-Jam nga mirdita thotë ai…Me quajnë Nikollë, mbaj mbiemrin Shtufi, fshat i të parëve të mij, nga Kaçinari…Mjaftojnë këto pasazhe për të parë brenda tyre një botë të madhe, botën e një intelektualit që mbart vlera të pa mata atdhedashurie, botën e një njeriu mes dy Mirditave, Mirditës së parëve dhe Velezhës mirditase-
Nr 11 i revistës “Mirdita” ishte një rast i mirë që mirditas të ndarë dhunshëm nga politikat antishqipare, të ndajnë momente të veçanta bashkimi dhe integrimi të ndërsjelltë. Kështu, ditën e shtunë datë 28 maj 2016, një grup mirditasish nga Rrësheni dhe rrethina, të prirë nga drejtuesit e Shoqërisë Kulturore “Mirdita” u nisën në drejtim të Velezhës, 8 km në veri të Prizrenit, ku prej qindra vitesh një komunitet mirditasish kanë ditur ti bëjnë ballë rrjedhave të historisë, duke ruajtur identitetin, besimin, doket e zakonet, por mbi të gjitha kanë ditur të ruajnë më së miri dashurinë për vendin e origjinës, Mirditën.
Pjesë e grupimit të mirditasve, përveç dy drejtuesve kryesorë të SHKA “Mirdita” Pjetër Marku dhe Aleksandër Ndoja, ishin edhe Kryetari i Këshillit Bashkiak të Mirditës, z. Pjetër Pjetri, anetar i këtij këshilli z. Aleksandër Lusha, Z. Frederik Përdoçi, drejtor në Bashkinë Mirditë, z. Gjon Jaku drejtues i Shtypshkonjës GEER ku prodhohet revista, historiani me profil të spikatur Nikollë Loka, artistët këngëtarë, Fran Preçi dhe Nikoll Deda, shoqëruar nga nusja mirditase Tina Bala, si edhe z. Zef Ndoci i Spaçit. Pjesë e këtij grupi ishin edhe intelektualë të shumtë, banorë të ftuar nga Rrësheni, Kaçinari, Spaçi etj.
Në rrugën hyrëse të Velezhës kishte dalë atdhetari Nikollë Shtufi kaçinaras nga Velezha, i cili udhëhoqi karvanin e makinave nga Mirdita, i prirë me flamurin kombëtar të shqiptarëve. Në oborrin e Kishës së Velezhës kanë dalë banorë të shumtë. Të qeshur dhe plot sharm të dalin përpara, të shtërngojnë dorën. Është lehtësisht i kuptueshëm emocioni tek të dy palët.
Në ora 11 nis edhe cermonia e promovimit të numrit 11 të Revistës “Mirdita.
Takimi moderohet me mjaft finese nga nje vajze e Velezhes, nxenese e shkolles, e veshur me kostumin tradicional te zones. Monika Çollaku, shkon shume mire me vajzen mirditase me kostumin mirditase Tina Bala. Dy vajzat me kostumet e rralla mirditase i japin nje sharm te gjithe takimit vellazeror dhe festiv.
I pari e merr fjalën Ndue Çollaku, ish luftëtar i UÇK-së aktualisht drejtor i shkollës së Velezhës. Ai pasi uron mirseardhjen dhe falenderon për vizitën, ndërkohë i jep fjalën z. Aleksandër Ndoja, kryeredaktor i revistës “Mirdita”. Fjala e tij e shkurtër dhe mjaft koncize ngjalli shumë emocione tek të pranishmit e shumtë.
Ndoja ndër të tjera tha: “Vijmë mes jush, mes njerzve të munguar, ku me stoicizëm të pa parë arritët të ruani me fanatizëm, gjuhën e zakonet, besimin e të parëve, emrat dhe mbiemrat, por mbi të gjitha ruajtët thellë në zemër Mirditën Tuaj, Mirditën tonë.
Ajo shihet qartë në sytë tuaj, në sjelljen, ecjen, zhvllimin, kulturën edukatën, dashurinë për çdo shkrep e kujtimet, rrëfyer prej të parëve.
Patriotizmi juaj që për arsye të ndryshme u larguan nga Spaçi apo zona të tjera të Mirditës, ka qenë dhe mbetet mjaft i lartë. Dhe pse ju tregoni se jeni larguar prej 100-200 apo 300 vitesh, keni ditur që Spaçin ta keni pranë. Shumë prej jush mbani mbiemrin “Spaçi”, Shtufi, Kaçinari, Përgjoka a Përlazri, Kuzhnini, Xhuxha apo Selita. Ja pra pse Velezha është një Mirditë e vogël, një gur floriri në hapësirën mbarë kombëtare. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe..Kur siç shkruan këngëtari Fran Preçi në rrëfimet e tij, në Zvicërr ku mezi Ansambli emblematik “Mirdita” kishte mundur të çante perden e hekurt, një djalë i ri, energjik, me emocion të pa përmbajtur na afrohet…
Jam nga mirdita thotë ai…Me quajnë Nikollë, mbaj mbiemrin Shtufi, fshat i të parëve të mij, nga Kaçinari…Mjaftojnë këto pasazhe për të parë brenda tyre një botë të madhe, botën e një intelektualit që mbart vlera të pa mata atdhedashurie, botën e një njeriu mes dy Mirditave, Mirditës së parëve dhe Velezhës mirditase.
Dhe ja sot, njëlloj si 28 vite a më shumë vite, i njëjti Nikollë, po aq energjik dhe i përkushtuar na gjëndet pranë, gjithnjë në funksion të Mirditës dhe vlerave të saj të pa tjetërsueshme.
E ndërsa Ndue Çollaku kjo legjendë e luftës historike për çlirimin e Kosovës, përvec guximit dhe gjatësisë trupore për të qënë i suksesshëm në atë luftë, ka ditur që me butësinë, qetësinë dhe çiltërsinë që e karakterizon, të jetë jo vetëm një mësimdhënës dhe drejtues i zoti, por edhe një promotor i urës ndërlidhëse mes dy Mirditave. Ja pra pse të gjithë besojmë se Kultura mbi të gjitha afron gjakun me gjakun, ndarë me eksperimentime më të shëmtura 100 vjecare, nga politika shoviniste e antishqiptare.
Se nëse shfletojmë faqet e kësaj reviste takojmë emocionet e Pjetër Përgjokës, e mësuesve Zef Spaçi e Pjetër Përlazrit, por edhe nxënësve të shkollës që aq bukur përcollën impresionet e tyyre, si Anita Selita, Monika Collaku, Luz Xhuxha etj, etj. Nuk po shtyhem më tej me emra, pasi ato tashme i keni në faqet e revistës që po përcjellim sot para jush…..” Më tej z. Pjetër Marku ka shpërdarë çertifikat e mirnjohjes për pjesmarrësit dhe kontribuesit e nr 11 të revistës “Mirdita”, si edhe diploma për nxënësit që botuan punimet e tyre në nr 11 të “Mirditës”.
Çertifikata mirnjohje u akorduan për Nikoll Shtufi, Pjetër Përgjoka, Ndue Çollaku, Pjetër Përlazri, Zef Spaçi, ndërsa diploma morën nxënësit Anita Selita, Monika Çollaku, Luz Xhuxha.
Pjesmarrës të shumtë kanë evidentuar vlerat e revistës dhe punën e përkushtuar të stafit realizues, ndërkohë që këngëtarët Nikoll Shtufi, Fran Preçi e Nikoll Deda kanë përformuar këngë të ndryshme.
Velezhë, 28 maj 2016
Shenim: fotot e meposhtme jane realizuar nga doktori farmacist z. Gjok Gjoka, i apasionuar ne fushen e fotografise.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”