Nga: Nikoll Loka, historian.
I gjithë zhvillimi kulturor gjatë Mesjetës kryhej nën udhëheqjen e klerit, që kishte plotësisht në dorë arsimin. Profesioni i klerikut dhe detyra e mësuesit nuk ishin të ndarë dhe u ishte besuar priftërinjëve rregullarë dhe shekullarë. Pas pushtimit osman dhe ndërprerjes së lidhjeve me Perëndimin, meshtarët e rinj përgatiteshin në gjuhën shqipe pranë famullive. Priftërinjtë u mësonin xhakojëve të tyre vetëm sa të lexojnë dhe pastaj ipeshkëvinjtë, me shkakun se gëzonin privilegjin apostolik, në një kohë të shkurtër u jepnin urdhërat e shenjtë, pa iu bindur normës së Koncilit të Shenjtë të Trentos. Shkollimi në Itali nuk i zgjidhte problemet, sepse pranimi nuk ishte i lirë dhe rishtarë shqiptarë përzgjidheshin në numër të vogël e të pamjaftueshëm për të plotësuar nevojat shpirtërore të arbërve (shqiptarëve) që ende ishin katolikë.
Sipas dokumenteve të Arkivit të Propagandës Fide dhe nga disa kronika të kohës mësojmë se të vetmit mësues në Shqipëri ishin meshtarët dhe rregulltarët françeskanë, detyra kryesore e të cilëve ishte mësimi, predikimi dhe pagëzimi. Në Arqipeshëkvinë e Shkupit ata formuan Prefekturën e Serbisë me hospice në Gjakovë, Pejë e pastaj në Zym. Duke dashur të realizojnë edukimin fetar të njerëzve në gjuhën e shqipe, françeskanët siguruan dhe arsmimin elementar të tyre, sidomos të fëmijëve dhe hodhën bazat për një punë më të organizuar në fushën e arsimit në të ardhmen. Veprimtaria arsimore e kryer nga misionarët ishte e ndarë në ciklin e ulët, ku mësohej shkrim dhe këndim me cikël të mbyllur a të përfunduar dhe ciklin e lartë, ku mësohej edhe gramatika. Me mbarimin e shkollës së dytë (të gramatikës) vazhdonte shkolla e mesme a gjimnazi i asaj kohe. Fëmijët që e mësonin leximin dhe shkrimin shqip, mbrëmjeve në shtëpitë e tyre, u mësonin të vetëve shkrim dhe lexim, duke u bërë përhapës të mësimit shqip në familjet e tyre. Në shkollat në gjuhën latine, nisi të përdorej edhe shqipja për nevojat e mësimit të gjuhës së huaj dhe si nevojë e klerikëve të huaj për të mësuar gjuhën e vendit.
Pas Koncilit të Trentit (1545-1563) kisha lejoi mësimin e gjuhëve popullore dhe duke parë përhapjen e vrullëshme të fesë islame në Ballkan, ndihmoi në mësimin e atyre gjuhëve nëpër shkolla. Pra Selia e Shenjtë e përkrahu zhvillimin e gjuhëve kombëtare, sepse mesazhet e kishës katolike në ato gjuhë bëheshin më të kuptueshme për njerëzit. Në mungesë të kelrikëve të shkolluar, ishin dërguar në vend misionarë të huaj që kishin mësuar gjuhën shqipe. Me të ardhur në trevat shqiptare, njërën nga detyrat kryesore të tyre kishin përgatitjen e klerit vendës për të vazhduar studimet në shkollat jashtë vendit. Në vitin 1655, arqipeshkvi i Shkupit Andrea Bogdani në raportin e vet, dërguar Kongregates së Propagandës, kërkon pesë misionarë, te cilët ishin paraparë të shërbenin në Prishtinë,Trepçë, Kratovë, Mal të Zi të Shkupit si dhe në katundet Gillas, Bresalce dhe Bernice. Ata përveç shërbimit shpirtëror do të angazhoheshin dhe në mësimin e leximit dhe shkrimit në gjuhën amtare.
Veprimtaria arsimore e kryer nga misionarët ishte e ndarë në ciklin e ulët, ku mësohej shkrim dhe këndim me cikël të mbyllur a të përfunduar dhe ciklin e lartë, ku mësohej edhe gramatika. Me mbarimin e shkollës së dytë (të gramatikës) vazhdonte shkolla e mesme a gjimnazi i asaj kohe. Mësimet zhvilloheshin pranë kishave, kuvendeve ose banesave të misionarëve, ku mblidheshin bijtë e vegjëlisë, katundarë e malësorë, për të mësuar së bashku me doktrinën e krishterë, elementet e shkrim këndimit. Nga këta “shkollarë” zgjidheshin pastaj ata që do të ndiqnin rrugën e meshtarisë dhe të rregulltarisë që, së pari instruktoheshin në “shkollat” e vendit ose seminaret, e pastaj dërgoheshin në kolegjet e Loretos, Fermos, Urbanit në Romë, Padovës, Tropeas, etj. për të vazhduar studimet e larta filozofike e teologjike.
Duke qenë institucione arsimore të veçanta që përgatisnin nxënës që do të vazhdonin studimet për klerikë, shkollat kishin një numër i kufizuar fëmijësh, por gjithnjë në numër më të madh se sa ishin nevojat. Për studimet e mëtejshme kandidatët përzgjidheshin mbi bazën e kritereve rigoroze. Arsimi shqip u zhvillua pranë qendrave të rëndësishme ekonomike si Novobërdë, Janjevë, Gjakovë apo trevave malore si Stubëll, Zym etj. në mjedisin e pastër shqiptar ose të përzier nga etnikisht, ku mbizotëronte elementi shqiptar.
Arqipeshkëvi i Tivarit Gjergj Bardhi, pas vizitave në famullitë e Kosovës, në vitet 1642-1643, i shkroi Kongragacionit të Propagandës: “Ata të Serbisë së Poshtëme, (Provinca kishtare françeskane) d.m.th. Prizreni me krahinën e Hasit, Jakova, famullia e Shën Mërisë së Shëgjeçit, këta të gjithë flasin gjuhën epirotike, d.m.th. shqipe dhe duan që të kenë meshtarë dhe famullitarë në gjuhën e tyre shqipe dhe tash aty gjenden tre me këtë gjuhë në shërbim të shpirtnave. Zgjidhjen e problemit të meshtarëve që dijnë shqip, Imzot Bradhi e sheh në shkollimin e klerit vendës. Ai sugjeron që “vendi i Andrea Bogdanit të mbetet i lirë në vijimësi për nxënës të tjerë nga Serbia”.
Në kushtet e mungesës së klerikëve, kërkesat ndaj nxënësve ishin të ulta. Priftërinjtë u mësonin xhakonjëve të tyre vetëm sa të lexonin dhe pastaj peshkopët, me shkakun se gëzonin privilegjin aspostolik, i shuguroninmeshtarë. Siç del nga relacionet, klerikët e formuar për nevoja kishin mangësi të theksuara, që dalin nga relacionet kishtare. Në Trepçë ishte famullitar Stefan Matiqi “me dituri shumë gjysmake”, në Shkup Dom Gjohan i Marin Vasilit me dituri të mesme”, edhe Dom Pjetër Bardhi, Dom Gjon Mila dhe Dom Simon Mesi kishin njohuri gjysmake dhe e njihnin pak gjuhën italiane. Në Letnicë, famullitari Dom Gjek Belaçi kishte dituri mesatare”; në Gjakovë shërbente Dom Prend Bardhi me dituri mesatare.
Por kishte ndonjë rast, kur klerikët e ndjenin vetë nevojën në mënyrë autodidakte. Në një relacion të Gjergj Bardhit, Arqipeshkëv i Tivarit mbi vizitën në Kosovë dhe Serbi, autori na tregon se udhëtoi nga Prizreni në Çiprovac të Bullgarisë, ku kishte takuar një prift shqiptar Nikollë Koleshi (?), “60 vjeç plak, i dobët në dituri dhe me shkollë të paktë që nuk dinte italisht dhe latinisht, aq më pak ilirishten (serbishten). Por, gjatë vizitës tjetër që kishte bërë në vitin 1642, Imzot Bardhi kishte konstatuar përmirësime, të cilat i kishte shprehur me formulime më pozitive se “famullitari kishte dituri gjysmake e të pakta”. Ja rasti i një prifti katolik shqiptar që nuk ka bërë studime jashtë vendit dhe që ka mësuar në vend në mes të kolegëve të vet dhe, përveç shqipes që ai e përdor keq në shkrim, mund të dijë dhe pak italisht e sllavisht. Në Kolegjin e Loretos pranoheshin studentë të moshës 16-20 vjeç, të cilët duhet të kishin fituar njohuri të thelluara në shkrim e lexim në gjuhën e vendit , por sidomos në gramatikën e italishtes. Përjashtoheshin nga kjo kërkesë vetëm rishtarët që vinin nga Perandoria Osmane, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare, pasi pas gjase mungonin mundësi të tilla formimi. Rishtarët shqipatrë që pranoheshin duhet të provonin aftësitë e tyre në italisht. Në rastet kur nuk kishin njohuri të mjaftueshme, kalonin në përgatitje paraprake, para se të pranoheshin në kolegj dhe kur e kalonin testimin për mësimin e gjuhës, fillonin menjëherë mësimet në kursin e latinishtes. Kërkesa për përvetësimin e gjuhës italiane kishte dhe Kolegji i Propagandës së Fesë, por në atë Kolegj, krahas italishtes kërkohej dhe mësimi i latinishtes. Kandidatët që pranoheshin në Kolegjin e Propagandës së Fesë duhet të ishin nën 18 vjeç dhe në këtë moshë duhet të dinin pak a shumë latinishten, krahas italishtes. Rishtarët shqiptarë që nuk i njihnin këto gjuhë paraqiteshin në moshë më të re.
Nga 118 studentët që vazhduan Kolegjin e Propagandës së Fesë në Romë, 1 student e kishte mësuar leximin dhe shkrimin në atë Kolegj, domethënë ia kishte filluar nga arsimi fillor. Pjesa tjetër ia kishte filluar me gramatikën që tregon se e kishin mbaruar arsimin fillor, por kishte dhe nga ata që ia fillonin drejtpërdrejt me teologjinë ose filozofinë, që do të thotë se kishin mbaruar seminarin në vend. Kjo do të thotë se në trevat shqiptare kishte edhe shkolla shqipe të nivelit të shkollës së mesme.
Në tërësi, në të tre kolegjet mbaruan studimet 65 studentë nga arqipeshkëvia e Shkupit. Siç shihet, numri i klerikëve të shkolluar jashtë vendit nga Arqipeshkëvia e Shkupit ishte në nivel afërsisht të njëjtë me atë të ipeshkëvive të tjera në trevat shqiptare. Klerikët e shkolluar jashtë ishin dhe mësuesit e parë të gjuhës shqipe, pasi ata që kishin vetëm shkollimin në vend nuk ishin në gjendje të kryenin këtë detyrë. Vlerëzime pozitive gjen në relacionet e ndryshme për klerikët Andrea Bogdani, Gjon Lili, Jul Martini dhe Mate Matiç, që kishin përfunduar studimet e larta.
Si forma më e përgjithëshme e arsimimit ishte të mësuarit individual ose në grupe të vogla pranë kishave katolike. Don Andrea Bogdani kishte dy seminaristë, që i mësonte në shtëpinë e vet, Dom Mate Matiq kishte pesë xhakoj, Imzot Gjon Nikollë Kazazi shtatë fëmijë etj. Pranë famullive nxënësit merrnin arsimin elementar, kryesisht leximin dhe shkrimin dhe pastaj dërgoheshin pranë ipeshkëvit, ku mësoheshin doktrinën e krishterë, që mund të konsiderohet një nivel më i lartë shkollimi. Pra pa kaluar zyrtarisht në një shkollë, nxënësit pranë famullitarëve dhe ipeshkëvinjëve mund të përfundonin deri studimet e mesme. Kjo praktikë zbatohej kur autoritetet osmane i kishin mbyllur shkollat.
Në Kosovë shumica e shkollave u mbajtën nga klerikë shqiptarë që kishin përfunduar studimet e larta jashtë vendit. Për një vend me popullsi etnikisht të përzierë, prania e klerikëve shqiptarë me shkollë të lartë ndihmonte në përhapjen e arsimit shqip. Mbizotërimi i klerikëve shqiptarë mbi ata sllavë solli dhe mbizotërimin e arsimit shqip mbi arsimin në gjuhën sllave për katolikët e Kosovës. Nga 27 rishtarë që u dërguan nga dioqeza e Shkupit në Kolegjin e Propagandës, gjykuar nga emrat dhe mbiemrat vetëm 1 ishte sllav, nga 25 rishtarë shqiptarë në Kolegjin e Loretos 6 ishin sllavë, nga 13 rishtarë nga dioqeza e Shkupit që kishin mbaruar Kolegjin e Fermos, 3 ose 4 prej tyre vijnë me mbiemra sllavë.
Me kontributin e klerikëve shqiptarë funksionuan shkollat shqipe në Stubëll, Janjevë, Prizren, Gjakovë, Zym, Pejë, Shkup, Zllakuqan etj, të cilat fituan gradualisht disa tipare laike dhe patën mësues laikë, duke u kthyer nga shkollë për klerin, në shkolla për të gjithë.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

