Mark VUKA, mjeshtër dhe personalitet i energjitikës shqiptare

Promovohet “Krushku i parë i Dritës”, me autor shkrimtarin Gjovalin Ndoja

Nga Pirusti News
1 015 Shikime

-Në vend të një ngushëllimi-

Pak ditë më parë, më 4 qershor 2022 u bë promovimi i librit “Krushku i Parë i Dritës” me autor shkrimtarin Gjovalin Ndoja. Në fakt libri nisi në kohën kur protagonisti i këtij libri, më saktë protagonist i sitemit energjitik që në fillesat e para Mark Vuka jetonte, madje prezantonte një protagonizëm të pashoq për moshën e tij rreth të 100-tave. Marku më kishte telefonuar disa herë për disa detaje, por edhe duke më kërkuar që unë të shprehja lirshëm mendimin tim rreth njohjes tonë rreth 40 vite më parë. Ndërsa Mark Vuka krejt papritur u nda nga jeta më 19 mars të këtij viti, libri doli nën përkujdesjen e familjarëve.

Për të parë se kush ishte Mark Vuka në konceptin tim, po përcjell shkrimin që kisha realizuar në të gjallë të tij, ndërsa tashmë është në librër, realizuar cilësisht nga Gjovalin Ndoja, i sponsorizuar nga bisnesmeni i mirënjohur Ndue Shpani. (aleksandër ndoja)

Shkrimi i plotë, i botuar në librin “Krushku i Parë i Dritës” kushtuar Mark Vukës.

Ka qenë fillimviti 1985 kur kam njohur sëpari Mark Vukën. Isha krejt i ri diku pa bërë akoma 18 vite, kur shteti i kohës, më saktë drejtoria e Ndërmarrjes së Riparim Shërbimeve ku punoja për më shumë se dy vite,  më çoi me punë nga Rrësheni, për në sektorin e Rubikut të po kësaj ndërmarrjes shërbimesh, në të njëjtin pozicion pune. Në fakt bashkëmoshatarët e mij në atë kohë ishin akoma në bankat e shkollës së mesme, konkretisht në vitin e fundit, por për shkak të disa rrethanave unë në atë kohë nuk mund të çaja rrugëve të shkollimit të lartë, ndaj me ndërhyrjen e prindërve kisha kryer një kurs specializimi, çka më detyroi të isha koleg me mosha që ishin shumë larg moshës time. Por kjo nuk me cedoi aspak në miqësitë e mija, falë burrave të mençur e dashamirës, të cilën e kuptuan situatën time në një qytet ku kisha shumë pak, apo aspak njerëz të njohur.

Ndër të parët miq me të cilët fillova të shkëmbeja biseda, në kafe apo në zyra ishte Mark Vuka. Ende pa u njohur me të më bënte përshtypje portreti i tij në rrugët e qytetit të vogël. Njeri trupgjatë, natyrë krejt e qetë, që të drejtohej me një shprehje e intonacion tipik të zërit, gjithnjë fjalë ëmbël.

Shumëkush sot mund të thotë se pse u njohe sëpari me Markun që ishte shef i nënstacionit, ndërsa ju ishit në një tjetër ndërmarrje. Po, e vërtetë kjo sot mund të hajë diskutim, por Nënstacioni i Rubikut kishte një numër të limituar punonjësish, dhe për pasoje jeta organizative si ajo e rinisë, partisë apo bashkimeve profesionle bëhej sëbashku me ndërmarrjen tonë. Madje kujtoj se disa mbledhje bëheshin në njërën nga zyrat e nënstacionit, pasi aty kishte ambiente më të mira. 

Prej asaj kohe qëndrimet tona u shpeshtuan, na rastiste të shkëmbenim biseda pafund, sidomos për punën. Në mendjen time askohe ishte fiksuar ideja se këta njerëz janë tepër të zotë, kur i shikoja mes telave dhe transformatorëve gjigandë, në breg të lumit Fan, ku ndodhet dhe sot.

Po cili ishte mendimi im për Mark Vukën, i pandryshuar edhe sot.

Më kujtohen disa raste, kur Marku vinte në vendin tim të punës, më gjente ndoshta të përhumbur e me ton urdhëror më thoshte çohu e dalim, duke më dhënë siguri se edhe përgjegjësit e mij nuk do më ndërshkonin për largim pak minutësh nga vendi i punës. Në biseda që doja që kurrë të mos mbaronin, këmbët na çonin në kafen e kohës, diku aty në Lagje të Re. Fiksoheshim shumë te puna heroike që kishte bërë ndër vite, për elektrifikimin e vendit, për mbajtjen nën kontroll të situatës energjitike. Në disa raste këmbët na çonin edhe në ambientet e punës së tij, në nënstacion. Aty brenda ishte një situatë krejt e çuditshme, për ne të cilët nënstacionit i kishim kaluar nga afër. Impresionoheshe sapo kaloje pragun e derës, teksa të shfaqej një korridor i gjatë me di371sa dyer zyrash anash. Në fund të korridorit shfaqej salla e madhe me pajisje moderne për kohën, ndërsa transformatorët gjigandë ndodheshin në një hapësirë tjetër, jashtë ndërtesës.

Duhet te kuptojmë sot, se asokohe nënstacionin i Rubikut nuk ishte thjeshtë për konsumin qytetar, apo për disa bisnese, që është sot. Jo, atëherë nënstacioni i Rubikut ishte objekt i rëndësisë së veçantë. Ai nënstacion furnizonte minierat përrreth, por mbi të gjtha furnizonte me energji Metalurgjinë dhe Uzinën. Një problem sado i vogël do ishte fatal për ndërprejen e zixhirit të prodhimit, e për pasojë do kishte pasoja po aq fatale, për stafin e punës aty. Kur bëhej remonti në uzinë apo Metalurgji, merrej vendim nga lart. Punohej natë ditë në pastrimin e furrave, të cilat vetëm në kësi rastesh fikeshin me afat të paracaktuar. Imagjinoni sikur furrat të fikeshin apo proçesi të stoponte për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Pikërisht këtu qëndron madheshtia e Mark Vukës dhe e stafit që e rrethonte, pasi duhej punë e përkushtim, mbi të gjitha kujdes, kujdes dhe vetëm kujdes. Kujdesi duhej edhe për jetën. Në nënstacion elektrik jeta jo gjithmonë është e sigurtë. Në nënstacionin e Rrëshenit, disa herë më i vogël se i Rubikut, në atë kohë ndodhi një ngjarje e rëndë. Thjeshtë nga pakujdesia humbi jetën një punonjës, madje me shumë vite eksperiencë.

Kjo s’mund të ndodhte në Rubik. Në Rubik ishte Mark Vuka, një mjeshtër i vërtetë, por dhe mbi të gjitha një njeri i përkushtuar por edhe babaxhan. Kam përshtypjen se ai nuk bënte sjellje diferente me punonjësit e tij. Kishte të njëjtën vijë sjellje. Kishte eksperiencë të gjatë mbi supe, ndaj i ishte besuar një pozicion i tillë, në një objekt të rëndësisë së veçantë, në Rubik ku edhe jetoi për shumë vite.

Ishte fat që sistemi energjitik shqiptar kishte në rradhët e tij një mjeshtër si Mark Vuka, siç ishte edhe është fat që Marku ishte mik i joni, mik i të gjithëve që e kanë njohur dhe janë me fat ta kenë mes tyre.

Aleksandër NDOJA,

 

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest