Anton Curri i rikthehet vendlindjes me një ekspozitë të veçantë në pikturë

Nga Pirusti News
4 446 Shikime

Anton Curri, mbetet padyshim një emër me kontribut të konsiderueshëm në artin dhe kulturën e Mirditës. Bashkohësit e para viteve 90-ta, por edhe disa vite më vonë e kujtojnë të riun energjik, pjesë e pallatit të Kulturës Mirditë, i cili shkëlqente në teatër dhe estradë, por edhe çdo evenimet kulturor e artistik që inicoheshin në ato vite. Përveçse si aktor, përpilues tekstesh humoristike Anton Curri është edhe autor i themelimit të një gazete humoristike dhe një libri pa zë. Por ajo çfarë shkëlqente më shumë te Antoni ishte dora e veçantë që kishte në pikturë, ku siç artikulon ai vetë, ishte pjesë e talentit të tij, pa kryer ndonjë shkollë a specializim të dedikuar në këtë drejtim.

Pas viteve 90-ta Anton Curri emigron në Greqi, ku për vite me rradhë punon papushim në artin e pikturës, kryesisht në kisha dhe banesa piktoreske të vjetra.

Disa herë i kthehet vëndlindjes së tij, Rubikut, ku në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë arriti të realizonte një shqiponjë gjigande në faqen anësore të skarpatës së lumit Fanë, në qytetin e Rubikut me ide dhe dizanjim nga Xhovalin Kaçorri. Një shqiponjë e tillë kaq e madhe që vishte pjesën anësore të lumit, ka tërhequr për vite me rradhë vëmendjen e kalimtarëve të shumtë në autostradën Milot-Prizren realizuar me dorën e Anton Currit, por me mbeshtetjen financiare nga ish-deputeti i ndjerë, Gjovalin Kadeli.

Këtë rradhe Anton Curri  i kthehet vendlindjes dhe ambienteve të Qendres Kulturore ku punoi vite me rradhë, me një ekspozitë me pikturat e tij realizuar vitet e fundit.

Në hapje të kësaj ekspozite kolegë dhe miq të autorit kanë vënë në dukje stilin e veçantë në punimeve të tij, sidomos në qëmtimin e karaktereve. Për më shumë ndiqni pamje nga eksponatet e punimeve të autorit, Anton Curri.

-Aleksandër NDOJA-

Ju mund të lexoni edhe...

Pin It on Pinterest