Javascript Disabled!

Please Enable Javascript if you disabled it, or use another browser we preferred Google Chrome.
Please Refresh Page After Enable

Powered By UnCopy Plugin.

Nga Dr. Rovena Vata –Albanologe, “Magjia e malit të Pashtrikut….”

Nga Pirusti News
1 451 Shikime

Emërtimi Has, apo malësia e Hasit, përdoret për të shënuar trevën malore e kodrinore në Veri të Shqipërisë së sotme dhe atë në Perëndim të Kosovës. Në qendër të kësaj treve, qëndron e paluhatshme përkundër stuhive dhe dallgëve të pamëshirshme të kohës, Maja e Pashtrikut me malet përreth, që bëjnë pjesë në alpet shqiptare.

Me Hasin është i lidhur ngushtë edhe toponimi i malit Pashtrik, meqë Hasi si territor shtrihet përrreth Pashtrikut. Në vendbanimet rreth këtij mali kanë jetuar Pirustët dhe Dardanët, gjurmët e fiseve ilire në këto anë i hasim edhe sot në shumë toponime, në gjetjet gjatë gjurmime arkeologjike, në emra të vendbanimeve, që ruajnë trajta nga më të lashtat të periudhës ilire.

Në mesin e shumë trashëgimive është edhe emri i malit Pashtrik, pastaj mali Pergest (ku gjendet shpella e Dajçit, ku vitin 1985/87 janë bërë gjurmime arkeologjike nga ana e arkeologëve të Shqipërisë dhe janë gjetur shumë materiale arkeologjike), që flasin se kjo shpellë dikur ka qenë vendbanim i njohur.

Kur jemi te toponimi i malit Pashtrik medoemos duhet të themi se për këtë toponim në popull gjallojnë shumë gojëdhëna, që lidhen me emrin e këtij mali dhe shumë prej këtyre gojëdhënave lidhen me emrin Sari Salltuk Babës, varri i të cilit misionar të fesë islame në Evropë, gjendet në pikën më të lartë të Pashtrikut.

Gojëdhënat nuk mund të merren si bazë shkencore për ndriçimin e etnogjenezës së një fjale të vjetër apo edhe toponimi, por në disa raste mjaftojnë sa për të kundërshtuar disa mendime që gjithashtu nuk bazohen në shkencën e mirëfilltë, por vetëm në disa të dhëna të pa baza të studiuesve sllavë, që sipas tyre fjala (toponimi) Pashtrik rrjedh prej fjalës sllave “pashnjak”, që e ka kuptimin e kullosave, përkundër faktit se malet e Pashtrikut janë shumë të pasura me bimë të rralla, që nuk gjenden nëpër malet tjera të Kosovës, malet e kësaj bjeshke nuk i plotësojnë kushtet për të qenë kullosa, meqë mungon uji i pijshëm.

Prandaj, ato pak bagëti, që i kullosin në këtë bjeshkë duhet t’u adaptohen ujit që formohet përmes shkrirjes së borës, e cila ruhet nëpër shpella edhe në ditët më të nxehta të verës, sepse shumë shpella janë të thella në formë pusi me qindra metra, në të cilat rrezet e diellit nuk arrijnë kurrë apo siç thonë disa barinj të këtyre anëve: “Bora mund të shkrihet në shpellat e Pashtrikut vetëm nëse dielli rrëzohet përdhe…”

Por, një numër i madh i studiuesve shqiptarë e përkrahën tezën e studiuesve sllavë dhe shumë herë në punimet e tyre shtuan se emri i malit Pashtrik, ka prejardhje sllave, duke u nisur nga fjala “Pashnjak”, siç është Mehmet Topalli, me të cilin autori i këtij shënimi pat bërë një polemikë në një gazetë periodike në vitin 1995.

Mali i Pashtrikut, siç del te Sibila Samia e Bogdanit, paraqitet si mali i shenjtë, i perëndive, çka vërteton faktin se ky mal ekzistonte si mal i perëndive dhe i figurave e besimeve të tjera mitologjike.

Sipas disa të dhënave edhe sot ky mal ekziston në konceptet e popullit si mal mitologjik, i shenjtë e me magji të ndryshme. Gjykuar në bazë të këtyre të dhënave nga vepra e Bogdanit dhe e Lukë Bogdanit, del se për atë pjesë të popullsisë sonë Pashtriku si toponim mitik ishte diçka si Olimpi grek. Në letërsinë tonë shembull të tillë kemi në letërsinë e Rilindjes malin e Tomorrit dhe në letërsinë shkodrane malin e Vizitorit dhe figurën e tij Zana e Vizitorit si dhe Zana e Pashtrikut te ky poet.

Zana së pari na del si figurë mitologjike, e cila lëshon këngë në maje të maleve. Si figurë mitologjike ajo imagjinohet si vashë me bukuri të rrallë, e në situatën reale, në konceptin e viseve malësore shqiptare.

“Kendoj Zana maje MALET,

Ani zuni me lodruem;

Tek i thonë VRAP i KUALET;

Ndë zemerë fort gezuem”.

Zanat janë gra që jetojnë në male të mëdha, në lëndina në mes të korijeve, afër burimeve dhe mrizave me hije të rënda. Ato bëjnë një jetë endacake, sa në një vend në tjetrin.

“Këndoj zana majë malet,

Ani zunë me lodruem,

Tek i thonë vrap kualet,

Ndë zëmërë fort gëzuem”.

Nga këto vargje ato dalin si qenie të gëzuara, por jo gjithmonë janë të tilla pasi Zanat u bëjnë keq njerëzve. Ato të shitojnë, të bëjnë të marrë, të bëjnë sakat, të gjymt.

Vendet që mendohen të kenë zana janë: Rrethi i Qytetës (në bjeshkë të Krumës), në Ja se si përshkruhet bashkëjetesa e zanave te malit me njerëzit që jetojnë rreth Pashtrikut:

Në një periudhë të mëvonshme, bashkë me hapat e parë të letërsisë në gjuhën shqipe dhe gati për dy shekuj e gjysmë me radhë, u krijuan e u shfaqën mite të reja, si miti i gjuhës amtare, miti i vendlindjes, miti i botës shqiptare (“ņ së dashunit botësë sanë”), që herë-herë shkon deri në prekjen e një vetëdije etnocentriste, sidomos tek Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve”, ku një pjesë e lëndës teozofike albanizohet (cikli i Sibilave dhe disa poezi me motive biblike-ungjillore zhvendosen në një tjetër “tokë të shenjtë” prej asaj të Biblës: nuk ka në to Sion, Palestinë, Nazaret apo Galile, sepse ndodhitë zhvendosen në Pashtrik, në Zadrimë, në Prizren, në Shkup, në Has e në Shkodër. Në përmbyllje të kësaj tradite letrare nuk mungoi dhe “malli i stampësë”, miti i Gutenbergut, miti i librit, i ndriçimit të mendjes njerëzore.

Mali i Shenjtë Pashtrik a “Baba Pushtrik”, mendohet si simbol i identitetit të tërë këtij areali, me pelegrinazhet, flijimet e ritet e shumta në këtë Mal të Shenjtë, si simbol i jetës, i shëndetit, i mbarësisë.

Pashtriku ndër shekuj është adhuruar si Mal i Shenjtë nga banorët e fshatrave rreth tij. Në ditë të caktuara të gushtit janë bërë pelegrinazhe; në majë të malit te Varri i Mirë janë bërë flijime, desh, qe, lopë ose dhe këndesa. Aty janë bërë lutje e janë lënë dhe dhurata të ndryshme. Kanë shkuar atje në shumë raste për shërim, për mbarësi e shëndet. Kanë hyrë e kanë bërë rite dhe në Shpellën e Lakuriqëve, në Gurin e Shpum të Grave në Majë të Pashtrikut.

Për banorët e Hasit ka qenë një mal shumë i adhuruar. Pashtriku si Mal i Shenjtë nuk do të kishte kuptim pa banorët e fshatrave që e adhurojnë ndër shekuj e bëjnë mbi te rite, bëjnë kurbane. Pra nuk kuptohet as Pashtriku pa atë bashkësi shoqërore krahinore që ka jetuar rreth tij, po as ata pa Pashtrikun si Mal i shenjtë nuk mund të ishin bashkësi e tillë. Për ta Pashtriku ishte identitet i tyre si bashkësi sociale, krahinore.

Edhe sa i përket emrit të këtij mali të shenjtë ruhen disa legjenda, që lidhen me figurat mitologjike. Madje pikërisht populli emrin e këtij mali e lidh me figurën e shtrigës pash + shtrig (a), që do të thotë se banorët rreth këtij mali janë frikësuar nga fuqia e këtij mali se kanë qene të bindur se kanë parë shtriga. Ndërkaq më vonë pas ngritjes së një varri të shenjtë në maje të Pashtrikut, kanë menduar se mali është pastruar nga shtrigat dhe tani mendohet se ky mal e ka marrë emrin nga fakti se nuk ka më shtriga Pa + shtrig (a).

Sa për të bërë një krahasim ja vlen të përmendim faktin që sa shumë emra fshatrash kanë marrë emra të shenjtorëve të objekteve të kultit, si: Shëngjergji, Shmria, Shupali, Shjaku, Shëngjini.

Ka dhe maje malesh të shenjta të kultit pagan që me kohë kanë marrë dhe emra islamë a të krishterë, si: Sarisalltëku në Krujë që dikur e ka pasur emrin dhe Maja e Shënlleshit, Maja e Baba-Abaz Aliut (mbi Tomorr, mbi Këndravicë), Maja e Shëlbuemit a Maja e Teqesë në Lezhë, Shlliu, (Mali i Shën Ilisë) përballë Tepelenës, Maja e Shën Gjergjit në Kurbin.

Në besimin e popullit, varri i Sari Salltek Babës, i cili vizitohet për çdo vit më 14 gusht, ku bëhen pelegrinazhe. Pelegrinazhi në malin Pashtrik, përkatësisht të varri i Sari Salltëk Babës ka vazhduar edhe në kohën e komunizmit dhe dita e 14 gushtit është kremtuar edhe si ditë gjithëpopullore. Ky varr, ndryshe është pagëzuar, edhe si varri i Babës Pushtrig, që e ka marrë emrin me kalimin e kohës sipas malit.

Bashkësitë shoqërore të caktuara dhe malet a vendet në përkatësi të tyre në mesjetë e më tej, krahinëza a fshatra, kanë marrë emra shenjtorësh a të qenieve mitike të mbinatyrshme.

Pashtriku, deri në shekujt XV-XVI, duke qenë ndërkohë mal, na del dhe si emër krahine. Ky emër është ruajtur dhe në kujtesën historike të pasardhësve të atyre që u larguan prej asaj krahine, për më tepër, nga që Pashtriku ka qenë një Mal i Shenjtë i kultit pagan me një forcë energjie të veçantë e të veshur më vonë, radhazi, dhe me dukuri të kultit të krishterë e islam, me disa veçanti të një natyre tepër domethënëse, pra e ngulur thellë në psiken e popullit, në traditat e tij shpirtërore.

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest