Të dhëna historike, Abacia e Shën Llezhdrit (Aleksandrit), në Orosh, Mirditë.

Përgatiti Adnand LLESHAJ

Nga Pirusti News
1 149 Shikime

Kjo është abacia për të cilën kemi më pak informacione, por që konsiderohet si më e madhja e #shekujve XIV-XV në vendin tonë. Abati i kësaj periudhe themelonte kisha gjer në Malin e Zi të sotëm, çfarë flitet për një shtrirje e ndikim aktiv tepër të gjërë e shumë përtej kufinjve të shtetit tonë të sotëm. Vendodhja mbi Malin e Shenjtë “#Nanshejt” të Oroshit, studiuesit janë të memdimit se mali ndodhej poshtë rrafshnaltës mbi të cilin ndodhej abacia, ndaj dhe e mori emërtimin prej saj. Disa e interpretojnë si “Nën-shenjt – poshtë shenjtërisë”, e disa si “Nantë-shenjta -nëntë shenjta” se sipas legjendave fillimisht aty rrinin 9 shenjtër, ose themelimi ishte bërë me eshtrat e 9 martirëve. Sidoqoftë, #toponimia na tregon se ai vend është i lidhur ngushtë me egzistencën e një kulti të shenjtë aty.

Po kështu aty kemi “Qafën e Qirit” ku preheshin gjatë natës të vdekurit që të nesërmen do të varroseshin tek “Varrezat” më lart. Në shek. XV kemi #dokumenta të vakëta se aty u zhvillua një betejë nga pushtimi osman ku e gjithë abacia u zhduk nga faqja e dheut. Sipas Akademikut #Mark_Tirta aty ka qënë një manastir, më i madhi i kohës dhe mund të ketë qënë i ndërtuar prej druri se ndryshe nuk shpjegohet mosgjetja e rrënojave të gurta. Megjithatë, deri më sot nuk është bërë ndonjë studim arkeologjiko-shkencor për ta vërtetuar nëse nëntokë mund të gjenden themele. Gjatë hapjes së rrugës për në “Fushat e Lugjave” që u qa mali, u gjetën shumë eshtra e relike kulturore të kulturës së Arbrit Mesjetar, çka dëshmon se Varreza e Re ngrihet disa metra mbi një varrezë më të hershme mesjetare. Në dokumentet latine del që kjo Abaci kishte rreth 800 klerikë e mund të ketë shërbyer për të furnizuar kishat gjer në Bullgari, Rumani e me radhë, sepse në këtë periudhë Konstandinopoja kishte rënë në duart e osmanëve dhe nuk e kryente më këtë rol. Pas rënies dhe shfarosjes, kishat zbresin në fshatin Orosh e Spaç të Mirditës.

Abat Preng Doçi, më vonë do e ringrinte këtë abaci, (megjithëse tek ajo që njihet si “Kisha e Oroshit” rrëzë malit e jo tek #ish_Manastiri që gjendej majës së tij në vendodhjen e dikurshme) duke i dhënë me emrin e tij shkëlqimin që tërhoqi shumë kronistë e fuqi të huaja (austriakët themeluan dhe një akademi ushtarake “Dragoman” prej ku dolën oficerë) por këtu s’po zgjatem sepse tema do tejkalonte qëllimin fillestar. Sot për sot, në asnjërën prej tyre nuk mund të shkohet pa patur një makinë me goma të forta sepse rrezikon të çash gomat apo, më keq akoma: sadokart! Asfaltimit të këtij segmenti tashmë i kanë mbetur vetëm disa km asfalt për tu shtruar por ende lihet në heshtje. Kujtojmë se për shekuj me radhë në harta europiane, kur gjithë gadishulli ballkanik e më gjërë figuronte i pushtuar nga Perandoria Osmane, herë Oroshi – herë Mirdita, e herë të dy emrat bashkë, figuronin si njësi autonome.

Dhe për këtë patjetër që feja ka luajtur rolin e saj, disa mendojnë që ka luajtur rol komunitarizmi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, kurse terreni nuk mendoj që duhet llogaritur sepse ka terrene shumë më të egra në Ballkan, Azi e Afrikë por kjo nuk e ndaloi perandorinë që ti pushtonte. Kisha e Shën Llezhdrit sot ruhet vetëm në dokumentacionet arkivore të Vatikanit, në ndonjë studim shkencor a libër që e trajtojnē vetëm si informacion plotësues, në memorien e #studiuesve tepër të specializuar me periudhat mesjetare, apo në ndonjë enciklipedi si “Encyclopedia.com” që e cek përciptas, sa për tia përmendur emrin.

Në krye të Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës, për herë të parë kemi të emëruar nga Papa një kler shqiptar, urojmë që ai të jetë zëri i shpresës së besimit për ti dhënë Abacisë së Oroshit #Shkëlqimin_e_Tretë, që turistët që vinë për ta fotografuar të gjejnë dhe një manual historik, pse jo, një qendër muzeore si “Info-Kulla” e ngritur në Rrubik, e banorët e zonës përreth të marrin frymë nëpërmjet rrugëve, sepse nëpërmjet rrugëve mund të shkojmë në Europën Kulturore e Politike.

Adnand LLESHAJ Shkurt 22

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest