës dhe Gjon Kolës. Unë nga Jabllanica e Dushkajës, ndërsa Gjoni nga Rezinat e Gjakovës, të cilët në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë kishim braktisur Domgjonin (shkaqet nuk i dimë, sëpaku ne brezat e fundit) dhe kishim marrë rrugët e botës në sy, për t’u vendosur në Kosovë, në dy katunde të Dushkajës (Jabllanicë e Rezinë), ndoshta për një jetë më të mirë. Këtu u fol edhe për pasardhësit e vëllezërve më të vjetër, Men Kola dhe Gjer Kola. Zef Zefi që kishte ardhur me një notes shënimesh pikërisht për këtë rast (ishte i njoftuar më herët) shpalosi të dhëna se përveç ne dy vëllezërve të shpërngulur, nga Men Kola sot jetojnë pasardhësit Preng Gjon Luçija në Durrës dhe i vëllai Tonin Luçija në Domgjon. Këtyre duhet bashkuar edhe vëllezër të tjerë nga ky bark që jetojnë në Kosovë. Ndërsa nga Gjer Kola është Preng Nikollë Bajraktari që jeton po ashtu në Durrës, e që i ka edhe pesë vëllezër, disa prej të cilëve jetojnë përkohësisht në Itali. Nga kjo familje, Fran Hajdar Bajraktari jeton në Domgjon, pikërisht në lagjen ku po zhvillohej kjo bisedë, jo larg shtëpisë së Nikolin Zefit. Dhe, pikërisht ishte kjo kulla ku lindën katër vëllezërit Kolaj, por nga e cila u shpërngulën Pren Kola në fillim (i pari) dhe Gjon Kola (më vonë) pas tij. Nga ky rrëfim, e sidomos, kulla që qëndronte para nesh, më dukej se po e dëgjoja klithmën e parë në jetë të Pren Kolës. Më stepi. U shtanga si gur. Ndjeva se buza po më dridhej. Edhe sytë m’u mbushën ujë, por nuk i lash të rridhnin. Gotat i zbrazëm. Ishte ora 17 kur i lam lamtumirën Nikolin Zefit me shpresë se do të takohemi përsëri jo fort larg. Këtu u ndal edhe Zef Zefi që jetonte në Laç, por këtu kishte shtëpinë e vëllezërve.
Ndarja me vëllezërit Gjoni
I fundmi përcjellës, Gjon Pjetër Gjoni, që pikërisht në këtë vend u bashkua me ne paradite, mbeti të na përshëndesë. Po, për ta çuar në vend nderin dhe burrërinë mirditore, ne u ndalëm edhe në shtëpinë e tij, që nuk është më shumë së 200 metra larg Rrugës së kombit. Në oborrin e tij, të rrethuar me pemë: rrush, molla, kumbulla e pemë të tjera, na pritën edhe dy vëlezërit Ndue Pjetër Gjoni dhe Nikollë Pjetër Gjoni si dhe zonja e shtëpisë. Edhe këtu u freskuam me pije dhe pemë nga oborri i tyre. Biseduam, u njoftuam në detaje për secilin. Thamë shumë gjëra e më shumë na mbetën pa u thënë. Ndoshta ndonjëherë tjetër. Akrepat po shkelnin orën tetëmbëdhjetë kur u ndamë nga këta tre vëllezër bujarë e burra të fjalës, sa të ngopur për takimin tonë vëllazëror, aq edhe të mangët që ndodhemi kaq larg njëri-tjetrit, saqë për treqind vjet nuk kishim komunikuar njëri me tjetrin.
U nisem për Kosovë (Gjoni për Gjakovë e unë për Prishtinë) të mahnitur nga ajo që përjetuam gjatë kësaj dite në Domgjon. Makina e tij më dukej se nuk po ecte nëpër tokë. Sikur i kishte ngelur diçka në Domgjon. Edhe ne e ndienim veten të dehur nga Munella e Kaptina, nga Gurra e Lteri, nga Sukërrasa dhe Guri në shesh që vetëm mirëseardhje jepte, e kurrsesi lamtumirë ose mirupafshim. Ndoshta nga malli treqindvjeçar që na ndante.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

