Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Ymer Llugaliu, Historia e rrallë e profesorit të Mirditës nga Podujeva. Arratisja për të ndjekur Universitetin e Tiranës dhe kalvari i tij në Shqipëri

Ne Podujeve ku Ymer Llugaliu ka vendosur te qendroje perfundimisht

Nga Pirusti News
15 265 Shikime

-Nga Aleksandër NDOJA-

-Episodi i parë-

Asokohe, por edhe më vonë ekipi i “Minatorit” ndiqej nga një numër jashtëzakonisht i madh sportdashësish. Ndeshjet që zhvilloheshin në fushën e herëshme ishin ditë të jashtëzakonshme për mirditasit, pasi ekipi dinte të jepte emocione pafund. Në atë kohë nuk kishte tapet për këtë ekip elitë që ishte pretendent i përhershëm i majave më të larta të volejbollit shqiptar. Ndeshja zhvillohej në fushë, direkt në tokë për të cilën kujdesesh një staf i konsiderueshëm. Ajo çfar binte në sy në pushimet vogla, mes entuziasmit apo ankthit ishte kur një njeri me trup të gjatë e të drejtë, vraponte me një arkë druri të gjatë e të ngushtë në dorë, për në fushë. Me të shpejtë por në mënyrë mjaft të përpiktë, vinte arkën e gjatë të drurit në vijat e bardha kufizuese të lojës. Arka ishte e mbushur me pluhur të bardhë gelqereje, ndaj kur e ngrinte nga vendi, linte një shirit të bardhë poshtë. Këtë e përsëriste shpesh në pak minuta, derisa të gjitha vizat kufizuese të fushës kishin marrë shkëlqimin e  plotë, njëlloj siç ishin kur ndeshja nuk kishte filluar.

E ndërsa njeriu trupgjatë vijonte punën e tij në mënyrë indiferente, shumë sportadashës përshpërisnin, është kosovar, ka qenë i dënuar si agjent, ka qenë mësues, ja priste tjetri, por askush nuk guxonte të thoshte haptazi se ishte dënuar kot. Unë mjaft i ri në atë kohë, pothuajse fëmijë, më kaplonte një përzeirje mendimesh të çuditshmë për kosovarin trupgjatë dhe indiferent ndaj çdo gjëje. Në fakt ishte babai im që më foli gjatë për Ymer Llugaliun. E kam pasur mësues përsëriste shpesh ai. Ishte shumë i zoti dhe i ditur. Ishte i qetë dhe shumë komunikues, nuk i bënte keq askujt, askujt…  

-Episodi i dytë-

Kohët kishin ndryshuar dhe mësues Llugaliu kishte dalë në liri në njërën anë të kombit të tij. Aty nga viti 1994 në fillimet demokracisë, një prej maturave që kishin pasur si mësues Ymer Llugaliun, ishin mbledhur pas shumë vitesh për ta përkujtuar këtë ngjarje. Djemtë dhe vajzat maturantë të dikurshëm, përpara se të shkonin në darkën festive, kishin vendosur të dilnin në grup në formë xhiroje në rrugët tejmbushura verore të qytetit të Rrëshenit.

E ndërsa nxënësit ecnin në xhiron e mbrëmjes të qeshur e plot kujtime dhe për mësuesin e tyre Ymer Llugaliu, i cili në atë kohë nuk ndodhej në Mirditë shikojne tre policë që vinin përballë. Ashtu të përhumbur, me gjysmë zëri një moment filluan të pyesin njëri-tjetrin… kush është ai, kush është ai, ndërsa vështrimet përqëndrohen nga më i madhi i tre policëve që po po vinin si të fryrë përballë tyre…po ai ishte…më i madhi, dikur kishtë shërbyer si karrem për ta arrestuar atje në Kurbneshin e largët, mësuesin e arratisur nga vendi i tij. Nxënësit ndoshta atë natë nuk festuan aq shumë, dikush prej tyre konfirmon se as vendosi gjumë në sy…si është e mundur…kjo është demokracia ku të shikojmë përsekutorin dhe shkaktarin e atij burgu të mundimshëm për mësuesin e tyre, tashmë të transferuar në shef të madh..!! e ku, në polici….

Në fakt nuk ndodhi si te “Vdekja e kalit”. Persekutori nuk guxoi ti kthehej viktimës me fjalët…ishte koha, eja më tako, etj, etj. Të nesërmen polici dorëzoi spaletat, pistoletën dhe krenarinë e shtirur prej njeriu të ri…Në fakt nuk ndodhi prej “sedrës së vrarë”, por nga një urdhër ardhur me urgjencë nga Tirana.

 Drejt Podujevës, në kërkim të mësuesit dikur të dënuar nga të dy anët e kombit.

Mrikë Trumshi, këngëtarja e mirënjohur mirditase pasi kishte lexuar shkrimin tim për mësues Llukman Kosovrastin dhe historinë e tij në faqen pirustinews, më është drejtuar me një sms në privat, duke më thënë konkretisht si më poshtë:
“Përshendetje Aleks !! Nje sygjyrim do kisha… Nqs dikujt vertete i ka borxh Mirdita, ose me mire te themi e ka torturuar pa asnjë te drejtë, pa asnjë faj, ai ishte Mësues Ymer Llugaliu..E dini se ndodhet në Podujevë, në një moshë të thyer tashmë. Të paktën një intervistë nga ai, do ishte me interes për shumë të njohura dhe te panjohura të asaj kohe. Urimet me te mira ne misionin tuaj !!”

Pas këtij sygjerimi, nuk mund ta zgjasja më shumë, por nisa kërkimet për mësuesin 85 vjeçar. Interesimit tim i’u përgjigj nipi i mësuesit me histori të rrallë në hapësirën  mbarëkombëtare z. Besim Muçolli, i cili më konfirmoi mbështetjen për takim me mësuesin, i cili e kishte mirëpritur idenë time.

I shoqëruar nga Zef Ndoci me histori të përafërt në komunizëm, i rritur jetim me damkën e birit të një të arratisuri, por dhe me udhërrëfyes dhe mbështetës z. Dodë Ndrecajn e Klinës mbërrijmë në hyrje të Podujevës, ku flakon një shqiponjë gjigande, pjesë e flamurit tonë kombëtar.

Janë tre autovetura që na presin të parkuara në atë vend. Mes xhamit të njërës prej tyre shquaj një profil të njohur. Edhe pse kanë kaluar mbi 35 vite pa e parë, i drejtohem në distancë me emër. Ne pak çaste profesori i Mirditës nga Podujeva plotëson profilin e Tij në memorien time. Me një zë të shtruar, me timbrin e pa prekur aspak nga vitet kur punonte në Rrëshen, del shpengueshmë nga makina.

Ka një fizik të admirueshëm për moshën 85 vjeçare, aq më tepër kur mëson me detaje kalvarin e tij të veçantë. Ka një memorie perfekte, kujton emra kolegësh, miqsh dhe shokësh ne Mirditë, por edhe në rrethe të tjera. Nuk vonojmë dhe zëmë vend për një bisedë të gjatë, për  vitet që nisin me vendimin e tij për tu arratisur nga Kosova, askohe nën okupimin jugosllav. Një histori e trishtë me shumë të pathëna, që kalojnë si në një film “bardhë e zi”.

Profesor, kur vendosët dhe pse vendosët të arratiseshit për në Shqipëri?

Kisha përfunduar normalen në Prishtinë, apo siç quhet Shkollën e Mesme Pedagogjike. Ëndrra ime ishte përfundoja universitetin për “Gjuhë-Letërsi” në Tiranë. Mësuesi i matematikës askohe këtu në Podujevë kur pa testin tim të maturës, mu drejtua se je i prerë për matematikë. Jam gati, mu drejtua ai që të ndihmoj të shkollohesh në Beograd, pasi në vitin 1958 nuk kishte universitet në Prishtinë. Jo, i them unë, jam për gjuhë-letërsi. Duke qenë se nuk kisha mundësi tjetër, mu fiksua të vija në Tiranë, ku kishte universitet.

Si e realizove arratinë drejt Shqipërisë?

Pasi refuzova te shkoja ne Beograd, ndonese me arsim te mesem, ate vit nisa punen si mesues këtu në Podujevë.  E bëra te plotë atë vit si mësues dhe prita te vinin pushimet verore. Qëllimisht zgjodha që pushimet ti kryeja në plazhet e liqenit te Ohrit, në Maqedoni si një mundësi e mirë për tu hedhur matanë kufirit, përmes rrugëve ujore.  Një ditë gushti të vitit 1958 teksa qëndronim sëbashku me një shok, në bregun e liqenit të Ohrit bëmë tentativën për arratisje. Arritëm me makinacione duke mos ra në sy, të hypnim në një anije që na solli në afërsi të bregut në “Shënaum”. U afruam kufirit, por faqja e malit ishte e zhveshur editën binim në sy, prandaj qëndruam të shtrirë deri kur erdhi nata.
Edhe pse kishte hënë të fortë, me shumë mundime kaluam të ashtuquajturin “klon”. Sapo hyjmë në territorin e Shqipërisë rojet kufitare me ton të fortë na ndaluan. Na folën fillimisht në gjuhën sllave. Ju drejtova të flsinin shqip, se jemi shqiptarë.

Na kontrolluan aty, pastaj na çuan në stacionin policor kufitar, në zonën e Pogradecit. Nuk na lanë shumë aty, ndaj me kamion na morën dhe na çuan në Elbasan. Pastaj na vendosën në tren dhe na çuan në Durrës. Nga Durrësi na çuan në Shijak, ku kishte një qendër të pritjes së rrefugjatëve. Aty na kanë mbajtur 17 ditë, por na kanë trajtuar mirë. Vinin oficerë nga Tirana na pyesnin gjatë.

Por për vijimin e shkollës për të cilën kishe sakrifikuar duke lënë familjen në Podujëve?

Unë mendoja se do shkoja direkt në universitet, por sipas tyre ishte shpejt. Na çuan në kampet e emigracionit, në Seman të Fierit ku ishin tre kampe, ai i emigracionit jugosllav, ku 95% e tyre ishin kosovarë. Ishte kampi i internimit dhe i të dënuarve të tjerë. Aty kam qendruar dy muaj e gjysëm. Pastaj më kanë thirrur dhe më kanë thënë, shko në Berat për të punuar mësues, pasi unë e kisha mbaruar pedagogjiken.

A pranove të shkosh në Berat?

Duhej të shkoja, ndaj shkova. Por edhe pse isha njoftuar për të qenë mësues, trokita në zyrat përkatëse, por më thonin se nuk ka vend. Dikur doli një vend në një katund të Mallakastrës, ku kishte një shkollë fillore. Ishim dy mësues.

Sa qëndrove këtu dhe si u largove?

Ishte një ngjarje e rrallë se si u largova. Erdhi viti i ri dhe isha i vetëm. S’kisha me kë të kaloja ditët dhe netët e vitit të ri majë mali, në dimër të ashpër. Ndaj vendosa të shkoja në Berat, pasi nuk ishte larg e kisha shumë shokë me të cilët kisha punuar në bllokun e fiqve, para se të shkoja mësues.

Sa kam mbërritur aty, ka ardhur përgjegjësi i zonës së Uznovës dhe më thotë, hajde në stacion. Pse me ardhur i them. Jo ti ke ik pa leje nga territori i shkollës, nuk ke leje qëndrimi. Nënshtetësinë nuk e kisha, prandaj duhet të shkoja në stacion. Prej aty më çuan në Fier, në degën e Punëve të brendshme. Më lanë gjatë duke pritur. Meqë nuk erdhi njeri, ika dhe me dy shokë u futa në Kinema. Sa ka filluar filmi u ndezën dritat. U thirr emri im.
Policët më morën dhe më çuan në polici, duke më akuzuar për arratisje nga policia. Më futën në burg atë natë. Me grekë e kam kaluar natën e vitit të ri të vitit 1962.

Pas kësaj nuk më çuan më te shkolla, por më çuan në kampin e punës në Seman. Pas shkrirjes së këtij kampi, më punësuan në fermën bujqësore “Çlirimi” në Fier. Në fund të vitit 1962 doli një urdhër që kush të donte nga kosovarët për tu kthyer, ishin të lirë. Mu drejtuan edhe mua ata të ministrisë, po ti Ymer si do bësh?..Jo u thashë unë pa mbaruar universitetin, nuk kthej në Kosovë.

Po universitetin kur e fillove?

Isha në punë të rëndomta kur më lajmërojnë se më kërkonin. Kishte ardhur aty një Skënder Backa, përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për të gjithë emigracionin. Më thotë, ti Ymer këtë vit do të fillosh universitetin…Gëzim më të madh nuk kisha pasur. I harrova vujatjet…

Kështu në shtator të vitit 1963 fillova universitetin në degën që kisha ëndërruar, për ta përfunduar katër vite më vonë, në vitit 1967. Theksoj se në universitetin e Tiranës, kaluam shumë mirë në ato vite.

Më pas ku ju emëruan?

Dihej se Ministria e Arsimit e caktonte kuadrin mësimdhënës, kështu unë mora emërimin në Mirditë. Mirditën e kisha ndie, por nuk dija shumë për të, por e prita mirë. Erdha në Rrëshen, ku më priti shumë mirë shefi i arsimit të asaj kohe Zef Ndue Prenga, i cili më emëroi mësues i gjuhë letërsisë në qytet. Kujtoj se ishim tre mësues të kësaj lënde, unë Ymer llugaliu, Preng Cub Lleshi dhe Loredan Bubani.

Kaluam shumë mirë vitin e parë. Jepnim gjuhë në 8-vjeçare dhe letësinë në shkollën e mesme. Por vitin e dytë mua mi hoqën orët e letërsisë, dhe më lanë vetëm të gjuhës. Kjo më çoi automatikisht si mësues vetëm në 8-vjeçare. Mu duk e padrejtë ndaj e kërkova këtë, por nuk më dëgjuan.

Një rast erdhi për analizë në shkollë një drejtues i lartë partie në rreth. Pasi foli, ai u drejtua kush ka pyetje. Unë i parashtrova problemin tim. Ai reagoi menjëherë dhe urdhëroi që brenda muajit padrejtësia të vihej në vend dhe ashtu ndodhi. Gjithësej shtatë vite në Rrëshen kaluan shumë mirë. Në vitin 1974, pas shtatë vite punë në aty, më çuan në Kurbnesh.

Pse të çuan, mos kishte ndonjë prapavijë?

Në fakt  atëherë nuk e besoja, thjeshtë shkova se më çuan. Por më vonë mendoja se pati një shkak. Isha mësues në shkollë nate dhe aty vinin të bënin shkollën shumë oficerë. Njëri prej tyre me armë në brez ishte dhe shumë provokator. I them çohu në mësim, nuk çohem. I them dil jashtë, nuk dal. Atëhere i drejtohem, se ti mund të jesh oficer i lartë apo komandat, por këtu në klasë jam unë i parë. Ti ke armën, por unë kam lapsin. me këtë laps po të vendos një 1-sh dhe vështirë e ke ta heqësh. U bë nami, reagoi drejtoria, erdhi komisari, por situata nuk ndryshoi.

Një rast tjetër gjej një tip të dera e klasës ku do hyja në mësim. Më thotë se jam inspektor konrolli, i arsimit dhe do marr pjesë në orë mësimi. I them merr lejë në drejtori. E kam marrë, më tha dhe ashtu u bë. Unë do të spjegoja brendinë e poezisë me autor një komisar partizan i vrarë në luftë, Memo Meto.
Kur dolëm ai tipi që na fakt kishte qenë sigurims, më tha se pse nuk fole për trimëritë e partizanit Memo Meto. I thashë unë fola për poezinë e tij, jo për historinë e tij, pasi unë nuk jam historian, por mësues i letërsisë. Përfundimisht unë përfundova në Kurbnesh.

Si kaloje në Kurbnesh?

Nuk ishte keq, për herë të parë aty më dhanë banesën time. Kaluan afro dy vite nga 1974 deri në vitin 1976. Jepja mësim në shkollë 8 vjeçare, deri në momentin kur më arrestuan.

Si e kujton momentin e arrestimit?

Po, ishte data…10 nëntor 1976.. Sapo kishte përfunduar një kongres i partisë në Tiranë. Me të filluar ora e mësimit më vjen në klasë drejtoresha e shkollës, Afërdita Çeliku. Ymer, më thotë, jepju detyrat shpejt nxënësve dhe dil te kinoklubi, se po bëhet një aktivitet i madh, për përfundimin e kongresit.
Unë në fakt i nxora nxënësit dhe u drejtova për nga Kinemaja. ishte mbushur plot me njerëz. Thuhej se do vinte një delegat që kishte marrë pjesë në kongres, për të shpalosur çfar u vendos në kongres. Unë po rrija në derë jashtë dhe po pija cigare, në pritje të delegatit. Nuk vonoi kur shoh të ngjiste shkallët hyrëse një tip shkurtabiq, që në fakt ishte nënkryetari i degës së policisë në Rrëshen.

Cfar ndodhi më tej?

Ky zuri në podium dhe nisi fjalimin. Në Kurbnesh, tha ai, ka shumë armiq. Duan të rrëzojnë pushtetin popullor. Një ndër ta është Ymer Llugaliu. Mua se nuk më ra tavani mbi kokë. Në pak çaste më rrethojnë tre sigurimsa që kishin zënë vend me plan në rrjeshtin pas karriges time. U them mirë më arrestoni, po për çfar…

-Do e marrësh vesh me thotë tipi shkurtabiq. Më çuan në një zyrë oficerësh aty në Kurbnesh. Dikush më tha, thuaj “Rroftë E.H”. I them se me duar të lidhura nuk them rroftë për askënd. Kështu pas kësaj më nisën për në burgun e Rrëshenit, në dhomën nr. 6 të këtij burgu. Hetuesia ishte e ashpër. Sokol Shazi më thoshte se do të fus plumbin nëse shan E.H-në etj. Unë i thoja se në natyrën time kurr nuk shaj njeri.

Po gjyqi, ku u zhvilla dhe ku u mbështet akuza?

Ishte krejt qesharak. Gjyqi i zhvillua në sallë të madhe plot me njerëz, në Kubnesh. Siç isha arrestuar në sallën plot me njerëz. Akuza u mbështet në deklarimet e katër personave.

Çfar thonin, përse të akuzonin?

Nuk kishin akuza të qarta. Thonin se kisha dashur të fus në luftë Shqipërinë me Jugosllavinë, pasi në diskutimin për kushtetutën pata dhënë mendim për pikën 1 dhe 2. Pika një thoshte kufinjtë tanë janë të paprekshëm dhe pika 2, hapësira territorial e pa ndryshueshme. Na patën kërkuar mendim dhe unë u thashe se pika 1 e përjashton te dytën, por me rënien e Titos jugosllavia do të shpërbëhej siç në fakt ndodhi, dhe Shqipërisë mund ti bashkëngjitej Kosova. Me këto pika ne e përjashtonim vetë këtë mundësi.

Por dhe një punëtor i thjeshtë miniere që erdhi në shtëpinë time për ti shkruar një kërkesë, pa një kartolinë në tavolinën time. Më pyeti kush është ky qytet. I them është Spliti, qytet bregdetar në Kroaci. Dhe ky pretendonte se me këtë foto promovoja Jugosllavinë etj..

Po ti si i kundërshtoje këto akuza?

Nuk i kundërshtoja fare, por u lëshoja ndonjë batutë këtyre. Njërit i thashë se zemrën e paske më të zezë se fytyrën, tjetrit i thashë se nuk mund të fitosh parajsën e humbur duke shërbyer aq keq, në dëm të tjerëve të pafajshëm, etj, etj..Përfundimisht u dënova 8 vite, pra përfundova në Spaç.
Spaçi ishte i vështirë, ndodh të mos gjeje bezet
e bardha që mbështillje këmbët në çizme dhe ishe i detyruar të futeshe në galeri, direkt kembët në çizme gome. E ndjej edhe sot atë situatë.

Kur dolët nga burgu?

Doli një falje dhe pasi bëra diku 5 vite e ca, dola nga burgu. Më sollën sërish në Mirditë, por si punëtor i thjeshte në shërbimet komunale, në qytet. Për 8 vite me rradhë punova në këto punë të rënda, pa shtëpi, por në një dhomë pa kushte në afërsi të komunales, ndërsa vitin e fundit punova me miq të mirë tek sporti, ku vizoja fushën e volejbollit dhe e mirëmbaja atë. Në vitin 1989 më çuan në Elbasan.

Pse shkove atje?

Më çuan pasi për ne të emigracionit kishte një zyrë të posaçme në ministri dhe të çonin ata. Në Elbasan nuk punova në fakt. Kështu pak muaj më vonë ra komunizmi, ndërsa u ftova për të punuar si mësues në shkollën e gjuhëve të huaja aty, ku jepja gjuhën gjermane.

Po në Kosovë kur shkove për herë të parë?

Ishte viti 1992…Hyra nga Maqedonia dhe erdha në Podujevë. Mu bë një pritje e madhe. Kjo i shqetësoi autoritet serbe. Erdhën dhe më kontrolluan dhe konfiskuan shumë gjëra. Dyshonin për agjent të Shqipërisë.
Hej bela, atje më patën quajtur e dënuar për agjent të Jugosllavisë, këta për të Shqipërisë. U detyrova të vij menjëherë në Shqipëri. Erdha dhe një herë në vitin 1994, por përfundimisht erdha në vitin 1999.

Pas kësaj kohe me çfar je marrë?

Kam shkruan disa libra, janë botuar dhe mirëpritur.

Podujevë, 9 gusht 2020

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest