Rruga për në Kryezi të Pukës zë fill sapo lë pas NBT-OIL, në afërsi të Repsit. Në të djathtë të autostradës një rrugë tjetër gjarpëron malores për të Shpal, për të vazhduar në drejtim të Gjegjanit dhe Fushë-Arësit. Rruga e cila deri pak vite më parë ishte e vetmja rrugë më e rrahur për Kukës dhe Kosovë tashme nuk frekuentohet as në 10% të frekuentimit të dikurshëm. Por rreth dy vite më parë ajo është rikostruktuar në parametra cilësorë duke i dhënë asaj një pamje panoramike, aq sa nuk kupton nëse rrotat e automjetit prekin mbi tabanin e saj. Megjithatë ajo çfar bie në sy mësëshumti janë lapidarët pothuaj në çdo kilometër. Janë lapidarë në përkujtim të jetëve të humbura ndër vite, kryesisht nga aksidentet e shumta, por edhe viktima të grabitjeve të vitit 1997 e pak më vonë.
Aksidentet më të rënda janë ai i Domit në Gjegjan më 19 korrik 2010, kur autobuzi doli nga rruga në një kthesë duke shënuar vdekjen e 14 pasagjerëve ndër ta katër fëmijë. Por më tej në të hyrë Fushë-Arësit, një memorial përkujton tragjedinë e 14 tetorit 2004 kur gjimnazistët kosovarë që ishin nisur për një ekskursion 5-ditor në Shqipëri përfunduan në greminë, ndërsa 14 prej tyre humbën jetën tragjikisht. Ndësa rruga vijon, lapidarët nuk kanë fund, e padyshim lutja është që këto ngjarje ti përkasin vetëm të shkuarës së largët.
Sot lëvizjet e mjeteve janë shumë më ta rralla, kryesisht autovetura të vendasve, ndërsa vijon pa fund lëvizja e mjeteve të rënda të firmës së ujit, “Lajthiza”. Se Puka ka ujë pafund e çdo kthesë apo fshat ka nganjë burim uji të kristaltë. Lëvizja e automjeteve të mëdha është ditë e natë. Janë automjete që marrin ujin në burim, dhe nuk është çudi që ujin e Lajthisës së Pukës, vetë pukjanët ta blejnë me shishe të ambalazhuara nëpër kafenet e zonës, pasi ky ujë në fakt konsumohet në të gjithë Shqipërinë, e ndoshta më tej.
Fusharrëzi është një qytet që ende mbahet për nga numri i popullsisë, pasi shkolla e mesme si tregues i dendësisë qytetare, i ka mbi 700-800 nxënës. Vetëm 3 km pasi ke lënë rrugën kryesore që vijon për Qafë Mali e më tej për Kukës, rrugës për në zonën e Iballës, shfaqet fshati Kryezi.
Në Kryezi, ku Bujtina MAKRY sapo ka filluar nga aktiviteti.
Kryeziu është fshati më i madh i Njësisë Administrative së Qafëmalit, në administrim të Bashkisë Fushë-Arës, e që është një nga 100 fshatrat e caktuar për zhvillim ekonomikoturistik. Në të djathtë të rrugës që shkon për në Iballë. Në të hyrë të fshatit Kryezi, vetëm 3 km nga Fushë-Arësi shtrihen rreth 400 metra ndërtim që në ballinë ka të shkruar tabelën sinjalizuese Makry. Kjo Bujtinë u ndërtua falë bashkëpunimit të znj. Marianne Graf, presidente e Shoqatës Austri-Shqipëri, Partnershaf dhe z. Nikolin Prenga banor i këtij fshati. Fshati Kryezi është një nga fshtrat më të mëdhenj në veri të Shqipërisë, që shtrihet në mes të bjeshkëve me një numër të madh malesh përrreth dhe me një bukuri të rrallë piktoreske. Njëherit ky fshat është edhe vendburimi i lumit Fan i madh. Karakteristikë kryesore që e bëjnë tërheqës këtë fshat është bashkëjetetsa mes shumë fiseve dhe besimeve fetare që bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Dhe pse nuk ka më shumë se dy javë që ka përfunduar procesi i vënies në punë të saj dhe toka në oborr është ende e pa zënë vend, pamjet që ofrohen janë mahnitëse. Një tis i hollë dëbore i ka dhënë zonë një pamje edhe më të bukur. Një ndërtesë në hyrje ofron mundësinë e akomodimit të rreth 200 personave për evente të ndryshme si dasma apo gëzime të tjera. Ndërtesa tjetër vijuese është cilësisht në çdo detaj të saj. Në tre kate përveç pjesës së lokalit ku mund të shijosh çdo lloj ushqimi e mishi të mbarështruar rreth 800 metra mbi nivelin e detit, mund të akomodohen 24 persona në dhoma të përmasave të ndryshme. Nikolini, administrator i bujtinës, thotë se është punuar me kujdes të madh që turistët të gjejnë një shërbim të kulturuar përvec ajrit të pastër dhe pamjeve mahnitëse që ofron natyra e fshatit Kryezi.
Duke vijuar më tej, Nikolini thotë se jemi përpjekur dhe ja kemi arritur që bujtina jonë të ofrojë ambiente relaksuese për të gjithë vizitorët e saj, në 24 orë pa ndaluar. Ne ofrojmë si vlerë të shtuar gatimet tradicionale të këtij fshati ku spikasin gatimet me perime të zonës si flija, mishi në hell ose ferliku, bylmeti i prodhuar në fshat, buka e misrit, etj. Por aq avantazh i madh është rruga e asfaltuar me parametra shumë cilësore që e lidh këtë fshat me rrugët kryesore. Sipas Nikolin Prengës, hapja e kësaj bujtine do të jetë një mundësi e mirë për të ardhmen e zonës ku me këto produkte do të kemi një menu të pasur e të shumëllojshme falë produkteve bio të zonës, por edhe frutave të buta e të egra që ofrohen. Burimet e ujit të pijshëm, klima kurative e bjeshkëve si dhe një numër i madh bimësh medicinale do të jenë elementë të rëndësishëm për zhvillimin e këtij bisnesi, ka përfunduar z. Prenga i cili thotë se për pronetime mund ta kontaktojnë përmes numrave të kontaktit si 355685640041 dhe 355674966833 për dhe adresës së emailit: [email protected]
Aleksandër Ndoja

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

