Nga: Aleksandër NDOJA/Kryeredaktor.
Disa vite më parë, konkretisht në 29 korrik 2013 kur doli numri i parë, nuk shpallëm garë e as ndonjë objektiv shifrash. Kishim një objektiv tonin krejt të qartë kur vendosëm që misionit tonë për të cilin nisëm startitn, ti bashkëngjitnim një revistë, revistën “Mirdita”. Jo pak nga ambienti që na rrethonte, por edhe vetë ne, promotorët e kësaj ideje, dyshonim se kjo ide që edhe nëse mund të realizohej, do të ishte afatshkurtër, pse jo, mision i pamundur.
Në fakt jo vetëm ne, por edhe ambienti miqësor që na rrethonte, kemi detyrimin të çojmë “duart lart” dhe të pranojmë se nuk ishim koherent dhe largpamës në këtë drejtim.
Kjo ndodhi se ne u treguam vizionarë në misionin tonë, ishim ambiciozë dhe të përkushtuar në realizimin e kësaj ideje, por mbi të gjitha kemi ditur të përftojmë mbështetje të gjithëanshme nga miqtë e artit dhe kulturës, por edhe nga miqtë tanë dhe të Akademisë së Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”.
Mbështetja ndaj nesh nuk erdhi rastësisht, madje erdhi nga brenda dhe jashtë kufinjve. Nuk erdhi rastësisht sepse ne ditëm të jemi bashkëpunues, miqësorë dhe të hapur ndaj të gjitha rrymave letrare, pa kufinj ideore apo kombëtarë. Ne ditëm të dilnim nga rrethi vicioz i një treve sado të lavdishme. Dolëm sepse revista jonë nuk mund të qëndronte e kufizuar brenda territorit që mban në kopertinën e saj. “Mirdita” si pjesë integrale e kombit tonë të përbashkët eci e sigurtë drejt çdo vatre shqiptare brenda kufinjëve administrativë, por eci po aq e sigurtë dhe krenare brenda kufinjve natyralë si në Dardani, Maqedoninë e Veriut, cepeve të lirisë akoma nën okupimin serbosllav, si Medvegje, Luginë e Bujanovc, e Mal të Zi, por edhe në shtete të ndryshme europiane, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Është kjo arsyeja që sot në numrin e 35-të kemi një bilanc pozitiv jo vetëm numerik, por edhe cilësor përsa i përket rubrikave të ndryshme. Në një vështrim të thjeshtë sot kemi 35 numra me vizualitet cilësor me ngjyra, realizuar mjeshtërisht nga Shtëpia Botuese “GEER” me administrator z. Gjon Jaku në 33 numra, ndërsa dy të tjerë janë realizuar në Kosovë në shtypshkronjën “Lena Graphic” në Prishtinë. Nga lastrat e këtyre shtypshkronjave kanë dalë plot 35 numra me 3764 faqe, ku 1627 autorë kanë lënë gjurmët e pendës dhe mendjes së tyre. Në duart e lexuesit kanë mbërritur 16 mijë ekzemplarë, ndërsa ky numër do të njohë dimensione të reja në kohët vijuese.
Ajo çfarë na bën më optimistë është, se kjo punë e jona nuk do të ketë të ndalur. Garanci për këtë është puna jonë e palodhur, korrektësia, por mbi të gjitha mbështetja e madhe që vjen nga bashkëpunëtorët tanë, por edhe lexuesit e “Mirditës”. Falë punës tonë e mbështetjes tuaj, revista “Mirdita” është e garantuar edhe vijimsisht. Nëse sot shënojmë numrin 35 të saj, bashkë do jemi edhe në numra jubilarë vijues.
Na priftë e mbara.

@2017 – Pirusti News. Te gjitha te drejtat te rezervuara.
“Të gjitha të drejtat e këtij materiali jane pjesë ekskluzive e patjetersueshme e “pirustinews.com” sipas ligjit nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit” dhe të drejta të tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e “pirustinews.com”, në të kundër çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të ligjit 39/2016”