Po përmbyllet viti i legjendarit Gjergj Kastrioti, maja më e lartë e historisë së shqiptarve e të Europës njëkohësisht. E them këtë postulat, duke qenë i bindur se asnjë figurë tjetër në historinë e kontinentit tonë nuk ka luajtur një rol aq të madh sa ai. Kush nuk bie dakort me mua, le të perifrazojë fjalët e Sulltan Mehmetit të II-të, gjakatar e përbindësh, i cili kur mori vesh për vdekjen e Gjergjit të Madh tha:
Një luan të tillë nuk do t’a lindë më dheu kurrë! Mjerë krishtërimi që i humbi shpata dhe mburoja. Papët e mëdhenj, bashkohësit e tij Kalisti dhe Nikolla e quajtën “atlet të Krishtit”. Por, ai nuk ishte i vetëm. Zoti i dërgoi pas dy shekujsh Arbënorve birin e tij të shquar Papa Klementin e XI-të. Ai bëri me mendjen e tij brilante për besimin, gjuhën e kulturën e Arbënorve atë që Gjergji legjendar e pat bërë me shpatë. Kuvendi i Arbnit i vitit 1703, është djepi i Rilindjes Kombëtare ose e thënë shqip ditëlindja e kombit kulturor shqiptar. Kjo ngjarje kulmore e historisë kombëtare meriton respektin më të madh nga bijt e kësaj toke. Nuk na lejohet kurrsesi ta harrojmë birin e madh të Shqipërisë që u ngjit madhërisht në fronin e Shën Pjetrit dhe bëri kaq shumë mrekullira për atdheun e të parëve të tij.
Eshtë në nderin tonë,e njëkohësisht një urdhër i historisë dhe i dinjitetit kombëtar që të mbahet një meshë përshpirtjeje e falenderimi për këtë shqiptar të jashtëzakonshëm që u ul në poltronin e Shën Pjetrit dhe i dha lavdi të pavdekshme tokës martire Arbnore.
E ku më mirë se në Mirditë do të përkujtohet e nderohet ky Papë i Madh?! E kush më mirë se Imzot Gjergj Meta mund ta celebrojë meshën e shejnjtë e të flasë dy fjalë zemre për këtë figurë të jashtzakonshme të kombit shqiptar e të mbarë krishtërimit. Ta nderojmë pra atë që ndezi dritën e pashuar për shqiptarët në terrin e zi të natës Osmane!

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

