Situata e tensionuar paszgjedhore në Tiranë. Tentativë për të djegur e shkatërruar materiale zgjedhore.
Mesazhet e paqes gjate fushatës zgjedhore të Leka Zogut me slloganin politik “Paqe. Vëllazërim e Bashkim Kombëtar” ishin të rëndësishme për forcat e policisë gjate gjithë fushatës të realizuar në Tiranë. Pas rezultateve të zgjedhjeve të 29 qershorit pretendimet e monarkisë për fitoren e zgjedhjeve, sollën një situatë të jashtëzakonshme tek komisioni qëndror i zgjedhjeve, në pallatin e kongreseve.
Me datën 2 korrik, situata pothuajse ishte në normalitet në kryeqytet, pa konflikte e grumbullime të paligjshme. Asnjë informacion nuk kishe nga policia se çfarë po pregatitej të ndodhte në datën 3 korrik. Rreth orës 10 në sheshin “Skënderbej” filluan grumbullimet e para me pjesëmarrjen e shumë njerëzve të armatosur me thirrjet “Shqipëria Monarki”. Shefi i policisë kriminale të komisariatit Nr. 3 Neritan Nallbati, më informoi për situatën se çfarë po ndodhte ku nga rruga e Durrësit vërshonin grupe të mëdha njerëzish, në drejtim të sheshit. Po kështu shefi i rendit të komisariatit Nr. 4 Arben Caka informoi se nga Kamza në drejtim të Tiranës po lëviznin qindra automjete me shpejtësi e të armatosur. Menjëherë kam informuar drejtorin e policisë së rendit në ministri Z. Arben Prrenjasi për situatën, duke i kërkuar ndihmën e forcave speciale e të repartit të Briskut i cili si në çdo rast mbështetës i veprimtarisë së policisë së Tiranës, urdhëroi menjëherë dërgimin e tyre për situatën e krijuar.
Rreth orës 11:00 mbërriti në shesh Leka Zogu i veshur ushtarakisht dhe i armatosur, me eskortën shoqëruese ku të gjithë ishin të armatosur me armë të rënda. Ai shoqërohej edhe nga ministri i oborrit Abedin Mulosmani. Bisedova me zotin Nallbati që të kontaktonte Z. Mulosmani du ke i kërkuar një takim të shpejtë me mua, ku ta gjykonte ai. Përgjigjja ishte se: -Në asnjë mënyrë nuk kontaktoj e bisedoj me komunista e enverista si drejtori i policisë së Tiranës.
Me qëllim që të parandalohej ardhja e njerëzve të armatosur në Tiranë, zoti A. Caka menjëherë vendosi një mjet ushtarak tank me shumë forca policore në postbllok, tek hyrja e qytetit të Kamzës. Po kështu edhe një autoblindë u stacionua tek kthesa e Kamzës, por ishte e pamundur të ndalonin e të kontrollonin njerëzit e armatosur që vinin kryesisht nga Kurbini, Mamurrasi, Thumana e Fushë Kruja.
Pasi në shesh u bënë rreth 5000 veta, turma mori rrugën e bulevardit Dëshmorët e Kombit me thirrjet “Poshte Fatos Nano, duam votat tona, Shqipëria Monarki”. Shoqërimi i turmës së armatosur ishte e vështirë të bëhej me forcat e policisë për arsye se mund të rrezikohej seriozisht jeta e tyre.
Kontaktuam menjëherë zyrën e koordinimit të forcave paqeruajtëse ALBA në drejtori, duke ju bërë prezent situatën dhe kërkesën për shoqërimin e protestuesve me disa automjete të këtyre forcave. Menjëherë dislokuan 4-5 automjete të tyre duke shoqëruar në distancë përgjatë bulevardit protestuesit.
Forcat e policisë së komisariatit NR. 1 u vendosën menjëherë tek Pallati i Kongreseve, me qëllim që të parandalohej hyrja forcërisht, djegja apo shkatërrimi i materialeve zgjedhore.
Objekti i KQZ-së ishte nën ruajtje nga forcat ushtarake të gardës së republikës, detyrë e përcaktuar nga Kodi zgjedhor.
Për situatën e krijuar dhe që të përballoja informacionet që duheshin marrë e dhënë mora në zyrë 3 specialistë të drejtorisë, për arsye se ishte e pamundur të përgjigjësha 3 telefonave që binin menjëherë, ne celular apo në radio duke bërë të mundur të zbatoja dhe urdhërin e Kryeministrit për ta informuar çdo 30 minuta për situatën e krijuar.
Sapo protestuesit kanë mbërritur tek sheshi përpata KQZ, të shtënat e armëve me automatik, mitroloz, hedhje tritoli e lënde plasëse kanë vazhduar pa pushim. Disa forca policore u detyruan të largoheshin menjëherë për arsye të sigurisë duke u vendosur tek shkallët e stadiumit të shtrirë përballë KQZ-së.
Hedhja e disa granatave brenda në stadium detyruan forcat e policisë të largoheshin nga vendndodhja. Të shtënat me automatik e mitraloz filluan edhe në drejtim të ambasadës italiane (ku një punonjës i policisë që siguronte ambasadën ka shpëtuar jetën vetëm nga qëndrimi në profil pas pemës ku u fiksuan 15 goditje me armë zjarri) e të RTSH. Menjëherë për ta parandaluar vazhdimësinë e situatës është vendosur një tank ushtarak, një mitraloz 12.7 mbi godinën e TVSH me detyrë të qëllohej pa ndërprerje në ajër.
Përballja tek porta e hyrjes me grupet e gatshmë të komisariatit Nr. 1 nën drejtimin e A. Dervishi, P. Sulla, N. Zotaj, trimëria, heroizmi i pashembullt i tyre bëri të mundur që protestuesit të mos hynin në ambjentet e KQZ-së.
Të shtënat me mitraloz e automatik në ajër nga grupet e gatshme të policisë së objekteve nën drejtimin e kryetarit F. Softa, patën vlera parandaluese dukë bërë të mundur edhe tërheqjen në disa raste të turmës së armatosur.
Kjo situatë e përleshje e pazakontë me forcat e policisë zgjati për afro 2 orë ku solli pasoja edhe vrasjen e një shtetasi të pafajshëm Agron Gjonpalaj, si dhe plagosjen e 18 punonjësve të policisë me lëndë djegëse e shpërthyese.
– Denoncimi nga Policia e Tiranës në Prokurori për veprën penale grusht shteti organizuar nga Leka Zogu.
Menjëherë pas ngjarjes kam kërkuar zyrtarisht me një shkresë urgjente dorazi prokurorit të përgjithshëm Z. Alush Dragoshi meqenëse kishte mbetur një shtetas i vrarë gjatë situatës ku u përball policia, me qëllim pqr të ruajtur objektivitetin e hetimeve e shmangur akuzat politike ndaj policisë, kërkoja që vendi i ngjarjes dhe veprimet e para hetimore të mbikqyreshin nga Prokuroria e Përgjithshme. Po kështu duke vlerësuar ngjarjet e 2 prillit në Shkodër ku ishte akuzur policia se nuk ka lejuar prokurorinë e rrethit të këqyrë vendin e ngjarjes duke prishur provat, akuza të tilla rreth kësaj ngjarje mbështeteshin nga opozita e asaj kohe me akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të policisë së Shkodrës. Prandaj e gjykova si domosdoshmëri kërkesën drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm.
Pika ime e kontaktit për informacionin e saktë se çfarë po ndodhte tek Pallati i kongreseve ishte shefi i policisë së rendit Ilia Nasi, nën mbrojtjen e Ndue Dodës. Sapo Ilia Nasi ka ardhur në drejtori, ka informuar me detaje për ngjarjen, kam informuar verbalisht kryeministrin Bashkim Fino për çfarë kishte ndodhur.
Që nga data 30 qershor ku ministri i rendit Z. Belul Çelo ishte jashtë vendit dhe Zv. Ministri Agim Shehu ishte larguar nga Shqipëria, me urdhër verbal të Kryeministrit vartësia ime ishte e drejtpërdrejtë tëk kryeministri Bashkim Fino.
Shefat e 4 komisariateve e specialistët e policisë gjyqësore grumbulluan provat, faktet, dëshmitë e punonjësve të policisë, kasetën filmike të policisë, fotografime duke relatuar dosjen menjëherë organit të prokurorisë së Tiranës më akuzën sipas policisë Neni xx i Kodit të proçedurës penale.
Tre ditë pas ngjarjes Leka Zogu largohet nga Shqipëria dhe pasi u sigurua vendmbërritja me sa kujtoj në Francë, prokurori i Tiranës Z. Adnand Xhelili dërgon shkresën zyrtare drejtorisë së policisë, për të shoqëruar forcërisht në prokurori Leka Zogun.
Telefonata ime për rastim me zotin Xhelili ka qenë shumë e ashpër, mund ta quaj edhe arrogante duke i shprehur se nuk mund ta kuptoj qëndrimin tuaj, manovra të tilla nuk mund të bësh me sakrificat e jetës së punonjësve të policisë. Marrëdhëniet, kontaktet pas këtij rasti me kryeprokurorin e Tiranës pothuajse u ndërprenë.
-Tentativa e dytë për djegien e materialeve zgjedhor përmes një tuneli pranë Rogner-
Tre ditë pas ngjarjes së 3 korrikut, përsëriten tonet për të djegur materialet zgjedhore nëpërmjet një tuneli nëntokësor i ndërtuar tek hotel Rogner, ku lidhej drejt përsëdrejti me pallatin e kongreseve. Policia nuk kishte asnjë dijeni më parë për ta siguruar hyrjen në këtë tunel.
Punonjësit e shërbimit të komisariatit Nr.1 konstatuan një zhurmë në ambjentet e brendëshme të KQZ por e vështirë për ta saktësuar se në çfarë drejtimi vinte. Menjëherë informojnë drejtuesit e komisariatit të cilët konstatuan tunelin lidhës së dy objekteve ku gjatë kontrollit të ambientit të brendshëm u gjet një sasi e konsiderueshme eksplozivi, çelësa, leva të lëna nga autorët. Gjatë këqyrrjes nga ekspertët vërtetohej nga gjurmëtr e këmbëve tre autorë të cilët ishin larguar në shpejtësi sapo kanë konstatuar lëvizjet e policisë. Pas këtij rasti masat e sigurisë nga policia u përforcuan deri në momentin e dërgimit të materialeve zgjedhore në arkivin e Lundrës.
– Keqinformimi i TVSH-së për ngjarjen e ndodhur, komente e montazhe të pavërteta. Intervista ime tek “Zëri i Amerikës”.
Përgatitja e njoftimit publik për TVSH ishte tepër e rëndësishme ku duhej të trajtohej me objektivitet, saktësi, paanësi politike për ngjarjen e ndohur, pasoja dhe masat e marra.
Kërkesat e shumë mediave ndërkombëtare për informacin rreth ngjarjes nuk u jam përgjigjur pa dhënë më parë njoftimin tek TVSH në edicionin e lajmeve të orës 16:00. E kam vlerësuar me shumë përgjegjësi, kuptimin, nënkuptimin e çdo fjale e fjalie të shprehur në njoftim më qëllim që të mos dizinformoja opinionin publik e të akuzohej policia nga politika si shkaktare e autore e vrasjes së shtetasit të pafajshëm Agim Gjonpalaj.
Kaseta filmike origjinale e policisë shoqërohej me njoftimin zyrtar të ngjarjes së ndodhur duke kërkuar leximin e të gjithë tekstit të shkruar. Fatkeqësisht nuk ndodhi siç e kishim menduar, ku përveçse ndryshimit të tekstit më e rënda e tragjike ishte për policinë, montimi televiziv me pamjet filmike të momentit të vrasjes e gjakderdhjes së viktimës Agim Gjonpalaj, duke montuar përballë disa punonjës policie të armatosur me automatik e të pozicionuar drejtpërsëdrejti me viktimën. Një montim i tillë “profesional e kriminal” për çdo shikues të thjeshtë e intelektual, krijonte plotësisht mendimin se vrasja e Agim Gjonpalit është kryer nga forcat e policisë.
Personalisht nuk kisha asnjë njohje me drejtorin e TVSH Z. Buçpapaj, por kam thirrur menjëherë Ndue Dodën dhe i kam kërkuar ta takojë urgjentisht nëse e gjykon edhe me 2-3 shokë të tij të fuqishëm fizikisht, duke i kërkuar domosdoshmërisht të pasqyrohej në vazhdimësinë e lajmeve njoftimin dhe kasetën filmike, dërguar nga drejtoria e Tiranës.
Me qëllim që drejtori i televizionit të pasqyronte vërtetësinë e ngjarjes sipas kasetës filmike dhe njoftimit të dhënë nga drejtoria e Tiranës, po me datën 03.07.1997 në orët e vona të natës i jam drejtuar Z. Pollo me anë të një kërkese. Përgjigjja e Ndue Dodës ishtë: Lëre mos u merr me këtë punë ti, se e di unë se si do ta zgjidh.
Takimi me drejtorin Buçpapa bëri të mundur të pasqyrohet realisht, objektivisht në të gjitha edicionet e lajmeve njoftimi me pamjet filmike të policisë për ngjarjen tek komisioni qëndror i zgjedhjeve.
Duke menduar se TVSH nuk do të ndryshonte qëndrimin e montazhimit të ngjarjes, rreth orës 17:00 kam dhënë intervistë tek sisa media ndërkombëtare si Zëri Amerikës, BBC e Deutche Ëellë, kërkuar prej tyre me insistim që në orën 15.00, menjëherë pas ngjarjes.
Përmbajtja e prononcimit me titull: “Mos luani me policinë”, u mirëprit me duartrokitje, sidomos nga efektivi i komisariatit Nr. 1, duke ngjallur besim të plotë se njoftimi dhe akuzat e dhëna nga TVSH nuk do kishte asnjëri prej tyre përgjegjësi ligjore pasi kishin dhënë një kontribut heroik, duke shpëtuar realisht nja tragjedi njerëzore por dhe fatin politik të shqipërisë. Nëse do digjeshin materialet zgjedhore mund të shpallej drejtimi politik mbretëror i vendit.
Me gjithë përpjekjet e bëra për të mos politizuar ngjarjen e vrasjes së Agim Gjonpalajt, drejtuesit e opozitës, pa dakortësinë e familjes organizuan ceremoninë mortore duke shoqëruar arkivolin përgjatë bulevardit dëshmorët e kombit e bërë homazhe në vendin e vrasjes. Familjarët e të ndjerit ishin keqinformuar se vrasjen e ka bërë policia. Viktima 20 vjeçare nuk kishte anjë lidhje politike, nuk ishte anëtar e simpatizant i asnjë force politike ku një ditë më parë ishte kthyer nga Greqia, fare rastësisht i ndodhur në bulevard i është bashkuar protestuesve për të parë se çfarë do të ndodhte. Familja e tij tej mase e varfër nga Tropoja jetonte në një kasolle tek fusha e aviacionit.
-Një artikull i RD-së, sulm ndaj drejtorit të Tiranës-
Mëe gjuthëse në kulmin e krizës politike emërimi im në këtë detyrë ishtë bërë nga vetë PD në dakortësi të plotë me të gjtha forca politike, pas eleminimi të tentaivës për grusht shteti dhe djegie të materialve zgjedhore gazeta e partisë ende në pushtet më adreson një artikull të ashpër. Ndër të tjera gazeta më cilësonte edhe injorant me 4 klasë shkollë. Për këtë shpifje të pamoralshme e fyerje publike kam kontaktuar Z. Tritan Shehu, kryetar i PD, duke i shprehur faktet e ngjarjes së vrasjes, si dhe denoncimin në prokurori për gazetarin e RD.
Zhgënjimi im nga zotit Shehu ishte shumë i madh, pasi mendoja se ai e vlerësonte kur personalisht kisha vënë edhe jetën në rrezik sëbashku me kolegët e mij tek stadiumi i Lushnjes në muajin shkurt ti shpëtuar jetën nga një grup kriminal që e kishte mbajtur të izoluar në stadiumin e qytetit.
Përgjigjja e Z. Shehu për sa i parashtrova ishte e pabesueshme, kur me tha: –Gazeta Rilindja Demokratike, është e pavarur nga partia.
Për të sqaruar e bindur familjarët e të ndjerit kam bërë shumë përpjekje për të gjetut një ndërmjetësues apo të afërm familjar që të më mundësonte vajtjen për ngushëllim në banesë.
Tre ditë pas ngjarjes Ndue Doda e bëri të mundur dhe sëbashku me të kam vajtur e bërë ngushëllime për fatkeqsinë e ndodhur nënës së tij, si dhe kemi dhuruar disa ndihma ushqimore. Gjatë bisedës tregoi gjithçka rreth ceremonisë mortore të organizuar jashtë vullnetit të saj. Informacionet që i kishin bërë prezent se vrasja është bërë nga policia me urdhër të drejtorit të policisë.
Ndarja miqësore nga kjo familje fisnike tropojane ku përveç përjetimit njerëzor si prind, ndjesia ishte e pa zakontë ku kushtet ekonomike të kësaj familjeje ishin tragjike. Siguronin mbijetesën vetëm me disa të ardhura minimale që siguronte klandestin në Greqi i biri, viktimë e pafajshme të ngjarjes së tre korrikut, një histori që mos u përsëritë kurrë poër policinë e popullin shqiptar.
Në orën 24 Kryeministri Bashkim Fino më thërret urgjent për t’i raportuar rreth ngjarjes.
Më parë se të më thërriste për takim Kryeministri, përveç bisedave informuese në vazhdimësi që nga ora 10:00 deri në orën 15:00 të datës 3 korrik, menjëherë pas ngjarjes e kam informuar zyrtarisht për pamundësinë e policisë së Tiranës për të siguruar nëse do vazhdonin protestat pa miratimin e policisë, me njerëz të armatosur.
Gjatë raportimit bëra prezent për gjithçka çfarë kishte ndodhur, pasojat si dhe rrethanat e vrasjes së Agim Gjonpalajt, plagosjen e 18 punonjësve të policisë. Po kështu bëra prezent aktin heroik të forcave të policisë duke sakrifikuar jetën e tyre për të shpëtuar djegjen e materialeve zgjedhore e hedhjen në erë më eksploziv të godinës së pallatit të kongreseve.
Kryeministri Fino vlerësoi maksimalisht veprimet e qëndrimet e forcave të policisë gjatë zhvillimit të situatës. Kritik ishte edhe për faktin se si ka mundësi që policia e Tiranës nuk kishte patur informacion një ditë më parë se çfarë do të ndodhte me 3 korrik. Nuk kam qenë në gjendje për ta sqaruar, ndonëse pas ngjarjes jam informuar se disa oficerë të drejtorisë, të komisariateve e të ministrisë kishin patur informacion se çfarë do të ndodhte në datën 3 korrik. Po kështu informova për proçedurat ligjore të ndjekura nga policia pas ngjarjes si: Informacionet dërguar presidentit të republikës, prokurorit të përgjithshëm e ministrit të mbrojtjes, sipas kërkesës së tij.
Trajtova hollësisht problemin me televizionin Shqiptar, për montimin televiziv të ngjarjes e të deformimit konceptual të njoftimit publik, dhënë në edicionin e lajmeve të orës 16:00, një orë pas ngjarjes.
I shpreha kryeministrit se mendoj se do të politizohet vrasja e Agim Gjonpalajt. Po kështu e informova edhe për prononcimin tim tek disa agjenci lajmesh europiane.
Në përfundim të raportimit argumentova se nëse Leka Zogu do të vazhdojë protestat me njerëz të armatosur, situata mund të dalë jashtë kontrollit, e të ketë përplasje civile e pasoja të pallogaritshme.
Policia me pistoleta e protestuesit me anti tank, mitraloza, granata, automatik e lëndë plasëse, është e pamundur përballja e forcave të rendit ku mund të vihet në rrezik serioz jeta e tyre. Dhashë mendimin se nëse protestat e armatosura do të vazhdonin, menaxhimi i tyre mund të realizohet vetëm nga forcat paqeruajtëse të misionit “ALBA” ku në automjetet e tyre të patrullimit kanë të instaluar mitraloza 12.7 milimetra me kopetenca ligjore ndërkombëtare, për të tilla situata. Sqarimet e mia ndërpriteshin herë pas here nga telefonatat e disa liderëve të rëndësishëm të Bashkimit Europian, ku kryeministri i informonte se çfarë kishte ndodhur tek komisioni qëndror i zgjedhjeve por edhe për situatën e mundshme të pritshme në ditët në vijim, nga protestat e armatosura të udhëhequr nga Leka Zogu.
Kryeministri shprehu se kontaktet me ndërkombëtarët si dhe me komandën drejtuese të forcave “ALBA” do të bëhët e mundur shmangia e tubimeve e protestave të armatosura. Një telefonatë e presidentit të republikës duke urdhëruar kryeministrin të shkojë në mesnatë e të prezantojë ministrin e brendshëm Z. Ali Kazazi, ishte tëpër acaruese e me tone të larta ndërmjet tyre, për faktin se kryeministri i shprehu se nuk prezantoj ministër të brendshëm të papropozuar prej meje, prandaj dërgo Azem Hajdarin për ta prezantuar.
-Pas takimit me kryeministrin, presidenti më kërkoi me urgjencë në zyrë-
Akoma pa u mbyllur debati mes dy krerëve kryesorë të shtetit, presidenti urdhëroi të shkonte në takim me të drejtori e policisë së Tiranës, madje me tone u shpreh se e dua urgjent në zyrë. Po, iu përgjigj kryeministri, do ta dërgoj.
Fillimisht kundërshtova vajtjen në takim, pasi kisha dëgjuar debatin midis tyre, por dhe për mbingarkesën psikologjike, stresin, pagjumësinë por mbi te gjitha mendoja temperamentin e presidentit e kisha tepër të vështirë për tu përballur. Në mendje kisha montimin televiziv të vrasjes së Agim Gjonpalat, ku presidenti mund të kishte nxjerrë konluzione nga edicioni informativ i lajmeve ku ishin fillesat e akuzës ndaj policisë, për rrethanat e vrasjes.
Kryeministri me buzëqeshjen e tij të veçantë më vuri në sedër duke shprehur se malësorët nuk janë frikacakë, edhe presidenti është malësor e nuk do të kesh asnjë lloj problemi.
– Takim me Presidentin e Republikës, informacion rreth ngjarjes së 3-korrikut. Kërkesë verbale për dhënie dorëheqje te Presidenti, nëse do të vazhdonin protestat e armatosura në Tiranë.
Gjatë rrugës për në presidencë porosita shoferin Ndue Doda që të mos hyjë me automjet në territorin e presidencës pa lejen e personelit të shërbimit, si dhe të mos bëjë asnjë debat me asnjë punonjës të gardës.
Porosia ime nuk u mor në konsideratë nga ana e tij, kur tek porta e hyrjes ishte Sali Lusha i cili i tha: -Ndue nuk lejohet hyrja me automjet brenda në Presidencë. Përgjigjja e menjëhershme me tonë shumë të larta ishte: -Hape derën shpejt se jam me drejtorin. Pasi hapet dera përsëri e urdhërova të qëndronte në automjet, por nuk pranoi duke më shoqëruar deri në katin e dytë ku do të bëhej takimi.
Sekretari i presidencës Z. Kolec Topalli më orientoi për tek zyra e takimit ku gjeta të pranishëm shefin e komisariatit Nr.1 Albert Dervishi, drejtorin e policisë kriminale Ramiz Çobaj e drejtorin juridik të ministrisë së brendëshme Z. Plator Bylykbashi.
Pas 20 minutash qëndrimi, rreth orës 01:00 erdhi presidenti ku kërkoi informacion nga zoti Dervishi për çfarë kishte ndodhur tek komisioni qëndror i zgjedhjeve. Ndërhyrjet e presidentit për vrasjen e Agim Gjonpalajt ishin me tone shumë të larta. Menjëherë kërkoi informacion rreth vrasjes edhe nga ana ime.
Shpjegova proçedurat e ndjekura për menaxhimin e situatës që nga sheshi Skënderbej deri tek rasti i vrasjes, duke e cilësuar situatën e pa zakontë ku policia ishte përballur me protestues të armatosur me armë të rënda. Për rrethanat dhe autorët e vrasjes shpjegova se po hetohen nga prokuroria e përgjithshme sëbashku me atë të Tiranës. Deri në këto momente nuk mund të themi për autorët e vrasjes, mund të jenë punonjës policie, të gardës apo protestues. Vërtetohet se është vrarë një njeri i pafajshëm, i rastësishëm në protestë dhe i pa armatosur. Po kështu informova për plagosjen e 18 punonjësve të policisë, ku disa prej tyre janë në gjendje të rëndë pa sy e pa veshë.
Bëra prezent njoftimin e passaktë të TVSH në edicionin e lajmeve të orës 16:00, por të korigjuara pas ndërhyrjes tonë në edicionet informative të mëvonshme. Pyetjes së presidentit së çfarë mendoni për masat e policisë në të ardhmen, i jemi përgjigjur se nëse do të vazhdojnë protesta me njerëz të armatosur, policia e Tiranës nuk ka asnjë mundësi njerëzore, mjete, paisje e bazë ligjore për zgjidhjen e të tilla situatash.
Është e domosdoshme thirrja nga ministri i brendshëm i Leka Zogut duke i kërkuar të mos organizojë protesta me mbështetës e simpatizantë të armatosur. Nëse protestat do të vazhdojnë, siguria e tyre e mbrojtja e materialeve zgjedhore mund të realizohet vetëm nga forcat paqeruajtëse të misionit “ALBA”.
Po kështu kemi shpjeguar se është tepër urgjente me një akt-vendim të këshillit të ministrave KQZ-ja të shpallet objekt i rëndësishëm shtetëror, për arsye se ka të njejtën mbrojtje si KZAZ-të e rretheve.
Në fund të takimit presidenti shprehu se mendimet e dhëna do të konsultohen me ministrin e rendit, duke shtuar detyrimin e policisë, e prokurorisë për të zbuluar autorët e vrasjes. Përmbyllja e takimit ishte shumë e qetë nga presidenti, paragjykimet e mia jo të sakta se çfarë kisha menduar para takimit.
3 Korriku 1997, histori policore e politike nga më e veçanta që pas çlirimit të vendit, Zgjidhja e së cilës krijoi mundësinë e qeverisjes në vazhdimësi. Ndjesi njerëzore e respekt ndaj familjes tropojane të të ndjerit Agim Gjonpalaj, viktimë e pafajshme ku autorët e vërtetë janë tragji-komedianët e politikës shqiptare.
Shënim: marrë nga libri në dorëshkrim “Jeta ime në policinë e shtetit” me autor z. Pashk Tusha.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”