Nga Hasan Hasani, shkrimtar, Prishtinë.
Herët në mëngjes, bashkë me muzat e këngëve, është zgjuar Mirdita, nga Kukësi e Puka, nga Shkodra e Lezha dhe, nga Mati e Malësia e Gjakovës. Të gjitha rrugët gjarpnore, kryq e tërthor, bartin njerëz (mirditorë e mirditore), të veshur si për të kremte, të cilët ia kishin mësyrë rrugëve që të gjitha të çonin në një pike. Janë nisur për diku?! Edhe përrockat e përrojet zbresin vrullshëm në drejtim të lumit Fan, për t’u puthitur me Rrugën e Kombit, që krahas njëra-tjetrës zbresin drejt lumit Mat, për në rrafshinën e Milotit. Gumëzhijnë rrugët e malet, lumenjtë e bjeshkët… Përplot mirditorë.
Po për ku o Zot janë nisur gjithë këta mirditorë? Ku është caku i kësaj ajke të Mirditës? Mos vallë ka ra kushtrimi në Mirditë që shtatë e shtatëdhjetë të dalin në mbrojtje të vatanit si dikur? Dhe kështu kanë marrë rrugët në sy si dikur Bajraqet dhe bajraktarët për t’i dale zot Shqipnisë? Dhe jo vetëm nga Mirdita. Jo, jo! Nga të gjitha viset shqiptare, ku jetojnë mirditorët. Nga Kosova e Maqedonia, nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Po pse jo edhe nga Çameria! Të gjitha rrugët sot çojnë në Tiranë. Të gjithë këta njerëz: miditorë e mirditore kanë një cak. Po cili?! Cili është ky cak i mirditorëve sot? Kush tjetër? Tirana.
Muzeu Kombëtar. Muzeu historik. Ky është caku ku do mblidhen kokë më kokë mirditorët e mirditoret. Dhe të tjerë po se po! Nga Kukësi e Tropoja, nga Shkodra e Lezha, nga Puka e Zadrima, nga Tirana e Durrësi, nga Prishtina e Tetova, nga Rrësheni e Dibra ia kanë mësyrë një të kremteje të madhe mirditorët. Ditë e shenjtë për ta. Sot Mirdita ka ra në Tiranë. Kanë një ditë të shenjtë. Sikur të ishte Dita e Emrit. Dhe kanë arsye mirditorët dhe mirditoret që kanë ra sot në Tiranë.
Shoqëria Kulturo-Artistike “MIRDITA” i ka bashkuar sot mirditorët nga të gjitha trojet etnike. Me të vetmen arsye, vlerësimi i angazhimit dhe i krijimtarisë jetësore dhe artistike të mirditorëve në përgjithësi. Pra, kontributi i tyre i çmuar për revistën “Mirdita”, në veçanti gjatë vitit kalendarik 2018. E gjithë kjo e kremte stolisi Muzeun Historik-Kombëtar të Tiranës. Krenarë dukeshin mirditorët në këtë sallë të madhe të Muzeut që mbante ngjyrën e gjakut. Me vete kishin sjellë vitet, veprat, madhështinë e Mirditës, krenarinë e kombit nga qindvjetëshi i kaluar.
Në ballë të tyre e shikoja në heshtje, të madhin e Mirditës, etnografin e shkencëtarin, akademikun Mark Tirta, me 83 vjetët mbi supe. Veprat e tij kanë mahnitur, jo vetëm botën shqiptare, por edhe qendrat ndërkombëtare shkencore. Dhe mirditorë e mirditore të tjera, që me mund e sakrifice kanë ngritur kështjellën madhore të quajtur MIRDITË. Të gjitha këto mendje të ndritura sot u shtrënguan dorë më dorë e gjoks më gjoks si mirditorë: poetë, tregimtarë, romancierë, eseistë, estetë, kritikë, studiues, historianë, etnografë, publicistë, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, teologë, piktorë, skulptorë, muzikantë, rapsodë, valltarë, instrumentistë, koreografë. Të gjithë mirditorë.
Por jo vetëm mirditorë. Andaj, e diela e sotme, nuk është e rastit, sepse të gjitha rrugët na sollën në Tiranë, ku u shpalos faqe për faqe revista “Mirdita”, kontributi që ajo dha nëpërmjet personave të shquar të kulturës. Kjo e kremte e organizuar nga mirditorët, e prirë nga drejtori i SHKA “Mirdita, z. Pjetër Marku, dhe kryeredaktori i revistës “Mirdita”, z. Aleksandër Ndoja. Në këtë të kremte madhështore, bartës i së cilës ishte Shoqëria Kulturore-Artistike “MIRDITA” dhe Revista Kulturore-Periodike “Mirdita” si organ i saj, u lauruan 43 individë me tituj nderi: “Krenaria e Mirditës”, “Personalitet i shquar i kulturës”, “Mirënjohje”, “Çmime” etj.
Ecuria sipas kronologjisë së këtij tubimi madhështor duket kështu. Me “Mirnjohje” u vlerësuan: Mark Marku (Tiranë) dhe Ndue Tusha (Tiranë) për kontribut të vaçantë në organizimin e veprimtarive të SHK “Mirdita”; Ilir Simoni (Rrëshen) instrumentist për 30 vjet, shoqëruar suksesshëm i veprimtarive kulturore-Mirditë; Lin Kiku (Rrëshen) për kontribut në transmetimin cilësor të veprimtarive kulturore e muzikore ndër vite; Nikolin Gjaci (Fanë) për mbështetje në botimin e revistës kulturore “Mirdita” 2018; Arta Zeneli (Tiranë) prej disa vjetësh në shërbim të shpërndarjes dhe përhapjes së librit mirditor në Tiranë; Llesh Lleshaj (Tiranë), instrumentist i shquar i përmasave kombëtare; Zef Pershqefa (Tiranë) për ruajtjen e trashigimisë së punimit të instrumenteve popullore; Ali Hasani (Tiranë) për mbështetje të veprimtarive kulturore të SHKA “Mirdita” dhe Xhavit Lashi (Tiranë) për kontribut të veçantë në realizimin e veprimtarive të SHKA “Mirdita”. Me çmimet “Yjet e Arbërit” (çmimi i madh vjetor) u nderuan: Nikollë Loka (Tiranë) për kontribut cilësor e bashkëpunëtor në revistën kulturore “Mirdita” 2018; Hajdar Fejzullahu (Prishtinë) për bashkëpunimin dhe mbështetjen në botimin e revistës “Mirdita”; Rovena Vata (Tiranë) për studimin më të mirë; Dan Ibrahimi (Prishtinë) për poemën më të mirë; Vera Istrefaj (Kukës) për poezinë më të bukur; Qëndresa Sadrijaj (Pejë) për poezi si poetja më e re; Ndue Dragusha (Lezhë) për tregimin më të mire; Mark Mesuli (Gojan-Pukë) për portretin artistik; Skënder Doda (Tiranë) për portretin më të mirë me vlera historike; Mark Palnikaj (Tiranë) për bashkëpunim me revistën dhe hulumtim të vlerave më të veçanta arkivore me tematikë nga Mirdita; Oltsen Gripshi (Durrës) për kritikën më të realizuar; Ylli Xhaferri (Tiranë) për reportazhin më të mirë; Zef Shoshi (Tiranë ) për portretin më të mirë; Ismail Lulani (Tiranë ) për kompozimin më të mire; Ikbal Beli (Tiranë) për kompozimin botuar në revistën “Mirdita”; Bashkim Dervishi (Tiranë) për portretin më të mire në revistën “Mirdita”; Fotini Seriani (Tiranë) për portretin e kompozuar botuar në revistën “Mirdita”; Petro Ikonomidhi (Gjirokastër) për peizazhin më të mire botuar në revistën “Mirdita”; Vangjel Peco (Berat) për portretin më të realizuar në skulpturë botuar në revistën “Mirdita”; Ilija Rota (Tiranë ) për natyrën e qetë më të ralizuar, botuar në revistën “Mirdita”; Demush R. Avdimetaj (Suharekë) për grafikat tematike më të realizuara, botuar në revistën “Mirdita” dhe Refki Gollopeni (Suharekë) për stemën e Bashkisë Mirditë – realizues cilësor i heraldikës-stemës së Bashkisë Mirditë”, botuar në revistën “Mirdita”.
Me Çmimin “Viti i Skënderbeut” u nderuan: Guri Madhi (Tiranë) për portretin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut botuar në kopertinën e “Apologjisë poetike” në revistën 21 “Mirdita”; Murat Ajvazi (Zvicër) për librin “Skënderbeu në historiografinë zvicerane; Preng Cub Lleshi (Rrëshen) për “Polemika për Kastriotët botuar në revistën “Mirdita” dhe Vangjel Gjikondi (Tiranë) për kompozime figurative për Skënderbeun botuar në revistën “Mirdita”. Në Promovime librash u vlerësuan: Murat Ajvazi (Zvicër) për librin “Skënderbeu në historiografinë zvicerane”; Mark Gjergji (Kaçinar-Mirditë) për dy librat: “Bukuri Mirdite” dhe “Mallë”, si dhe Mimoza Raci (Fushë-Kosovë), Eltona Lakuriqi (Tiranë), Gjon Marku, Preng Cub Lleshi, Nikollë Loka etj.
Të gjitha këto mirënjohje i ndau kryeredaktori i revistës “Mirdita” z. Aleksandër Ndoja. Ndërsa kapitullin e fundit e bëjnë edhe dy kategori mirënjohjesh të larta, apo më mirë të themi, dhënie titujsh, si “Personalitet i shquar i kultures” dhe “Krenaria e Mirditës”, të cilat i ndau drejtori i SHKA “MIRDITA” dhe revistës Kulturore – Peroidike “Mirdita”, z. Pjetër Marku. Me titullin “Personalitet i shquar i kulturës” u nderuan: Kolë Picaku (Rrëshen) për 56 vjet kontribut të veçantë në fushën e artit muzikor; Gjon Marku (Rrëshen) për kontribut të veçantë në vjeljen e mendimeve më të kualifikuara për Mirditën dhe mirditasit; Hasan Hasani (Prishtinë-Kosovë) për 71 libra të botuar e qindra shkrime në organet e shtypit shqiptar, pjesë e kulturës tonë kombëtare; Dodë Ndrecaj (Klinë-Kosovë) për kontribute të veçanta kulturore prej më se dy dekadash në shërbim të çështjeve kombëtare dhe Zef Ndue Z. Ndoci (Spaç-Mirditë) si njeriu i karakteristikave më të mira dhe mbartës i vlerave kulturore të mirditasit. Kjo e kremte arriti kulmin, kur me titullin e madh “Krenaria e Mirditës” që po ashtu jepet për herë të parë, u nderuan katër mirditorë të çmuar nga fusha të ndryshme krijuese, artistike dhe shkencore. Këta janë: Mark Tirta (Tiranë) për vepra të mëdha e përfaqësuese në kulturën kombëtare; Frrok Çupi (Tiranë) për përfaqësim dinjitoz dhe kontribut të spikatur në mediet e shkruara kombëtare e ndërkombëtare; Fatmir Sulejmani – Fani (Tetovë-Maqedoni) për kontribut shkencor në fushën e shkencave shqiptare dhe gjenerali Dedë Prenga (Tiranë) për reflektim e përcjellje kudo të vlerave më të larta mirditase.
Tiranë 2 dhjetor 2018

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

