-Aleleksandër NDOJA-
Në udhëtimet e shpeshta diktuar nga aktivitet e shumta në drejtim të njërit prej tre kryeqyteteve shqiptare, Prishtinë, takimet me njerëz, sidomos të njerëzve të fjalës e letrave, janë të shumta. Parë në një këndvështrim, vetë natyra ka një rregullsi të mbinatyrshme në përcaktimin e tipave dhe karaktereve, për ti dhënë sejcilit veçanësinë në profilin e tij. E në këtë kuptim, duket se vetë natyra është kujdesur që poetit e intelektualit, mësuesit e qytetarit të Fushë-Kosovës Hysen Grajçevci, ti japë veçanësi, sidomos në komunikim, përmes prezantimit me një profil tejet miqësor.
Si drejtues të Akademisë së Artit, Shkencës e Letrave “Mirdita” jo në pak raste aktivitetesh në Prishtinë, por edhe në Tiranë apo Lezhë konstatonim në mes pjesëmarrsish të shumtë edhe Hysen Grajçevcin, me atë profilin e tij të qeshur e tejet miqësor. Kjo rrjedh mësëshumti edhe për faktin se është gjithmonë në përpjekje për të kompensuar kohën e humbur, nga ndarja afro 100 vjeçare. Edhe i biri tregonte me pasion mbi përpjekjet e shumta në kohë izolimi, se si mundoheshim të çanin murin viziv përmes antenave të shpikura fshehurazi, për tu lidhur me Tiranën, me radiot apo TV-në e saj, ndërsa përshkruan se si me t’u hapur kufinjtë, pa pritur që situata të stabilizohej, poeti Grajçevci msyn Tiranën, Lezhë, Kukësin, Durrësin e çdo zonë shumë të ëndërruar në tokën amë.
Kjo është arsyeja, që ndonëse me pak njoftime, salla kryesore e Muzeut Historik të Tiranës, në fundqershorin e nxehtë që sapo kaloi u mbush me artadshës, miq të autorit nga Prishtina e Fushë-Kosova, nga Tirana, Mirdita e Lezha, të ftuar në promovimin më të fundit poetik të titulluar “Në strehën e fjalës” të autorit në fjalë.
Janë të shumtë ata që duan të marrin fjalën pasi ka sejcili diçka për të thënë, ndërsa moderatorja Dr. Rovena Vata njëherit dhe reçensente e këtij botimi, më herët ndër të tjera ka thënë se vëllimi “Në strehën e fjalës” siç duket është ngjizuar nga shprehja etnologjike, e tipit: Qe kur kam le, apo shprehjen: Aty ku më ka ra krye (koka) pra në tokë. Lidhja e njeriut me tokën, në rastin konkret të poetit, qëndron në filozofinë e lidhjes me jetën, trashëgimin dhe zhvillimin e saj ndër breza, si në poezinë: “këngët mbesin të njëjta”.
Ndërsa drejtuesi tjetër i panelit, piktori Pjetër Marku, kryetari i Akademisë “Mirdita” në fjalën e tij në këtë promovim bëri një ekspoze të gjerë të bashkëpunimit të revistës “Mirdita” me poetin Hysen Grajçevci, angazhimin e tij dhe vlerësimet me të cilat është nderuar, falë këtij bashkëpunimi. Folës të tjerë kanë përcjellë përshëndetje dhe urime të shumta për autorin, ndërsa mjaft emocione përcolli mbesa e poetit, gjimnazistja Ira Grajçevci. Takimi sa letrar dhe festiv u mbyll në hollin e Muzeut Historik, ku pjesmarrësit mes bisedave në grupe i dhanë edhe më shumë kuptim e hijeshi këtij promovimi.
Jo rastësisht profesoresha Kimete Ahmeti shkruan se: “Kur “STREHA E FJALES” e poetit kosovar HYSEN GRAJÇEVCI, promovohet ne ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në mes të Tiranës, në praninë e elitës letrare shqiptare, s’ka si të mos ndihet kënaqësi e madhe për çdo zemër shqiptari!
Urime të përzemërta autorit te “NENE STREHEN E FJALES” lexueseve te tij, si edhe gjithë pjesemarrëseve te evenimentit në fjalë.
Ju zonja e zoterinj, autorë, referues, redaktore e kryeredaktorë, debatues…miq të fjalës se shkruar…me një fjalë elita kulturore e botës letrare dhe më gjerë, të tubuar aty sebashku, motra e vëllezër të një gjaku, krahas promovimit të librit “NE STREHEN E FJALES” ju bëtë krejt natyrshëm edhe promovimin e BASHKIMIT TONE KOMBETAR, pa prekur kufinj administrativë, por duke bashkuar zemrat që moti rrahin në këtë drejtim. Dhe kur zemrat bashkohen për nje ideal te lartë e fisnik, s’ka forcë që ndalon realizimin e tij….Ju e arritët këtë në mënyrën më të mirë, me elegancë, ashtu si dinë e bëjnë intelektualet e vërtetë të kombit, andaj urime autorit dhe të gjithë pjesemarrëseve të këtij evenimenti madhështor, urime promovimi, urime BASHKIMI YNE KOMBETAR”.
-Dy fjalë për poetin Hysen Grajçevci-
Është lindur më 16 prill 1953 në Komunën e Kastriotit, ndërsa pas përfundimit të fillores në fshatin e lindjes në Hadë, ndjek shkollimin e mesëm në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë, për të vijuar me përfundimin e fakultetit për Letësi dhe Gjuhë Shqipe, në Prishtinë.
Që në moshë rinore është marrë me publikime në shtypin e kohës, konkretisht në Zërin e Rinisë, Bota e Re, Fjala etj. Vëllimi “Shpresë e Përlotur” është libri i tij i parë botuar në vitin 2016. Ëshë bashkëpunëtor aktiv në shumë gazeta, portale dhe në revistën kulturore “Mirdita”. Në vitin 2017 revista “Mirdita” e ka vlerësuar me çmim për poezinë më të mirë botuar në këtë revistë, ndërsa dhe Klubi Letrar De Rada në Ferizaj, Gazeta e Alpeve “Tropoja” si dhe portali limit.al e kanë vlerësuar me çmime nderi për poezinë e shkruar.
Hysen Grajçevci jeton, punon e vepron në Fushë-Kosovë e Prishtinë.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”.
Ndalohet kategorikisht kopjimi apo tjetërsimi etj, pa autorizimin e administratorit të “pirustinews.com”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”.
Lejohet çdo shperndarje ne profile te ndryshme sipas deshires se gjthesejcilit qe e gjykon te arsyeshme.
Administrator
Aleksandër NDOJA

